Si u shemb me dinamit kisha ku është kurorëzuar Skënderbeu (VIDEO)

Në vitin 1967 me urdhër të Mehmet Shehut u shemb me dinamit kisha ku është kurorëzuar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Vaun e Dejës.

“Krimi më i madh ndaj një historie të kombit. Kisha ku është kurorëzuar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Vaun e Dejës shkatërrohet me dinamit në vitin 1967 me urdhër të Mehmet Shehut”, ka shkruar Simon Shkreli./KultPlus.com


Si përfunduan armët dhe përkrenarja e Skënderbeut në Muzeun e Vjenës

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndërsa armët dhe përkrenarja origjinale e Heroit Kombëtar ndodhen në muzeun e Vjenës në Austri, përcjellë KultPlus.

Muzeu Historik Kombëtar ka publikuar një njoftim me anë të së cilit tregon për rrugëtimin e armëve të heroit Gjergj Kastriotit në muzeun e Vjenës në Austri. Fillimisht kur djali i dytë i perandorit të Austrisë, Ferdinandi u shpall arkidukë i Tirolit trashëgoi gjysmën e armëve të armëtores perandorake të Vjenës. Më pas rindërtimi i kështjellës Ambras në Insbruk, koleksionoi një mori armësh e veshje luftarake. Një punë të madhe në këtë mes e kishte bërë këshilltari i arkidukës, Jakob Shrenke i cili mblodhi objekte në armëtoren e kësaj kështjelle ku botoi një libër në vitin 1601, i cili mundësoi edhe njohjen e armëve të Gjergj Kastriotit.

KultPlus ju përcjellë rrëfimin e plotë të publikuar nga Muzeu Hisotrik Kombëtar.

“Shpata është prej bakri, punuar me teknikën artizanale të rrahjes. Me vdekjen e perandorit të Austrisë, djali i tij i dytë, Ferdinandi, u shpall arkidukë i Tirolit. Nga pjesa e trashëgimisë iu la Tiroli së bashku me gjysmën e armëve të armatores perandorake të Vjenës. Në vitin 1567 ai rindërtoi kështjellën Ambras në Insbruk dhe mblodhi aty armë, veshje lufte, piktura me vlerë etj. Këshilltari i tij, Jakob Shrenke u shkroi letra figurave të shquara të kohës, si edhe trashëgimtarëve të tyre, që t’i binin objekte të tilla në armatoren e kështjellës Ambras. Shrenke i iventarizoi objektet dhe në bazë të tyre botoi në vitin 1601 librin “Figura fare të vërteta të perandorëve augustë, të mbretërve e shumë të ndriturve arkidukëve, princave, të kontëve, baronëve, fisnikëve dhe përshkrime të bëmave të tyre, armët e të cilëve ndodhen në armatoren e kështjellës Ambras”. Me anën e këtij botimi u mundësua njohja e armëve të Gjergj Kastrioti”, shkruhet në njoftimin e muzeut.
Pas vdekjes së e arkidukës së Tirolit, Ferdinandit, në vitin 1605, kështjella Ambras iu shit perandorit të Austrisë. Më 1806, armët u mbartën për në Vjenë. Në vitin 1814 u ekspozuan në kështjellën Belvedere ndërsa më 1888 u ekspozuan në ndërtesën e re të muzeut të Vjenës.
Koha e punimit të përkrenares origjinale është viti 1459. Në pjesën kulmore të përkrenares është vendosur një kokë dhie e gdhendur. Përkrenarja është prej bakri. Nga brenda është veshur me lëkurë, që del paksa mbi ballë. Ajo rrethohet prej një rripi lëkure, të zbukuruar me gjashtë trëndafila të praruar. Në hapësirat ndërmjet trëndafilave janë shkruar me shkronja latine, në stilin gotik inicialet: IN, PE, RA, TO, RE, BT, që deshifrohen: Isus Nazarenus, Principi Emanthiae, Regi Albaniae, Terrori Osmanorum, Regi Epiroticum, Benedictum. Kuptimin i tyre në shqip është: Jezusi i Nazaretit bekon Skënderbeun, princin e Matit, mbretin e Shqipërisë, tmerrin e Osmanëve dhe mbretin e Epirit./ KultPlus.com

Gjilani gati për “Flakën e Janarit 2018”, i dedikohet 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja e bordit të drejtorëve, njësive dhe zyrave, për të raportuar për planifikimin e muajit janar, mbledhje kjo e cila u transmetua drejtpërdrejt nga radiot lokale.

Në këtë mbledhje kanë qenë në fokus edhe përgatitjet për manifestimin “Flaka e Janarit 2018”, për të cilin u tha se është gjithçka gati për të nisur në mënyrën më të mirë.

“Gjatë këtij muaji, fokusi kryesor është manifestimi “Flaka e Janarit”, i cili i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut dhe 50-vjetorit të demonstratave për Flamur. Ky manifestim është tejet i rëndësishëm pasi i kushtohet vlerësimit të dëshmorëve të kombit, të cilët u sakrifikuan për ditët e sotme. Këtë vit, do ta nderojmë edhe njeriun i cili dha shumë për lirinë e shqiptarëve, heroin Metush Krasniqi”, ka thënë kryetari Haziri./ KultPlus.com

Nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj, orë letrare për Gjergj Kastriotin Skënderbeun

Nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 15 janar, me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, organizohet ora e madhe letrare kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Më titullin “Ora e Gjergjit” e iniciuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ftohen të gjithë krijuesit nga bota e emigracionit dhe të gjithë ata që kanë dëshirë që të marrin pjesë në këtë manifestim të rëndësisë së veçantë.

Pra më 15 janar me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, mbahet “Ora e Gjergjit”, kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut./ KultPlus.com

Kur Skënderbeu u prit në Selinë e Shenjtë nga Papa Pali II

Më 25 dhjetor 1466, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u prit në Selinë e Shenjtë nga Papa Pali II.

Ati i Shenjtë i dhuroi Skënderbeut një shpatë dhe një kapelë.

Këto dhurata tani janë të ekspozuara në Muzeun Historik të Artit në Vjenë./ KultPlus.com


Shpallet logoja zyrtare e “Vitit Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut” (FOTO)

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e parë të qeverisë së re deklaroi se vendimi i parë i qeverisë së udhëhequr nga ai do të jetë Shpallja e Vitit 2018-të “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, shkruan KultPlus.

Kështu edhe ndodhi.

Kësisoj, “Viti i Skënderbeut” mblodhi rreth vetës dy qeveritë shqiptare, atë të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku dje u takuan në Korçë për mbledhjen e tretë me radhë të këtyre qeverive. Ndërsa sot rrugëtimi vazhdoi në Vlorë, rrugëtim ky që përkoi edhe me 105 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe shpalljen e logos së “Vitit të Skënderbeut”.

“Kjo është shprehje e një vetëdije se sot para nesh shqiptarëve që është çelur një perspektive e re dhe ne si dy qeveri do të punojmë që këtë perspektive ta qojmë përpara si Shqiptarët e Bashkuar drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Edi Rama, në fjalën hapëse të kësaj ceremonie.

“Gjergj Kastrioti u bë flamur kombëtar në momente më historike”, tha ndër të tjera në fjalën e tij presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Në këtë ceremoni morën pjesë presidenti Ilir Meta, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Tashmë autoritetet vijojnë për një buffet në mjediset e reja të Bashkisë së Vlorës Autoritetet e larta të ftuara mund të kryejnë, sipas dëshirës, vizita individuale në mjediset e Shtëpisë muze./ KultPlus.com

Sulaj: Kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut

Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.

Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.

“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, ka thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com

Të rinjtë hedhin valle në Kalanë e Skënderbeut në Krujë (VIDEO)

Në Kalanë e Skënderbeut në Krujë, të rinjtë shqiptarë kanë hedhë valle, shkruan KultPlus.

Duke pasë parasysh se tashmë jemi në muajin nëntor dhe festat për ditën e flamurit kanë filluar, këta të rinjë, të veshur edhe me kostume kombëtare kanë hedhë valle, pikërisht duke ia dedikuar këtë vallëzim flamurit./KultPlus.com

Gjergj Kastrioti sipas At Nicolas Caussin

Shkruan Aurenc Bebja

Prifti, At Nicolas Caussin, ka lindur në vitin 1583 në qytetin francez të Troyes. Ndërroi jetë në 1651. Dy vite më vonë, në1653, u publikua libri i tij me titullin “Oborri i shenjtë i At Nicolas Caussin”, me një volum prej 748 faqesh. Në këtë libër gjejmë shkrimin i tij të shkurtër, por tepër interesant, për heroin tonë kombëtar, princin e Matit dhe mbretin e Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun.

Shkrimi titullohet : “Georges Castriot”. Rikthimi i tij në shqip ishte disi i vështirë, sepse është shkruar në frëngjishten e vjetër. Si fillim, më është dashur ta risjell atë në frëngjishten e tanishme, dhe në vijim ta përshtat në gjuhën tonë. Jam munduar tu qëndroj besnik fjalëve të autorit, megjithëse nuk ishte një mision tepër i lehtë, por mundi ia vlen për vepra të tilla, të cilat janë të rralla dhe me rëndësi kombëtare.

Kush ishte Gjergj Kastrioti ? Ja rrëfimi i At Nikollas për heroin tonë:

Fillimet e Gjergj Kastriotit

Shoh në Kastriotin, dikë më të madh se Leonidasi dhe Themistokli, shoh Pirron, shoh Aleksandrin e Madh, edhe pse armiqtë e tij ishin më të fortë sesa ata të Maqedonasit, pra guximi i tij nuk duhet nënvleftësuar. Ai ishte ushtar para se të bëhej burrë, dhe natyrshëm u gjet me shpatë në dorë dhe kurajo në zemër.

I madh, me një fytyrë magjepse, i fuqishëm dhe i shëndetshëm, sytë e tij kompozoheshin mes ylberit dhe rrufesë, duart e tij qenë krijuar për të mbajtur shkëndijat e rrufesë, këmbët e tij nuk ngjasonin me asnjeri, të gjitha këto tipare paralajmëronin famën (suksesin) e tij.

Si Shqiponjë e vogël, filloj që në fëmijëri të luajë me rrufetë. Këtij Herkuli iu deshtë të fillojë dhe tu marrë frymën gjarpërinjve të djepit të tij, iu deshtë të ushqehej në mes të armiqve dhe të luftojë që i mitur kundra të rriturve. I ati, Gjon Kastrioti, i cili kishte pak forca dhe shumë fatkeqësi, u detyrua ta dërgojë peng dhe të rritet tek Turqit e Muratit.

Pallati sulltanor i imponoj emrin Skënderbe, që është ai i Aleksandrit, emër i cili i solli mbarësi dhe e respektoj me plot fjalën. U trajnua në të gjitha ushtrimet e milicisë së akademisë Turke, ku ia arriti me forcë, aftësi, e miratim, dhe ku secili e shikonte atë si një mbështetës të veçantë të Perandorisë së Muhamedit.

Por ai, në zemër kishte gjithmonë Jezusin, mendonte gjithmonë të gjente mënyra për tu shkëputur nga Perandoria. Në brendësi të shpirtit të tij, kishte një flakë, e cila e përvëlonte për zellin që kishte për të rimëkëmbur altarët e krishterëve të vrarë dhe të shkatërronte Shtetin e osmanllinjëve.

Dyshimet dhe kurthet e Sulltan Muratit

Sulltan Murati filloj të kishte frikë nga skllavi i tij, dhe pati frikë të ushqejë në Pallatin e tij një luan që një ditë do të ishte i aftë ti tregonte dhëmbët.

Në beteja të ndryshme, tentoj ta fuste në kurth për ta zhdukur duke përfituar nga guximi i pafundmë i Skënderbeut. Një « scythe » (banorë i lashtë i Azisë qendrore) kishte ardhur në oborrin e Muratit për tu ndeshur në një kafaz të mbyllur me rivalë të tjerë për jetë a vdekje. Fitoj duele të shumta dhe kishte besim të tepërt në forcën e tij. Secili rrotull kishte frikë kur guximtari Kastriot u ndesh me të, por ai i drodhi qafën me një dorë, dhe e vrau me tjetrën. Ata që nuk u mërzitën e duartrokitën.

Meqë ky duel i doli huq Muratit, ai gjeti një rast tjetër nëpërmjet një kalorësi persian, i cili kërkonte me ngulm të bënte duel me heshtë (shtizë). Ishte një burrë që e njihte mirë këtë profesion, i cili lëvizte nëpër qytete dhe provinca, ku kërkonte përballje me kundërshtarë për tu përmirësuar dhe rritur reputacionin e tij.

Duhej një David për këtë Goliat, Aleksandri ynë i ri, vrapon drejt tij si një shqiponjë, e tërheq zvarrë dhe e shtrin për tokë persianin, i cili villte shpirt e gjak.

Por Murati, i cili luante personazhin e Saulit (mbretit të parë të izraelitëve), nuk reshti kurrë së gjeturi raste të tjera për të ushtruar Davidin e tij. Në luftë, i dha punë nga më të ndryshmet, por Skënderbeu korrte gjithmonë sukses, transformonte në trofe të gjitha çështjet që mund të shkaktonin rrënimin të tij dhe kthehej i gjallë nga goja e luanëve.

Ngjitja e Gjergj Kastriotit, rënia e Sulltan Muratit

Sulltan tradhtari i thurte fjalë (lavde) të bukura Skënderbeut…I premtonte se do ti dorëzonte Shtetet (Tokat) pas vdekjes së babait, por ditën e fundit të jetës së Gjon Kastriotit, fjalë e tij dëshmuan se ishin mashtrime dhe premtimet i mori era.

Skënderbeut i kishte sosur durimi dhe vendosi të marrë Mbretërinë e Shqipërisë me një lojë taktike delikate. Lajmi bujshëm shkon në Pallatin e Sulltanit, dhe të gjitha qëllimet e Muratit ishin hakmarrja. Hali Bassa (Ali ose Halit Pasha) dërgohet me 40 mijë ushtarë për ti dhënë fund kësaj situate. Por të gjithë trupat e tij u shpartalluan dhe nuk u mbeti asgjë për tu krenuar, përveçse ndoshta humbja ndaj Kastriot trimit…

Çfarë mund të themi më shumë për madhështinë e Skënderbeut ? Fytyra tiranike dhe e ashpër e sulltanit, e cila pati qenë e tillë gjatë gjithë jetës së tij, u zbut dhe mori shenjat e një lutësi. Ai kërkoj paqen, por ia refuzuan, kërkoj një marrëveshje por e përçmuan. Arrogant, i ndjerë i provokuar, erdhi me 200 mijë ushtarë në Krujë, në kryeqytetin e Kastriot guximtarit (Sulltani dështoi plotësisht). Ai që kishte jetuar me lavdi, vdiq nga trishtimi i poshtërimit të tij dhe mori me vete në botën tjetër pafuqinë dhe dëshirën e përjetshme të hakmarrjes.

Mehmeti, djali i tij, terrori i Universit, i cili rrëzoi dy Perandori, pushtoj 200 qytete, vrau 20 milion njerëz, erdhi dhe dështoi po në këtë vend shkëmbor. A ishte e nevojshme gjithë kjo gjakderdhje për të shkruar mbi trofetë e Kastriotit titullin i Pamposhtur ?

Homazh për kontributin e Gjergj Kastriotit

Kush do ta kishte besuar së një njeri i vdekshëm do të arrinte deri në këtë pikë ? Sigurisht, duhet pranuar se ai e huazoj emrin e tij tek Zoti për të gjitha këto, dhe anasjelltas Zoti i huazoj krahun e tij.

Thuhet për të që nuk refuzoi kurrë një betejë, kurrë nuk e ktheu shpinën, kurrë nuk u plagos, përveçse një herë fare lehtë. Ai ka vrarë dy mijë barbarë me dorën (shpatën) e tij. Mehmeti, djali i Muratit, dëshironte të prekte këtë shpatë të cilën Skënderbeu përdorte, e admiroj atë edhe pse ishte e larë me gjak turqsh. Atij i ra në dorë shpata e çelikut, por kurrë krahu që e përdorte.

O Kastriot trimi, në qoftë se katolikët mundën të shpëtonin nga tirania e Sulltanëve, kjo mund të ndodhte falë teje. Duhet pohuar që plagët tona ishin të pashërueshme, dhe përçarjet mes nesh na penguan ti sillnim ndihmë dorës tënde hyjnore. Ethet të morën jetën në qytetin e Lezhës…Pasi jetove si Komandanti më i admiruar, ti vdiqe si një fetar i vërtetë, duke prekur të gjithë zemrat e atyre që tu përkushtuan me shumë ndjeshmëri…

Dhe tani, ti nuk ke nevojë që të të gjejmë varrin, sepse memoria jote ka gjetur po aq monumente sa ka zemra ndër shekuj./ KultPlus.com

Shtatorja e Gjergj Kastriot Skënderbeut shndërrohet në zonë të lirë nga homofobia

Sot është mbajtur Parada e Krenarisë e organizuar nga komuniteti i LGBTI, ku një numër i madh i qytetarëve kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit të Prishtinës, të cilët nëpërmjet pankartave të ndryshme, kanë përcjellë mesazhe të ndryshme të dashurisë, shkruan KultPlus.

Një mbishkrim i tillë është vendosë edhe te shtatorja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky mbishkrim që është vendosur në këtë hapësirë ka mesazhin “ Zonë e Lirë nga Homofobia”./KultPlus.com

Kënga heroike arbëreshe kushtuar vdekjes së Gjergj Kastriotit

Shkruan Aurenc Bebja

Kënga e më poshtme, kushtuar Gjergj Kastriotit, është marrë në veprën e shkrimtares me origjinë shqiptare, Dora d’Istria-s (Elena Gjika), me titullin : “La nationalité albanaise d’après les chants populaires – Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”.

Vepra e Elena Gjikës është botuar në vitin 1866 në gjuhën frënge në “Revue des Deux Mondes”, Paris. Autorja ka përmbledhur disa këngë popullore shqiptare, ku njëra prej tyre i dedikohet heroit tonë kombëtar.

Më saktësisht, autorja e ka marrë këngën për Skënderbeun në veprën “Su gli Albanesi, ricerche e pensieri” të shkrimtarit arbëresh, Vincenzo Dorsa, të botuar në vitin 1847 në Napoli.

Ja kënga në vijim:

Kur u nis Skënderbeu për në luftë, gjatë rrugës që po ndiqte, ai takon Vdekjen, e dërguara e hidhur e aventurës së trishtë. – Emri im është vdekja : kthehu mbrapsht, o Skënderbe, sepse jetës tënde po i vjen fundi – Ai e dëgjon, e vështron, nxjerr shpatën, ndërsa ajo qëndron e shtangur.

Hije e erës, që tremb vetëm frikacakët, nga e di ti se unë duhet të vdes? Zemra jote e ngrirë a mund të profetizojë zhdukjen time ? Apo të është hapur libri i fatit të heronjve ?

Dje, në qiej, u hapën për mua librat e fatit. E zezë dhe e ftohtë si një vello, ajo zbriste mbi kokën tënde, dhe më pas ajo u hodh mbi të tjerët.

Skënderbeu përplas duart, dhe zemra e tij lëshon një ofshamë. Ah ! Fatkeq! Më erdhi fundi. Ai fillon të kujtojë të kaluarën ; sheh djalin e tij të rritet pa baba dhe mbretërinë mes lotëve. Ai mbledh luftëtarët e tij dhe u thotë :

Luftëtarët e mi besnikë, Turku do të pushtojë të gjithë tokën tuaj, dhe ju do të bëheni skllevërit e tij. Dukagjin, më sjell këtu djalin tim, këtë djalë simpatik, kështu që t’i jap mendimin tim. Lule e braktisur, lule e dashurisë sime, merr me vete nënën tënde dhe përgatit tri nga anijet më të mira. Nëse Turku e merr vesh (e ka fjalën për vdekjen e tij), ai do të të rrëmbejë dhe do të fyejë nënën tënde. Zbrit drejt plazhit : aty, ka një selvi të errët e të trishtë. Lidh kalin tim në atë selvi, dhe vendos flamurin tim mbi të, që të valvitet nga erërat e detit, dhe vari atij shpatën time. Gjaku i Turqve ka mbetur në pjesën e mprehtë të saj në të cilën fle vdekja. Nën pemën e zezë, armët e luftëtarit të frikshëm a do të qëndrojnë të heshtura ? Kur fryen era e tërbuar, kali hingëllon, flamuri valvitet, shpata jehon. Turku do ta dëgjojë, dhe, duke u dridhur, i zbehtë, i trishtuar, do të tërhiqet duke menduar për vdekjen./ KultPlus.com

Fjalimi i rrallë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu

Ai lindi në vitin 1405 dhe ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).

Kur lindi Gjergji, i ati Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Për ditën e vdekjes së Gjerg Kastriotit ka shumë legjenda dhe pak burime historike serioze.

Gjithsesi studiuesi i kësaj periudhe veçanërisht i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 238 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.

Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.

Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.

Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:

“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj.

Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.

Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj.

Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…

Krijoni vendshkrime të pacensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë.

Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.

Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.

Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj.

Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin.

Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…

Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të
Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë.

Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht.

Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…

Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashëgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtat politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës.
Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka.

Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer.
Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi.

Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij…

Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur.

Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit./ KultPlus.com

Statuja e Skënderbeut në SHBA, fotografia e ditës nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Ambasada Amerikane në Shqipëri, përmes profilit të saj zyrtar në Facebook, ka shpërndarë fotografinë e statujës së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, statujë kjo e vendosur në kodrat Rochester, Miçigan, SHBA.

Këtë fotografi, Ambasada e ka cilësuar si “Foto të Ditës”.

“Foto e Ditës | Statuja e parë e Skënderbeut në Shtetet e Bashkuara, në kodrat Rochester në Miçigan. Statuja qëndron pranë kishës katolike shqiptare të Shën Palit, e cila u themelua në 1981 nga emigrantë shqiptarë, shumë prej të cilëve ishin vendosur në kontenë Okland gjatë viteve ’70”, ka shkruar Ambasada në postimin e saj në Facebook.

Fotografia ndërkaq është shpërndarë fillimisht nga profili “Team Albanians” në Twitter./ KultPlus.com

Poeti anglez që e vuri Skënderbeun në radhën e të mëdhenjve të kësaj bote

Edmond Spenser (1552/1553-1599), poet anglez në një sonet të shkruar për Skënderbeun vihet në radhën e njerëzve të mëdhenj të lashtësisë, për të cilët janë ngritur harqe triumfi dhe piramida gjigante që ‘kërcënojnë’ qiellin.

Vepra u botua më 1596 me titull: “Historie of Georgis Castriot surnamed Scanderbeg – King of Albanian” (Historia e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, Mbret i Shqiptarëve) ku citohet:

Pse mburret koha e lashtë kaq fort
Me monumentet e moçëm të zotërve
të fuqishëm
Të herojve, që me veprat pa mort
Mahnitën botën, dhe fëmijët i
lexojnë etshëm?
Kushdo me lavdinë e tyre habitet,
Admiron statujat kolosetë e tyre
të lartë.
Harqët e pasur të triumfit, që
ngritën,
Piramidat vigane, që kërcënojnë
qiejtë.

Po ja ai, që kohë e vonë e nxorri
në dritë
Që me më të mëdhenjtë ndër ta
matet,
I madh me emër në forcë e në,
vetitë,
Vend i triumfit atij i përshtatet.

Kamzhik për turqit, rrufe për të
pafetë,
Për bëmat e tua Skënderbe,
ky libët flet.

Libri i historianit francez Zhak Lavardin për Skënderbeun i përkthyer në anglisht nga Edmond Spenseri në 1596.(Marrë nga Konica.al)./ KultPlus.com

Mirela Kumbaro viziton vendvarrimin e Skënderbeut

Pas shumë kronikash dhe shqetësimesh publike në lidhje me degradimin e vendvarrimit të Skënderbeut, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e pa nga afër gjendjen në të cilën ka degraduar memoriali në Lezhë dhe zona muzeale që e rrethon atë.

Restaurimi i vendvarrimit të Skënderbeut, vendosja e shtatores së Skënderbeut pranë zonës muzeale dhe shpallja e 2 marsit feste kombëtare ishin kërkesa që i janë paraqitur ministres Kumbaro nga nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës Alfrida Marku e cila shoqëronte ministren.

“Unë ju bëj thirrje që ta mbështesni Lezhën në tre ide dhe projekte mjaft të rëndësishme të paraqitura pres saj. Shpalljen e datës 2 mars si ditë feste kombëtare, vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në sheshin që mbanë të njëjtin emër, si dhe miratimin e projektit të Bashkisë Lezhë për restaurimin vendvarrimit të Heroit Tonë Kombëtarë”, tha Marku.

Kërkeses së bashkisë Kumbaro iu përgjigj pozitivivisht, por duke kërkuar nga kjo njësi vendore që të depozitoje projekte konkrete në mënyre që të financohet edhe restaurimi i tij.

“Nuk kemi për momentin ndonjë projekt të dorëzuar nga Bashkia Lezhë për këtë çështje, dhe ky takim ishte mjaft i rëndësishëm me nënkryetaren e Bashkisë, për të diskutuar se si mund të bashkëpunojmë më mirë. Ne do të mirëpresim projektin për të bashkuar forcat jo vetëm se jemi në prag të Vitit të Skënderbeut, por edhe sepse kjo është mënyra se si mund të nxjerrim më të mirën nga bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe atij qendrorë” tha Kumbaro.

Rikonstruksioni i çatise, ndriçimi, vendosja e fonisë, si dhe rrethimi i zonës për ta mbrojtur atë nga dëmtimet apo keqërdorimi janë disa nga nevojat imediate që ka mazeolumi i heroit tonë kombëtar në Lezhë.

Por absurditeti më i madh është fakti se Bashkia e Lezhës nuk ka ende gati projektin e plotë në mënyre që ndërhyrja të nisë sa më shpejt.

Ndërkohë që me dhjetëra herë ky institucion ka kërkuar ndërhyrje për rikonstruksion të këtij memoriali, shkruan RT./ KultPlus.com

Skënderbeu në Plejadën Franceze

Shkruan Dorian Koçi

Skënderbeu dhe qëndresa e tij (1443-1468) ishin kthyer prej kohësh në Europë edhe shekull pas vdekjes së tij në referenca të rëndësishme politike ushtarake për fatin e e vet Europës. Kjo qendresë jo vetëm që rriti rolin e prestigjin e tij në elitën princërore europiane por shërbeu shumë më vonë si kredenciale e admirueshme e shqiptarëve në fatet politike dhe kulturore të kontinentit.

Në Francë ai bëhet i njohur përmes veprës së Jacques De Levardin-it “Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbretit të Shqipërisë” botuar në 1573 në Francë. Kjo vepër ishte një përshtatje e lirë në frëngjisht e Historisë së Skënderbeut të Marin Barletit. Më herët poeti i shquar francez Pierre De Ronsard (1524-1585) i i kishte kushtuar një sonet figurës së Skënderbeut. Pierre De Ronsard ishte më i madhi poet lirik i kohës së tij. U godit nga shurdhëria që në të ri dhe vendosi t’i kushtohej krejtësisht letërsisë. Filloi të shkruajë nën ndikimin e Horacit e më pas të Pindarit e të Petrarkës. U bë kryetar i Plejadës, një nga shkollat më të rëndësishme poetike franceze, e cila solli një fluturim të vërtetë poetik, të paparë gjer më atëherë në poezinë franceze. I kritikuar nga Malerbi dhe Bualoi pas vdekjes, për rreth dy shekuj emri u harrua. U rivlerësua dhe iu dha vendi që meritonte në poezinë franceze, në fillim të shekullit XIX, nga kritiku i shquar Sen Bëv. Soneti i Ronsar-it u botua në krye të veprës së Levardenit.

Mesa duket Ronsari nuk ishte në dijeni për botimin e veprës së Barletit dhe autorëve të tjerë kushtuar Skënderbeut, prandaj i thurr lavde Lavardenit, si të parit që bëri të njohur veprën heroike të Skënderbeut. Interesant është fakti që ashtu si vet Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu që mëtonte origjinën epiriote të shqiptarëve në letrën e vet dërguar Princit të Tarentit, edhe poeti e revokon këtë origjinë nëpërmjet heronjve të antikitetit epiriotë si Akili dhe Pirrua.Heroi Kombëtar i shqiptarëve frymëzonte pareshtur edhe shumë vite pas vdekje së tij , artin dhe letërsinë evropiane duke qenë në këtë mënyrë , një hero jo vetëm i shqiptarëve por edhe i gjithë qytetërimit evropian. Soneti ka ardhur në shqip nën përkthimin mjeshtëror të Vedat Kokonës, këtij intelektuali dhe përkthyesi eruidit të kulturës shqiptare.

Sonet për Skënderbeun Veç kuaj të harbuar dhe race s’nxjerr Epiri Që dalin fitimtarë në vrapin olimpian; Por nxjerr dhe luftëtarë kreshnikë të tillë me nam Që mburren se në rrembat u lëvrin gjak Akili. Pirron kam dëshmitar, atë fatos vigan, Që kurrë s’u mund gjersa n’Argos iu këput filli, Dhe Skënderbeun që mundi popullin skithian Atë nga gjithë Azia që jashtë ka nxjerrë ungjillin O nder I shekullit! Shqiptar, ti trim i ndjerë, Që shpartallove turqit njëzet edhe dy here Që gjithë ushtrisë së tyre i kalle lemerinë, I vdekur do të ishe, atje në varr harruar, Sikur ky Levardeni të mos i kish fituar Sërish ato beteja që t’amëshojnë lavdinë. Bibliografi; Antologji e Poezisë franceze. Poezia përkthyer nga Vedat Kokona. Ymer Jaka. Skënderbeu në historiografinë frënge. Instituti Albanologjik i Prishtinës./ KultPlus.com

Sulaj: Kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut


Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.


Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.

“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, ka thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com

Botohen portrete të rralla të Skënderbeut, Pirros dhe Aleksandrit të Madh (FOTO)

Janë botuar portrete të rralla të tre shqiptarëve të cilët i njeh historia botërore.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirro i Epirit dhe Aleksandri i Madh, këto janë tre figurat e njohura të cilëve u janë publikuar portretet (Zvicër 1577).

Këto portrete janë autentike dhe ato janë të marra nga vepra “Eloges de Paul Jove” nga Theobalde Muller de Marbourg të cilat janë botuar në vitin 1577 nga Pietro Perna (1520-1582) në Basel të Zvicrës.

Fotografi të rralla këto që më herët mund të themi se nuk janë parë nga syri i njeriut ose janë ekspozuar diku. / KultPlus.com


Çfarë shkruhet nën statujën e Skënderbeut në Romë (FOTO)

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, gjendet kudo në botë. Këtë vit Skënderbeu shënohet edhe 550-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

Një ndër statujat e Skënderbeut gjendet edhe në Romë, ku ky vend ka shkruar edhe një frazë poshtë statujës.

Nën statujën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në Romë shkruhet:

“Roma përkujton 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, mbrojtësit të Qytetërimit Perëndimor”. / KultPlus.com

Rama: Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është mbyllur diskutimi maratonë me skuadrën e re qeverisëse duke treguar tutje edhe vendimin e parë që do ta marrë qeveria në vitin 2018, përcjellë KultPlus.

Sipas Ramës, vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 si “Viti i Skënderbeut”.

“Mbyllëm diskutimin maratonë me skuadrën e re qeverisëse. Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 VITI I SKENDERBEUT”, shkruan Rama në Facebook.

Viti 2018 përkon në 5050 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. / KultPlus.com

Veliu: Policia e Kosovës kërkoi largimin e flamurit nga shtatorja e Skënderbeut

Policia e Kosovës do duhej të ndërmarr masa ndaj atyre që e kanë dëmtuar dhe përdhos monumentin e kryeheroit kombëtar, dhe kurrsesi jo ndaj nesh, që me mjete personale rregulluam dëmtimet, ka thënë Tahir Veliu, kryetar i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, shkruan KultPlus.

Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar ka rregulluar disa shkronja dhe numra të monumentit të heroit Gjergj Kastrioti në Prishtinë, sikurse edhe kanë vendosur dy elemente tjera kombëtare, flamurin kombëtar dhe hartën e Shqipërisë së Bashkuar.

Dhe pikërisht kjo iniciativë nuk ka kaluar edhe pa ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, të cilët, kanë shoqëruar për në polici, kryetarin e kësaj Lëvizje, Tahir Veliun.
Mirëpo për ndodhinë e së shtunës, tashmë ka reaguar Tahir Veliu, i cili ka dhënë disa sqarime rreth nismës së LSHB-së për rregullimin e pllakës së Monumentit të kryeheroit Gjergj Kastriotit.
Ai nëpërmjet rrjetit social facebook ka shkruar në pesë pika , mbi inicativën për rregullimin e këtij monumenti.

1.Dëmtimet, qofshin ato nga faktori njeri apo natyror, ka afër një vit që organet kompetente nuk i kanë rregulluar, prandaj kemi ndërhyr ne.
2. Leja për rregullimin e asaj pllake, natyrisht që është kërkuar.
3. Acarimi i situatës së djeshmi erdhi pasiqë policia kërkonte largimin e menjëhershëm të flamurit nga pllaka dhe natyrisht kjo u kundërshtua nga anëtarët e LSHB-së dhe të pranishmit tjerë.
4. Policia e Kosovës do duhej të ndërmarr masa ndaj atyre që e kanë dëmtuar dhe përdhos monumentin e kryeheroit kombëtar, dhe kurrsesi jo ndaj nesh, që me mjete personale rregulluam dëmtimet.
5. LSHB mbështet shtetin e të drejtës, por kurrsesi nuk lejojmë dhunimin e figurave kombëtare dhe tendecat për deshqiptarizimin e tjetërsimin tonë kombëtar, ka shkruar ai në facebook./ KultPlus.com

Orges Kokoshari: Me veshjen e Skënderbeut do të paraqitem në paradën shqiptare në New York

Orges Kokoshari, themelues i brendit të aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York ka lansuar shumë aksesorë me motive nga kultura dhe trashëgimia shqiptare, duke përfshirë edhe unazë me përkrenaren e Skënderbeut, helmetën ilire, unazë me shqiponjë dhe shumë aksesorë të tjerë, të cilat edhe shiten online. Në një intervistë për KultPlus ai ka treguar edhe për përgatitjet e reja, sipas të cilit, më 17 qershor , në paradën shqiptare në New York, brendi Gheg & Tosk do të prezantohet me Skënderbeun dhe Donikën.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju jeni themelues i brendit “Gheg & Tosk”, në New York, nëpërmjet të cilit i ofroni tregut aksesorë me elemente shqiptare, kur e keni hapur këtë brend dhe si ju lindi ideja të bëni këto aksesorë me motive shqiptare?
Orges Kokoshari: Gheg & Tosk filloi në vitin 2016, si një mundësi për promovimin gjithëpërfshirës të elementeve më të spikatura të popullit shqiptarë. Siç mund të kuptoni, brendi Gheg & Tosk përmban në vete hapësirën shqiptare në Ballkan, që përfshinë gjitha trojet shqiptare pa kufij, pa ndarjet që na janë imponuar përherë nga të tjerët. Qëllimi i Gheg & Tosk është paraqitja sa me artistike dhe dinjitoze e elementeve historike dhe kulturore që na bashkojnë dhe që duhet të krenohemi me to si popull. Niveli artistik është prioritet kryesor që unë personalisht jam i angazhuar. Besoj se çdo kush që ka mundësinë për të përfaqësuar sa me bukur dhe denjësisht kombin e tij, duhet të bëj diçka në këtë drejtim.

 

KultPlus: Me çfarë materiale punohen këto aksesorë?
Orges Kokoshari: Gheg & Tosk boutique përfshinë bizhuteri origjinale të frymëzuara nga kultura dhe trashëgimia shqiptare. Këto bizhuteri janë të punuara në formë esenciale të periudhës historike që i përkasin, pa diamante apo gurë të çmuar, por me materiale qw i përshtaten kësaj periudhe si argjend, flori 14k , 18k ari, platin…

 

KultPlus: A keni menduar që të krijoni edhe aksesorë me motive të tjera shqiptare, nëse po, çfarë prurje do të ketë?
Orges Kokoshari: Së shpejti do sjellim për publikun Helmetën e Skënderbeut. Të cilin , çdo shqiptar mund ta gëzoj në ambiente festive të ndryshme. Poashtu, më 17 qershor kemi paradën shqiptare në New York, për nderë të arbëreshëve dhe Gheg & Tosk do të paraqitet me Skënderbeun dhe Doniken. Unë do të paraqitem me veshjen e Skënderbeut, kurse gruaja ime do të paraqitet si Donika, e cila do të ketë kurorë bizantine të punuar posaçërisht për këtë paradë. Në bashkëpunim me Albanian Roots in NY, komuniteti shqiptarë këtu është bërë një mundësi e rritjes së bashkëpunimit të shqiptarëve të diasporës.

 

KultPlus: Dhe për fund, pas kësaj parade, a ka ndonjë projekt tjetër që është menduar që të lansohet brenda këtij viti?
Orges Kokoshari:
Jemi në përgatitje edhe të projekteve të tjera, por për momentin nuk mund të flas më shumë për shkak se nuk është momenti i duhur. Në anën tjetër, unë jam artist i efekteve vizuale në New York dhe shoh mundësi reale për një film të shkurtër apo të gjatë për Skënderbeun, si krye hero i ynë, që të arrihet deri në shkallën hollivudiane. Talentet i kemi, na duhet vullnet i përbashkët që të arrijmë dhe një gjë të tillë. Pasi, atë çka nuk e bën politika mund të arrihet me art. Bota duhet të njohë thelbin the historinë e popullit tonë, pasi shume heronj na janë marrë nga shtetet fqinje, sidomos Greqia./KultPlus.com

www.gheg-tosk.com/