Dita e katërt e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, TIFF vijoi me shfaqjen e një morie filmash të sesioneve të ndryshme. Një pjesë e tyre i përkisnin sesionit Live Action, fituesit e të cilit do të kualifikohen për konkurrim në Oscar dhe European Film Awards.
Në sesionin PerspecTIFF u shfaq në kinema Millennium filmi “Silence of Sirens”, me regji e skenar të Gazmend Nelës. Filmi prej 93 minutash, është bashkëprodhim i Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Ai rrëfen historinë e Avniut, një polic rrugor në një qytet të vogël të Kosovës. Së bashku me partnerin e tij Gëzimin, ai merr rryshfet nga shoferët që ndalojnë për shpejtësi. Një natë, duke vazhduar rutinën e tyre, ata ndalojnë një prokuror të huaj, që ngiste makinën në gjendje të dehur dhe që në bagazh kishte një çantë plot me para. Avniu dhe Gëzimi e gjejnë veten të përfshirë në një rast korrupsioni që u del nga kontrolli.
Filmi është duke marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ndërkohë në TIFF ishte i pranishëm edhe vetë regjisori Gazmend Nela.
Një tjetër aktivitet që erdhi për kineastët në kuadër të festivalit ishte masterclass-i i zhvilluar dje në mjediset e Qendrës së Artit Agimi, me temë ”Lidhja midis arsimit dhe industrisë së filmit”. Në panel ishin të ftuar Hazir Sh. Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve dhe Ismet Sijarina, shefi i Departamentit të Filmit dhe TV në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës./atsh/KultPlus.com