Nën organizimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës sot u mbajt mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare Skënder Gashit.
Me këtë rast, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka ndarë Medaljen presidenciale të Meritave.
“Kam pasur rastin që gjithashtu të njohë nga afër profesor Gashin dhe respektoj kontributin e tij për liri, pavarësi, në arsim, por edhe rolin diplomatik të tij. Roli i tij ishte i jashtëzakonshëm për shkencën shqiptare, afirmimin e Kosovës dhe në këtë aspekt duke respektuar meritat e Gashi, kam vendosur që të ndaj medaljen presidenciale të meritave”, deklaroi kreu i shtetit.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se po ndahen nga një njeri që dha shumë për Kosovën.
“Sot jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit profesorit i cilin edhe në Prishtinë edhe në Vjenë ia ka kushtuar jetën misionit si profesor dhe si veprimtar. Në emër të kryetarit Mustafa, të LDK-së, sot me mërzi i themi lamtumirën e fundit për të lënë testamentin që ta duam Kosovën, ashtu siç baballarët tanë, themeluesit e LDK-së e realizuan”, tha ai.
Profesor Rifat Blaku u shpreh se emri i profesorit Skënder Gashi nuk do të shuhet kurrë.
“Sot po ndahemi nga një punëtor i palodhshëm, nga një pedagog i mrekullueshëm. Veprat e të cilit shërbejnë si pikë referimi për studiuesit e ri. Me profesor Skënderin kam pasur fatin të bashkëpunojë dhe ishte njeri i urtë, modest, i kulturuar, por shumë i respektueshëm për të gjithë. Skënder Gashi në Vjenë bënte punë të jashtëzakonshme. Sot Kosovës po i shkëputet një yll i cili nuk do të shuhet kurrë”, tha ai.
Ndërsa, djali i profesorit Skënder Gashit, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi falënderoi të gjithë që kanë nderuar jetën dhe vlerën e babait të tij. “Një falënderim që e mundësuar që në shtëpinë e tij, në LDK, të nderohet edhe një herë”, u shpreh ai.
Skënder Gashi ka vdekur më 27 qerrshor në moshën 77 vjeçare. Gashi ishte lindur më 1942 në Mramor të Prishtinës, ai njihet si njëri prej studiuesve të zellshëm të albanologjisë. Gashi ishte punonjës i Institutit Albanologjik të Prishtinës nga viti 1980 deri më 2003 dhe ka punuar si lektor i gjuhës shqipe në Vjenë. Atje edhe kishte botuar revistën shkencore “Dardania”.
Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Fjalori toponimik kronologjik i Kosovës në vendbanime ekzistuese dhe vendbanime të zhdukura” në dy vëllime, ishte bashkautor i “fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve popullore”, pastaj autor i veprës “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”.
Akademikë, profesorë, ministra e shumë miq kanë marrë pjesë në akademinë komemorative që Instituti Albanologjik ka organizuar në nderim të figurës së prof. dr. Skender Gashit.
Gashi, i cili ndërroi jetë ditën e enjte në Vjenë, kishte nisur punën e parë të tij, pikërisht në Institutin Albanologjik të Kosovës.
Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, tha se profesori Skënder Gashi ka dhënë një kontribut të madh në këtë institut duke theksuar se ikja e tij nga jeta ka lënë zbrazëti të madhe.
I pranishëm në këtë akademi ishte edhe Zv.Kryeministri Behgjet Pacolli i cili duke ngushëlluar familjen Gashi, ka thënë se Kosova ka humbur një njëri të madh.
Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi, i cili njëherësh është djali i profesorit të ndjerë, ka falënderuar të gjithë për kujdesin dhe fjalët e mira.
Gashi ka thënë se për shkak të procedurave ende nuk e kanë caktuar kohën e varrimit të profesorit, por se për këtë do të njoftohen me kohë.
Skender Gashi ka vdekur dje në moshën 74 vjeçare./koha
Prejardhja e goranëve në dritën e emrave të vëllazërive e të vendeve
Skënder GASHI
VENERIME PËRMBYLLËSE
Në bazë të një interpretimi të pasaktë është shfaqur mendimi
hipotetik, sipas të cilit paska mundësi që hapësira e sotme e Gorës, e ndoshta
edhe e Opojës, të jetë përmendur që në gjysmën e dytë të shek. I p. e. s.,
përkatësisht në librin 43. 20. 1 të veprës Ab urbe condita të historiografit
romak Titus Livius si Illyrici solitudines “Shkretëtirat e Ilirisë”, që do të
duhej kuptuar si “krahina të shkretëruara të Ilirisë” dhe jo për “shkretëtira
të Ilirisë”.
I besueshëm mund të mbetet porse paravendimi që në periudhën
e sundimit romak të Dardanisë, përkatësisht të pjesës më të madhe të Kosovës së
sotme, nëpër këtë krahinë do të ketë kaluar një rrugë dytësore (në krahasim me
atë kryesoren Lissus Naissus), gjë që mbase e dëshmon edhe toponimi Shtatuli në
krahinëzën shqipfolëse të Opojës, që rrjedh nga fjala latine statio, e
trajtësuar me prapashtesën karakteristike të latinitetit ballkanik -ul që në
këtë rast mund ta ketë edhe kuptimin deminutiv.
Dëshmia e parë e shkruar e përmendejes së Gorës mbase për si
rajon më vete, porse pa kufij të përcaktuar saktësisht, rrjedh nga viti 1348. Për
territor i mëvetshëm po me këtë emër, Gora është evidentuar edhe në të gjitha
regjistrimet osmane-turke të kryefamiljarëve e të pronave gjatë shekujve
XVI-XVIII.
Që nga vitet e ’20-ta të shek. 20, njësia mbase dikur unike
etnografike e gjuhësore e Gorës është e ndarë me kufij politikë midis Kosovës e
Shqipërisë dhe midis Kosovës e Maqedonisë. Së këndejmi, në pjesën kosovare të
hapësirës gjuhësore të shqipes bien sot 19 katunde; në atë të rrethinave të
Kukësit të Shqipërisë 9 dhe në atë të Maqedonisë 2 katunde, banorët e të cilave
e quajnë, përkatësisht e mbajnë veten për goranë.
Një gjë që duhet mbajtur parasysh në këtë mes është rrethana
që as në dokumetacionin kishtar serb të shek. XIV e as në defterë osmanë/turq
të regjistrimit të kryefamiljarëve të shekujve 15-18, që edhe janë të vetmet
nga të cilat do të mund të pritej një gjë e tillë, sikur të kishte pasur ndonjë
emër etnik më vete i cili më vonë do të vazhdohej deri në ditë tonat, nuk
përmendet shprehimisht ndonjë grup etnik me emrin goran/ë. Në të dyja këto
lloje të dokumentacionit përmendet vetëm nocioni gjeografik Gora që përmbahet,
vetëm një herë, edhe si emër i prejardhjes së ndonjë banori, jo porse si
distinktiv i përkatësisë së tij etnike.
Rrethana e konstatuar më sipër tregon se atributi goranështë
distinktiv që i shenjon ardhësit e quajtur në bazë të emrit Gora të regjionit
ku u vendosën dhe se, fundja, emri goran nuk është, pra, kurrfarë distinktivi
për përkatësi etnike, gjuhësore e religjioze më vete për banorët e vendosur aty
(për këtë sh. më poshtë). Që ky fakt ka të bëjë pikërisht (edhe) me goranët,
bëhet më e pranueshme edhe po u tërhoq një paralele p.sh. me popullatën fqinje
shqipfolëse të Opojës e cila nuk e ka për emër etnik emrin e regjionit, por
emrin e mirëfilltë nacional: shqiptar, e vërtetë kjo që vlen edhe për
popullatën e viseve të tjera përreth të banuara kryesisht me shqiptarë.
Për t’u sqaruar mbetet koha e mundshme e ardhjes së
popullatës së quajtur sot gorane në këtë hapësirë. Dokumenti më i vjetër dhe më
përmbledhës që dihet deri më sot përkitazi me hapësirën që e banonte popullata
e quajtur sot me emrin “goran” e Malësive të Prizrenit, Kukësit e pjesërisht
edhe të Tetovës, rrjedh nga gjysma e parë e shek. XIV. Ky dokument është
krisobula e sundimtarit serb St. Dushan e vitit 1348, përmes së cilës ai ia
falte manastirit në ngritje të shenjtorëve Mëhill e Gabriel të Prizrenit edhe
shumicën e katundeve të sotme të hapësirës që zënë krahinëzat e Gorës e të
Opojës. Duke qenë se ky dokument nuk është regjistrim i popullsisë, porse një
urdhëresë/dekret, në të cilën përcaktohen vetëm kufijtë e katuneve “tbaneve”
dhe të katundeve që në atë kohë bëheshin pronë e manastirit të lartpërmendur,
këtu ka krejt pak të dhëna përkitazi me antroponiminë e banorëve të këtij
regjioni.
Duke qenë se gati të gjithë emrat e bashkësive blegtorale të
gjakut në vijën mashkullore, përkatësisht emrat e katundeve e të vëllazërive
apo barqeve të përmendura në dokumentin e vitit 1348 të kishës e të pushtetit
serb në ekspansion janë ruajtur deri në ditë tonat po si emra aktivë/aktualë të
vëllazërive ose në trajta të tyre të ngurosura nëpër mikrotoponime e lejon jo
paravendimin, porse përfundimin e mbështetur, se edhe popullata e sotme
bullgarofone e regjionit të Gorës jetonte në shek. XIV po në këtë regjion, ashtu
si edhe popullata edhe sot shqipfolëse e krahinave fqinje të Opojës, Malësisë
së Tetovës dhe të regjionit të Kukësit, përkatësisht që pararendësit e goranëve
të sotëm ishin vendosur këtu shekuj përpara se të lindej dokumenti kishtar serb
i vitit 1348. Një shembull tipik i kontinuitetit onomastik e territorial të një
emri të dëshmuar në shek. 14 është emri Dikanoviki i familjes së priftërinjve
të vitit 1348 (të cilët nuk kanë mundur t’i takojnë kurrnjë kishe tjetër përpos
asaj ortodokse serbe) që është ruajtur tek emri i vëllazërisë së sotme
Dikanovci, përkatësisht tek emri Dikance i katundit më vete, tek emri Dikovllëk
në Lubizhdë dhe tek emri Dikaćenko i një mahalle-vëllazërie të katundit Brod të
regjionit të Gorës si edhe kontinuiteti territorial emëror i mikrotoponimit
mesjetar me prejardhje antroponimike potokb makočevski tek emri homonim i
vëllazërisë gorane po në katundin Brod të Gorës (më gjerësisht khs. 2. Lënda
onomastike historike për krahinat e Gorës e të Opojës dhe sidomos referencën
35). Konstatimi i shprehur më sipër përforcohet edhe nga rrethana që kjo
vazhdimësi dëshmohet edhe në defterin osman-turk të regjistrimit të pjesërishëm
të kryefamiljarëve të këtij regjioni në vitet 1451-1452. Një shembull për këtë
është p.sh. antroponimi Shutko i kryefamiljarët të dëshmuar më 1451-1452 i cili
është ruajtur deri në ditë tonat në mtp. Sutkarovo Gumno në Restelicë e mbase
edhe tek emri Sutinicanë Brod të Gorës.
Autoktoninë relative të goranëve që e banojnë këtë hapësirë
do ta dëshmonte edhe fakti që në këtë regjistrim osman ka disa vendbanime të
këtij regjioni që nuk përmenden në dokumentin e vitit 1348. Ky fakt e dëshmon
jo ardhjen e sërishme, porse rritjen e natyrshme dhe zgjerimin e natyrshëm
territorial të pararendësve të goranëve të sotëm.
Përkitazi me lashtësinë e kësaj popullate në këtë hapësirë
ka porse mendime të ndryshme. Teza më e përqafueshme nga shumica e dijetarëve
që janë marrë me këtë çështje është ajo që pararendësit e goranëve të sotëm
qenkan popullatë e ardhur. Për hapësirë nismëtare nga e cila këta u dyndën për
në shpatije të Sharit merren malet e Rodopeve të shtetit të sotëm të
Bullgarisë, por edhe nga Maqedonia e sotme, nga Greqia, përkatësisht Shqipëria
e Jugut.
Pararendësit romanë ballkanikë/ vlleh të goranëve të sotëm
si pjesë e një Romania në lëvizje, erdhën në hapësirën që e banojnë sot në
kuadrin e lëvizjes në kontinuitet të barinjve trakas së pari të romanizuar e më
pastaj të bullgarizuar gjuhësisht që në atdheun e tyre të kryehershëm.
Pararendësit ardhës të goranëve të sotëm nuk kanë mundur as
të romanizohen e as të sllavizohen, bullgarizohen në atdheun e ri të rrethuar
gjithandej nga shqiptarë. Kjo sepse në rastin e Gorës kemi të bëjmë me një
hapësirë të populluar rrallë, të organizuar mbi bazën e vëllazërive, mbi bazën
e lidhjes së gjakut në vijën mashkullore, në të cilat vështirë se mund të
depërtonte elementi i huaj mashkull dhe së dyti pse kjo nuk ishte zonë e banuar
me sllavë, porse me shqiptarë e ndoshta edhe me pak vendës të romanizuar,
përkatësisht me “ vlleh” vendës.
Karakterin vllah të mesjetës së vonë të pararendësve të
goranëve të sotëm e tregon mungesa e kontinuitetit në të folmen dhe në
onomastikën e tyre e leksikut të mirëfilltë të latinishtes popullore/vulgare,
gjë që sqarohet me të vërtetën e njohur gjithandej që elementi sllav i
Ballkanit s’ka histori të antikës, por vetëm të mesjetës, prandaj as tek
popullata gorane nuk gjendet ndonjë emërtim apo leksemë nga latiniteti ballkanik
që nga sllavishtfolës, çfarë në antikën ilire-romake as që kishte në këtë zonë,
do të ishte trajtësuar sipas veçorive fonetike të sllavishtes.
Se goranët e sotëm ishin vlleh të ardhur në këtë hapësirë e
tregon edhe ruajtja deri në ditë tonat e emrave të vëllazërive gorane të
formuar sipas modelit të vllehve të hapësirës së Jugut të Ballkanit. Të këtillë
janë p.sh. emrat: tudorč dolb i një lugu që përbënte kufirin midis bjeshkës së
katundit Radesh të Gorës dhe regjionit të Opojës; një pikë tjetër e kufirit të
kësaj bjeshke e quajtur Milšor dhe vendi tjetër i quajtur Milšin katund i cili
mbase mund të identifikohet me pjesën Milčeva bačila të kullotave të katundit
Brod. Toponimi i parë (tudorč dolb) është i tipit antroponimik. Në këtë emër
vendi ruhet antroponimi i gjithkrishterë me origjinë greke Θεόδωρος Theódoros
në trajtën karakteristike rumune, vllahe të tij Tudor; në toponimin e dytë
ruhet një trajtë e shkurtër e një baze antroponimike sllave Mili zgjeruar këtu
me prapashtesën karakteristike vllahe të përkëdhelisë -šor që ndeshet edhe në
mikrotoponime të tjera vllahe të Kosovës të emërtuara nga vllahishtfolës dhe
është njëkohësisht edhe prapashesë e shqipes e hyrë nga rumanishtja. (khs.
emrin e zhdukur Skokšor të një ujvarje në rrethina të Istogut, të përmendur që
në fillimet e shek. 13; emrin Dabšor të një vreshti në rrethina të Prizrenit që
përmendet në vitet 1198-1199; emrin e vjetër Vinishor të katundit të sotëm
Nishor të Suharekës; emrin Brajshor të vëllazërisë në katundin me emrin po
ashtu vllah Sharban të Prishtinës; emrin Nekshor, i shënuar në shek. XVI për
katund më vete e lagjes/vëllazërisë së sotme të katundit Prapashticë të
Prishtinës e ndonjë tjetër). Kjo prapashtesë e rumanishtes dëshmohet edhe në
emrin e një truallishte të qajtur Srbšor që për në hapësira të Maqedonisë së
sotme përmendet në vitin 1332.
Se këto mikrotoponime, që e dëshmojnë praninë e elementit
roman ballkanik, përkatësisht vllah nuk janë të rastit, e tregon rrethana se
edhe sot ka ndër emra vëllazërish të goranëve sish me prejardhje vllahe. Të
këtillë janë p.sh. emrat Surdulovci në katundin Rapçë nga rum. surd-ul “i
shurdhët”; Çuçulovci, nga rum. cucul“qyqe” Ursulovci nga rum. ursa “arushë”;
Muševci (khs. antroponimin vllah Muçat, emrin e vëllazërisë Muçateçtitek rumunët
dhe emrin e katundit Mushtisht të Kosovës) që rrjedh nga mbiemri sinonim muçat
“i bukur” i mbiemrit bucur, përkatësisht a se bucura “i lumtur, gazmor” i
rumanishtes e ndonjë tjetër.
Ndryshe qëndron puna, në këtë rrafsh, me popullatën shqipfolëse të krahinës së Opojës në të cilën ndeshen fjalë si kurt,-i “oborr i thurur me mur apo me gardh; 2. kopsht” nga lat. ballkanike curtis, e dalë nga cohorse kjo nga co(cum) dhe rrënjës hortus “kopsht”. Kjo fjalë e dalë nga përdorimi në latinitetin dalmat që në shek. 12, e ka ruajtur në të folmen e Opojës vlerën kuptimore të kryehershme të oborrit, pikërisht ashtu siç është ruajtur në frëngjishten, rumanishten e në greqishten e re, përkatësisht vlerën që e kishte curtisi latinitetit ballkanik si dhe fjalën burg-ue cila në këtë zonë e ka kuptimin e bartur “vath; vath rrëzë mali; rrënzë shkëmbi” dhe rrjedh nga lat. burg, burgus me kuptimin “mal, kurriz mali, gungë shkëmbore”
Ky fenomen ka ndodhur edhe tek mikrotoponimi opojar
Kilikerja (nga lat. calcaria“gëlqere” me të njëjtin kalim të c/k të lat. në g
si edhe tek lat. castania, shq. gështenjë) dhe tek mikrotoponimi opojar Udha
pukë në katundin e sotëm Zgatar të Opojës që rrjedh nga një *Via publica e
latinitetit ballkanik. Në të mirë të pranisë së një popullate shqiptare të
vërshuar nga elemente romane ballkanike do të fliste edhe trajtja e ruajtur
deri në ditë tonat e mikrotoponimit latin-ballkanik si Shtatuli; e emrit Blaq
të katundit opojar (nga antroponimi me prejardhje latine Blasius) dhe e
katundit Kapre (nga lat. capra “dhi,-a”) që tregojnë se shqiptarët autoktonë i
trajtësuan e ruajtën ato fjalë e emra vendesh me origjinë nga latiniteti
ballkanik (pjesë e të cilit ishin edhe këta vetë) në harmoni me ligjet fonetike
të shqipes si në gjithë hapësirën etnolinguistike të shqiptarëve. Në dritën e
ç’u tha më lart rezulton që as varianti goran i mikrotoponimit *Statio në
trajtën Statuljtë latinitetit ballkanik, nuk do të mund të merrej për ndonjë
dëshmi e kontinuitetit sllav të një emri antik, porse trajtë të cilën pararendësit
vlleh të goranëve të sotëm do ta kenë adaptuar nga trajta shqipe Shtatul, që
edhe dëshmohet tek mikrotoponimi homonim në katundin Blaç të shqiptarëve të
Opojës. Kjo rrethanë do të tregonte që pararendësit romanë ballkanikë të
goranëve të sotëm ishin bartës të një gjuhe në të cilën elementet latine
ballkanike u zhvilluan ndryshe në krahasim me atë në shqipen. Dhe kjo do të
jetë gjuha e trakasve të romanizuar, përkatësisht e romanëve/ vllehve
ballkanikë. Në rastin tonë konkret kemi të bëjmë me fenomenin e shprehur
figurativisht nga dijetari gjerman Gotfried Schramm e një vazhdimësie të
lëvizshme të latinitetit ballkanik nga blegtorë romanë të Ballkanit,
përkatësisht me një “Romani ballkanike të barinjve”.
Ata nuk u sllavizuan pra në atdheun e tyre të ri edhe për
faktin që nuk erdhën me hope, porse përnjëherë si kolektivitet. Këta erdhën pra
në këtë hapësirë me identitet të formuar gjuhësor, si bullgarishtfolës, nga
hapësira gjuhësore e bullgarishtes. Po të mos ndodhte kështu, do të ishte e
vështirë të shpjegohej arsyeja përse e folmja aktuale e goranëve është një
variant i bullgarishtes. Sikur këta të mos kishin ardhur si grup i formuar
gjuhësor që në atdheun e kryehershëm të tyre, përkatësisht sikur kjo ngulitje
të mos ishte masive, vështirë se do të mund të sqarohej rrethana përse kjo
popullatë, e vendosur në një ambient të rrethuar nga të katër anët nga
popullata autoktone shqipfolëse, nuk e mori gjuhën shqipe, përkatësisht nuk u
shqiptarizua e as nuk u serbizua, siç ndodhi gjithandej nëpër Kosovën e sotme
ku vëllazëri të veçanta që ishin ngulitur në ambiente shqiptare dhe kishin
sajuar të ashtuquajturat katune vllehsh të cilat kryesisht në Rrafshin e
Dukagjinit dhe në krahinën e Drenicës shumë shpejt u shqiptarizuan, ndërsa në
Rrafsh të Kosovës, në krahinat e Llapit, Gallapit, të Moravës e të Karadakut
pjesërisht edhe u serbizuan.
Në filologjinë sllave (bullgare, maqedonase, serbe) çështja
e prejardhjes së goranëve nuk ndiqet më thellë e më larg se harku kohor midis
shek. 10-12 dhe lidhet vetëm me herezinë armene të përhapur së pari tek
popullata e Bullgarisë dhe e quajtur bogumilizëm. Ky është pra harku kohor i
lindjes dhe i përndjekjes së lëvizjes bogumile (më gjerësisht për këtë sh.
nënkapitullin 4. 2.) në e nga Bullgaria, nga Maqedonia e Selanikut dhe nga
Maqedonia e Vardarit e ndoshta edhe nga Serbia.
Në relacion me kishën e me pushtetin serb dhe me banorët
serbë çfarë në zonën e Sharit nuk pati asnjëherë, banorët e regjionit të Gorës
janë autoktonë relativë, përkatësisht të vendosur para shtrirjes këndej të
pushtetit serb. Më mirë se gjithçka tjetër këtë e tregon varianti bullgar i të
folmes së banorëve të kësaj krahinëze. Bullgarishtja, nga ana tjetër, nuk ka
mundur të jetë gjuhë e vendit e kësaj hapësire porse vetëm gjuhë e “kolonëve”
në rastin tonë e blegtorëve vlleh bullgarishtfolës dhe jo e “bullgarëve” etnikë
siç ia ka ënda të besojë filologjia bullgare. Në kontekstin historik, e folmja
e banorëve të regjionit të Gorës nuk ka mbështetje të mbahet për e folme
maqedonase, sa kohë që jo vetëm atëherë, por madje as sot nuk pranohet për
gjuhë më vete “maqedonase” një e tillë që u farkua kryesisht për shkaqe
politike.
Po u pat parasysh konstatimi që pjesa dërmuese e vllehve,
duke qenë blegtorë transhumanë, ishin gjithmonë e kudo bilingualë, sidomos
burrat, e në të shumtën e rasteve edhe u asimiluan, do të rezultonte që
pararendësit e goranëve të sotëm e sollën me vete bullgarishten jo si gjuhë të
dytë, porse si gjuhë të komunikimit, ndërsa veçorinë etnike vllahe e ruajtën me
pak fjalë vendëse dhe me më shumë emra familjarë që u kishin shpëtuar procesit
të bullgarizimit.
Arsyeja e parë përse në atdheun e ri nuk u zhvillua procesi
i asimilimit të ardhësve vlleh bullgarishtfolës në shqiptarë është mbase në
rend të parë rrethana që këta ardhës do të kenë zënë vend këndej si grup
relativisht kompakt në një hapësirë bjeshkësh të banuara rrallë nga popullata
vendëse shqiptare, e pranishme ndoshta vetëm me kullota e tbane, e romanizuar
thellë, mbi të cilën (hapësirë) elementi ardhës pati mundësi jo vetëm ta ruajë
mëvetësinë gjuhësore e etnike porse, madje, edhe ta bullgarizojë ndonjë
vëllazëri shqiptare që mund ta kenë gjetur në atë zonë. Ky paravendim mund ta
ketë për mbështetje ruajtjen e disa toponimeve me prejardhje nga latiniteti
ballkanik në hapësirën e krahinëzës fqinje të Opojës.
Arsyeja e dytë që ndikoi në ruajtjen e mëvetësisë së
pararendësve të goranëve është rrethana që këta nuk gjetën në këtë zonë një
institucion të fortë kishtar të asnjërit nga dy ritet e krishterimit, gjë që ua
mundësoi ta vazhdojnë jetën si paganë, përkatësisht si ithtarë të dogmës së
bogumilizimit.
Pararendësit vlleh të bullgarizuar të goranëve të sotëm do
të jenë ngulitur në hapësirën e Gorës (në Kosovë e në Shqipëri) gjatë periudhës
së pushtimit/sundimit bullgar të Kosovës së sotme në shek. 10-12. Sikur kjo
masë vllehsh të ishte e ardhur më vonë, do të pritej që kjo ardhje të shënohej
në anale jo vetëm të kishës bizantine, porse edhe në sosh të asaj serbe. Në të
mirë të paravendimit të mësipërm duket se flet edhe rrethana që megjithë shtrirjen
së pakut të përkohshme të kishës serbe mbi këtë regjion në shek. XIV, pikërisht
vetë kjo administratë kishtare, pushtuese, i gjeti e prandaj edhe u bartën, u
ruajtën deri më sot, pothuajse të gjithë emrat e vendeve e të vëllazërive me
prejardhje vllahe, që janë shënuar në ato burime. Në këtë mes është për t’u
vërejtur rrethana që në shkrime kishtare serbe të cilat kanë të bëjnë me Gorën,
asnjëherë nuk del nocioni vlah as në kuptimin etnik e as në atë të “barinjve”.
Kjo mbase sepse elementi vllah i bullgarizuar kishte ardhur në këtë zonë para
shtrirjes jetëshkurtër të pushtetit, përkatësisht të kishës serbe në këtë zonë.
Lashtësinë e ngulitjes së vllehve para pushtimit/sundimit serb të dinastisë së
Nemanjidasve të Raška-s/Rashës në krahinën e sotme të Gorës sikur e ilustron
shumë mirë rrethana që administrata e kishës pushtuese serbe me shtrirje (në
rastin e Gorës) shumë të dobët të saj, regjistronte në vitin 1348, megjithatë,
oikonime e mikrotoponime me prejardhje të latinitetit ballkanik/vllah që rrjedhin
nga kohëra më të mugëta se ngulitja e kishës dhe e pushtetit serb në gjithë
Kosovën e sotme, e pra edhe në regjionin e Gorës.
Komponentë vendimtare që dëshmon se pararendësit vlleh të
goranëve ishin folës të bullgarishtes është e folmja e sotme (bullgare) e
popullatës së këtij regjioni. Kjo e folme përmban dy veçori shquese fonetike e
morfologjike të bullgarishtes: kalimin e zanores τ> të bullgarishtes së
vjetër ( = sllavishtes së vjetër) në o dhe të gjysmëzanores b në e si edhe në
bullgarishten e vjetër dhe jo në a si në serbishten e vjetër. Fenomeni i
ndryshimit të a > o në të folmen e goranëve, që dëshmohet edhe në huazimet
më të moçme të shqipes është, siç mësohet nga dija e gjuhësisë sllave, jo më i
vjetër se shek. 9. Përveç kësaj, karakterin bullgar të së folmes së Gorës e
dëshmon edhe ruajtja deri në ditët tona e kategorisë së shquarsisë së emrave në
këtë të folme, cilësi kjo që në Ballkan e kanë vetëm shqipja, rumanishtja e
bullgarishtja, përkatësisht maqedonishtja, jo porse edhe serbishtja e aq më pak
varianti boshnjak i saj. Së këndejmi, të gjitha pretendimet që e folmja e
goranëve të nxirret për e folme serbe, maqedonase apo, që është madje edhe
qesharake, boshnjake, duhet të mbahen vetëm për teza të politizuara të cilat
nuk kanë vend në vathin e dijes objektive të gjuhësisë.
Nga aq burime sa ka për këtë regjion, mësohet se emrat e
sotëm të vendbanimeve të këtij regjioni janë po ata që dëshmohen më 1348 dhe
këta emra nuk janë shënuar në atë burim në trajtat bullgare të tyre, porse në
sosh serbe. Sado që në dokumentin e vitit 1348 nuk ndeshen mikrotoponime me
prejardhje bullgare, mundësinë që banorët e kryehershëm të kësaj krahine e
flisnin bullgarishten do ta tregonte fakti i pamohueshëm që disa nga
mikrotoponime të dëshmuara në vitin 1348 në trajta serbe të tyre janë ruajtur
nga vendësit deri në ditë tonat në trajtat bullgare të tyre. Kjo rrethanë do të
tregonte se procesi i serbizimit librar të toponimisë së këtij regjioni, si
edhe në gjithë hapësirën gjuhësore të shqipes, kishte përfunduar para shek. 14.
Qenien bullgare të mikrotoponimisë së Gorës edhe në kohën e lindjes së dokumentit të kishës serbe, përkatësisht karakterin bullgar të së folmes sllave të goranëve si edhe të kolonëve bullgarë të rrethinës së Prizrenit e dëshmojnë jo krejt tërthorazi edhe trajtat bullgare të disa emrave të vendbanimeve të vetë regjionit të Gorës si Globočica, Krstec, Shishtavec, Košarišt të përmendura në burimin e vitit 1348, disa oikonime të rrethinave të Prizrenit, si Nashec, Tupec, të Suharekës si Rahovec, Sallagrazhdë e madje edhe të Klinës si Bubavec e të Kamenicës Zajçec që përmenden nëpër burime kishtare serbe të shek. XIII-XV. Kjo rrethanë do ta përligjte bullgarishten jo vetëm për gjuhë të goranëve, porse edhe rolin e saj si gjuhë dhënëse e sllavizmave më të vjetra të shqipes së folur në Kosovë dhe pushtuesin më të vjetër sllavishtfolës të hapësirës etnolinguistike të shqiptarëve.
Gjykuar mbi bazën e të dhënave onomastike, sado të pakta,
nga defterë osmanë-turq të shek. 15-16, del për pothuajse e vërtetë e
palëkundshme që pararendësit e goranëve të sotëm nuk erdhën këndej as si
“bullgarë”, as si “maqedonas” e as si të islamizuar, porse u islamizuan në
hapësirën që e banojnë sot ashtu si edhe popullata shqiptare që krahinëzën e
Gorës dhe popullatën e saj e rrethon, thënë thjesht, nga të gjitha anët e
horizontit.
Komponentja myslimane, si formë rezistence e goranëve për të
mos u deklaruar shqiptarë, bullgarë, maqedonas, e aq më pak serbë (sado që ka
të tillë që deklarohen për serbë, maqedonas, turq, të papërcaktuar etj.) bënë
që goranët të jenë entitet shumë i lakmueshëm, i gatshëm edhe ky vetë të bie
nën ndikimin e politikave të ditës. Kjo shihet më së miri kohëve të fundit kur
kjo popullatë, e ngopur nga propagandat maqedonase e serbe, po deklarohet për
boshnjake. Në këtë kontekst, krerë lojalë, më së shumti mësues, të hutuar të
goranëve shfrytëzojnë, edhe kundër njëri-tjetrit, privilegje të pritura p.sh.
nga Bullgaria për marrjen e vizave të BE-së edhe formimin në perspektivën
iluzore të një shteti të madh të myslimanëve në Ballkan, i cili nën patronatin
e Bosnes do të përfshinte Bosnjën, Sanxhakun, pjesët myslimane e boshnjake dhe
shqiptare të Malit të Zi, gjithë Shqipërinë, Kosovën e pjesën shqiptare të
Maqedonisë.
Teza e lidhjes së prejardhjes së popullatës së Gorës me
boshnjakët nuk është më e moçme se 15 vite dhe është, vështruar politikisht, e
pandashme nga procesi i zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Në deklarimin për
boshnjakë të një pjese të popullatës së Gorës do të ketë ndikuar mbase në rend
të parë përkatësia fetare islame e popullatës së këtij miniregjioni, me ç’rast
nuk është marrë fare në konsideratë rrethana që banorët e Gorës e flasin një
gjuhë të variantit sllav i cili (variant) nuk ka ndonjë lidhje gjenetike me
variantin boshnjak të serbishtes, përkatësisht të kroatishtes. Mbase duke e
heshtur faktorin e propagandës, deklarimi i një pjese të goranëve për boshnjakë
arsyetohet p.sh. nga autori S. Idriz me rrethanën që “procesi i formimit të
kombeve i nisur në Ballkan në shek. XIX po vazhduaka edhe sot e gjithë ditën.”
Në këtë kontekst më duket i drejtë reagimi i autorit Samir Velija sipas të
cilit goranëve ua imponuan termin boshnjak, të cilin goranët e refuzuan, ashtu
siç do të vepronte secili njeri që e heton se me terma që atij nuk i janë fare
të njohur po i kërcënohet me të fortë identiteti. Kjo aq më parë që goranët as
që paskan ditur gjë përkitazi me boshnjakët e aq më pak për ndonjë përkatësi
imagjinare të tyre grupit të etnik të boshnjakëve. Në rrafshin gjuhësor, ky
autor vëren më tej, edhe që “gjuha e bashkësisë gorane i ngjet më fort
maqedonishtes, por që duke mos qenë e standardizuar, hapësira për manipulime
mbetet e gjerë.” Ky autor shton edhe konstatimin se kjo propagandë po i shtynë
goranët drejt boshnjakizimit, sado që deri vonë goranët s’dinin gjë për
boshnjakët, prandaj autorit tonë i ka rënë jo rrallë të dëgjojë: “unë nuk mund
të jem boshnjak, sepse nuk e kam nështetësinë e Bosne-Hercegovinës”.
Skënder GASHI, “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”, AShAK, Prishtinë, 2015. (Fotografia në ballinë: Skënder Gashi / Dialogplus.ch)
Albanologu Skender Gashi ka vdekur pasditen e së enjtes.
Gashi i lindur më 1942 në Mramor të Prishtinës, njihet si njëri prej studiuesve të zellshëm të albanologjisë. I doktoruar në salzburg ku mbrojti tezën e disertacionit për emrat e shqiptarëve gjatë shekujve XIV-XV, sipas burimeve kishtare serbe. Gashi që ishte punonjës i Institutit Albanologjik të Prishtinës nga viti 1980 deri më 2003 do të punonte si lektor i gjuhës shqipe në Vjenë. Atje edhe kishte botuar revistën shkencore “Dardania”
Veprat e tij më të njohura janë: “Fjalori toponimik kronologjik i Kosovës në vendbanime ekzistuese dhe vendbanime të zhdukura” në dy vëllime, ishte bashkautor i “fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve popullore”, pastaj autor i veprës “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”, shkruan Koha Ditore.
Të dhënat për ceremoninë e varrimit të Gashit do të bëhen të ditura gjatë orëve në vazhdim. / Koha.net / KultPlus.com