Ura e Vokopolës është ndërtuar mbi përroin e Çorogjafit dhe lidh Vokopolën me fshatin Tërpan.
Ura përbëhet nga harku kryesor segment rrethi dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.
Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët.
Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm. Në pjesën qëndrore më të lartë të urës, për sigurimin e kalimit të kalimtarëve është ndërtuar një parapet guri me gurë pllakë vendosur këlliç me kollona të ikastuara në qemer çdo 50 cm.
Qemeri është me dy rreshta dhe arrin trashësinë 125 cm, kalldrëmi i urës është ndërtuar me gurë pllakë të zinj.
Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit, dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. Degëzimi i cili lidhte Beratin me Tepelenën kalonte nëpër këto fshatra; Vokopolë-Çorgjaf –Rehovë -Qafa e Gllavës-Luftinjë-Memaliaj./ KultPlus.com