Më 11 dhjetor 2020, do të fillojë aplikimi i kontributpaguesve për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kjo mundësi është krijuar në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili është miratuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.
Hoti tha se Trusti ka njoftuar se janë gati për lansimin e faqes online, lidhur me tërheqjen e 10 për qindëshit.
“Më vjen mirë që tash ligji është publikuar në gazetë zyrtare dhe këto institucione mund të fillojnë punën ashtu siç parashikohet me ligj. Nga informatat që morëm nga zëvendësguvernatori, nga kryetari i bordit dhe nga drejtori i Trustit është që të gjitha përgatitjet janë bërë, janë ndarë informatat në mes të këtyre dy institucioneve. Është përgatitur edhe sistemi është hapur edhe webfaqja dhe të premten në orën 15:00 pasdite hapet sistemi për qytetarët për të aplikuar për tërheqjen e këtyre kursimeve”, tha Hoti.
Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, së bashku me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, anëtarin e Bordit Drejtues të FKPK-së, Ruzhdi Morina dhe Sokol Havollin, zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, tha se këto institucione kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar aplikimin.
Aplikimi për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga kontributdhënësit mund të bëhet vetëm online përmes një faqeje të veçantë interneti.
“Trusti i Kursimeve Pensionale në bashkëpunim me Bankën Qendrore dhe Ministrinë E financave dhe Institucionet tjera ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike. Jemi duke punuar intensivisht në mënyrë që të bëhen të gjitha testimet e nevojshme dhe të premten sistemi do të hapet për aplikim dhe të gjithë qytetarët do të munden të aplikojnë për tërheqjen e mjeteve. Gjithashtu sot lansohet platforma në internet që është www.trusti10.org do të jetë një faqe tjetër e internetit. Aplikimi do të jetë shumë i thjeshtë, numri personal dhe llogaria bankare. Në bazë të aplikimeve presim që shumë shpejtë të bëjmë pagesën e këtyre mjeteve dhe presim që pagesa më e madhe e këtyre mjeteve për të gjithë ata që aplikojnë para datës 22 apo 24 të këtij muaji, paratë do të mund të paguhen para festës së fundvitit. Besojmë që çdo jave do të bëjmë nga një pagesë të mjeteve dhe shpresojmë që në këtë drejtim nuk do të ketë ndonjë problem”, u shpreh Morina.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme. / KultPlus.com