‘Athua ëndërr ishe ti’ hap siparin e RLIOF, përmes simbolit të zemrës shpërfaqen simbole të thella universale të artistëve pionerë

Vjollca Duraku

Ekspozita “Athua ëndërr ishe ti” e mbajtur në Galerinë e Fakultetit të Arteve mbrëmë hapi siparin e edicionit të katërt të festivalit Ramë Lahaj Intenational Opera Festival, i cili këtë radhë para publikut sjell të gërshetuar artin pamor me atë muzikor, shkruan KultPlus.

“Athua ëndërr ishe ti” është ekspozitë nga koleksioni i privat i biznismenit Rasim Mrlakut, e kuruar nga Arta Agani, që përmban vepra të artistëve të njohur si: Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Nysret Salihamixhiqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj.

Kjo ekspozitë që mbart në vete histori të trefishtë: atë të artistëve, të veprave artistike dhe të vetë koleksionuesit hulumton simbole të thella të gjuhës universale përmes së cilave artistët shpërfaqin ëndërrat, dashurinë dhe nostalgjinë.

Duke u nisur nga togfjalëshi i Festivalit RLIOF “T’knoftë zemra”, zemra në këtë ekspozitë paraqitet si simbol i emocioneve, veçmas të dashurisë, përmes së cilës zbulohen edhe simbole të tjera të koduara që në prapavijë të pikturave paraqesin, dëshirat, pasionet, ëndërrat dhe nostalgjinë e artistit.

Në ceremoninë hapëse të kësaj  ekspozite mori pjesë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili para të pranishmëve u shpreh tejet emocionues që përmes kësaj ekspozite po ndiente energjinë e artistëve të cilët nuk jetojnë më.

“Dua ta përgëzoj Ramë Lahajn që ka sjellë këtë koleksion fenomenal këtu. Faktikisht na ballafaqon me të kaluarën, me një spektër të mrekullueshëm të artistëve, të cilët i ka përmbledhur i nderuari Rasim Mrlaku. Sot e ndiejmë energjinë e artistëve, gjithë kjo energji e mrekullueshme që koleksionuesi i mirëfilltë i ka bërë bashkë, duke i prezantuar së bashku me të nderuarin Ramë Lahaj i cili tashmë sjellë talentë nga e gjithë bota në aspektin e muzikës, duke organizuar edhe një numër të madh të workshop-eve për të mirën e vendit tonë, të rinisë sonë, për t’i shtyrë brezat tonë përpara.”, ka thënë kryetari Rama.

Ndërsa kuratorja e ekspozitës Arta Agani u shpreh falënderuese që i është dhënë rasti për të prezantuar para publikut një ekspozitë të tillë me vepra madhore në kuadërt të festivalit RLIOF.

“Falënderoj Ramë Lahajn që më dha rastin të punoj me vepra kaq madhore, të cilat për ne që jemi të botës së artit, janë shumë, shumë të rëndësishme sepse i takojnë një gjenerate që na ka mësuar se çka është arti vizual. Po ashtu, e falënderoj në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës që i kanë dhënë rastin njerëzve dhe publikut të gjerë të përjetojë bashkëdyjëzimin e dy fushave të artit, dy fushave shumë të rëndësishme që janë arti pamor dhe arti muzikor. Falënderoj edhe Rasim Mrlakun që i ka mundësuar publikut kosovar edhe qytetarëve një rrugë të re, një shteg të ri, siç është ai i tregut të artit, i cili tek ne është shumë i paktë apo in ekzistent” ka thënë kuratorja.

Kuratorja Agani më tej tha se ndihet e përulur para këtyre veprave sipas saj historike, pasi shënojnë kohën në të cilën janë krijuar, kohë e cila paraqet lulzimin e artit bashkëkohor.

“Shumë lehtë më kanë dalë para meje pikërisht këto vepra të cilat janë në një formë ose tjetrën simbole të ndryshme të cilat varirojnë, prej simboleve më të fshehta që janë ta maskuara prapa maskave të ndryshme, kafshëve të ndryshme, fasadave e deri te ato që janë shumë evidente. Por besoj që narrativa që është ndërtuar është e qartë edhe e thjeshtë sepse kushdo që e sheh këtë ekspozitë do t’i shoh edhe emocionet”, ka thënë më tej Arta Agani.

Ndërsa vetë koleksionuesi, Rasim Mrlaku i falënderoi të gjithë të pranishmit duke i ftuar që të shijojnë ekspozitën duke e përjetuar secili në mënyrën e tij.

“Piktura është një gjë të cilën vetëm e konsumon dhe ndien, pra nuk mund ta përshkruash me fjalë kështu që ju ftoj të gjithëve t’i shihni pikturat dhe t’i shijoni ato. Falënderoj Ramë Lahajn që na mblodhi këtu të gjithëve përmes hapjes së kësaj ekspozite. Faleminderit të gjithëve”, ka thënë Mrlaku.

Ndërsa tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj, ftoi edhe institucionet  që të marrin shembull nga mirësia  e qytetarëve të vendit të cilët ndër vite kanë kontribuar për krijimin e kushteve për mbajtjen e festivalit.

“Faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuar për të na ndihmuar, sepse siç dihet na mungon infrastruktura në çdo aspekt. Për këtë ekspozitë në Galeri është ndërhyrë disa herë. Gjithë ky proces bëhet veç me dashurinë e shumë njerëzve që na rrethojnë duke filluar prej komunës, dhe mbështetjes institucionale. Duke e ditur që mungon infrastruktura, ajo çka unë e çmoj jashtëzakonisht shumë janë resurset humane. Janë një pjesë e madhe e qytetarëve të Prishtinës kudo që na shohin, e na ndihmojnë. Për festivalin kanë ofruar edhe parkingje pa pagesë. Mirësia e këtij populli është fantastike. Shpresoj shumë që këtë lloj mirësie ka mbërri ta kuptojë edhe politika për të ndihmuar me një infrastrukturë që na nderon dhe na përfaqëson ashtu siç duhet” ka thënë tenori Lahaj.

Ndërsa artistja Zake Prelvukaj në një prononcim për KultPlus tha se ndihet e nderuar që veprat e saj në këtë ekspozitë u sollën përkrah piktorëve me veprat e të cilëve ajo është rritur.

“Sot është vërtetë një ekspozitë e veçantë e një koleksionuesi. Pa dyshim që është një gjë e mrekullueshme. Vepra që flasin shumë, sepse i mirë edhe është gjetur titulli “Athua ëndërr ishe ti”. Është lidh me ëndërr,  sikur të ishte ëndërr. Edhe ne do të shndërrohemi dikur në ëndrra, mirëpo ëndërra të gjalla që i shohim. Unë mendoj që jam shumë e privilegjuar sonte sepse këtu janë veprat e profesorëve, të cilët si fëmijë i mitur i kam parë në shtëpinë tonë gjithmonë. Unë jam rritur me këta piktorë e tash unë jam pjesëmarrëse bashkë me ta (sot vetëm unë jam gjallë prej tyre). Unë jam shumë më e re se ata, faktikisht jam një fëmijë i tyre”, ka thënë artistja Prelvukaj.

Ekspozita për publikun do të qëndoj e hapur nga 22 Korriku deri më 31 Korrik, prej orës 12:00- 19:00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve./ KultPlus.com