“New York New York” nga Frank Sinatra, kënga që e popullarizoi Nju Jorkun si “Qyteti që nuk fle kurrë” (VIDEO)

Francis Albert Sinatra ishte një këngëtar, aktor dhe producent amerikan dhe një nga artistët më popullorë e më me ndikim i shekullit XX. Ai është nga artistët muzikorë të të gjitha kohërave që ka shitur më shumë albume, shkruan KultPlus.

Frank Sinatra ishte padyshim një artist argëtues, një këngëtar zëri unikal i të cilit magjepste miliona njerëz. 

Një ndër këngët e tij më të njohura është “New York New York”. Edhe pse shumë njerëz e lidhin këtë këngë me Frank Sinatra, ishte Liza Minnelli që debutoi me këtë këngë në filmin me të njëjtin emër të vitit 1977, i cili u drejtua nga Martin Scorsese dhe luante Minnelli dhe Robert De Niro si muzikantë dhe të dashuruar. Ajo u shkrua për filmin nga John Kander dhe Fred Ebb.

Frank Sinatra filloi ta performonte këtë në 1978 në koncerte në Sallën e Muzikës Radio City të Nju Jorkut. Versioni i tij u publikua në albumin e tij të trefishtë të vitit 1980 Trilogy: Past, Present and Future, i cili u vlerësua shumë dhe e ktheu këngëtarin në sy të publikut. “New York, New York” u bë shpejt një nga këngët më të famshme të Sinatrës.

Ndërsa shumë këngë janë shkruar për qytetin e Nju Jorkut, asnjë këngë nuk ka rrëmbyer krenarinë dhe elegancën e qytetit si kjo. Teksti i këngës, “Nëse mund t’ia dal atje, do t’ia dal kudo” përmbledh atë që ndiejnë shumë njujorkezë për qytetin e tyre: konkurrenca është intensive, por suksesi atje shpërblehet shumë. Kjo këngë gjithashtu e popullarizoi Nju Jorkun si “Qyteti që nuk fle kurrë”, gjë që është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë që shumë biznese janë të hapura 24 orë, por edhe në kuptimin figurativ që ju pritet të jeni gjithmonë në maksimumin tuaj.

Kënga është shkruar nga këndvështrimi i një artisti që lë një qytet të vogël dhe përpiqet ta bëj jetën në një qytet të madh. Në vend që të fiksohet pas vështirësive me të cilat do të përballet, ai përqafon sfidat në pritje të një jete të re në një qytet të gjallë.

Frank Sinatra ishte një ndër artistët më të suksesshëm të kohës. Ai fitoi 18 herë Grammy dhe mendohet të ketë shitur rreth 800 milionë disqe në mbarë botën. Më 14 maj 1998 ai ndërroi jetë nga një atak kardiak. Në Las Vegas u shuan dritat për dhjetë minuta në nderim të tij. / KultPlus.com