Shërbim i ri i biletave online për muzetë dhe sitet e trashëgimisë kulturore

Vizitorët që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik tashmë do të kenë mundësinë të vizitojnë dhjetë muze dhe site të trashëgimisë tonë kulturore duke rezervuar biletat online.

Shërbimi i ri i biletarisë on line u prezantua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me kreun e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan Të Zhvillimit Michael Granoff.

“Një mundësi e re, një shërbim më shumë për të gjithë vizitorët, që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e radhës. Vizitat në dhjetë muze dhe site të trashëgimisë sonë kulturore janë vetëm një klik larg”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Së bashku me partnerin tonë, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit prezantuam shërbimin e biletarisë on line. Kënaqësi të kryenim sot aktin simbolik të prerjes së një bilete on line me kreun e Bordit të AADF, Michael Granoff, një mbështetës i vizionit tonë për të ecur përpara. Me prekje të vogla, drejt projekteve më të mëdha”, u shpreh ministrja Margariti.  /atsh / KultPlus.com