Simpozium shkencor për portretin e shkrimtarit Ibrahim Kadriu në Universitetin e Tetovës

Nën organizimin e Shoqatës për Kulturë e Shkencë “Ars Albanica”, në Amfiteatrin 2 të Universitetit Shtetëror të Tetovës u mbajt dje simpozium shkencor “Gjurmë në kohë” për portretin letrar të shkrimtarit Ibrahim Kadriu.

Hapja e Simpoziumit nisi me një fjalë përshëndetëse nga prof. Zeqirja Rexhepi – kryetari i Shoqatës “Ars Albanica” për të vazhduar tutje me prof. Kushtrim Ahmeti – Rektor i Universitetit të Tetovës, prof. Berton Sulejmani – Dekani i Fakultetit Filologjik – Universiteti i Tetovës.

Me punimin e saj “Jeta dhe veprimtaria e shkrimtarit Ibrahim Kadriu”, më pas u paraqit Kaltrina Sadiki. Tutje u lexua një fragment nga romani “Kroi i ilaçit”.

Ndërsa prof. Zeqir Kadriu u paraqit me kumtesën “Shenjëzim në kohë në romanin “Përtej binarëve” të Ibrahim Kadriut, për të vazhduar tutje me prof. Anton Nikë Berisha me “Rreth disa veçantive të poezisë së Ibrahim Kadriut”, Prend Buzhala me kumtesën “Letërsia për fëmijë e Ibrahim Kadriut”, Adelina Xhaferi paraqiti “Interpretim i poezisë “Babai im”.

Leximet u ndërprenë për vazhduar me muzikë, ku Benjamin Menga në violinë dhe Erza Shefiti në flaute dhanë disa çaste të këndshme muzikore.

Simpoziumi vazhdoi me kumtesën e prof. Berton Sulejmani – “Disa veçori sintaksore në romanin “Kapërcimi i ujit të madh” të Ibrahim Kadriut”, prof. Salajdin Salihu me “Veçoritë poetike në veprën e Ibrahim Kadriut”, prof. Zejnepe Alili Rexhepi prezantoi “Historia e dy të burgosurve shqiptarë, viktima të ideologjive politike, në romanin “Ata dy të burgjeve” të Ibrahim Kadriut, Alejna Hasani me fragment nga romani “Ata dy të burgjeve”.

Për të thyer atmosferën e leximeve, ky organizim vazhdoi edhe njëherë me interpretim muzikor nga Benjamin Menga (violinë) dhe Erza Shefiti (flautë) e për të ja lënë radhën Altina Sulemanit për interpretimin e poezisë “Atdheu”.

Krejt për fund pati një fjalë përshëndetëse dhe fjalë rasti nga kolegë, miq dhe lexues të veprës letrare, artistike të shkrimtarit.

Për ta përmbyllur në mënyrë ceremoniale, në fund u bë edhe ndarja e pllaketës për shkrimtarin e njohur Ibrahim Kadriu i cili më pas mori fjalën për të përshëndetur dhe falënderuar të gjithë ata që organizuan këtë simpozium në nderim të veprës së tij dhe gjithë lexuesit e saj. / KultPlus.com

Simpozium shkencor për 40-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës

U mbajt në Prishtinë simpoziumi shkencor “Lëvizja kombëtare 1990-1991 dhe shkatërrimi i federatës jugosllave”. Simpoziumi shkencor iu kushtua 40-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Simpoziumi u organizua nga Shoqëria “Lëvizja”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup), Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Kryetari i shoqatës, Xhevat Bislimi tha se ky simpozium përkon me përvjetorin e organizatës në një kohë kur Kosova është në një situatë tensionesh. “Ishte organizata që veproi në një kohë të përsekutimit. Ky simpozium sot përkon edhe me një situatë tensionesh, presionesh që po i bëhen Kosovës edhe pas 24 vitesh çlirimi nga Serbia. Eshtë një situatë që kërkon unitet politik, sepse përballë kemi Serbinë dhe jo njëri-tjetrin”, tha Xhevat Bislimi.

Akad. Shaban Sinani ka mbajtur një kumtesë, ku foli për kapërcimin e situatave të vështira politike nga lëvizja popullore e Kosovës dhe theksoi se: “Në fillim të vitit 1998, kur lëvizja çlirimtare e Kosovës ishte imponuar brenda dhe jashtë botës shqiptare si zotëruese e gjendjes dhe shpresë e ndryshimit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me pak vonesë, por ende pa kaluar momenti historik, ndërmori dy iniciativa shkencore: botimin e një mini-enciklopedie për Kosovën, që në botim doli me titullin “Kosova në vështrim enciklopedik”, dhe hartimin e “Platformës për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”. Libri “Kosova në vështrim enciklopedik”, në kushtet që koha nuk priste, u mbështet kryesisht në artikujt themelorë që përmbante “Fjalori enciklopedik shqiptar”, që u përditësuan aq sa ishte e mundshme nga një redaksi e përbërë prej studiuesish të historisë, kulturës, gjuhësisë, ekonomisë e demografisë.” /atsh /KultPlus.com

Platforma e cila nuk përmban emra autorësh, iu paraqit qarqeve diplomatike europiane si një traktat institucional. Por dihet se teksti përfundimtar u redaktua nga prof. dr. Kristo Frashëri dhe akad. Rexhep Qosja. Këto dy dokumente përbëjnë kontributin themelor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për çështjen e Kosovës në kohën e vlimit të ngjarjeve të shekullit.