Fuqia e vargut
SILVIA PLATH PËRTEJ TRAGJEDISË
E lindur në Masaçusets, më 1932, është një nga poetet moderne amerikane më me ndikim.
Një nga poetet kryesore të rrëfimit (së bashku me Anne Sexton dhe Robert Lowell), Silvia Plath shkroi jo pak poezi të dhimbshme autobiografike, aq sa dukej sikur në vetvete, ato përmbanin dhunë. Qasja autobiografike e sinqertë, e bën tërheqëse për jo pak poetë të rinj, që përpiqen kush më shumë e kush më pak ta imitojë në stil. Tematika e përzgjedhur shpesh i referohej marrëdhënies së vështirë me të atin autoritar, i cili vdiq kur ajo ishte tetë vjeç. Po ashtu, pati një martesë abuzive me poetin Ted Hughes, që u shndërrua në subjektin e punës së mëvonshme, siç ishte edhe aborti i fëmijës. Krijimtaria e saj dokumenton një sërë aspekte të jetës së mesit të shekullit të njëzet për gratë e bardha të klasës së mesme. Silvia ishte grua dhe nënë, po edhe shkrimtare. Shumë nga poezitë e saj ndërtohen rreth imazheve të freskëta në mendjet e lexuesve të asaj kohe, siç janë imazhet naziste në “Babai”. Veprat më domethënëse janë “Kolosi dhe poezi të tjera”, romani “Kambana e qelqtë”, apo koleksioni i fundit i botuar pas vdekjes: “Ariel”.
Talenti i Plathit në poezi spikati që herët, duke botuar poezinë e parë në “Boston Herald”, në moshën 8-vjeçare. Mjeshtre në teknikë, shkroi vargje të rafinuara si sonete, madje edhe vilanele (poemë lirike 19-vargëshe), forma të vështira, gjatë adoleshencës. Në shkollë të mesme perfeksionoi edhe aftësinë poetike, duke botuar në “Seventeen” dhe “Christian Science Monitor”. Ndoqi kolegjin “Smith”, ku pati edhe tentativën e parë të vetëvrasjes, kolegji ku do të punonte më pas. Ishte periudha kur ishte në mëdyshje të zgjidhte midis të shkruarit, apo të bënte rolin e shtëpiakes, roli i viteve 1950 për një grua.
Në vitin 1953, qe redaktore e ftuar pranë revistës “Mademoiselle”, viti kur ajo filloi të kërkojë ndihmë psikiatrike, përfshi edhe trajtimin me shok, trajtim primitiv asokohe. Kjo periudhë frymëzoi romanin e saj të vetëm: “Kambana e qelqtë”. Më vonë, do ta përshkruante sëmundjen:“Ndihesha sikur jeta ime të drejtohej në mënyrë magjike nga dy rryma elektrike: ajo pozitive e gëzuar dhe ajo negative e dëshpëruar – ajo që funksiononte për momentin dominonte jetën time, e përmbyste atë”.
Në vitin 1956, u martua me poetin Ted Hughes, të cilin e njohu në Kembrixh. Çifti u divorcua në vitin 1962, si rrjedhojë Plath mbeti vetëm me dy fëmijë të vegjël. Gjatë kësaj periudhe, ajo pati shpërthimin e fundit krijues, që krijoi poezitë e përfshira në “Ariel”. Plath ishte bipolare dhe në atë epokë nuk ekzistonin mjekimet e duhura. Edhe pse kërkoi ndihmë, nuk mjaftoi. Poezia e saj e mahnitshme është padyshim produkt i ankthit mendor, që ajo duroi derisa mundi, pasi u vetëvra më 11 shkurt 1963, kur ishte vetëm 30-vjeç.
Fatkeqësisht, në të gjallë të saj talenti qe gati i panjohur. Vdekja tragjike e shpuri atë në rrjedhën kryesore si artiste kontroversiale në agoni. Në “Kambana e qelqtë” shkroi: “Nëse neurotik do të thotë të duash reciprokisht dy gjëra të veçanta në të njëjtën kohë, atëherë unë jam neurotike si dreqi”. Historia u romantizua, aq sa u shndërrua në idhull, mirëpo edhe më të shumtë janë ata që gjejnë veten në krijimtarinë e saj. Poezia e Plath, si shumë vepra letrare, mund të lexohet si një fotografi çasti e kohës në histori. Në punën e saj gjejmë jetën e një gruaje në messhekullin XX, që përpiqet të përmbushte rolin e vet, pa hequr dorë nga arti. Po ashtu, dallohet edhe një paraqitje e shkurtër e kujdesit të shëndetit mendor të kohës, në ndarjen e dokumentuar në vargje. Megjithëse jeta dhe krijimtaria e saj janë thuajse të pandara, në fund lexuesi duhet të shkojë përtej tragjedisë që tërheq fillimisht vëmendjen e tyre. Historia e vërtetë është në fuqinë e vargut të saj./HEJZA/ KultPlus.com