Danimarka është bërë shteti i i parë evropian që i ka filluar politikat për kthimin në atdhe të imigrantëve sirianë, duke thënë se ata do të jenë të sigurt në vendin e tyre.
Shteti skandinav ua hoqi lejen e banimit 92 refugjatëve sirianë pasi vlerësoi se Damasku dhe zonat përreth tij janë të sigurta, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Imigrantët do të dërgohen në kampet e dëbimit, por nuk do të detyrohen që të largohen. Sidoqoftë, grupet për të drejtat e njeriut thonë se qeveria po mundohet që imigrantëve të mos u lërë rrugë tjetër përpos kthimit në Siri.
Mattias Tesfaye, ministër danez për Migracion, muajin e kaluar tha se vendi i tij ka qenë “i hapur dhe i sinqertë që nga fillimi” me refugjatët e ardhur nga Siria.
“Ua kemi bërë të qartë refugjatëve sirianë se leja e tyre e banimit është e përkohshme. Ajo mund të tërhiqet, nëse mbrojtja nuk nevojitet më”, deklaroi ai.
Deklarata e tij erdhi pasi Danimarka i shtoi zonat siriane që i vlerëson si të sigurta për kthimin e njerëzve. Pjesë e kësaj harte u bë edhe rajoni Rif Dimashq.
“Ne duhet t’u ofrojmë mbrojtje njerëzve për aq sa është e nevojshme, por kur kushtet që ata të kthehen të përmirësohen, refugjati duhet të kthehet në atdhe dhe ta rifillojë jetën atje”, shtoi ministri danez. / KultPlus.com