Fragment nga romani ‘Sikur të isha djalë’ i Haki Stërmillit

Hodha nji sy në faqen e parë dhe lexova: Më shkrepi ta shkruej jetën time. Ky mendim më leu tue i pa fotografitë e ndryshme që të përfytyrojnë xha Simonin qysh në kohën e fëmijnisë. Përse të mos e shkruej?

Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu ndodh edhe me jetën.

Mbasandej kapërceva disa faqe e këndova: Mbasandej kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djem e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë meshkujt, kushedi se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkue bukurinë e shokut të vet jo gjini.

Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që tue kundrue mbas kafazit të dritares ose nëpërmjet të perces së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubëza vjeshash për ata që u kalojnë pranë, pa ditë se kanë plagosë randë disa zemra të strukura brenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm?

Oh, sa e sa sy vajzash, nga plasat e dyerve ose nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rinj me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, megjithëqe natyra edhe ato, sikurse meshkujt dhe ndoshta më shumë se ata, i ka pajtue me ndjesitë e dashunisë. Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante: S’di se cfarë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje?

Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që ti meritojë, ose të ketë interes apo frikë nga burri që nuk e këput atë lihej që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për ta shmangë cdo mosmarrveshje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të ba nji familje të lumtun , ata që do të martohen përpara se ta bashkojnë fatin e jetës lypet të jenë njoftë, t’i kenë pajtue karakteret dhe ta kenë dashunue njeni-tjetrin. Përndryshe, s’bajnë tjetër vecse krijojnë nji ferr për me e torturue veten dhe për t’i përcëllue në flakët e tij edhe fëmijët që do t’u lejnë. / KultPlus.com

‘Sikur të isha djalë, do t’u mëshoja me grusht turijve atyne që duen t’a përdorin femnën si kafshë e si mjet dëfrimi’

Haki Stërmilli ishte shkrimtar, gazetar e kryetar i Shërbimit Sekret Shqiptar me dekret të Ahmet Zogit, ai poashtu ka qenë edhe partizan në Luftën e Dytë Botërore si dhe përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor, shkruan KultPlus.

Vepra ‘Sikur t`isha djalë’ nga Haki Stërmilli mbetet ndër librat më të mirë shqiptarë, një vepër kjo që paraqiti një realitet të gruas shqiptare në shoqëri, e që edhe sot e kësaj dite mbetet ndër veprat më të njohura të letërsisë shqipe.

*

– Sikur t’ishje djalë?! – bani e habitun.
– Po.
– Cdo të bajshe?
– Do t’i shpallsha luftë botës fanatike dhe do të vazhdojsha derisa të ngadhnojsha ase të mbarojsha. Po të kisha qenë djalë, do t’u mshojsha me grusht turijve gjithë atyne që kërkojnë të kenë privilegje dhe që duen t’a përdorin femnën herë si kafshë dhe herë si…..mjet dëfrimi. Por nuk jam. Dhe Perëndia, sikundër duket, nuk e ka mendjen me ba mbrekulli.

*

“Lumturia qenka si manushaqet që bijnë në mes të ferrave, ku për të bërë një buqetë lypset t’i mbledhësh një nga një dhe duke u gërricur e përgjakur duarsh. Vetëm disa orë e disa çaste mund të jetë i kënaqur njeriu në këtë jetë.Vetëm këto orë e këto çaste, të bashkuara, përbëjnë lumturinë e njeriut në këtë jetë. Ata që e kujtojnë ndryshe lumturinë gabohen…”

*

“Oh, se ç’qenka dashunia! Ajo ta ambëlsueka jetën, por të robnueka e s’të lënka me rrëshqitë nga prehni I saj.”

*

“Kur ia shtrëngova dorën, si herën e parë ashtu edhe tashti, më ngjajti sikur u preka nga nji fuqi elektrike që ta përshkon krejt shtatin me forcë dhe të ban të dridhesh. Pa dyshim, ishte forca e dashunisë ajo që ma rrëqethi trupin me nji të prekun të dorës.
Oh, sa fort e dashunoj! Më duket se po shkallis prej ngucjeve të pareshtuna që më bën zemra. Oh, sa I ambël e I dashtun që asht! Oh, sikur të më dashunonte e të bahej imi!”

*

“Ah, femna shqiptare myslimane! Ajo përgjithësisht asht e vorfen shpirtnisht, e pazhvillueme mendërisht dhe e dobët fizikisht, pse nuk I asht dhanë mundësia që ta argëtojë shpirtin, që ta ushqejë mendjen dhe t’I gëzojë dhuntitë e natyrës për t’u ba e fortë dhe e dobishme për shoqninë ku ban pjesë. Ajo ska kurrgja që të jetë e kënaqun dhe krenare; vjen e shkon pa lanë gjurmë në këtë jetë. Ajo, edhe po të dojë, s’mundet dhe s’ka se si t’I kushtohet së mirës, së bukurës e së virtytshmes, pse përnjimend asht si nji robneshë pa kurrfarë të drejte.”

*

“Oh, sa shpejt gabohemi e gënjehemi ne femnat! Nji sikim I thekshëm mjafton me na dërrmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. vetëm se s’guxojmë me I shfaqë ndjesitë e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë atë që na e plagos zemrën me nji vëshrim të mpakët ose me nji nënqeshje të kandshme. Zemrat tona janë më delikate se qelqet. Nji gur I vogël, I hudhun nga dora e një të pamëshirshmi, I then dhe I ban thërrime, për t’u shkelë mandej nga Kamba e tij. Zemrat tona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot.”

*

“Ka disa njerëz që s’u vete fare qeshja. Kur qeshin, u shtrembnohen turnjtë, u rrudhen faqet, u qajnë sytë dhe shëmtohen aq shumë, sa s’të kanda t’I shofësh. Por atij I kishte hije si qeshja, ashtu edhe nënqeshja. Kur fliste, me buzë në gaz, ta merrte mendjen. Shkurt, nji ndjesi e panjohun prej meje deri në atë çast,ma mbushi shpirtin me… diçka.” / KultPlus.com