Sinéad O’Connor ka folur për shëndetin e saj mendor

Sinéad O’Connor ka folur rreth një videoje shqetësuese të cilën e kishte postuar në rrjetet sociale në vitin 2017, duke thënë se vërtetë ka besuar që është e rrezikuar nga vdekja, transmeton Koha.net.

Në videon e postuar në Facebook, O’Connor shfaqej e shqetësuar dhe duke folur haptas për shëndetin e saj mendor. Po ashtu, këngëtarja e kishte pranuar se po i shkon mendja të vetëvritet.

Por, në një deklaratë përcjellëse të lëshuar nga zëdhënësit e saj, fansat ishin informuar që ylli irlandez i muzikës po ndihej më mirë, e sigurt dhe jo e rrezikuar nga vetëvrasja. Po ashtu, ata e kishin konfirmuar se O’Connor ishte e rrethuar dhe nën kujdesin e më të dashurve të saj.

Së fundmi, këngëtarja në një intervistë për emisionin “The Tommy Tiernan Show”, ka folur për këtë ngjarje duke thënë se e kishte postuar videon në fjalë, në përpjekje për të kërkuar ndihmë.

“Atëkohë, në jetën time po ndodhnin shumë gjëra si pasojë e së cilave pësova krizë nervore. Isha në depresion të thellë dhe vuaja nga histerektomia radiale e cila do ta çmendte secilin person. Sot, mund të qeshi dhe të flas për atë periudhë të jetës, por atëkohë ishte një përjetim i tmerrshëm për mua. Nuk më pëlqen të vuaj në atë mënyrë,” citohet të ketë thënë O’Connor.

Këngëtarja e njohur për hitin “Nothing Compares 2 U”, e cila vjetëve të fundit është konvertuar në Islam dhe tani njihet me emrin Shuhada Sadaqat, ka deklaruar se më nuk vuan nga krizat mendore. /Koha /KultPlus.com