BBC jehonë situatës në veri: Vendimi për targat solli tensione, KFOR gati të ndërhyjë

Prestigjiozja britanike BBC, i ka dedikuar një artikull situatës së tensionuar në veri të Kosovës për shkak të paralajmërimit të vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Artikulli i BBC:

Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e rregullave të reja që do t’i detyronin njerëzit në zonat me shumicë etnike serbe të ndërrojnë targat e tyre të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Rregullat do të hynin në fuqi në mesnatën e së hënës. Por të dielën serbët etnikë në veri bllokuan rrugët dhe njerëz të armatosur qëlluan me armë në shenjë proteste.

Zbatimi i rregullave është shtyrë për një muaj pas konsultimeve me SHBA-në dhe BE-në.

Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në shkurt 2008, pas vitesh të marrëdhënieve të tensionuara mes banorëve të saj serbë dhe kryesisht shqiptarë.

Ajo është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por Serbia, e mbështetur nga aleati i saj Rusia, refuzon ta bëjë këtë, ashtu si shumica e serbëve etnikë brenda Kosovës.

Rreth 50,000 njerëz që jetojnë në zonat me shumicë serbe të veriut përdorin targa të lëshuara nga autoritetet serbe dhe refuzojnë të njohin institucionet e Kosovës.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të futur rregulla të reja, duke përfshirë zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, çoi në përplasje.

NATO e përshkroi situatën si “të tensionuar” pasi qindra serbë etnikë parkuan kamionë, cisterna dhe automjete të tjera pranë dy pikave kryesore kufitare me Serbinë në shenjë proteste ndaj rregullave të reja, duke detyruar policinë të mbyllë dy vendkalimet.

Misioni i udhëhequr nga aleanca në Kosovë, KFOR, tha se ishte i përgatitur të ndërhynte “nëse rrezikohet stabiliteti”.

Pati gjithashtu raportime për të shtëna nga njerëz të armatosur, megjithëse policia e Kosovës tha se nuk kishte marrë raporte për ndonjë të lënduar.

Rritja e tensioneve çoi në konsultime me ambasadorët e SHBA dhe BE.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier tha se i kërkoi qeverisë së Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit të targave për 30 ditë “sepse duket se ka pasur keqinformim dhe keqkuptim rreth vendimit”.

Kosova më pas ra dakord të shtyjë rregullat e reja për 30 ditë.

Kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e mirëpriti njoftimin në një postim në Twitter dhe tha se ai pret që të gjitha pengesat të hiqen menjëherë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha gjithashtu se ai priste që tensionet të “de-përshkallëzohen” pas shtyrjes së rregullave.

Protesta të ngjashme u zhvilluan vitin e kaluar për propozimet për ndryshimin e rregullave të targave.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë pavarësisht se të dyja palët janë zotuar të angazhohen në dialogun e sponsorizuar nga BE-ja në përpjekje për të zgjidhur çështjet e vjetra./Abcnews.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Aleksandar Vuçiq është problemi, jo Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për televizionin kroat HRT ku ka folur për ngjarjet në veri të Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë, bashkimin kombëtar dhe qëndrimin e trupave amerikane të KFOR-it në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk qëndron problemi në Kosovë, por në Serbi, teksa ka thënë se kriza në pikat kufitare 1 dhe 31 janë iniciuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne ende kemi probleme me Serbinë, Kosova nuk është problem. Problemi është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi që mendon dhe flet si në vitet 90 të shekullit të kaluar. Kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të Presidentit të Serbisë. Më shumë se 11 mijë automjete nga Serbia morën targat e përkohshme të Republikës së Kosovës pa asnjë problem. – Ata bashkëpunuan me policinë tonë dhe institucionet tona. Njerëzit në barrikada paguhen nga Serbia”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se personat që kanë nisur bllokadën në veri kanë të kaluar kriminale dhe anë pjesë e grupeve ekstreme që morën pjesë në grushtin e shtetit në Mal të Zi disa vite më parë.

“Disa prej tyre kanë një dosje të aktiviteteve kriminale në të kaluarën, ata kanë pikëpamje ekstreme për politikën dhe botën. Disa prej tyre gjithashtu morën pjesë në një përpjekje për grusht shteti në Malin e Zi pesë vjet më parë”, shtoi Kurti.

Kurti ka komentuar edhe ardhjen e ambasadorit rus në kufi me Kosovën dhe sulmi ndaj institucioneve të Kosovës në veri.

“Ju e sillni Ministrin e Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me Ambasadorin Rus në Serbi dhe Atasheun e Mbrojtjes të Federatës Ruse në Beograd. Në të njëjtën ditë ata i vunë zjarrin një ndërtese në Zubin Potok. Gjithashtu, MiG-29 po sillet rreth Kosovës, helikopterë dhe automjete të blinduara të prodhuara nga Rusia … Pra, ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë e vendit tonë. Forcat tona speciale janë atje, si në Brnjak ashtu edhe në Jarinje. Të mos harrojmë, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 18 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare Jarinje dhe Brnjak”, shtoi Kurti.

Kurti ka folur edhe për politikën e brendshme të Serbisë, duke thënë se atje ekziston vetëm një parti dhe se Kisha Ortodokse Serbe është po ashtu parti politike duke thënë se nuk ka pluralizëm demokratik.

“Keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Ky shtet është gjithashtu një kishë. Ajo kishë është gjithashtu një parti. Nuk ka pluralizëm atje, ata po shtiren me demokraci kinse po mbajnë zgjedhje”

Kurti shtoi se është i hapur për dialog dhe se për këtë i ka shprehur gatishmërinë edhe kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Kurti është pyetur edhe për bashkimin kombëtar dhe se si do të votonte në një referendum eventual.

“Ne jemi dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, por nuk jemi dy kombe. Ne jemi një komb. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, ne kurrë nuk mund të harrojmë se nuk është kufiri shqiptar apo kufiri i Kosovës. Është kufiri jugosllav, serb dhe në atë kuptim ne duam që Prishtina dhe Tirana të bashkëpunojnë sa më ngushtë, të integrohen dhe të ndihmojnë njëri –tjetrin”

Në fund është pyetur nëse mendon se trupat amerikane, pjesë e KFOR-it do të largohen nga Kosova.

“Unë nuk mendoj se ata do të tërhiqen. Kosova duhet të përfshihet në Partneritetin për Paqe. Imagjinoni, që nga viti 2006, ka qenë Serbia që merr armë nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, dhe jo Kosova”, ka thënë Kurti./KultPlus.com

KFOR-i njofton se ka biseduar me palët për ndërprerje të protestave në veri

KFOR-i ka njoftuar se ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori, Franco Federici, ka njoftuar se masat e marra, që janë biseduar paraprakisht me institucionet e Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore, kanë qëllim shtensionimin e shpejt të situatës.

 “KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Federici.

KFOR-i përgjatë ditës ka bërë të ditur se e ka rrirtur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës.

“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, u tha në një deklaratë të tyre gjatë ditës.

Gjatë ditës T7 ka raportuar nga vendi i ngjarjes, duke njoftuar se gjatë ditës ka pasur më shumë patrullime të KFOR-it dhe monitorime nga ajri, me helikopterë./KultPlus.com

Wigemark takohet me Osmanin: EULEX është gati të asistojë në veri së bashku me KFOR-in

Kreu i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është biseduar lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të miratohet masa e reciprocitetit për targa me Serbinë. Pas kësaj, forcat Speciale të Policisë janë vendosur në pikat kufitare në veri të Kosovës, ndërsa banorët e minoritetit serb kanë bllokuar rrugët me automjete.

Kreu i EULEX-it është shprehur i gatshëm që të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit, së bashku me KFOR-in.

“Një takim shumë i dobishëm me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me ngërçin në 2 Pikat e Përbashkëta Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. EULEX ka vendosur ekipe zbulimi në dy pikat një javë më parë dhe është gati të asistojë së bashku me KFOR-in”, tha ai./KultPlus.com

Situata në veri, Kosova dhe Serbia pajtohen për takim në Bruksel këtë javë, merr pjesë edhe përfaqësuesi amerikan

Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, ka konfirmuar se gjatë kesaj jave do të ketë takim në Bruksel në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, takim në të cilin do të marrë pjesë edhe zv.ndihmësi i sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar.

Ky takim në Bruksel vjen pas situatës së krijuar në veri të Republikës së Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit të targave.

 “Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe  inkurajojmë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka thënë ky zëdhënës i Ambasadës së SHBA në Prishtinë për Gazetën Express./KultPlus.com

Presidenti i Këshillit Evropian: Kurti dhe Vuçiqi të tërhiqen, të largohen Njësitë Speciale dhe barrikadat

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq t’i shmangin tensionet në veri të vendit.

Michel, me anë të një postimi në llogarinë e tij për media në ‘Twitter’, ka thënë se po mban kontakte të ngushta me kreun e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell lidhur me situatën në veri.

Kreu i Këshillit Evropian ka bërë thirrje që të tërhiqen Njësiti Special i Kosovës dhe barrikadat në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

“Në kontakt të ngushtë me Josep Borrell. Koha që Serbia dhe Kosova, Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti, të tërhiqen dhe të mos e eskalojnë situatën, ta bëjnë tërheqjen e Forcave Speciale dhe barrikadave dhe të vazhdojnë negociatat sipas propozimeve të Emisarit të Lartë të BE’së, Miroslav Lajçak”, ka deklaruar ai.

SHBA dhe BE u kanë bërë thirrje krerëve të Kosovës dhe Serbisë që të mos tensionojnë situatën më tutje./KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Në bllokimin e rrugëve në Jarinje e Bërnjak po marrin pjesë individë me veprimtari kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se në bllokimin e rrugëve magjistrale që që shpiejnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste, përcjell KultPlus.

Kurti përmes një postimi në Facebok ka shpërndarë fotografitë e dy personave që  po marrin pjesë në protestën e serbëve në veri, pasi Qeveria e Kosovës mori vendimin për të vendosur masën e reciprocitetit në targa për automjetet që vijnë nga Serbia.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpiejnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Në vijim janë dhënë përshkrimet dhe fotografitë e dy prej tyre.

1. Vladislav Dajković, shtetas malazez, me datë 22 shtator 2021, ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje ku edhe i është bashkuar protestuesve. Ai ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe është i lindur më 13 janar 1992. Njihet për botëkuptimet proserbe e proruse dhe ka marrë pjesë në të gjitha organizimet kundër orientimit perëndimor në Mal të Zi. Ai ka lidhje të ngushta me agjentin propagandues serb, Boris Malagurski, si dhe me propaganduesin francez prorus, Arnaud Gouillon. Dajković, është edhe anëtar i Lëvizjes Imperialiste Ruse (me flamurin e së cilës shihet në foto), që është shpallur organizatë terroriste nga ShBA-të.

2. Igor Braunović, drejtor i përgjithshëm i “Srbijašume”, lavdërohet publikisht nga zëvendësi i tij Bratislav Dikić për pjesëmarrje në bllokadën në Jarinje. Dikić është general në pension e dikur ishte kreu i xhandarmerisë serbe që ka qenë i arrestuar si i përfshirë në tentimin për grusht shtet në Mal të Zi në vitin 2016. Dikić është i afërt me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Dačić. Për më tepër, Dikić ka qenë i involvuar në thyerjen e kutive të votimit në komunën veriore të Mitrovicës në zgjedhjet lokale 2013, si dhe në heqjen e përmendores së UÇPMB-së në Preshevë po ashtu në vitin 2013. Së fundmi, pushteti e ka shpërblyer atë me pozitën e ndihmës drejtorit të ndërmarrjes publike “Srbijašume”. Pra, ai ka dalë hapur në rrjetet sociale në përkrahje të barrikadave dhe si përfaqësues në këto barrikada e ka dërguar me datë 22 shtator 2021 pikërisht Igor Braunović, drejtorin e përgjithshëm të NP “Srbijašume”. Ai nuk ka ardhur vet personalisht në barrikada meqë është figurë e komprometuar si element rus gjatë tentimit për grusht shtet në Mal të Zi./KultPlus.com