Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mori pjesë në vizitën zyrtare në Bukuresht, me ftesë të Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Rumanisë.
Delegacioni kryesohej nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Skënder Gjinushi dhe përfaqësues të Akademisë, si akademik Nazim Gruda, prof. Vjollca Ibro dhe përfaqësuesja e Universitetit të Tiranës, prof.dr. Linda Luarasi.
Në takimin e zhvilluar në mjediset e ASHRBP, përveç këtij delegacioni, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i ambasadës së RSH në Rumani, Jonian Molla.
Gjatë vizitës zyrtare u diskutua mbi bashkëpunimin ndërakademik dypalësh dhe fushat potenciale të zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, i institucionalizuar tashmë me marrëveshje që në 2021. Këto fusha, e më gjerë përfshijnë, bashkëpunim kërkimor shkencor, shkëmbim stafi akademik dhe universitar, bashkëpunim në fushën e ndryshimit klimatik, si një fushë me shumë interes. Gjithashtu u përmendën dhe mundësi konkrete me institucionet kërkimore shkencore, si psh. banka gjenetike, etj.
Kjo vizitë u pasua nga një simpozium shkencor, ku pala shqiptare u përfaqësua me prezantime shkencore të fushës së bujqësisë nga akad. Gruda, prof.Ibro dhe prof. Luarasi që paraqitën tema me shumë interes në këtë fushë.
Përfaqësuesi i ambasadës se Republikës së Shqipërisë, Molla, gjatë diskutimeve të ngritura, iu shpjegoi të pranishmëve për situatën aktuale të Shqipërisë në kuadrin e integrimit në BE, veçanërisht për kapitujt e lidhur me fushën e bujqësisë dhe ushqimit. /atsh / KultPlus.com