Në Elbasan hapet edicioni i nëntë i takimit kombëtar të Orkestrave të harqeve

Mbrëmjen e së hënës në Teatrin “Skampa” të Elbasanit hapi siparin edicioni i nëntë i “Takimit Kombëtar të orkestrave të harqeve, muzika e dhomës”.

Në këtë event marrin pjesë orkestra dhe asamble nga Tirana, Fieri, Vlora, Elbasani, Fieri, Berati, Korça, Shkodra, Shkupi e Tetova e Maqedonisë së Veriut, dhe Orkestra e harqeve e qytetit Pernik e Bullgarisë.

Në natën e parë performuan Asambli “Dardanus” i Tetovës, Duo Piano me 4 duar nga dy profesoresha të Universitetit të Arteve Tiranë, Quinteti Ad Libitum, Shkodër dhe Orkestra e Harqeve Elbasan.

Përgjatë tre netëve nga kjo fillimjavë né skenën e Teatrit Skampa do të performojnë 12 trupa nga i gjithë vendi, përfshirë ato të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Nga viti në vit ky festival ka ardhur në rritje, ndaj këtij edicioni nuk mund t’i mungonin edhe risitë.

Drejtori i festivalit, Blerim Narazani, vlerëson repertorin e pasur të festivalit dhe faktin që ky event është ndër të paktët koncerte që ndan çmime me vlerë monetare.

Ndërkohë, Drejtori i Qendrës së Artit Elbasan, Klinsi Lala nga ana e tij, ndjehet i lumtur që ky festival tashmë është shndërruar në një event të përvitshëm, ndaj dhe pritshmëritë janë të larta.

“Takimi kombëtar i orkestrave të harqeve, muzika e dhomës”, në këtë edicion mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Elbasan./news24/KultPlus.com

Artistë nga Shkupi dhe Prishtina, në festivalin “Skampa”

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen “Të harruarit” me regji të Shkurt Aliut dhe në role aktorët Edlir Gashi dhe Qëndresa Kajtazi.

Në vepër është një rrëfim për dy të rinj të izoluar, pa shpresë dhe të ngujuar në vendin dhe në mendjen e tyre, në kufijtë e Evropës, në një çmendinë e burg të krijuar nga pushteti. Njerëz të harruar në shtëpinë dhe rrugën e tyre, të dhunuar, të poshtëruar e të trajtuar si kafshë, të padinjitet e si të çmendur. Rrugën e vetme të shpëtimit shohin emigrimin. Në ditët e festivalit “Skampa” u prezantua dhe Indipendent Teatër Kompani, Shkup.

Artistët nga Shkupi sollën në skenë shfaqjen “Unë Selma” me regji nga Millosh B. Andonovski. Vepra është një rrëfim për një vajzë 14 vjeçare, me emrin Selma, një emigrante nga Siria, e cila arratiset nga vendlindja, së bashku me gjyshen e saj dhe arrin e vetme në Maqedoni. Ajo mbërrin aty vetëm me një valixhe dhe një kukull në dorë. Shfaqja përbëhet nga 9 episode të ndryshme, ku secili mban një titull të veçantë. Një aktore e quajtur Simona fillon t’i mësojë Selmës gjuhën maqedonase. Të dyja miqësohen me njëra-tjetrën dhe Simona mëson pak nga pak se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Selmën: kush është ajo, për çfarë ëndërron, përse u dashurua me Nebojshën. Rrëfyese në këtë shfaqje është Simona, vetë aktorja, e cila tregon historinë se si ajo u takua me Selmën dhe gjithçka që ajo di për të dhe në të njëjtën kohë ajo, herë pas here, shndërrohet si Selma. Simona luan 3 personazhe në 45 minuta, në formën e monologut. Selma dëshiron të kthehet pas dhe të vizitojë Bejrutin, të shkojë në plazh dhe të shohë detin, vendin dhe qytetin e saj më të preferuar në botë. Megjithatë, ajo nuk e kupton se ajo nuk mund ta marrë nënshtetësinë, apo një pasaportë dhe nuk do të ketë kurrë më mundësi të udhëtojë jashtë Maqedonisë.

Ajo mbetet e bllokuar për 9 vjet në Shkup dhe pas disa kohësh humb edhe kontaktet me Simonën. Pjesa interesante e kësaj shfaqjeje është se bëhet fjalë për një personazh dhe histori të trilluar, që Simona i tregon publikut. Shfaqja fokusohet në fuqinë e ndjeshmërisë. Në edicionin e njëzet të festivalit ndërkombëtar të teatrit bashkëkohor “Skampa”, në qytetin e Gramshit u prezantua shfaqja “Lule dielli”, nga LAB Theatër ATK, e cila do të jetë pjesë e programit edhe në teatrin e Elbasanit, në ditët në vijim./Agjensia e Lajmeve Sot News/KultPlus.com

Sonte nis Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Elbasan

Sonte në Elbasan nis edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘Skampa’, shkruan KultPlus.

“Zgjimi”, është titulluar ky edicion i cili sjellë gjithsej 12 trupa teatrale nga trojet shqiptare, Evropa dhe Bota.

Në vigjilje të çeljes së këtij edicioni drejtori i festivalit, regjisori Adonis Filipi u shpreh se nga viti në vit ky event dallohet nga profili si një festival i formave të reja me zhvillimet bashkëkohore të festivaleve.

Festivali ka edhe kontekstin poetik pasi një sërë shfaqesh janë paraparë që të provokojnë shpirtin poetik dhe garanton interaktivitet. Adonis Filipi gjithashtu nënvizoi se qëllimi i festivalit nuk është synimi të sjellë vetëm trupa, por që nga themelimi i tij e deri më tani të kthehet edhe në një laborator të jetë pjesë përbërëse e edukimit përmes artit.

Ceremonia e këtij festivali nis sonte me fillim nga ora 18:00 me ekspozitë nga skenografi Fatbardh Marku. Festivali zgjatë deri më 27 tetor në Elbasan./ KultPlus.com