Më 26 tetor 1467, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Kepin e Rodonit dhe kështjellën e tij strategjike.
Kjo kështjellë ishte pronë e familjes së Kastriotëve, dhuratë nga Princi Karl Topia për Pal Gjon Kastriotin. Kështjella u ndërtua me rastin e martesës të Mbretit e Mbretëreshës, Gjergj e Donika Arianiti Kastrioti (1451). Skënderbeu i kërkoi Venedikut ta ndihmojë, për të rindërtuar kështjellën e shkatërruar nga betejat. Duke pasur frikë forcimin e Skënderbeut dhe të shqiptarëve, Venediku e refuzoi kërkesën e Skënderbeut.
Kepi i Rodonit u bë vendvarrimi i Princeshës Mamica me dy fëmijët e vet. Gjithashtu u bë fortesa e sigurisë së lartë për familjen Kastrioti. Disa muaj pas vdekjes së bashkëshortit, Mbretëresha Donikë u arratis me birin e vetëm, princin Gjon Gjergj Kastrioti. /atsh / KultPlus.com
Në faqen n°200 të poemës me titull “Le Dauphin” të shkrimtarit francez Jacques de La Fons, botuar në Paris në vitin 1609, gjejmë disa vargje dedikuar heroit tonë kombëtar, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
“Thuhet se Skënderbeu (ndërsa shteti i tij
lëkundej i shqetësuar nga tërbimet e Muratit)
Bënte gjatë netëve kapjet më të mira të tij
Dhe gjatë netëve më të gjata flinte vetëm dy orë,
Vrojtimet dhe gjaku janë lavdi të frytshme,
Dhe netët më të shkurtra bëjnë ditët më të gjata
Nëse unë do t’i pikturoja lavdinë, do të kisha dashur një figurë (portret) me
Një sy gjithnjë të çelur, fare pa qepallë.”
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ashtu si 573 vite më parë, dasma arbërore e Skenderbeut me Donikën, u inskenua në gurët e lashtë të kishës së Shën Mërisë në Vau Dejës. Në këtë vend të shenjtë, një pjesë e historianëve mendojnë se heroi ynë kombëtar u martua aty dhe jo në Ardenicë, me të bijën e Gjergj Arianitit, princ i Kaninës së Vlorës më 26 prill 1451. Regjisorja Valbona Lluka thotë se u morën detaje nga libri i Marin Barletit për të kurorëzuar dasmën e Skendërbeut…
…Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…
Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve.
Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit… (Nga libri i Stephan Zannovich, “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. / KultPlus.com
Ai, vepra dhe emri i të cilit do të shndërrohej në legjendë, do t’i përkiste përjetësisë, siç ishte dhe mbeti të gjallët e tij nga më të zëshmit kushtrime të ekzistencës sonë në histori.
Ishte 17 janari i vitit 1468, kryezoti i Arbërisë do të ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare në vitin e 24 të mbretërimit.
– Mblidhuni, mblidhuni të gjithë o princër e sundimtarë arbëror.
Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysen fronet dhe pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona, i tha këto fjalë Lekë Dukagjini me të dhënë lajmin për vdekjen e Skënderbeut.
Trupi i tij u varros në kishën e Shën Kollit në Lisus. Ceremonia e lamtumirës ishte e denjë për një mbret. Erdhën nga çdo kënd i botës të dërguar dhe ngushëllime që paqësonin plagën e kësaj humbje të rëndë që kishte pësuar Arbëria.
…atë natë- shkruan Marin Barleti në “Histori e Skënderbeut”, që ushtria turke dhe barbare mori arratinë, Skënderbeut, pas pendimit të shenjtë dhe rrëfimit dhe pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke e dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh, më 17 janar të vitit 1466, -pra sot 555 vite më parë.
Skënderbeu, vijon Barleti, thuhet se u nda këso jete në moshën 63-vjeçare, në vitin e 24 të mbretërimit të tij.
Kur e dëgjoi se po qanin të vdekurin, Lekë Dukagjini, princi epirot, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e më zë të mbytur tha, duke shkulur mjekrën dhe flokët: “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë o princër e sundimtarë arbëror. Sot u bënë copë dyer e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet e pushtetit tonë, sot u shumë krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jona.”
Gjithashtu, gjatë kohës që ai (Skënderbeu) po vdiste, kali, të cilin e shalonte kur e kishte për tu përleshur, u bë aq shumë i egër, i tërbuar dhe i pafrenueshëm, saqë s’donte të mbante më njeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi edhe ai.
Historia e Skënderbeut është themeli i të gjithë historive, të cilat tregojnë shtegun përnga ka kaluar populli ynë në udhën e gjatë të qëndresës dhe qytetërimit, rrugëtim i cili është i shtruar me sakrificat më sublime dhe blatimet më të shenjta. Figura e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është një nga më madhështoret e gjithë asaj rrëfenje që ka ardhur deri në ditët tona. Nuk kishte më të lavdishme deri atëherë dhe nuk do të kishte derimtash një gjurmë yjesh në shkrepëtimën shëmbëllimit të dritës së hyjnis. E tillë është historia e këtij zemërluani, mendjendrituri dhe strategu të shquar të artit të luftës. Të tilla janë bëmat dhe trimëritë, urtësitë dhe gjenialitetet e zgjidhjeve vendimtare për fatin e luftës dhe lirisë. Ai ka kapluar kufinjtë e legjendës, sepse e këtyre përmasave ishte ardhja e tij.
Ariçka, mes të vërtetës dhe trillit është një kufi ndarës, shpesh i padukshëm, imagjinar si një sprovë e kureshtisë dhe ëndjes që sëmbon njohjen dhe përjetimin e atyre ngjarjeve, atyre episodeve që në vetvete përbëjnë vetë historinë e epokës së ndritur të Skënderbeut.
Skëndërbeu, ai ishte një e vërtetë e ndritshme në sytë tanë dhe në historinë e botës. Ai është një kapitull sakrificash dhe lavdie, luftrash të përgjakshme dhe përpjekjesh të paepura për të dëshmuar të drejtën e triumfit.
Skënderbeu ishte dhe mbeti kreshta më e lartë e historisë së shqiptarëve.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu është, pa dyshim, ashtu siç e ka përcaktuar, më 1925, historiani i dëgjuar kroat Milan Šufflay “krijesa më hyjnore i kësaj race më të tmerrshme luftëtare, i cili që kur ishte gjallë u madhërua me legjenda të ndryshme nga Evropa Perëndimore. Arësyeja e këtij madhërimi të veçantë rrjedh: ngase Skënderbeu në krye të shqiptarëve përballoi furinë osmane në një kohë kur Evropa përjetonte një nga momentet më kritike të historisë së saj mesjetare. Armatat perandorake osmane, të pajisura me një energji të pashtershme luftarake, me në krye dy nga sulltanët më ambiciozë të Turqisë, pasi kishin përfunduar pushtimin e Gadishullit Ballkanik, iu turrën Hungarisë, për të çarë rrugën drejt Evropës Qendrore dhe Shqipërisë për të kaluar nga brigjet e saj në Gadishullin Italik. Përballë këtij rreziku serioz, fuqitë evropiane, në mënyrë të veçantë shtetet italike, qenë thellësisht të përçara. Në vend që të bashkoheshin për t’i bërë ballë bashkërisht rrezikut të madh, ato vazhdonin të luftonin midis tyre dhe të grindeshin me njëri-tjetrin, duke lehtësuar kështu vrullin pushtues të armatave osmane. Si rrjedhim, roli i Shqipërisë në këtë situatë dramatike ishte i barabartë me atë të Hungarisë. Të dy palët, si hungarezët, të udhëhequr nga Huniadi, ashtu edhe shqiptarët, të udhëhequr nga Skënderbeu, me rezistencën e tyre heroike penguan për disa dhjetëvjeçarë përparimin e sulltanëve, të parët drejt Evropës Qendrore, të dytët drejt Gadishullit Italik.
Si rrjedhim, me rezistencën e tyre ato u dhanë mundësi shteteve evropiane të kapërcenin përçarjet që kishin midis tyre dhe të përgatiteshin për të përballuar, ashtu siç e përballuan më vonë, valën e invazorëve lindorë. Për këtë rol historik që luajti Shqipëria dhe Skënderbeu, krerët e shteteve të Evropës ishin të ndërgjegjshëm që kur ishte gjallë Heroi. Ky rol u duk që në vitin 1450, kur sulltan Murati II erdhi në Shqipëri në krye të mbarë ushtrisë perandorake për të hapur rrrugën drejt Gadishullit Italik. Por siç dihet, atë vit ushtria osmane, u gozhdua në kalanë e Krujës, të cilën megjithë përpjekjet katër mujore, Sulltani nuk e shtiu dot në dorë. Madje vetë Skënderbeu ishte i ndërgjeshëm se në Krujë luhej jo vetëm fati i Shqipërisë, por edhe ai i Evropës. Këtë e thotë vetë Skënderbeu në letrën që i drejtonte princit Italian të Tarantit G. A. Orsini, më 31 tetor, kur i shkruan: “Nëse unë do të isha mundur nga turqit, sigurisht Italia do ta kishte pësuar dhe si pasojë, ai zotërim që ju tani thoni se është i juaji, do të ishte i turqve”. Për këtë rol të rëndësishëm që po luante Shqipëria ishin të ndërgjegjshëm edhe fuqitë e Evropës, në mënyrë të veçantë, shtetet e krishtera që ndodheshin më pranë rrezikut osman. Për këtë arsye, fitorja që korrën shqiptarët në Krujë më 1450 ngjalli entuziasmin e Republikës së Raguzës. Shprehje e këtij entuziasmi janë përgëzimet që raguzianët i drejtuan Skënderbeut pas disfatës së Sulltanit. “Me të vërtetë – shkruanin ata –ju përballuat me një ushtri të vogël- gjithë ato turma të panumërta të turqve, i dolët zot qytetit dhe kështjellave tuaja të paprekura kundër hovit dhe peshës së gjithë asaj përgatitjeje dhe për këtë punë do të fitoni shpërblim të amëshuar pranë Perëndisë. Po ashtu ndër mbretër, ndër princa të të gjithë botës do të keni lavdërime dhe lavdi të pavdekshme. Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat e të krishterëve dhe për mbarë kombet dhe emri juaj do të kurorëzohet prej fames së amëshuar”.
Ky ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, të tilla ishin dhe mbeten përmasat e kësaj figure emblematike të identitetit tonë kombëtar, jeta dhe vepra e një figure që arriti të thithte interesin e gjithë botës dhe krishtërimi të kishte tek arbëri i madh, Kalorësin e Krishtit. / KultPlus.com
…Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…
Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve.
Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit… (Nga libri i Stephan Zannovich, “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. / KultPlus.com
Është ndarë nga jeta piktori i mirënjohur Vangjel Gjikondi. Me origjinë nga Qeparoi, piktori Gjikondi lindi më 20 gusht 1958. Studioi në Institutin e Lartë të Arteve. Pas studimeve punoi në Kinostudion “Shqipëria e re”, fillimisht në repartin e filmave vizatimorë për disa muaj e më vonë si piktor kostumesh në filmin artistik. Ka qenë piktor në shumë filma, si “Duaje emrin tënd”, “Nxënësit e klasës sime”, “Treni niset në 7 pa 5”, etj.
Vangjel Gjikondi ka qenë një piktor mjaft aktiv duke marrë pjesë në ekspozita vetjake e kolektive, si dhe në kolonitë e piktorëve. Por do të kujtohet veçanërisht për ciklin e tij të 55 tablove kushtuar Skënderbeut, duke prekur të gjitha etapat e jetës së tij, që nga pagëzimi e deri në vdekjen e heroit. Për këtë cikël tablosh Gjikondi punoi 10 vjet, duke sjellë figurën e tij sa më njerëzore, larg madhështisë së realizmit socialist.
Vetë piktori thoshte se stili i tij ishte frymëzuar nga Rilindja Evropiane të cilën e vlerësonte maksimalisht. Veprat e piktorit janë ekspozuar edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar por edhe në galeri jashtë vendit./ atsh / KultPlus.com
Më 29 qershor 1444, Skënderbeu fiton Betejën e Torviollit.
Pasi Skënderbeu u kthye në vendlindje dhe nisi një kryengritje shqiptare, sultan Murati II dërgoi një prej komandantëve më me përvojë, Ali Pashën, me një ushtri të madhe për të shtypur shqiptarët. Skënderbeu e priste këtë reagim kështu që u zhvendos me trupat e tij. Dy komandantët e lartë u takuan në Torvioll (në veri të Peshkopisë) ku ngritën kampet.
Më 29 qershor, Ali Pasha doli nga kampi i tij dhe urdhëroi forcat e tij të sulmonin ushtrinë e Skënderbeut. Pasi forcat kundërshtare po afroheshin në pozicionin e duhur, Skënderbeu urdhëroi forcat e fshehura në pyjet prapa ushtrisë turke për të sulmuar ushtrinë armike nga pas. Rezultati ishte shkatërrues për osmanët dhe e gjithë ushtria sulmuese u mposht.
Në dorëshkrimet e Fan Nolit të ruajtura në fondin e tij gjendet ky fragment, i cili përmend Betejën e Torviollit:
“I fundit por jo më pak i rëndësishëm, Antivarini është biografi i vetëm i Skënderbeut i cili na jep neve emrat dhe datat e dy prej betejave më të rëndësishme të Skënderbeut, atë të Torviollit të 29 qershorit 1444 dhe Betejën e Albulenës të 2 shtatorit 1457.”/KultPlus.com
…Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…
Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve.
Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit… (Nga libri i Stephan Zannovich, “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Konica.al)./ KultPlus.com
Njerëz nga vende të ndryshme të botës u bashkuan në Prishtinë për 618 vjetorin e lindjes së kryeheroit shqiptar.
Në fakt festa më e madhe ishte rezervuar në marshin prej sheshit “Zahir Pajaziti” deri tek shtatorja e kryetrimit në sheshin që edhe e mban emrin e tij, njofton Klan Kosova.
Me fotografinë e Skenderbeut në ballë të marshit u mor edhe vëmendja e kalimtarëve, të cilët iu bashkuan vallëzimit me surle e tupana.
Arsyet për festë, sipas pjesëmarrësve, ishin të shumta, ndaj organizimi po synohet të bëhet tradicional./KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot Betejën e Sfetigradit (maj 1448).
Beteja e parë e Sfetigradit ishte një nga betejat kryesore të ushtrisë shqiptare, e komanduar nga Skënderbeu, kundër ushtrisë osmane. Ushtria osmane komandohej nga Sulltan Murati II. Më 14 maj pararoja e saj arriti në Dibrën e Poshtme dhe rrethoi Sfetigradin. Skënderbeu, për të lehtësuar mbrojtjen e kështjellës, tërhoqi në grykën e Rovikut pararojën turke dhe e shpartalloi. Kur ushtria osmane mbërriti në Stefigrad, Skënderbeu e afroi gjithë ushtrinë disa milje larg kampit të saj. Murati II kërkoi dorëzimin e kështjellës, e bombardoi, por dështoi.
Ndërkohë Skënderbeu e godiste kampin osman ditën dhe natën dhe bashkë me mbrojtësit e kështjellës e vunë armikun midis dy zjarreve. Trupat osmane, që ruanin shpinën e forcave të tyre kryesore, patën shumë të vrarë e të plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Firuz Pashën. Natën e 22 qershorit, shqiptarët sulmuan dhe hynë thellë brenda në kampin turk. Vetëm kur osmanët gjetën ujësjellësin e kështjellës dhe i prenë asaj ujin, mbrojtësit u detyruan të dorëzohen, me kusht që të dilnin të lirë e të largoheshin të armatosur prej saj.
Megjithëse e pushtuan Sfetigradin, për shkak të humbjeve të shumta dhe zgjatjes së rrethimit për më shumë se dy muaj e gjysmë, osmanët u detyruan të ndërprisnin mësymjen dhe të tërhiqeshin, të ndjekur këmba-këmbës nga ushtria shqiptare./ atsh /KultPlus.com
Grigor Përliçev (1830/31-1893) ishte një poet bullgar i lindur në Ohër. Mësimet e para i mori në shkollën greke të lindjes.
Iu kushtua gjuhës shqipe dhe luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e heroit Skënderbe. Punoi si mësues i greqishtes në qytete të ndryshme të Maqedonisë e më pas në Tiranë, ku u njoh me historinë e popullit shqiptar dhe mësoi gjuhën shqipe.
Kjo e frymëzoi të shkruajë greqisht poemën “Skënderbeu” (1861), që mbeti dorëshkrim. Aty i këndon heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe prijësit të tyre, Skënderbeu, i cili jepet edhe si mbrojtësi i popujve të tjerë të Europës.
Poema Përliçevit është e frymëzuar nga vepra e Barletit. Aty tregon të mëdhenj edhe strategun dhe ushtarin. Këta të fundit ai i quan bij gjigantësh. Vepra përshkohet nga ide të fuqishme çlirimtare e demokratike.
Valle hyjnore ngritur kanë burra heronj, në mendjen time Skënderbeut, stuhi e gjëmë, dua t’i këndoj,
në krye luftëtarësh kryetrima, që osmanllinj dërmoi miriada. Ashtu si një tufan që vjen nga jugu, përkul pemët e vogla të një kopshti
edhe si kallamishte i shkul nga rrënja pemët e moçme-edhe Skënderbeu vërsulej duke korrur majtas djathtas
ara që ngelin prapa, o nga pesha e mishit që pengon këmbët e, shkathta, o ng’ ajo frik’ e madhe që ngrin
gjakun, o nga një jet’ e butë reehatie. Siç digjet një qytet i madh nga zjarri,
që flakëron veriu i furishëm dhe burrat qajn’ e pleqtë ulërijnë, ndihet vajtimi içjerrë i fëmijëve dhe gratë leshlëshuar bredhin
udhëve duke përplasur duart-ulërinin dhe turqit, duke ikur djersëmbytur; dhe mjaft prej tyre, duke dhënë,
shpirt, i përqafonin shokët që largoheshin e qanin për fëmijët e për gratë,
duke kërkuar vdekjen sa më parë.
Në çast iu kënaq zemra Skënderbeut, ashtu siç e kënaq shiu që bie arën që përcëllon flaka e diellit. / KultPlus.com
Ai lindi në vitin 1405 dhe ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).
Kur lindi Gjergji, i ati Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Për ditën e vdekjes së Gjerg Kastriotit ka shumë legjenda dhe pak burime historike serioze.
Gjithsesi studiuesi i kësaj periudhe veçanërisht i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 238 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.
Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.
Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.
Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:
“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj.
Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.
Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj.
Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të pacensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë.
Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.
Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.
Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj.
Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin.
Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…
Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.
Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…
Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…
Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…
Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…
Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.
Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.
Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë.
Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.
Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë
Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht.
Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…
Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.
Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…
Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashëgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.
Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtat politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka.
Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.
…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi.
Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.
Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij…
Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur.
Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit./ KultPlus.com
KultPlus ju sjell interpretimin e aktorit të mirënjohur shqiptar Armend Balokut, ‘Skënderbeu’-n e cila është edhe kolona zanore e filmit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut:
Trim mbi trima, ai Gjergj Kastrioti, fuqí t’ madhe që m’i dhanë ka Zoti, s’e djeg flaka e s’e djeg baroti, shpata e tij than malin n’dysh e çán, me nji t’ râme nji ushtrí perlán.
Lavd’ ô Gjergj, ô Skanderbe drangoi, krahu yt çdo dit’ u përforcoftë, gjithë ku janë armiqt ai i çfaroftë, Lavdi yt, ô, brez mas brezi u knoftë. / KultPlus.com
Në kuadër të 555-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Shqipëri, është hapur ekspozita me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”, e cila përmban faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese arbërore.
Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, ndër të tjera tha: Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte nga mbretërit dhe princat europianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria e tyre ushtarake, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i luftës me fitore legjendare dhe u bë simbol krenarie. Po ashtu, ai ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit, të cilët kanë nxjerrë mësime nga përvoja e tij luftarake, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.
Në vijim e mori fjalën Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, i cili theksoi se bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij shënuan fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shekullit XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet në këtë ekspozitë nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, si dhe fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, çka përbënte bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.
Në vijim të pranishmit vizituan ekspozitën dhe u ndalën veçanërisht te stendat që pasqyronin veprimtarinë dhe betejat e Gjergj Kastriotit./ KultPlus.com
Sot bëhen 555 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Në këtë datë të veçantë për historinë shqiptare, ka reaguar edhe shkrimtarja e njohur Flutura Açka e cila është shprehur të jetë e lumtur për numrin e lartë të gajtanëve të zi në veshjet shqiptare, që sipas saj, janë shtuar në shenjë zie të përjetshme pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, përcjell KultPlus.
“Rrallë ka ndodhur, a ndoshta kurrë, në të botës histori, t’mbash për njeriun si për hyjni, 555 vjet zi…
Ja dëshmia, gajtanët e zinj në veshjet shqiptare, që u shtuan në shenjë zie të përjetshme pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderberbeut”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Me rastin e 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kompozitori i mirënjohur Aleksandër Peçi, ka publikuar në faqen e tij online 6 vepra muzikore, dedikuar heroit tonë kombëtar.
Simfonia nr.5 me 10 kohë, muzika e filmit dokumentar “Skënderbeu” të regjisorit Vladimir Prifti, Vajtimi i Donikës, 2 vepra për piano, Sonata nr 3 për piano “Skënderbeu”.
“Disa prej këtyre veprave janë të reja për publikun”, shkruan Aleksandër Peçi dhe njëra prej tyre është “Vaji i Donikës”.
Ndërkohë ditën e djeshme Radio Qendrore e Bukureshtit ka transmetuar një emision special kushtuar heroit tonë kombëtar dhe mes të tjerash ka transmetuar edhe Simfoninë n5 Skënderbeu të Aleksandër Peçit./ atsh / KultPlus.com
Një shpatë dhe një kapelë ishte dhurata që Papa Pali i II i bëri Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu për festën e Krishtlindjeve më 25 dhjetor 1466.
Skënderbeu u prit në këtë datë në Selinë e Shenjtë, ndërsa dhuratat tani janë të ekspozuara në Muzeun Historik të Artit në Vjenë.
Imitimet e përkrenares dhe shpatës mund të shihen në Muzeun e Skënderbeut në Krujë. Origjinalet u kthyen në Shqipëri në Nëntor 2012 për 100-vjetorin e Pavarësisë kur u shfaqën në Muzeun Historik Kombëtar. / KultPlus.com
Në qershor të vitit 1957, në libraritë e Tiranës do të dilte poezia “Skënderbeu” e poetit amerikan Henry Wadsworth Longfellow.
Këtë poezi ai e shkroi i frymëzuar nga tregimet gojore të Elena Gjikës (Dora d’Istria), për heroin tonë kombëtar. Ajo u përkthye nga Fan S. Noli, i cili më vonë mbi bazë të saj kompozoi një nga simfonitë e para shqiptare.
Longfellow (1807-1882) lindi në Portland dhe vdiq në Kambrixh. Punoi për një kohë të gjatë profesor në disa universitete ndërmjet tyre edhe në atë të Harvardit. Ai u bë poeti më i famshëm i kohës së tij.
Shkroi vjersha, romane, pjesë teatrore dhe u mor me përkthime nga letërsia klasike e popujve evropianë. Përkthimi më i njohur është ai Komedisë Hyjnore (i pari amerikan që e përktheu).
I ndikuar nga Dora d’Istria (shkrimtare romantike me origjinë shqiptare) hartoi poemën romatike “Skënderbeu” (1873) me temë kthimi i heroit në Krujë pas betejës së Nishit ku Skënderbeu paraqitet si hero legjendar.
SKENDERBEU
Botimi i Nolit hapet me kёtё dedikim ndaj Faik Konicёs:
“Faik Be Konicës, leronjesit të gjuhës atërore, dhe kalorësit të kryqësates kombëtare, si shenje nderimi, i dedikon kete vepër, nje shok armesh.”
Pelin Batu, aktorja dhe historianja turke, autore e shumë librave, këto ditë pati postuar në rrjetet sociale një fotografi me bustin e Skënderbeut në Zvicër, shkruan KultPlus.
“Me stër-stërgjyshin tim, Skënderbeun, në Gjenevë”, ka shkruar ajo duke u bërë personaliteti i radhës turk që zbulon rrënjët shqiptare.
Aktorja, historiania dhe shkrimtarja me shtetësi turke dhe origjinë shqiptare, Pelin Batu sot në një intervistë për EuroNewsAlbania ka bërë të ditur se mamaja e saj ka lindur në Tiranë, ndërsa xhaxhai i saj pati jetuar në Ohër, përpara se të zhvendoseshin në Turqi, raporton KultPlus.
“Xhaxhai i nënës time bëri kërkime shume vite më parë dhe ai jetonte në Ohër. Mamaja e mamasë sime ka lindur në Tiranë dhe u transferua në Turqi pas luftës së dytë botërore. Familja ime bëri kërkime për pemën e familjes gjeti të dhëna që 14 breza më parë familja jonë ka qenë e lidhur me Skënderbeun. Kjo është se çfarë ka thënë xhaxhai i nënës time por nëna ime vdiq dy vite më parë dhe unë nuk i kam parë dokumentet me sytë e mi”, ka thënë ajo.
Sipas saj, edhe pse i thanë që janë të lidhur me Skënderbeun, ajo shprehet e bindur se nuk bëhet fjalë për një lidhje dhe ajo nuk e konsideron si një provë por edhe si metaforë.
“Kur gjyshërit e mi erdhën këtu në Turqi, ishin të lumtur dhe nuk kanë pasur probleme dhe gjithmonë flisnin shqip apo maqedonisht. Andaj, një pjesë e shpirtit tim i përket tokës së gjyshërve të mi. Nuk kam qenë në Shqipëri por kam lidhje shpirtërore me vendin. Unë gjithmonë kam planifikuar udhëtimin në Shqipëri me mamanë time por pasi vdiq, më duhet ta bëj e vetme këtë sepse e ndjej si detyrim”, ka thënë Batu.
Ajo po ashtu është shprehur se në familje, gjuha shqipe ka qenë si një gjuhë sekrete mes tyre.
“Së pari ishte kuzhina me të cilën u njoha. Muzika po ashtu. Por fatkeqësisht kur erdhën prindërit këtu në Turqi, ata menduan se fëmijët e tyre nuk duhet të ndiheshin si të huaj dhe kishin plane të tjera për mua dhe vëllain tim. Komunikim në shqip ishte diçka e brendshme si një gjuhë sekrete mes nesh. Një nga fjalët në shqip që di unë është fjala gjak por nuk kuptoj shqip, fatkeqësisht.”
Po ashtu, ajo konstatoi se Skëndërbeu nuk është tradhtar i popullit turk, por ka qenë mbrojtës i vendlindjes së tij.
“Unë jam aktore dhe historiane andaj e di historinë e Skënderbeut dhe historinë e Shqipërisë. Di se si ka qenë një tokë nderi dhe lufte që ndërthureshin së bashku. Prej statusit tim, njerëzit reaguan duke thënë se Skënderbeu vrau shumë otomanë. Unë reagova duke thënë se ajo për çka fola unë ka qenë rreth historisë së mëparshme. Vetë Skënderbeu ishte stërvitur në Turqi por politikat e kohës bënë që ai të mbronte vendlindjen e tij. Andaj ta quash tradhtar është qesharake dhe çmenduri në të njëjtën kohë”, përfundon Batu. / KultPlus.com
Më 26 tetor 1467, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Kepin e Rodonit dhe kështjellën e tij strategjike.
Kjo kështjellë ishte pronë e familjes së Kastriotëve, dhuratë nga Princi Karl Topia për Pal Gjon Kastriotin. Kështjella u ndërtua me rastin e martesës të Mbretit e Mbretëreshës, Gjergj e Donika Arianiti Kastrioti (1451). Skënderbeu i kërkoi Venedikut ta ndihmojë, për të rindërtuar kështjellën e shkatërruar nga betejat. Duke pasur frikë forcimin e Skënderbeut dhe të shqiptarëve, Venediku e refuzoi kërkesën e Skënderbeut.
Kepi i Rodonit u bë vendvarrimi i Princeshës Mamica me dy fëmijët e vet. Gjithashtu u bë fortesa e sigurisë së lartë për familjen Kastrioti. Disa muaj pas vdekjes së bashkëshortit, Mbretëresha Donikë u arratis me birin e vetëm, princin Gjon Gjergj Kastrioti. /atsh / KultPlus.com
Që nga shekulli i XV-të e këndej janë shkruar vepra të ndryshme nga historianë e autor të ndryshëm nga e mbarë bota, për kryezotin e Arbërisë Gjergj Kastrioti, duke u thënë ,e përësëritur disa herë e vërteta,por edhe pse është shkruar kaq shumë prapë ka hapësirë për t’u marrë me jetën dhe veprën e këtij njeriu të madh e të pavdekshëm,sepse biografia e tij është e pashterrshme dhe shumë e pasur.
Megjithëse pasqyra e jetës dhe veprës së kryezotit tonë është e plotë, mjaftë e njohur dhe e pastër për nga aspekti i të vërtetës historike, ka disa çështje e që ndoshta janë tepër të vogëla për t’u marrë me to ,por duke ditur se nga ato janë bërë një mal gabimesh disa me qëllim e disa për t’ia përshtatur dhe disa sipas tendencës për ta përvetësuar këtë figurë të madhe kombëtare europiane të arbërorëve.
Këtu do të përpiqem t’i sjellë disa sqarime dhe fakte për kërkuesit e të vërtetës historike,dhe për pjesën tjetër që mbajnë në kokat e tyre dyshimin(specialitetin e gënjeshtrës sllave) që ia kanë mbjellë pikërisht disa autorë,historianë e pseudostudiues me prirje sllave,duke e paraqitur Gjergj Kastriotin si një figurë heroike me gjak dhe origjinë sllave.
E vërteta historike e origjinës së Gjergj Kastriotit(Skënderbeut)
Gjergj Kastrioti i vërtetë ai që e njohim ne arbërorët e tij dhe që e njeh bota e civilizuar në bazë të dokumenteve dhe fakteve historike ,është një arbëror i pastër që i dha atdheut të tij djersën ,gjakun,shtetin, lirinë,identitetin,flamurin,bashkimin,pavarësinë dhe civilizimit të përbashkët europian mburojnë e tij si një engjëll mbrojtës i saj.
Pra ,kur them ,se historia e vërtetë që njohim ne dhe bota, mbështetem në faktin se për të janë shkruar tri vepra nga vetë bashkëveprimtarët dhe bashkëkohësit e tij sikur që janë:
1.Vepra e Pal Engjëllit ,“La Vita di Scanderbeg di Paolo Angelo”i ribotuar më 1539, e Ipeshkvit dhe sekretarit e këshilltarit të Gjergj Kastriotit(vepra e Pal Engjëllit thuhet se ka humbur, e që me vonë është gjetur dhe tani ekziston si një vepër e botuar nga një bashkëveprimtar i Skënderbeut sikur që ishte në fakt Pal Engjëlli)
2.Vepra e Dhimitër Frangut,“Gli illustri et gloriosi gesti, et vittoriose imprese, fatte contra Turchi, dal sign. D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, prencipe d’Epirro” e botuar në botimin e parë në vitin 1480,pastaj e ribotur në vitet në vijim.Frangu ishte klerik i kishës katolike arbërore dhe arkëtar i Gjergj Kastriotit(Skënderbeut), i cili, ishte dëshmitar edhe ky ,sepse,ishte bashkëshoqërues i tij në shumë udhëtime jashtë vendit,dhe mbi të gjitha ishte pjesë e strukturës institucionale të shtetit tr Arbërit dhe kryezotit arbëror dhe sigurisht se ka përshkruar atë që ka parë dhe përjetuar sëbashku me Gjergjin e Madh ,si një bashkëpjesmarrës e bashkëveprimtar,
3.Vepra e Marin Barletit,“Historia del magnanimo, et valoroso signor Georgio Castrioto, detto Scanderbego, dignissimo principe de gli Albani”.Botimi i parë i tij konsiderohet ai i vitit 1508 dhe më pas u ribotua ndër vite dhe u përkthy në gjuhë të ndryshme të botës.Barleti ishte një klerik katolik arbëror nga Shkodra, me formim dhe edukim të lartë .njeri më njohur të thellë e profesor,ai ishte bashkëkohës, i cili më shumë ka dëgjuar dhe është informuar nga njerëzit e afërt të Gjergj Kastriotit ,pra njerëz që shërbenin në oborrin apo pallatin e kryezotit arbëror.
Sikur që shihet faktet historike për Gjergj Kastriotin i kemi pikërisht nga bashkëveprimtarët e tij ,dhe nëse ata e kanë thënë të vërtetën ,gjë që e kanë thënë me siguri të plotë sepse ishin dëshmitar okular.Atëher tezat e dala nga duar e mendje të oborreve sllave për ta përvetësuar e shtrembëruar këtë të vërtetë janë të kota, sepse e vërteta është si dielli, ndërsa gënjeshtra që e mbulon një të vërtetë është si një pluhur që e merrë një erë e madhe e kohës dhe e nxjerrë të vërtetën ashtu si është në dritën e diellitDhe jo vetëm kaq, sikur që dihet kryezoti ynë arbëror, jo vetëm që ishte një arbëror i pastër si nga Babai i tij Gjoni, por edhe nga nënëa e tij Vojsava e Pollogut.Dhe se Gjergj Kastrioti kur u rikthye në atdhe ai u rkthye në Krujën e tij në trojet atërore e të nënës së tij dhe jo në ndonjë atdhe të pretenduar e të imagjinuar nga shtrembëruesit e të vërtetës ,pra nëj atdhe sllav të imagjinuar sipas pretenduesve dhe përvetësuesve të kësaj figure madhore,fisnike arbërore europiane.
Ndërkaq një tjetër gjë që duhet nënvizuar është se gjuha me të cilën i fliste Gjergj Kastrioti, si ushtarëve të tij ,ashtu edhe popullit të tij ishte gjuha e nënës,pra gjuha arbërore.Sepse po të ishte ndryshe ,as ushtarët e as populli nuk do ta merrte atë vesh ,nëse ai do t’i fliste në ndonjë gjuhë të pretenduesve, përvetësuesve, dhe mbi të gjitha as që do ta mirëpëritshin me aq zemër të hapur arbërorët rikthimin e tij duke e bërë atë zot përbashkues të vendit dhe udhëheqës të tyre.
Ajo që më ka lënë përshtypje mua kur kam lexuar veprat e bashkëveprimtarëve të tij ,si Frangut, Engjëllit e bashkëkohësit Barletit ,është kjo se kryezoti i Arbërisë Gjergj Kastrioti i njihte me skatësi trojet arbërore ,madje të gjitha pjesët e saj. Kjo më ka lënë përshtypje, ngase sikur dihet ai si i vogël u dërgua peng në oborrin e sulltanit,edhe pse ishte në oborrin e armikut, ai ,gjaku i tij në vena, gjuha e tij, zemra e tij, mendja e tij dhe ai vetë ishte ruajtur për Arbërinë, dhe nuk e kishte harruar që nga vegjëlia atdheun dhe trojet e tij, as gjuhën e tij ,as gjakun e tij fisnik të lashtë të Kastriotëve, gjak ky që rridhte nga lashtësia, nga mbreti Pirro.
Një pjesë tjetër e patrajtuar është edhe kjo se ai pasi u rikthye në atdhe, dhe konsolidoj mbretërinë e tij dhe të shtetit të Arbërit duke e forcuar vendin dhe sigurinë e qytetarëve të tij ,ai sëbashku me motrat e tij dhe bashkëushtarët e tij i bënë nderime babit të tij Gjonit dhe nënës së tij Vojsavës që kishin vdekur e që nuk arriti t’i shihte dhe u çmall duke kujtuar kohën e tij kur ai u rritë në vatrën e tij ,në duart e nënës dhe babait të tij dhe u përkund në vegjëli deri në ditën që u morrë peng nga sulltani.
Nga kjo mund të nënvizoj se nëse bazohen të gjithë në fakte,pra në të vërtetën historike të kësaj familje fisnike arbërore, atëherë nuk mund asnjë popull tjetër ta pretendoj këtë figurë, e as të përvetësoj,as me anë të gënjeshtrave dhe imagjinatave apo shtrembërimit të dokumenteve historike.
Sikur që shihet nga kjo që u tha më larët ,faktet janë kokëforta dhe të vulosur nga vetë dëshmitarët okular të kohës apo epokës së Gjergj Kastriotit,pastaj edhe nga kronistë e historianë të shumtë që u mbështetën në fakte dhe të cilët jo vetëm na e sjellin të vërteten e familja fisnike arbërore si gjak i pastër arbëror ,por edhe me rrënjë të thella që shkojnë deri në lashtësi e posaçërisht tek rrënjët e mbretit Pirro.Nga kjo nuk ka asnjë dyshim, dhe se e vërteta flet dhe rrezaton si dielli ,se Gjergj Kastrioti ,respektivisht familja Kastrioti përfaqësonte elementin e pastër arbëror.
Në fakt nuk jam unë i vetmi që po shkruaj këtë Apologji të shkurtër në mbrojtje të origjinës arbërore të Kastriotëve.I pari që e ka mbrojtë origjinën e tij se prej nga vjenë është vetë Gjergj Kastrioti i cili në letrën drejtuar princit të Tarantit ,tregon qartë se “arbërorët dhe ai vetë kanë si paraardhës Aleksandrin(Lekën) e Madh dhe Mbretin Pirro”.Në kuadër të kësaj është edhe Frang Bardhi i cili në “Apologjinë e Skënderbeut” të botuar në vitin 1636 e mbron origjinën arbërore të Kastriotit.
Mendimi i gabuar i Hopf i vitit 1868 dhe pëvjelja e krahëve e autorëve sllavë për të përvetësuar figurën e Gjergj Kastriotit
Në kohën kur doli teza e tillë e shtrembërimit të origjinës së familjes së Kastriotit,ishte në fakt kohë kur elementi sllavë po përpiqej të bënte terrenin dhe të zinte rëndësinë politike në gadishullin ballkanik, kështu i përvjelën krahët autorët sllavë dhe ato me prirje sllave duke mos patur figura të krenarisë së tyre, sepse ata nuk ishin autokton, u kapën pas figurave të tjera të huaja sikur që është figura heroike e arbërorëve Gjergj Kastrioti duke tentuar që ta pretendojnë si të tyre dhe ta përvetësojnë si dhe figura tjera të gadishullit Ilirik.Sikur që dihet koha kur po flasim ishte pikërisht pak para se të ndodhte Kongresi i Berlinit(1878) i cili e la jashtë Shqipërinë.
Në këtë kohë duke ditur se sllavët(serbët) nuk kishin asnjë fakt ,as edhe një dëshmi për ta prezantuar veten si një komb, sepse ata nuk i takonin kombeve autoktone në gadishullin Ilirik, ata sikur e kanë specialitet gënjeshtrën e bëjnë të besueshme përrkohësisht para botës dhe më pas gënjeshtra mbetet gënjeshtër me këmbë pa asnjë bazë dhe pa asnjë fakt.Kështu vepruan edhe me figurën e Gjergj Kastriotit, për ta larguar rishfaqjen apo më mirë të them për ta penguar ringjalljen e kombit arbëror dhe identitetit të tij,ata dhe bashkëautorët tjerë me prirje sllave i përvjelën krahët që me anë të figuravë heroike që bota i njihte sikur që ishte Gjergj Kastrioti ,respektivisht më përvetësimin e tyre dhe pretendimet për të dal me ta para çdo tryeze si shenja të krenarisë së tyre sllave ata me anë të këtyre gënjeshtrave arritën të pranohen edhe në kongresin e Berlinit ,duke mos harruar se serbia u pranua në kongresin e Berlinit(1878) me ndihmën dhe vulën e Perandorisë otomane(turke).
Përvetësimi i figurës së Skënderbeut nga sllavët u pritë mirë nga sulltanët dhe perandoria otomane(turke) ,por ,edhe nga vezirët e renegatët e tyre, sepse ata donin që Shqipërinë ta mbanin ashtu sikur e kishin planfikuar pa ndërgjegje kombëtare, pa gjuhën ,pa figurat heroike sikur ishte Gjergj Kastrioti ,pa territor të definuar ,pa bshkimin e trojeve etj, por me anë të vezirëve e renegatëve ta mbanin Shqipërinë në bazë të “mileteve e vilajeteve” që i kishin përcaktuar. Por , edhe përkundër kësaj sikur që dihet perandoria otomane(turke) u shemb dhe trojet arbërore i dhuruan sipas marrëveshjeve të mëparshme në mes të sllavëve dhe turqve të cilët mbanin aleancat e tyre tradicionale historike.
Megjithkëtë, ashtu si shumë personalitete mbikohore që nga antikiteti për të cilët mungojnë dokumente të shumta dhe autentike edhe origjina e Gjergj Kastriotit, apo më mirë familjes Kastrioti ra pre e pretendimeve dhe pëvetësimeve nga disa popuj tjerë të huaj të ardhur në gadishullin Ilirik.
Deri në vitin 1868 nuk kishte asnjë mendim,dhe asnjë tezë mbi çështjen e origjinës së familjes Kastrioti,përpos asaj të dokumentuar nga Frangu,Engjëlli e Barleti të cilët ishin dëshmitar okular dhe bashkëkohës të Skënderbeut,se familja fisnike arbërore Kastrioti ishte me origjinë të pastër arbërore dhe përcaktoheshin edhe zotërimet e saj pikërisht në hapësirën autoktone iliro-arbërore. Por, nga viti 1868 kur profesori gjerman Karl Hopf i cili bazuar në një dokument të nxjerrë nga libri i autorit Fr.Milosich, “Monumenta Serbica spectantia Historiam Serbiae Bosnae Ragusii,i vitit 1858” ,ku përmendet që në datën 2 Shtator 1368 ,një emër Branilo,por që sipas dokumentit që kam parë nuk ka të bëjë aspak me Kastriotët ,ai Branilo që përmendet nuk ka asnjë lidhje me familjen Kastrioti.Nga ky gabim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm i profesorit gjerman Hopf ,e që është gabim i madh, sepse u bë ushqim për shumë autorë ,historianë sllavë dhe me prirje sllave të cilët menjëherë vrapuan që ta pretendojnë figurën e Skënderbeut për qëllime të tyre politike dhe interesa të kohës.
Karl Hopf në fakt ka gabuar rëndë me hedhjen e një mendimi të tillë të pa studiuar mirë dhe të pa përkthyer mirë,por edhe të panjohur mirë për shkak të mungesës së dokumenteve mbështetëse dhe të vetë dokumentit i cili mund të konsiderohet si një devijim i tij në nxjerrën e mendimit të tij të gabuar dhe me pasoja e në dëm të historisë së popullit shqiptar dhe një shtrembërim i dëmshëm i origjinës së familjes Kastrioti.Hopf u bazua në atë dokument pa e studiuar mirë, dhe pa e përkthyer saktë dhe pa e shpjeguar mirë,sipas tij “i pari nga familja e Kastriotëve ka qenë Branilo”,që në bazë të dokumentit ai ishte një nga firmëtarët,dhe një Kastriot i Kaninës,por që as Branilo dhe Kastrioti nuk kanë lidhje me njëri tjetrin.Ka mundur të jetë një Branilo i ndonjë vendi tjetër që ka bërë tregëti aty apo ka qenë në shërbim por që nuk ka asnjë lidhje me Kastriotët.Kështu e hodhi mendimin e gabuar Karl Hopf duke ia ngjitë mbiemrin e Kastriotit atij Branilos i cili nuk dihej se nga e kishte origjinën e vërtetë,pastaj pa e përkthyer mirë,sepse aty shihet qartë se është një gënjeshtër që i shërbeu më pas autorëve dhe historianëve sllavë dhe atyre me prirje sllave.Ngase aty në dokument kemi të bëjmë më dy persona dhe jo më nje person, sepse aty në përkthim të pastër qëndron edhe një “dhe” personin tjetër dhe jo vetëm një person pra sikur e ka hedh mendimin e gabuar e të gënjshtërt ai.Ky mendim i Hopf është hedhur poshtë nga shumë autorë, historianë e studiues serioz duke e konsideruar hedhjen e kësaj teze si të gabuar dhe se përkthimi ishte barbar e i pasaktë dhe pa shpjegime konkrete e dëshmi shoqëruese.
Pas hedhjes së këtij mendimi të Karl Hopf në botimin e “Griechenland in Mittelalter und Neuezeit” së vitit 1868, dhe pastaj edhe në”Chroniques gréco-romanes inédites ou peu connues” të vitit 1873 ,iu bashkuan kësaj gënjeshtre ,kësaj teze të pasaktë dhe me pasoja edhe autorë,historianë tjerë me prirje sllave, në mesin e tyre që e miratoi mendimin e gabuar të Hopf ishte historiani dhe orientalisti gjerman Franz Babinger,e që ishte një gabim sepse më pas u botuan vepra të ndryshme dhe u bazuan në këtë gënjeshtër të madhe dhe gabim që e dëmtojë gjenealogjinë e familjes fisnike arbërore Kastrioti.
Një tjetër autor B.Makuchew në veprën e tij “Mémoire sur les Slaves en Albanie, en russe” të vitit 1871 e mbështetë mendimin e Hopf dhe si gjithë autorët tjerë sllavë edhe ai i përvjelet punës demoniake për ta bërë gënjeshtrën sa më të besueshme duke i mbështetur edhe tezat se gjoja “Kastriotët nuk janë nga familja shqiptare sikur është thënë më parë ,por me origjinë sllave”, një gënjeshtër kjo që edhe sot mbështetet nga qarqe të caktuara si nga jashtë ashu edhe nga brenda vetë kombit shqiptar.Këtë mendim të gabuar e të gënjështër të Hopf ,ai e konsideron si të pamohueshëm mbi origjinën e Skëndebreut,pa ofruar asnjë dokument ,asnjë fakt dhe asnjë shpjegim ,por vetëm mbi bazën e një gënjeshtre, apo përkthimi të pasaktë apo te keq të një dokumenti,e mbi të gjitha pa një shpjegim të detajuar as nga Hopf e as nga Makuchew në atë vepër të tij e cila i shërbente sigurisht politikës pansllaviste.
Mendimit të gabuar të Hopf iu bashkuan edhe shumë autorë tjerë me prirje sllave të cilët në veprat e tyre e potenconin atë madje me shumë dëshirë dhe duke e konsideruar atë ,por pa dhënë asnjë dëshmi ,asnjë fakt asnjë dokument mbështetës, madje kishte edhe autorë e historian që i cilësonin veprat burimore ,të bashkëkohësve të Skënderbeut si p.sh. Veprën e Barletit si “Fabul” sikur ishte historiani katolik e diplomati austriak Ludwig von Pastor,në veprën e tij, “Geschichte der Päpste seit den Ausgang des Mittelalters,1886”.Edhe autorë e historianë tjerë me prirje sllave mbështetën dhe patën rol të madhë në shpërndarjen e kësaj gënjeshtre apo këtij mendimi të gabuar të Karl Hopf mbi origjinën e Kastritotëve sikur që janë: Pavel Jozef Šafárik ,Leopold von Ranke,KonstantinJireček etj.Sikur dihet edhe Pavel Jozef Šafárik ishte një autor me prirje sllave i cili i shërbej gjithnjë me anë të veprave të tij elementit sllavë,sidomos atij në ballkan dhe me gjerë, me anë të kësaj ai donte ta bënte elementin sllavë me rëndësi politike.Edhe Šafárik ka tentuar ta paraqes si sllave origjinën e Kastriotëve ,por që nuk ka pas asnjë mbështetje dhe dokument e fakt historik.Ashtu si shumë autorë e historianë me prirje e sllave edhe Šafárik i shpërndau me zellë gënjeshtrat dhe të pavërtetat që kishin filluar t’i ndërtonin sllavët në hapësirën e gadishullit ilirk,duke i përvetësuar objektet dhe figurat dhe vendbanimet e iliro-arbërorëve.
Rol të madh në shpërndarjen e këtij mendimi dhe kësaj gënjeshtre mbi origjinën e Kastriotëve pati edhe historiani e diplomati çek KonstantinJireček ,i cili në veprat e tij e mbështet mendimin e Hopf dhe të tjerëve madje një hapësirë të madhe ai i kushton këtyre pretendimeve që i shërbejnë në fakt etjes sllave për ta përvetësuar figurën e Gjergj Kastriotit. Ajo që është për t’u nënvizuar këtë është kjo se Jireček duke patur një rol të tillë edhe si historian edhe si diplomat,ndikojë në formësimin e elementit sllavë në ballkan, dhe në shpërndarjen e gënjeshtrave mbi origjinën e Kastriotëve.
Duke ditur se Jireček ishte edhe pjesë e udhëheqjes së Institutit të historisë së Europës juglindore në Universitetin e Vjenës,kjo ndikojë që gënjeshtra apo mendimi i gabuar i Karl Hopf ,të mbështetet dhe të merret si bazë,por, pa asnjë dëshmi, pra duke qenë se ai kishte edhe kompetenca të tilla në kuadër të Institutit edhe botimet e studimet e mëvonshme u botuan me referenca të mbështetura nga ky grup i autorëve sllavë dhe i atyre më prirje sllave për ta bërë elementin sllavë me një rëndësi të madhe në gadishullin ilirik duke i mohuar kështu arbërorëve autoktonin dhe rrënjët e tyre e aq më tepër duke i ndërtuar këto mendime e ide të gabuara e gënjeshtra mbi themelet e historisë dhe të figurave të kombit iliro-arbëror(sot shqiptar).
Pasi e panë se polemika rrethë origjinës sllave nuk kishte asnjë mbështetje në asnjë dokument dhe se teza e Hopf, ishte qesharake dhe pa asnjë fakt, madje një shtrëmbërim demoniak që u bë më pas “ushqim ideologjik” për pretendentët sllavë dhe autorët me prirje sllave apo që ishin edhe vetë sllavë.Atëhre ata u kapën pas tezës tjetër se gjoja nëna e Gjergj Kastriotit,Vojsava ishte me origjinë sllave, duke e lidhur me Tribalët, edhe kjo si teza e parë nuk kishte asnjë mbështetje,asnjë fakt sepse sikur dihet Tribalët janë fis i lashtë ilirë,ndërsa Pollogu ishte historikisht i banuar me arbëror të Maqedonisë, edhe kjo tezë djallëzore e pretendentëve sllavë për ta përvetësuar figurën e Gjergj Kastriotit si nga ana e babait ashtu edhe nga ana e nënës u hodhën në koshin e plehrave ,askush ,asnjë studiues serioz, as historianë me vlerë dhe me autoritet e kompetencë nuk i morri për bazë tezat e tilla e as sot nuk duhet marrë ato teza dashakeqëse që kanë për qëllim shtrembërimin e të vërtetës dhe përvetësimin e kësja figure madhore të kombit tonë iliro-arbëror.
Krejtë në fund për ta përmbyllë këtë Apologji timen për Gjergj Kastriotin dhe origjinën e pastër të tij arbërore, kërkoj me sinqeritetin me të thellë nga autorët, studiuesit dhe historianët serioz shqiptar që nëse duan të vërteten dhe faktet historike ,të mos i marrinë asnjëherë në referencë dhe as në trajtim e as për bazë veprat e autorëve me prirje sllave që u lartëcekën, sepse vetëm në këtë mënyre duke mos e trashë gënjeshtrën e tyre ,mendimin e gabuar dhe tezat e tilla demoniake ato do të zhduken si errësira përballë dritës së madhe të së vërtetës. / KultPlus.com
Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbetet ndër figurat më të rëndësishme të historisë mbarëshqiptare, ndërkaq në anën tjetër edhe Naim Frashëri la gjurmët e veta të fuqishme në historinë e letërsisë shqipe dhe kombit shqiptar.
Naim Frashëri njihet si shkrimtari që gjithë jetën e tij ia kushtoi kombit shqiptar, artin e tij e karakterizoi dashuria e madhe që kishte për kombin.
Sot, KultPlus ju sjell një thënie të njohur nga Naim Frashëri dedikuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
“Lum ti, moj Shqipëri! thashë, armët e Tij kur i pashë…” / KultPlus.com
Shtatorja monumentale e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut do të vendoset në kryeqytetin e Zvicrës, Bern.
Shtatorja do të vendoset në vitin e ardhshëm dhe do të realizohet nga skulptori Gëzim Muriqi.
Kështu ka informuar sot Paulin Zefi përmes Facebookut, me ç’rast ka theksuar se projekti do të financohet nga Veli Berisha, që jeton në Bern, si dhe nga familja e tij./ KultPlus.com