Gjinushi pret ambasadoren e Zvicrës në prag të simpoziumit të përbashkët shkencor

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, priti sot në një vizitë zyrtare ambasadoren e Zvicrës, Ruth Huber. Takimi u organizua me rastin e përgatitjeve të simpoziumit të përbashkët shkencor për figurën e Eugéne Pittard që do të mbahet më 9 tetor 2024.

Sipas njoftimit për mediat, nga Akademia e Shkencave, gjatë takimit u bisedua rreth figurës shumëdimensionale të Eugéne Pittard në rrethet akademike të Shqipërisë, për rolin e tij në njohjen e Shqipërisë si shtet dhe anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve (1920), si dhe për kontributin e tij si arkeolog, antropolog dhe si bashkëthemelues i Kryqit të Kuq Shqiptar me gruan e tij Helene Pittard.

Gjatë këtij takimit u theksua se Eugene Pittard është zbuluesi i parë i sitit të lashtë arkeologjik të Trenës në Korçë (1924).

Puna e tij ka nxitur studiues dhe arkeologë të tjerë, ku u përmend kontributi i studiuesit zviceran prof. Albert Hafner që udhëheq ekipin shqiptaro-zviceran të kërkimeve arkeologjike në këtë zonë dhe që do të jetë i pranishëm dhe në ditën e konferencës më 9 tetor 2024.

Bashkëorganizimi i një veprimtarie shkencore jubilare në nderim të figurës dhe kontributit të studiuesit Eugene Pittard mes Ambasadës së Zvicrës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të shërbejë dhe si një urë për të tjera nisma dhe organizime të përbashkëta.

Mes këtyre nismave, me rëndësi është edhe përfshirja e studiuesve e albanologëve të të dyja vendeve në projektin madhor të “Enciklopedisë shqiptare”./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave mbështetje dhe vlerësim trashëgimisë shqiptare në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi zhvilloi një takim me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika dhe kryetarin e Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Xhemaledin Salihu.

Gjatë takimit kryetari i KKSH të Malit të Zi, Faik Nika njoftoi për mënyrën e formimit, përfaqësimin, strukturën dhe detyrat e këtij organizmi, paralelisht me këshilla të tjerë kombëtarë në Malin e Zi, si ai kroat, me detyrën dhe përgjegjësinë për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare, simboleve kombëtare, identitetit dhe pasurisë kulturore shqiptare.

“Këshilli ka tri qendra rajonale: në Ulqin, Tuz dhe Plavë. Gjuha shqipe ka përdorim zyrtar publik kudo që popullsia shqiptare arrin në 5 %. Në Malin e Zi ka tri shkolla të mesme në gjuhën shqipe, por numri i nxënësve është vazhdimisht në rënie për shkak të shpopullimit nga emigracioni dhe të asimilimit”, tha Nika.

Nika kërkoi bashkëpunim nga ASHSH për organizimin e konferencave të përbashkëta dhe të promovimeve, për praninë e botimeve akademike në të vetmen librari të librit shqip në Ulqin dhe në bibliotekën e qytetit, për pjesëmarrjen e autorëve shqiptarë si hartues tekstesh për mësimdhënie për historinë kombëtare duke filluar prej manualeve me karakter plotësues të programeve zyrtare, si dhe mbështetje për plotësimin e kërkesave për identitet e zhvillim shpirtëror.

Në vijim, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë, Xhemaledin Salihu foli për përvojat e shoqatës që ai drejton, duke theksuar se problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, megjithëse vazhdim i të njëjtave tradita organizimi si në bashkësinë e shqiptarëve në Mal të Zi, janë më të ndërlikuara.

Ai vlerësoi pjesëmarrjen e studiuesve të ASHSH në konferencën e vjetshme kushtuar personaliteteve shqiptare nga Presheva dhe rolin e saj si inkurajuese e veprimtarive shkencore, duke përfshirë pjesëmarrjen domethënëse që është konfirmuar edhe për këtë vit. Kryetari Salihu tha se pritet më shumë mbështetje e gjithanshme nga Shqipëria e Kosova për zhvillimin e shqipes në shkolla, mësimin e historisë kombëtare, zbulimin e promovimin e vlerave të identitetit etj.

Kryetari Gjinushi falënderoi përfaqësuesit e dy bashkësive shqiptare për njohjen me problemet e tyre dhe siguroi se mbështetja e Akademisë për fuqizimin e këshillave/ shoqatave që drejtojnë do të jetë gjithnjë e pakursyer.

Gjinushi theksoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës, sa i përket trashëgimisë dhe identitetit, kanë të drejtë të kërkojnë po aq sa kërkon Beogradi për serbët në Kosovë.

Duke iu përgjigjur kërkesave për një rol nxitës lidhur me identitetin dhe trashëgiminë nga ana e Akademisë së Shkencave kryetari Gjinushi tha se “hartimi i “Enciklopedisë shqiptare”, vepër madhore në albanologji, është një mundësi me rëndësi parësore për t’u dhënë shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi gjithë vendin dhe hapësirën që meritojnë: në histori, tradita, kulturë e arte, qofshin si personalitete, qofshin si ngjarje a zhvillime”.

“Trashëgimia shqiptare në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës, sipas ndarjes territoriale të punës midis dy redaksive vendore, ndiqet nga redaksia e Prishtinës, por në çdo rast jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë e të na ndihmoni për një paraqitje dinjitoze. E njëjta gjë vlen edhe për projektin “Histori e shqiptarëve”, një vepër integrale që po përmbyllet. Por hapi tjetër mund të jetë hartimi i historive më të lokalizuara, si “Historia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës” apo në Mal të Zi, që është një mundësi tjetër për të thënë të vërtetat tona. Për fat ne nuk e kemi të nevojshme të shpikim apo të sajojmë, sepse historisë sonë i mjafton e vërteta. “Fjalori i madh i shqipes” po përfundon, por dialektet e të folmet janë trashëgimi plotësuese dhe do të shërbejnë gjithnjë për pasurim”, theksoi Gjinushi.

Lidhur me disa kërkesa më konkrete të kryetarit Salihu, Gjinushi u shpreh se krahas konferencave shkencore, që shpesh duket sikur organizohen për t’i mbushur mendjen njëri-tjetrit, do të ishin shumë të dobishme bashkëbisedimet me një prani më të gjerë, nga intelektualë të zotë, akademikë e profesorë tanët, në formën e ligjëratave të hapura.

“Botimet e Akademisë do të jenë në bibliotekën publike të qytetit, në shërbim të intelektualëve e studiuesve. Nënshkrimi i një memorandumi është i realizueshëm, por më e dobishme është që çdo fillim viti të bëjmë të njohur reciprokisht programin e veprimtarisë dhe mbi bazën e tyre të identifikojmë aktivitetet ku duhet të jemi të pranishëm”, tha Gjinushi.

Ky propozim u mirëprit si nga kryetari i KKSH në Malin e Zi, Faik Nika, ashtu dhe nga kryetari Salihu.

U ra dakord që gjatë muajve në vijim të promovohet në Tiranë botimi me aktet e konferencës kushtuar albanologut kroat Milan Sufflay, organizuar në maj 2022 nga KKSH, me pjesëmarrjen e shumë studiuesve nga ASHSH.

Në Mal të Zi është e mundshme të organizohen edhe ekspedita arkeologjike, gjuhësore dhe antropologjike, në vijim të dy të tillave organizuar më parë. Kjo është përfshirë edhe në marrëveshjen me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të MZ, me mirëkuptim të të dyja palëve. Botimet akademike, që janë dërguar rregullisht në bibliotekën e qytetit të Ulqinit dhe në bashkinë e Tuzit, do të jenë edhe në dispozicion të KKSH.

Promovimet e botimeve dhe të personaliteteve janë një tjetër mundësi për të vënë në lëvizje vlerat e botës shqiptare kudo që gjenden./KultPlus.com

1 mijë studiues për shkrimin e enciklopedisë shqip

Dy krerët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja shpallën zyrtarisht redaksitë qendrore për Enciklopedinë Shqiptare. 1000 studiues nga hapësira mbarë shqiptare, nga fusha të ndryshme janë të angazhuar për projektin madhor.

“200 personalitete të lartë do të jenë të përfshirë në redaksi. Pranë tyre do të kenë hartues të zërave të veçantë dhe për fjalorin janë angazhuar rreth 500. Është e thjeshtë se pranë 100 anëtarëve në redaksi do të kenë rreth 400 hartues.“, tha Gjinushi.

Në këtë botim do të përmblidhen kërkimet që nga origjina, historia , gjuha dhe zakonet e shqiptarëve. Synimi sipas Krajës është krijimi i një enciklopedie larg polemikave.  “Ajo që është e verifikuar si dije ajo do të kalojë. Do të jenë të gjitha nga origjina, historia, gjuha, letërsia, kultura. Nuk mendojmë se do të bëjmë një enciklopedi të dobët dhe që përfshihet në polemika”, tha Kraja.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo Kosovës në janar të 2023, do të nisin punën konkrete për projektin madhor të shkrimit të Enciklopedisë Shqiptare. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut puna u ndërpre në 2009, pasi kishte shtrembërime për origjinen dhe historinë e shqiptarëve. Të njëjtën politikë ndoqi edhe Mali i Zi. /abcnews.al/ KultPlus.com

Marrëveshje mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi ka pritur në zyrën e tij ambasadorin e Ukrainës në Republikën e Shqipërisë, Volodymyr Shkurov.

Në këtë takim u shpreh vullneti i përbashkët për bashkëpunime me seksionet, institutet dhe qendrat kërkimore-shkencore mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës.

Kryetari i Akdemisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi e njohu Volodymyr Shkurov me projektet dhe qendrat shkencore të ngritura pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që kanë bashkëpunime rajonale dhe shprehu interesin edhe për bashkëpunimin e shkëmbimin e përvojave mes Akademisë së Shkencave të Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës.

Pasi u diskutuan interesat dypalëshe të bashkëpunimit, në këtë takim u paraqit nga ambasadori ukrainas, Shkurov, teksti për lidhjen e marrëveshjes mes dy akademive, e cila pritet të finalizohet në pranverën e vitit 2022.

Akademia Kombëtare e Shkencave të Ukrainës është institucioni kryesor i kërkimit shkencor, së bashku me pesë akademi të tjera të specializuara në disiplina të ndryshme shkencore. / KultPlus.com

Skënder Gjinushi: Shqipëria dhe Kosova të inkurajojnë interesin për shqipen

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi përshëndeti konferencën shkencore albanologjike ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Francë”, që u zhvillua sot në Prishtinë.

Në fjalën e tij përshëndetëse akad. Gjinushi, tha se “tashmë u bë traditë që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës të organizojë konferenca albanologjike duke iu referuar kufirit të gjuhës ose një areali të përafërt, si një mundësi jo vetëm për të evokuar, vlerësuar dhe shqyrtuar në mënyrë kritike arritjet e dijetarëve albanologë, shpesh herë të shfaqur edhe si qendra e shkolla mendimi e metode, por edhe për të verifikuar nivelet e disnivelet që rezultojnë brenda për brenda tyre dhe midis tyre e kërkimeve tona vendëse”.

“Këto konferenca, si ajo për studimet albanistike në arealin e gjermanishtes, të italishtes e të anglishtes, njëherësh janë dhe një rast për të kuptuar se ç’po ndodh me albanologjinë sot, ku po përforcohet e ku po dobësohet; ku mundet që qeveritë e vendeve tona të inkurajojnë interesin për shqipen, për qytetërimin shqiptar, për lashtësinë e popullit; gjithashtu dhe ku e kë duhet të nderojmë për kushtimin jetësor ndaj botës sonë jo aq fitimprurëse në veprimtarinë universitare dhe akademike në pikëpamjen e përfitimit financiar”, tha akademik Skënder Gjinushi.

Sa u takon studimeve për shqiptarët në Francë, që janë objekt i konferencës së sotme, Gjinushi theksoi dy çështje: “e para ka të bëjë me hershmërinë dhe shumanshmërinë e interesimeve frënge për botën shqiptare duke filluar prej Lavardin-it, përkthyesit apo, nëse doni, përshtatësit të Historisë së Skënderbeut në gjuhën frënge; deri tek shekulli i romantizmit, shoqëruar e vijuar me veprat me karakter etnologjik e historiografik; tek shekulli i 20-të, gjatë të cilit mund të flitet për krijimin e një shkolle franceze të studimeve shqiptare, me figura të tilla si Alain Ducellier e Christian Gut, me gjuhëtarët e kadareologët, që tashmë janë një skuadër e vërtetë”.

“Ajo që mund të identifikojë shkollën frënge të studimeve albanistike, ndryshe prej ndonjë tjetre, është se i mungon si rregull qasja kolonialiste apo neokolonialiste. Një ekzotikë bashkëshoqëruese, sidomos deri në mesin e shekullit XX, por edhe gjatë periudhës së mbylljes, është e kuptueshme, sepse shqiptarët ishin e panjohura. Por, me sa i njoh unë këto studime, nuk ka qëndrime metropolitane ndaj një bote provinciale e të prapambetur, dhe kjo shpreh jo vetëm vlera shkencore, por edhe një sjellje empatike ndaj nesh, që duhet vlerësuar”, – tha akad. Gjinushi.

Së dyti, Gjinushi veçoi rëndësinë e shkollës franceze për formimin e dijetarëve shqiptarë dhe për pajisjen e tyre me një metodë të shëndetshme kërkimore.

“Këtu kemi akademikët Rexhep Ismajli e Bahri Beci, që janë produkt i asaj shkolle, në të cilën u formuan edhe Selman Riza e Ibrahim Rugova, për të mbetur vetëm tek brezat e parë. Studiuesit albanologë që u formuan në shkollat franceze u bënë ura ndërkomunikimi dhe ndërkëmbimi dijesh dhe përvojash”, tha ai.

Gjinushi u shpreh se “konferencat albanologjike referuar kufirit të gjuhës nga njëra anë dhe botimi i studimeve të albanologëve të huaj në shqip e shpesh edhe në gjuhën e burimit janë dy nga traditat më ndërplotësuese të veprimtarisë kërkimore e botuese të ASHAK-ut, me një rëndësi të madhe për gjithë studimet shqiptar”.

Akad. Gjinushi theksoi se “dy akademitë tona po shkojnë vetvetiu drejt një kombinimi të suksesshëm të nismave të përbashkëta e të nismave plotësuese. Tashmë jemi në kohën që këtë çështje të mos ua lëmë protokolleve me kufij dyvjeçarë, por të mendojmë për më gjatë.”

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëri të ditur se Kuvendi i studimeve albanologjike që do të zhvillohet në Tiranë më 25-28 nëntor do të jetë një rast për të arritur në përfundime të dobishme edhe për këtë problem.

“Po ashtu, përvoja që po krijojmë duke punuar së bashku për disa projekte madhore në albanologji, si Enciklopedia shqiptare, është mësimdhënëse”, tha akademik Gjinushi. / KultPlus.com

Gjinushi: Shqipëria dhe Kosova të inkurajojnë interesin për shqipen

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi përshëndeti konferencën shkencore albanologjike ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Francë”, që u zhvillua sot në Prishtinë.

Në fjalën e tij përshëndetëse akad. Gjinushi, tha se “tashmë u bë traditë që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës të organizojë konferenca albanologjike duke iu referuar kufirit të gjuhës ose një areali të përafërt, si një mundësi jo vetëm për të evokuar, vlerësuar dhe shqyrtuar në mënyrë kritike arritjet e dijetarëve albanologë, shpesh herë të shfaqur edhe si qendra e shkolla mendimi e metode, por edhe për të verifikuar nivelet e disnivelet që rezultojnë brenda për brenda tyre dhe midis tyre e kërkimeve tona vendëse”.

“Këto konferenca, si ajo për studimet albanistike në arealin e gjermanishtes, të italishtes e të anglishtes, njëherësh janë dhe një rast për të kuptuar se ç’po ndodh me albanologjinë sot, ku po përforcohet e ku po dobësohet; ku mundet që qeveritë e vendeve tona të inkurajojnë interesin për shqipen, për qytetërimin shqiptar, për lashtësinë e popullit; gjithashtu dhe ku e kë duhet të nderojmë për kushtimin jetësor ndaj botës sonë jo aq fitimprurëse në veprimtarinë universitare dhe akademike në pikëpamjen e përfitimit financiar”, tha akad. Skënder Gjinushi.

Sa u takon studimeve për shqiptarët në Francë, që janë objekt i konferencës së sotme, Gjinushi theksoi dy çështje: “e para ka të bëjë me hershmërinë dhe shumanshmërinë e interesimeve frënge për botën shqiptare duke filluar prej Lavardin-it, përkthyesit apo, nëse doni, përshtatësit të Historisë së Skënderbeut në gjuhën frënge; deri tek shekulli i romantizmit, shoqëruar e vijuar me veprat me karakter etnologjik e historiografik; tek shekulli i 20-të, gjatë të cilit mund të flitet për krijimin e një shkolle franceze të studimeve shqiptare, me figura të tilla si Alain Ducellier e Christian Gut, me gjuhëtarët e kadareologët, që tashmë janë një skuadër e vërtetë”.

“Ajo që mund të identifikojë shkollën frënge të studimeve albanistike, ndryshe prej ndonjë tjetre, është se i mungon si rregull qasja kolonialiste apo neokolonialiste. Një ekzotikë bashkëshoqëruese, sidomos deri në mesin e shekullit XX, por edhe gjatë periudhës së mbylljes, është e kuptueshme, sepse shqiptarët ishin e panjohura. Por, me sa i njoh unë këto studime, nuk ka qëndrime metropolitane ndaj një bote provinciale e të prapambetur, dhe kjo shpreh jo vetëm vlera shkencore, por edhe një sjellje empatike ndaj nesh, që duhet vlerësuar”, – tha akad.Gjinushi.

Së dyti, vijoi akad.Gjinushi, do të veçoja rëndësinë e shkollës franceze për formimin e dijetarëve shqiptarë dhe për pajisjen e tyre me një metodë të shëndetshme kërkimore.

“Këtu kemi akademikët Rexhep Ismajli e Bahri Beci, që janë produkt i asaj shkolle, në të cilën u formuan edhe Selman Riza e Ibrahim Rugova, për të mbetur vetëm tek brezat e parë. Studiuesit albanologë që u formuan në shkollat franceze u bënë ura ndërkomunikimi dhe ndërkëmbimi dijesh dhe përvojash.”, tha akad. Gjinushi.

Ai u shpreh se “konferencat albanologjike referuar kufirit të gjuhës nga njëra anë dhe botimi i studimeve të albanologëve të huaj në shqip e shpesh edhe në gjuhën e burimit janë dy nga traditat më ndërplotësuese të veprimtarisë kërkimore e botuese të ASHAK-ut, me një rëndësi të madhe për gjithë studimet shqiptar”.

Akad. Gjinushi theksoi se “dy akademitë tona po shkojnë vetvetiu drejt një kombinimi të suksesshëm të nismave të përbashkëta e të nismave plotësuese. Tashmë jemi në kohën që këtë çështje të mos ua lëmë protokolleve me kufij dyvjeçarë, por të mendojmë për më gjatë.”

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëri të ditur se Kuvendi i studimeve albanologjike që do të zhvillohet në Tiranë më 25-28 nëntor do të jetë një rast për të arritur në përfundime të dobishme edhe për këtë problem.

“Po ashtu, përvoja që po krijojmë duke punuar së bashku për disa projekte madhore në albanologji, si Enciklopedia shqiptare, është mësimdhënëse”, tha akad.Gjinushi. / KultPlus.com

Përfundon konferenca shkencore për projektin “Moti i Madh” në UNESCO

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi ishte qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese) për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh” për njohjen si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s.

Akademia është pjesë e grupit të punës për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi siguroi grupin e punës se mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje.

“Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj, Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual. Projektet që kanë realizuar anëtarët arbëreshë të Akademisë së Shkencave Francesco Altimari e Matteo Mandalà janë të mirëpritur për t’u kurorëzuar”, tha Gjinushi.

Gjinushi tha se, “trashëgiminë arbëreshe për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj një vlerë që ka merita dhe rëndësi jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”.

Akad. Francesco Altimari bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve që kanë kontribuuar për aspektet shkencore të dosjes (Cosenza, Palermo, Lecce, Venezia, Milano etj.), si dhe nga Shqipëria.

Akad. Matteo Mandalà u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve e ritualeve kalendarike-pranëverore arbëreshe e shqiptare me rrjedhat e ciklike të jetës agrare.

Akad. Shaban Sinani paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh” me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore, si llazoret (këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit), kullanat (dikur të lidhura me fillimin e vitit, sot kryesisht këngë të Pashkëve), evangjelizmoi (edhe këto këngë të ringjalljes), rrushajet (këngë të “ditës së luleve”  – rosaliae diem), karnevalet, këngët e Shën Gjergjit etj. Ka një simetri të plotë mes këtyre cikleve dhe atyre që janë mbledhur e dëshmohen edhe sot tek arbëreshët. Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese.

On. Mario Brunetti, një figurë emblematike e botës arbëreshe, nismëtar i projektligjit italian që i njeh arbërishtes, theksoi se mbështetja e Akademisë së Shkencave është një dukuri e re shumë pozitive. E përforcuar kjo me mbështetjen administrative dhe diplomatike të shtetit shqiptar e të Kosovës, rrit besimin tonë që “Moti i Madh” të fitojë statusin që i takon si trashëgimi e njerëzimit. Dhe ky është një nga rastet që kultura e pakicës rrit vlerat e asaj të shumicës.

Në konferencë ishin të pranishme dhe përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e kulturës; Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali; Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës. / KultPlus.com