“Sa 150 bomba atomike”, tërmetet në Turqi, autoritetet: Më shumë se 3400 viktima

Rëndohet çdo orë e më shumë bilanci tragjik i tërmeteve që kanë goditur ditën e sotme pjesën juglindore të Turqisë dhe Sirinë.

Sipas të dhënave të fundit, të shpërndara nga Autoriteti turk për Menaxhimin e Emergjencave dhe Katastrofave Natyrore, janë më shumë se 2300 viktimat vetëm në Turqi, si dhe 13200 të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. Në qoftë se viktimave turke i shtohen edhe 656 të vdekurit e deritanishëm në Siri, numri total por ende i përkohshëm shkon në më shumë se 3400.

Ndërkohë, presidenti turk Erdogan, i cili ka marrë solidaritetin e të gjithë liderëve botërorë, ka shpallur 7 ditë zije kombëtare.  

Pamje apokaliptike zgjuan botën këtë të hënë, kur lëkundje të dhunshme të tokës tronditën Turqinë dhe Sirinë, teksa banorët ishin në gjumë.

Një tërmet me magnitudë 7.8 u regjistrua në 4 e 17 në jug të Turqisë jo shumë larg kufirit me Sirinë, më epiqendër në Gaziantep.

Një tjetër lëkundje e fortë 7.5 Rihter, në 13 e 24 minuta, u regjistrua pranë qytetit të Kahramanmaras. Sipas studiuesve turq, fuqia e shpërndarë nga lëkundjet e fundit ka qenë e barabartë me 150 bomba atomike.

Deri më tani nuk ka asnjë shqiptar që mund të jetë prekur nga tërmetet e fuqishme në Turqi.

Në anën tjetër, OBSH ka paralajmëruar se këto shifra ka të ngjarë të rriten deri në tetë herë, pasi shpëtimtarët gjejnë më shumë viktima në rrënoja.

“Gjithmonë shohim të njëjtën gjë me tërmetet, për fat të keq, që është se raportet fillestare të numrit të njerëzve që kanë vdekur ose që janë plagosur do të rriten mjaft ndjeshëm në javën në vijim”, tha zyrtarja e lartë e urgjencës së OBSH-së për Evropën, Catherine Smallwood./ KultPlus.com

Analiza e BBC: Pse ishte kaq vdekjeprurës tërmeti në Turqi dhe Siri

Një tragjedi ka tronditur sot mbarë botën ku më shumë e 2 mijë persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjera janë plagosur pas një tërmeti shkatërrimtar që goditi në orët e para të mëngjesit Turqinë dhe Sirinë, raporton BBC.

Tërmeti, i cili goditi pranë qytetit të Gaziantep, u pasua nga rreth 120 pasgoditje deri në këto momente, ku të paktën janë regjistruar 2 goditje të tjera të mëdha mbi 7 ballë.

Por pse ishte kaq vdekjeprurëse tërmeti i së hënës?

Magnituda e tij ishte e lartë, me raportime që shkojnë në 7.7 apo 7.8 ballë. Edhe thellësia e tërmetit ishte e cekët, me rreth 18 kilometra nën sipërfaqen e tokës, gjë që ndikon edhe në dëmin e shkaktuar në ndërtesa.

Profesoresha Joanna Faure Walker, kryetare e Institutit për Reduktimin e Rrezikut dhe Fatkeqësive në “University College London”, tha:

“Nëse i referohemi tërmeteve më vdekjeprurëse, ka pasur vetëm dy në 10 vitet e fundit me magnitudë të ngjashme”.

Megjithatë nuk është vetëm fuqia e dridhjes që shkakton shkatërrimin e këtyre përmasave.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur personat ndodheshin brenda në banesat e tyre dhe flinin. Qëndrueshmëria e ndërtesave është gjithashtu një faktor.

Vendimtar është edhe zona në të cilën ka rënë tërmeti. Epiqendra ka qenë në Turqinë Jugore dhe Siri, rajon ku nuk kishte pasur një tërmet të madh për më shumë se 200 vite. Kjo bën që edhe niveli i gatishmërisë të ishte më i ulët se në zonat që dihet që kanë një aktivitet të vazhdueshëm sizmik.

Çfarë e shkaktoi tërmetin?

Korja e Tokës përbëhet nga pllaka, që qëndrojnë pranë njëra tjetrës dhe që tentojnë herë pas here të lëvizin.

Në këtë rast, ishte pllaka arabe që lëvizte në drejtim të veriut dhe “kërceu” kundër pllakës së Anadollit.

Fërkimi nga pllakat ka qenë përgjegjës për tërmetet shumë të dëmshme në të kaluarën.

Më 13 gusht 1822 kjo dukuri shkaktoi një tërmet me magnitudë 7.4 ballë, megjithatë, tërmeti i shekullit të 19-të rezultoi në dëme të mëdha në qytetet e zonës, me 7,000 vdekje të regjistruara vetëm në qytetin e Alepos. Pasgoditjet e dëmshme vazhduan për gati një vit.

Deri tani ka pasur disa pasgoditje pas tërmetit të sotëm dhe shkencëtarët presin që ai të ndjekë të njëjtin trend si ai i mëparshmi.

Kujtojmë se tërmeti më i madh ndonjëherë është i magnitudës 9.5 i regjistruar në Kili në vitin 1960./ KultPlus.com

Tragjedia me 2600 të vdekur nga tërmeti, presidenti Erdogan shpall shtatë ditë zi kombëtare

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka vendosur shpalljen e 7 ditëve zi kombëtare për shkak të tragjedisë së ndodhur nga tërmeti që tronditi sot Turqinë dhe Sirinë.

“Për shkak të tërmeteve të ndodhura në vendin tonë, shpallim 7 ditë, ditë zie kombëtare. Flamuri ynë do të ngrihet në gjysmështizë deri në perëndim të diellit të dielën, 12 shkurt 2023, në të gjitha përfaqësitë e vendit tonë dhe të huaja”, ka shkruar ai në një postim në Twitter. / KultPlus.com

Rrëfim i jashtëzakonshëm – ‘Selfie’ me Angela Merkel ia ndryshoi jetën një refugjati

Anas Montamani, një refugjat nga Siria, u bë i famshëm në vitin 2015, kur bëri një selfie me kancelaren e atëhershme Angela Merkel, në kulmin e krizës së refugjatëve. Por ku është ai sot? Dhe çfarë ka ndryshuar në jetën e tij që atëherë?

Montamani tani jeton në periferinë lindore të Berlinit dhe merr me qira apartamentin e tij. Gjashtë vjet më parë, kur mbërriti në Gjermani, jetonte në një konvikt refugjatësh.

Ai ka arritur shumë që atëherë, ku tregon edhe vetë se tani ka filluar studimet në Ekonomi.

“Unë studioj për Ekonomi dhe Komunikim. Jam ne semestrin e peste. Punoj në të njëjtën kohë dhe jetoj me të dashurën time. “Shpresoj të marr më vonë nënshtetësinë gjermane”, thotë ai në mënyrë karakteristike.

Selfia që bëri rastësisht me Angela Merkelin e bëri papritur të famshëm. Imazhi i tij është shfaqur në të gjitha mediat gjermane – dhe më gjerë. Një familje gjermane e kontaktoi menjëherë, duke i ofruar mikpritje.

Germany to rule on fake news on Syrian refugees – Middle East Monitor

Nga synimi tek suksesi

Ai kujton vazhdimisht: “Selfie me kancelaren do të thotë shumë për mua. Është shumë më tepër se një fotografi. Është një simbol i humanizmit të zonjës Merkel. Ai më ndihmoi, më shpëtoi jetën. Unë do t’i jem mirënjohës asaj për pjesën tjetër të jetës sime. Selfie ishte prova se Angela Merkel ka një zemër të madhe, ajo na mirëpriti në vend dhe na dha mundësinë të qëndrojmë dhe të integrohemi këtu”.

Montamani vazhdoi të punonte dhe nuk u frikësua, gjithnjë ishte në kërkim që të siguronte jetësën në Gjermani.

“Do të më mungoj shumë. Nëse do ta takoja përsëri, do të doja ta falënderoja për gjithçka që bëri për mua. Falë saj, sot jam duke ecur shumë më mirë në jetën time. Unë dua t’i tregoj asaj respektin tim sepse ajo më shpëtoi jetën. Dhe ndoshta do t’i kërkoj përsëri të bëjë një selfie përsëri”, deklaroi ai.

Angela Merkel ka përfunduar mandatin e saj shumëvjeçar në Gjermani dhe është larguar nga posti i kancelares, vitin që lamë pas. /KultPlus.com

Poçari sirian ruan zanatin shekullor

Brenda një punishteje me pluhur dhe të errët në brigjet e lumit Jaghjagh në verilindje të Sirisë, Misak Antranik Petros përdor një rrotë qeramike antike për të krijuar forma të ndryshme nga argjila.

Poçari sirian 85-vjeçar me origjinë armene tha se familja e tij ka praktikuar zanatin për më shumë se 450 vjet. “Profesioni u transferua nga një brez në tjetrin si një trashëgimi,” tha ai. “Tani, djali im po e merr atë”./ KultPlus.com

Riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë nga Siria në fokus të medias ndërkombëtare

Riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë nga Siria ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare.

Pas negociatave humanitare me të gjitha palët e përfshira, katër fëmijë dhe një grua në gjendje jo të mirë shëndetësore, u evakuuan nga kampi Al-Howl dhe do të kthehen sot në Shqipëri.

Associated Press

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i tha agjencisë Associated Press në një intervistë telefonike nga Bejruti, se kthimi i këtyre pesë personave ishte kryer pas negociatave 12-mujore dhe se qeveria e tij shpresonte, gjithashtu, të siguronte riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, të mbetur në Siri në rrethana të ngjashme.

Fëmijët dhe gruaja  u dërguan dje në Bejrut, ku Rama darkoi me ta dhe duhet të fluturojnë drejt Tiranës të martën.

“Ka qenë punë e ndërlikuar njëvjeçare”, tha Rama.

“Jemi duke u përpjekur të sjellim çdo shqiptar sërish në shtëpi”, shtoi ai.

Rama tha se organizatat humanitare dhe fetare, zyrtarët ushtarakë dhe konsulli i nderit i Shqipërisë në Bejrut, Mark Ghraib, luajtën një rol të madh në përpjekjen e riatdhesimit.

AFP

Katër fëmijë shqiptarë kanë lënë kampin Al-Howl, që pret familje të xhihadistëve në Sirinë Veriore, ku më pas edhe do të riatdhesohen, sipas zëdhënëses së Gjysmëhënës së Kuqe siriane

“Fëmijët u larguan nga Qamichli në Damask, pastaj nga Damasku në drejtim të kufirit libanez dhe nga Libani ata do të shkojnë në Shqipëri”, shpjegoi zëdhënësja, Rahaf Abboud.

“Operacioni u zhvillua me kërkesë të qeverisë shqiptare”, shtoi ajo.

”Një delegacion zyrtar shqiptar vizitoi të enjten e kaluar Sirinë Verilindore, ku u takua me zyrtarë kurdë”, tha Departamenti i Punëve të jashtme të Administratës gjysmautonome kurde në Facebook.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u nis drejt Bejrutit për të marrë pjesë në riatdhesimin e planifikuar për të martën.

“Ne jemi në proces të riatdhesimit të katër fëmijëve shqiptarë nga kampi i ferrit Al-Howl, falë një operacioni shumë të ndërlikuar dhe pas më shumë se një viti përpjekjesh”, shkroi ai në faqen e tij në Facebook.

Administrata gjysmautonome kurde vazhdon të kërkojë riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të huaj, por vendet perëndimore po lëvizin ngadalë me dosjet.

Star Tribune

Gazeta amerikane ”Star Tribune” citon fjalët e kryeministrit Rama, i cili thotë se ”ka qenë një punë e ndërlikuar njëvjeçare”.

“Ka qenë një punë e ndërlikuar e vitit,” tha Rama.

Ai nuk pranoi të jepte detaje mbi negociatat, në mënyrë që të mos rrezikonte përpjekjet për të siguruar kthimin e familjeve të luftëtarëve të tjerë shqiptarë në Siri.

Ai shtoi se gruaja përdor një karrocë si rezultat i dëmtimeve dhe do të kërkojë operacion të menjëhershëm dhe të vështirë sapo të kthehet në Shqipëri. Të pesë jetonin në kampin e refugjatëve Al Hawl, në veri të Sirisë.

Disa qindra burra shqiptarë u bashkuan me Shtetin Islamik dhe grupe të tjera që luftonin në Siri dhe Irak në fillim të viteve 2010. Shumë u vranë dhe gratë dhe fëmijët e tyre ndodhen në kampet siriane.

Al Arabyia

Që para rënies në mars 2019 të të vetëshpallurit “kalifat” të ISIS-it në Siri, forcat kurde kanë menaxhuar disa kampe që strehojnë mijëra civilë në verilindje të vendit që u larguan nga luftimet, shkruan media e njohur e botës arabe Al Arabyia.

Më i madhi është al-Howl, i cili gjithashtu strehon gratë e luftëtarëve të huaj të ISIS dhe fëmijëve të tyre.

“Ky operacion hap rrugën për një operacion të dytë për të riatdhesuar fëmijët e tjerë që ende e gjejnë veten në kampin Al Howl”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pak para se të nisej për në kryeqytetin libanez.

Policia shqiptare thotë se të paktën 40 fëmijë shqiptarë janë në Al Howl, përfshirë disa jetimë.

The Independent

Gazeta e njohur britanike ”The Independent” veçon kryeministrin Rama kur thotë se “së pari, jemi të përkushtuar ndaj kujdesit për fëmijët dhe gratë, që nuk përfshihen në akte terroriste”.

Ai shtoi se shtetasit shqiptarë që morën pjesë në luftime do të përballen me ndjekje penale, nëse arrestohen dhe riatdhesohen.

“Jemi duke u përpjekur të sjellim çdo shqiptar sërish në shtëpi”, shtoi ai.

The Washington Post

Duke cituar kryeministrin Rama, gazeta amerikane ”The Washington Post” thotë se ”kthimi i këtyre pesë personave ishte kryer pas negociatave 12-mujore” dhe se ”qeveria e tij shpresonte, gjithashtu, të siguronte riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, të mbetur në Siri në rrethana të ngjashme”./ atsh/ KultPlus.com