Shqiptarët e Luginës fitojnë të drejta pronësore në Kosovë

Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, sot ka dhënë një lajm të mirë për Shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë.

Ajo bëri të ditur se sot ka hyrë në fuqi ndryshimet në Ligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj.

“Bashkëkombasit tanë tani kanë të drejtë të jenë titullarë të të drejtave pronësore në territorin e Republikës së Kosovës, sipas kushteve të përcaktuara nga ligji. Ky vendim është një hap shumë i rëndësishëm për lehtësimin dhe mbështetjen e qytetarëve tanë”, tha ajo.

E para e Preshevës shprehu një falënderim të veçantë për kryeministrin Albin Kurti, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët bënë të mundur miratimin dhe zbatimin e këtij ndryshimi.

“Ky akt tregon përkushtimin e Kosovës për të mbështetur të drejtat e bashkëkombasve tanë”, tha ajo.

“Ky vendim jo vetëm që lehtëson jetën e shumë qytetarëve, por edhe forcon lidhjet tona kombëtare dhe shpreh solidaritetin midis shqiptarëve kudo që janë”.

Ardita Sinani akuzon Vullinin se e ka futur në ‘blacklist’, thotë se ndalohet sa herë kalon kufirin e Serbisë

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se sa herë e kalon kufirin e Serbisë ndalohet dhe mbahet nga zyrtarët kufitarë serbë.

Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se ndalimi i saj nuk është një rastësi, por është në kuadër të një listë të zezë, sipas saj, të cilën e ka krijuar zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin.

“Diskriminim i vazhdueshëm në kufi dhe përndjekje nga lista e Vullinit. Si përfaqësuese e shqiptarëve në Preshevë dhe si kryetare e Preshevës, sa herë kaloj kufirin, ndalohem dhe mbahem pa asnjë arsye të justifikueshme, me raste edhe deri në një orë. Ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi”.

“Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, ka pranuar hapur krijimin e një ‘liste të zezë – blacklist’ të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë. Është e qartë që kjo nuk është një rastësi, por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit”.

“Kjo listë është krijuar për të frikësuar dhe heshtur ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve. Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar”, ka thënë Sinani në Facebook. /Klankosova.tv/ KultPlus.com