Grupi polak “Silesianie” performon vallet tradicionale tek Reja

Grupi “Silesianie”, i cili ka performuar në rreth 800 koncerte në mbarë botën dhe ka marrë pjesë në më shumë se 80 festivale ndërkombëtare të folklorit, performoi mbrëmjen e djeshme edhe në Tiranë në kuadër të Javës Kulturore Polake.

Shfaqja, me hyrje të lirë për çdo artdashës, u realizua tek Reja, ku grupi polak me veshjet tradicionale shumëngjyrëshe performoi valle polake, duke përfshirë “Polonez-in”, që është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.

Në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, grupi “Silesianie” u mësoi të pranishmëve të performonin vallen “Trojak” si dhe njëkohësisht zbuluan magjinë e valleve tradicionale shqiptare.

Në Javë Kulturore Polake (14 – 19 prill) Tirana dhe jo vetëm do të transformohen në një skenë të hapur ku do të prezantohet kultura polake në shumë forma dhe ngjyra.

Kjo është hera e parë që Polonia bëhet pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Artistët polakë do të qëndrojnë në vendin tonë deri më 19 prill. Qytetarët do të kenë mundësinë të përjetojnë ditë të mbushura me aktivitete që i flasin ndjeshmërisë, traditës dhe kuriozitetit kulturor, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje dhe shkëmbimi.

Ky është edicioni i katërt i Javëve Kulturore Ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com