Fragment nga romani “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit

Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej?

Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.

Mbasandej kapërceva disa faqe e këndova: Mbasandej kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kushedi se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkue bukurinë e shokut të vet jo gjini.

Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që tue kundrue mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet të perces së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubëza vjeshash për ata që u kalojnë pranë, pa ditë se kanë plagosë randë disa zemra të strukura brenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm?

Oh, sa e sa sy vajzash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, megjithëqe natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajtue me ndjesitë e dashunisë. Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante: S’di se cfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje?

Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që ti meritojë, ose të ketë interes apo frikë nga burri që nuk e këput atë lihej që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për ta shmangë cdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të ba nji familje të lumtun , ata që do të martohen përpara se ta bashkojnë fatin e jetës lypet të jenë njoftë, t’i kenë pajtue karakteret dhe ta kenë dashunue njeni-tjetrin. Përndryshe, s’bajnë tjetër vecse krijojnë nji ferr për me e torturue veten dhe për t’i përcëllue në flakët e tij edhe fëmijët që do t’u lejnë. / KultPlus.com

‘Sikur të isha djalë, do t’u mëshoja me grusht turijve atyne që duen t’a përdorin femnën si kafshë e si mjet dëfrimi’

Më 17 maj të vitit 1895 lindi Haki Stërmilli, shkrimtari i njohur shqiptar.

Stërmilli ishte shkrimtar, gazetar e kryetar i Shërbimit Sekret Shqiptar me dekret të Ahmet Zogit, ai poashtu ka qenë edhe partizan në Luftën e Dytë Botërore si dhe përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor, shkruan KultPlus.

Vepra ‘Sikur t`isha djalë’ nga Haki Stërmilli mbetet ndër librat më të mirë shqiptarë, një vepër kjo që paraqiti një realitet të gruas shqiptare në shoqëri, e që edhe sot e kësaj dite mbetet ndër veprat më të njohura të letërsisë shqipe.

Sot, në ditëlindjen e Stërmillit, KultPlus sjellë disa fragmente dhe pasazhe nga kjo vepër.

*

– Sikur t’ishje djalë?! – bani e habitun.
– Po.
– Cdo të bajshe?
– Do t’i shpallsha luftë botës fanatike dhe do të vazhdojsha derisa të ngadhnojsha ase të mbarojsha. Po të kisha qenë djalë, do t’u mshojsha me grusht turijve gjithë atyne që kërkojnë të kenë privilegje dhe që duen t’a përdorin femnën herë si kafshë dhe herë si…..mjet dëfrimi. Por nuk jam. Dhe Perëndia, sikundër duket, nuk e ka mendjen me ba mbrekulli.

*

“Lumturia qenka si manushaqet që bijnë në mes të ferrave, ku për të bërë një buqetë lypset t’i mbledhësh një nga një dhe duke u gërricur e përgjakur duarsh. Vetëm disa orë e disa çaste mund të jetë i kënaqur njeriu në këtë jetë.Vetëm këto orë e këto çaste, të bashkuara, përbëjnë lumturinë e njeriut në këtë jetë. Ata që e kujtojnë ndryshe lumturinë gabohen…”

*

“Oh, se ç’qenka dashunia! Ajo ta ambëlsueka jetën, por të robnueka e s’të lënka me rrëshqitë nga prehni I saj.”

*

“Kur ia shtrëngova dorën, si herën e parë ashtu edhe tashti, më ngjajti sikur u preka nga nji fuqi elektrike që ta përshkon krejt shtatin me forcë dhe të ban të dridhesh. Pa dyshim, ishte forca e dashunisë ajo që ma rrëqethi trupin me nji të prekun të dorës.
Oh, sa fort e dashunoj! Më duket se po shkallis prej ngucjeve të pareshtuna që më bën zemra. Oh, sa I ambël e I dashtun që asht! Oh, sikur të më dashunonte e të bahej imi!”

*

“Ah, femna shqiptare myslimane! Ajo përgjithësisht asht e vorfen shpirtnisht, e pazhvillueme mendërisht dhe e dobët fizikisht, pse nuk I asht dhanë mundësia që ta argëtojë shpirtin, që ta ushqejë mendjen dhe t’I gëzojë dhuntitë e natyrës për t’u ba e fortë dhe e dobishme për shoqninë ku ban pjesë. Ajo ska kurrgja që të jetë e kënaqun dhe krenare; vjen e shkon pa lanë gjurmë në këtë jetë. Ajo, edhe po të dojë, s’mundet dhe s’ka se si t’I kushtohet së mirës, së bukurës e së virtytshmes, pse përnjimend asht si nji robneshë pa kurrfarë të drejte.”

*

“Oh, sa shpejt gabohemi e gënjehemi ne femnat! Nji sikim I thekshëm mjafton me na dërrmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. vetëm se s’guxojmë me I shfaqë ndjesitë e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë atë që na e plagos zemrën me nji vëshrim të mpakët ose me nji nënqeshje të kandshme. Zemrat tona janë më delikate se qelqet. Nji gur I vogël, I hudhun nga dora e një të pamëshirshmi, I then dhe I ban thërrime, për t’u shkelë mandej nga Kamba e tij. Zemrat tona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot.”

*

“Ka disa njerëz që s’u vete fare qeshja. Kur qeshin, u shtrembnohen turnjtë, u rrudhen faqet, u qajnë sytë dhe shëmtohen aq shumë, sa s’të kanda t’I shofësh. Por atij I kishte hije si qeshja, ashtu edhe nënqeshja. Kur fliste, me buzë në gaz, ta merrte mendjen. Shkurt, nji ndjesi e panjohun prej meje deri në atë çast,ma mbushi shpirtin me… diçka.” / KultPlus.com

“Sikur të isha djalë”

Suada Qorraj

Historia e jetës time kishte fillu me u shkru shumë kohë para se të lindja unë. Që në ditët e para kur e kishin kuptu se tashmë një jetë e re kishte fillu me u kriju, dëshira e madhe për me e pas një djalë në shtëpi ishte ngjallë edhe një herë. E bashkë me këtë kishte fillu me u shtu edhe presoni që gjithsecili që hynte e dilte në mrena atyne dyrve i bante nanës e babës tem. Kësaj dëshire i kish hi një flakë edhe ma e madhe atëherë kur në mes të muajit qershor m’ kishin vra babën, po fjalët e njerëzve, presioni e kinse kjo dhembshuria e tyre e madhe kishte fillu tre muaj para se me lind unë, se tek atëherë në shpi tem s’ka pas më një varr bosh, e për secilin që ka hy e ka dalë në dyert e asaj shpije tashmë ka pas një arsyetim edhe ma të madh që me ‘uru’ për lindjen e një djali.

“A kishe lindë çikë a? U, çka po më dhimesh. Ishalla të dek se sen s’po të vyn”. Këto janë fjalët që nana jem i kish dëgju veç nëntë ditë pasi kisha lindë unë. 18 nëntor kur linda unë, e një ditë para se me u festu dita e flamurit, pra me 27 nëntor u thanë këto fjalë. Po kujt i interesonte kjo se e rëndësishme për gjithsecilin që kishte ardhë me uru lindjen, ishte fakti që unë nuk isha djalë.

Këto fjalë që fillun kur isha veç 9 ditëshe, s’janë ndalë as sot. Kjo ka qenë përballja e parë me atë realitetin që m’ka pritë për krejt jetën. Nana bile pat fillu me ma tregu këtë histori që prej kur unë as se kam kuptu se çka donin me thanë këto fjalë.

“A ti ke lind masi ka vdek a? Qysh s’ke djal bile? Ta kish pas nona jote një djalë e kish pshtu? Qysh ju a veç tri motra jeni a? Nejse, nejse, edhe ti munesh me ju bo djal.”

Si fëmijë kur i dëgjojsha këto fjalë, unë kam mendu që mundem me u ba djalë. Sa e sa herë i kam thanë nanës “O mam e pse nuk me boni mu djalë masi krejt po më thojnë që ma mirë me kon djalë.”

Krejt m’kanë thanë, e nana asnjihere, bile kur i bajsha këso pytjesh çdo herë është ba nervoz  Si fëmijë krejt ka qenë ma lehtë, se unë naive, a e pafajshme, s’kam kuptu se pse flisnin ashtu.

Ne në atë kohë nuk jetonim në fshat, veç se pothuajse çdo ditë shkonim në bahçen ku gjendej ajo se çka kish mbetë prej shtëpisë t’djegun nga lufta. E në fshat çdo të dytin që kam pa në rrugë m’ka thanë “Ah veç mos të ishe çikë, veç ishalla bohi të hajrit”.

Mbaj mend një herë pata shku në shpi tu kajt edhe i pata thanë nanës “Mam a edhe ti më urren veç pse s’jam djalë?” Nana që kurrë lot në sy si kisha pa, atë ditë e pata ba me kajt. E po në atë ditë kish marrë guximin me më tregu se kush ishte i pari që  në vend të jetës, më uroi vdekjen.

Asnjë s’besonte që nana ka me ja dalë me tre fëmijë, që fëmijë për kërkan s’ishin, se s’kishin epitetin djalë. E për fëmijët s’kishin pikën e dyshimit, që ajo shpi e djegun në fshat ka me qenë fillimi e fundi i tyne.

Është e çuditshme se sa fort ndryshonin ditët e kaluara në shkollë, me ato të kaluara në fshat. Përgëzimet që merrje brenda atyre mureve ishin të largëta me mallkimet që ti bënte fshati. Ama këto dy botë kaq të kundërta mes vete janë bërë përherë bashkë. Se tash çika që veç çikë nuk ish dashtë me qenë kishte fillu me ju dëshmu, që n’jetë ki me mujt me mrri edhe kur s’ke epitetin djalë.

Unë, motrat e mija e nana ani pse tan jetën t’rrethune prej paragjykimeve, i kem thy krejt barrierat që na kanë dal përpara, se asnjë prej nesh nuk ka leju që fjalët e tyne me na mposhtë.

Kur kam qenë në shkollë fillore krejt kanë besu që unë nuk kam me mrri shumë, se ndryshe nga motrat e mija mua më duhej një kohë më e madhe për me i msu gjanat. ‘Të ish kon djalë, bile kish vyft diçka, se qeshtu mezort nuk msohet’, i kanë thanë nanës e mua me mijëra herë. Ama unë përherë kam punu aq fort sa me ju dëshmu të kundërtën.

Në vite e gjinazit unë pata mrri me punu, e me kry shkollën në të njejtën kohë. Refreni “Të ishe kon djalë”, pat fillu me ndru. Tash për njerëzit e njejtë të fshatit isha “çika që nanës ju ka bo sa 7 djem”. Ama unë nuk isha djalë, unë isha veç çika, që nana i kish msu mos me u dorëzu në asnjë çast.

Habinë më të madhe fshati e kish përjetu kur unë pas gjimnazit kisha fillu shkollimin në dy drejtime të ndryshme, krejtësisht të kundërta mes vete. Tash ndaljet në rrugë nuk bëheshin me m’kujtu që ardhja jem n’jetë ka qenë gabim, se pas tragjedisë t’parë unë isha e dyta në familje. Bile ishte hera e parë që n’fshat “sikur t’ishe djalë” nuk u tha më.

Nana ka vite që punon, ani pse për fshatin do të ishte më e pranueshme, që ajo të ulej mes të rrugës e t’lutej për një copë buke. Nana e rrethune prej tragjedisë, asnihere nuk ka leju që tjerët me i ulë çikat e saja. Ajo bile ka vra andrrat e saj, që tonat me i bo realitet.

E madhja prej tre motrave ka mrri që krahas vendit  të vet, shkollën e andrrat me i thur edhe jashtë kufijve. Asaj asnjëherë si kishin uru me qenë djalë. Ama as për të, njëlloj si për mua, s’kishin besu që në jetë ka me mrri diçka.

Edhe çikës të dytë të nanës, nuk i patën uru e se patën mallku me qenë djalë. Edhe ajo ka mrri që me ju qitë poshtë secilën fjalë, e paragjykim që ja kishin ba krejt jetën, se një fëmijë pa babë s’bante me pas jetë.

21 vite më pas unë nuk vdiqa, nuk arrita as gjininë ta ndrroja se kështu ma patën ngulitë në kry. Unë refuzova me ju nënshtru secilit mendim e fjalë që synonte të më zbehte andrrat. E tash pos shkollës unë kam dhe punën. Mbase për fshatin jam ende çika që duhej të ishte djalë, veç jo ma për veten.

Nana, unë e motrat, tu jetu e rritë mes këtyre vështirësive, i dëshmum secilit që kish hy e kish dalë nga shtëpia se nuk të duhen burrat për të ndërtu jetën, se nuk të duhet djali për me ndërtu të ardhmen. Ne të katërta bashkë, i tregum secilit se mjaftoheshim me njëra tjetrën, se dashnia e jeta që kishim ndërtuar së bashku ishte më e fortë e më e madhe se secila fjalë e tyre./ KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Sikur të isha djalë’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Romani “Sikur të isha djalë” ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale.

Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjeve të egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj.

Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s’mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinionin e egër e të prapambetur shoqëror. Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare. Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime.

Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze sentimentale me meditime të shumta e përshkrime të imta të vuajtjeve e të dashurisë, po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike, të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale dhe mangësi në zbërthimin psikologjik të personazheve. Megjithatë, aty ka mjaft ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen, në radhë të parë me natyrën artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental. Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa prozatorë të tjerë të viteve 20′, 30′, si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj., mund të themi se janë edhe tipare të prozës sonë ende të dobët, e cila në këtë kohë megjithëse përpiqet të trajtojë probleme shoqërore të rëndësishme të realitetit shqiptar, mbeti sentimentale.

Fragmente nga libri
Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej?

Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.

Mbasandej kapërceva disa faqe e këndova: Mbasandej kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kushedi se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkue bukurinë e shokut të vet jo gjini.

Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që tue kundrue mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet të perces së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubëza vjeshash për ata që u kalojnë pranë, pa ditë se kanë plagosë randë disa zemra të strukura brenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm?

Oh,sa e sa sy vajzash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, megjithëqe natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajtue me ndjesitë e dashunisë. Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante: S’di se cfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje?

Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që ti meritojë, ose të ketë interes apo frikë nga burri që nuk e këput atë lihej që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për ta shmangë cdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të ba nji familje të lumtun , ata që do të martohen përpara se ta bashkojnë fatin e jetës lypet të jenë njoftë, t’i kenë pajtue karakteret dhe ta kenë dashunue njeni-tjetrin. Përndryshe, s’bajnë tjetër vecse krijojnë nji ferr për me e torturue veten dhe për t’i përcëllue në flakët e tij edhe fëmijët që do t’u lejnë. /KultPlus.com

“Pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli?”

Due të pyes se pse vetëm femnat duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli? Ky gjykim mos rrjedh nga ajo mendësi e kalbun që i quen femnat seks i bukur? Oh sikur t’a dijnë meshkujt se sa të shëmtueshme, të përçuduna dhe përbindësha ndodhen në mes t’onë! E këto krijesa të vorfëna nga bukuria vetëm syt t’ona munden me i njoftë e me i dallue, pse na, domosdo, nuk shofim njena tjetrën me syt e nji mashkulli të turbulluem prej pasioni.

Mbasandaj kush mund të pretendoj se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? S’i kur të mundesh me folë femna, me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet.

Kush mundet me më sigurue se me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpërmjet peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm ?

Oh sa e sa vashash, nga plasa te dyerve ase nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rij me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, me gjith që natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shum se ata, i ka pajue me ndjesit e dashunis.

Prandaj më takon të them se ne qoftë se duhet mshefë femna, lypset të mbulohet edhe mashkulli, pse edhe ai ka bukuri, pse edhe ai nxit lakmit e femnës edhe ai klikos dëshirën./KultPlus.com

Paragraf nga libri “Sikur të isha djalë”, Haki Stërmilli