Më shumë se 250 persona janë lënduar, 5 prej të cilëve në gjendje kritike, pasi një seksion i një skene të drunjtë u shemb në një festival lokal sportivo-muzikor në Spanjë.
Platforma e ngritur buzë detit ishte tejmbushur me njerëz, që po ndiqnin një koncert të muzikës “rap”, O Marisquino, në qytetin veriperëndimor të Vigos, në rajonin Galicia.
Policia konfirmoi se deri më tani nuk ka asnjë jetë të humbur.
Dëshmitarë nga vendngjarja treguan momentet e panikut që kapluan të pranishmit, shumë prej të cilëve adoleshentë, të cilët ia mbathën në kërkim të një vendi të sigurtë për jetën e tyre. Disa prej tyre ranë në det.
Mjete personale, si telefonat celularë apo çantat e dorës, mbetën të shpërndara në vendin e ngjarjes.
Disa ekipe emergjencash shkuan në ndihmë të të plagosurve, madje u dërguan edhe palombarë për t’u futur në det dhe për të parë se mos ndonjëri kishte ngecur i bllokuar nën strukturën e shembur.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi vetëm pak përpara mesnatës së të dielës dhe të hënës, teksa turma po dëgjonte repistin nga Majorka, Rels B.
Ndërkohë, ministri rajonal i Shëndetësisë tha për një radio lokale se të plagosurit në incident ishin plot 266 vetë. Kryebashkiaku i qytetit, Abel Caballero tha se do të hapej një hetim për të mësuar shkaqet e incidentit.
Ende nuk dihet me saktësi nëse platforma u shemb për shkak të numrit të lartë të njerëzve mbi të, apo sepse struktura në vetvete ishte ngritur pa parametra sigurie, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe ndikimi i faktorëve të tjerë./ vizore.al