Helmeta dhe shpata e Skënderbeut, inspirim për piktorin Gazmend Freitag

Në vitin 2014 piktori Gazmend Freitag ka vizituar armët e Skënderbeut në muzeun historik në Vjenë. Kur e pa helmetën dhe shpatën e Skënderbeut e përshkroi një rrëqethje e madhe dhe e gjatë në tërë trupin, shkruan KultPlus.

“Ishte një ndjenjë lumturie e pa përjetuar kurrë më parë, para ndonjë objekti apo elementi kombëtarë. M’u duk sikur e takova vet Skënderbeun! Ishte një takim imi me Skënderbeun pas 500 vjetësh”, pohon piktori.

Pas këtij takimi shpirtëror në të u pasqyrua një frymëzim i madh për t’i pikturuar armët e tij.

“Nga fotot e bëra, që i shikoja gjithmonë,  ku dy vjet më vonë, pra në janar të vitit 2017, fillova të pikturoj me vaj që edhe zgjati gjysmë viti. Përgjatë procesit të pikturimit të armëve të Skënderbeut kam qenë i përmbushur me atë energjinë pozitive që morra nga vizita që isha në muzeum, ku qëndrova me orë të tëra.

Më preokupon edhe sot për pasardhësit e tij, kush janë dhe kah janë të shpërndarë nëpër botë”, thotë artisti.

Ai tutje pohon se është shumë i lidhur shpirtërisht me heroin tonë legjendar Skënderbeun, po ashtu edhe me shumë figura tjera kombëtare e që janë inspirim për punën që ai bën.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu është hero kombëtar i shqiptarëve, i këtij populli të lashtë dhe me histori shumë të veçantë, është figura më e madhe, është figura me të cilën identifikohen shqiptarët, është figura që i bën krenar, që i frymëzon në të gjitha fushat, pra edhe në art. Gjatë pesë shekujve, Skënderbeu ka qenë gjithmonë figura që i ka bërë bashkë shqiptarët, që i ka frymëzuar me atdhedashuri, me vullnet dhe me përkushtim për t’u bashkuar, sepse, siç thoshte edhe vetë Skënderbeu, të bashkuar bëhemi më të forte”, thotë për fund Gazmend Freitag. / KultPlus.com

Vivaldi ka shkruar operë për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun

Lista e kompozimeve rralla të kryera nga Antonio Vivaldi përfshin dhe operën “Skënderbeu”. Shfaqja e parë e kësaj opere u realizua në Teatro de la Pergola në Firence të Italisë më 22 qershor 1718. Ajo përuroi rihapjen për publikun të këtij teatri. Libreti u shkrua nga Antonio Salvi, libretisti i preferuar i Dukës së Toskanës, Ferdinando de’ Medici, nga familja e njohur e Mediçëve. Ngjarjet zhvillohen në muret e Krujës në rrethimin e parë të saj në 1450, ndërsa qyteti është i rrethuar nga trupat turke që drejtohen nga sulltan Murati. Ushtarët otomanë kapin rob Donikën, ndërsa Skënderbeu i shqetësuar rrëmben vajzën e sulltan Muratit duke menduar që konflikti të zgjidhej me këmbimin e dy robëreshave. Në fund Skënderbeu e çliron vetë Donikën e tij me trimëri dhe kritikët mendojnë se ka Vivaldi ka dhënë me këtë opera triumfin e dashurisë dhe burrërisë shqiptare.

Si shikohet subjekti është melodramatik, ku nuk mungojnë intrigat dhe zgjidhjet “Deus ex machina”, karakteristike për artin barok të kohës. Në fakt është një Skënderbej tjetër nga ai që jemi mësuar të shikojmë në artin shqiptar. Në artin europian të kohës nuk ishte fort i rëndësishëm epizmi i karaktereve sesa lirizmi dhe fryma kalorësiake e kohës. Fakti që Vivaldi zgjodhi Skënderbeun si subjekt të operës për këtë rast të rëndësishëm, konfirmon ndikimin që kishte ende në Europë heroi ynë kombëtar pothuajse 300 vjet pas vdekjes së tij. Ai ishte përfytyruar gjithmonë si një hero europian , “mik i virtytit dhe jo i fatit” si shprehej dhe vet Skënderbeu në letrën e tij të famshme dërguar Ferdinantit të Napolit. /KultPlus.com

Monumenti i Skënderbeut pritet të vendoset më 6 maj në Prizren

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut pritet të vendoset në Prizren më 6 maj, në ditëlindjen e tij, bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga shoqata “Trojet e Arbrit”.

“Duke e parë faktin se shumë mërgimtarë anë e kënd Evropës e Amerikës edhe shumë shqiptarë që jetojnë në të gjitha trojet shqiptare dëshirojnë të marrin pjesë në vendosjen e monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren, Shoqata “Trojet e Arbrit “njofton të gjithë shqiptarët se vendosja e monumentit do të bëhet më 6 maj 2020”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se kjo shtyrje prej dy muajsh ka të bëjë me procesin e përgatitjes së monumentit nga ana e skulptorëve si dhe në përfundimin me sukses të aksionit për grumbullimin e mjeteve nga ana e Shoqatës “Trojet e Arbrit”, transmeton Koha.net.

“Që gjithçka të shkojë mirë e mbarë i ftojmë mërgimtarët shqiptarë si dhe komisionet që kemi formuar nëpër shtetet e Evropës dhe Amerikë që ta shpejtojnë sa më shpejtë që është e mundur grumbullimin e mjeteve financiare”, thuhet në komunikatë.

“Po ashtu falënderojmë të gjitha ata të cilët deri më tani na përkrahën pa kursyer që ky projekt kombëtar të përfundojë me plotë sukses. Të kontribuosh në mbrojtjen e identitetit shqiptar nëpër shekuj është madhështi, t’i largohesh këtij kontributi dhe ta mohosh identitetin kastriotas është një ligësi dhe atdhemohim që se kemi pasur asnjëherë traditë gjatë tërë historisë sonë”, ka thënë Nue Oroshi, kryetar i kësaj shoqate. /KultPlus.com

Flamuri dhe simbolet e Skënderbeut në kishën e famshme të Venecias

Një flamur që valëvitet në një nga nga tre harqet e tavanit që fsheh historitë biblike të Esterit dhe Mardocheos, paraqet një shqiponjë të zezë mbi sfondin e kuq dhe është lexuar deri më sot si një flamur hasburgian. Në fakt flamuri hasburgian nuk ka pasur kurrë një sfond të kuq, por të hapur.

Në numrin CXCVIII, seria e tretë 10/II (2011) në revistën prestigjioze të shkencës letërsisë dhe artit është botuar një artikull i Lucia Nadin me titullin “Propozimet e rileximeve të pikturës së Paolo Veronezes në Shën Sebastian në Venecia: Skënderbeg atleta Cristi dhe kisha e Shqipërisë”.

Artikulli, precizon autorja, është vetëm një parashtrim studimesh që ka në dorë dhe që synojnë të vendosin Shqipërinë një vend të veçantë në artin e mrekullueshëm në Venecia: Kisha e Shën Sebastianit, që ndodhet në lagjen Dorsoduro, shumë e famshme si një kishë autoriale: nuk është tjetër veç një shembull shumë i rrallë kishe ku pjesa dekorative mban emrin e një artisti të vetëm: Paolo Caliari, veronez, një ndër interpretuesit më të mëdhenj të pikturës veneciane të viteve 1500.

Kjo kishë është një vend simbolik, një monument i madh i Rilindjes, me famë ndërkombëtare, dhe e njohur si tempulli i artistit ku ai dëshiroi dhe të varroset. Për fat të keq një sërë afreskesh të tij me kalimin e kohës u shkatërruan.

Pikturat e veronezit, në tavanin e sakristisë, muret dhe gjithë zbukurimet e tjera u realizuan në një hark kohor mes 1555 dhe 1565. I gjithë cikli celebron në fakt triumfin e Besimit/Kishës/Virgjëreshës Mari nëpërmjet tregimit ekzemplar të martirit të tyre Shën Sebastianit.

Një flamur që valëvitet në një nga tre ovalet e tavanit, në të cilën rievokohen historitë biblike të Esterit dhe Mardokeut, ku paraqitet një shqiponjë e zezë mbi një sfond të kuq dhe ky është lexuar si një flamur hasburgian.

Në fakt flamuri hasburgian nuk ka pasur kurrë një sfond të kuq por të hapur.

Propozimi i Lucia Nadin është gjithçka tjetër dhe bazohet dhe në studimet e saj mbi emigrimin shqiptar në tokën veneciane në gjysmën e dytë të 1400-ës, për shkak të ngjarjeve të mëdha që përshkruan Ballkanin dhe që shënuan emigrime masive pas vdekjes së Skënderbeut dhe pas vendosjes së paqes me turqit në vitin 1479, në vazhdim të dy pushtimeve të tmerrshme që pësuan Shkodra dhe Drivasti nga 1474 në 1478.

Studiuesja, docente e Letërsisë Italiane në Universitetin shtetëror në Tiranë, duke u nisur nga data e flamurit në tavanin e kishës, që thërret flamurin e Skënderbeut, i përshkruar nga Marin Barleti dhe i konfirmuar nga Konica në vitin 1908 dhe më pas me rastin e pavarësisë shqiptare në 1912:shqiponja dykrenore në sfondin e kuq.

Nadin i lexon në mënyrë metaforike aventurat e Moardocheos, që lufton për shpëtimin e popullit ebraik, ngjarje që sipas saj i vishen atyre të Gjergj Kastriotit. Ndaj ajo analizon se gjithë kremtimi i shën Sebastianit, një mënyrë krejt e panjohur për traditën veneciane, është paraqitur jo si shenjti i mrekullive, por si Miles Cristi, që përballon Diokleziani, persekutorin e madh të të krishterëve, dhe që shkon në martirizimin e sigurt, për triumfin e Kishës.

Në Shën Sebastian, Miles Cristi, përfaqëson në mënyrë metaforike në këtë rast Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili u cilësua nga papë të ndryshëm si Atleta Cristi, mbrojtësi i krishtërimit perëndimor.

Koka e dhisë

Në tavanin e kishës do dallosh dhe kokën e një dhie: që në fakt ka qenë një nga kafshët mesjetare, simbol i largpamësisë së Krishtit.

Përkrenarja e Skënderbeut ndodhet në Vienë në Kunsthistorisches Museum. Koka e dhisë dihet që ishte pjesë zbukurimi e përkrenares së Skënderbeut që u bë mbret i popullit të tij i ndjekur nga kryqëzimet e papa Piut II dhe që mbaroi tragjikisht me vdekjen e papës në Ankona.

Pra bëhet fjalë për një simbol tjetër Kastriot, pra shqiptar.

Në martirizimin e Shën Sebastianit që pasqyrohet aq bujshëm në kanavacat e prezbiterit autorja nuk bën gjë tjetër veç lexon martirizimin e gjithë kishës së Shqipërisë, dhe një personazh specifik që paraqet një veshje me shqiponjën dykrenore kurorëzuar me historinë e familjes së Ëngjëllorëve, që njihet në histori në vitet 50 të këtij shekulli dhe që u nderuan me Urdhrina kavaleresk të San Giorgios, një familje që u impenjua me një guxim të jashtëzakonshëm për të kujtuar memorien historike të Shqipërisë.

Në fakt jemi në pritje të veprës kompete të Luçia Nadin mbi kishën e Shën Sebastianit për të zbuluar një faqe të rëndësishme të historisë shqiptare dhe një vend në artin mesjetar për më tepër që bëhet fjalë për një nga veprat e një prej piktorëve më të mëdhenj evropianë të të gjitha kohërave: Paolo Veronezen.

Dëshirojmë të kujtojmë në fund të këtij shkrimi, zbulimin e jashtëzakonshëm të Lucia Nadin mbi Statuset e Shkodrës, të rekuperuara nga studiuesja pas 7 shekujsh nga biblioteka e Museo Correr në Venecia.

Një kontribut i jashtëzakonshëm i studiueses italiane për historinë e Shqipërisë./konica.al/ KultPlus.com

Kur gazeta franceze njoftonte për shfaqjen e filmit “Skënderbeu” në kinema


Nga Aurenc Bebja

“Le Segréen” ka botuar, të shtunën e 22 nëntorit 1958, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me shfaqjen në kinema të filmit për heroin tonë kombëtar, të cilin Aurenc Bebja nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Kinema “familjare”
Këtë javë : “Skënderbeu” i pathyeshëm
Film i madh historik me ngjyra, i cili gjurmon jetën e heroit shqiptar që i bëri ballë me sukses pushtimit turk.

Seancat : Të shtunën e 22 nëntorit, në orën 20:30 ; të dielën e 23 nëntorit, në orën 16:00 dhe 20:30.

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1958-filmi-skenderbeu-do-te-shfaqet-ne-kinema-ne-keto-data-dhe-ore/

Me filmin e Skënderbeut filloi ‘Java e filmit shqiptar’ në Kino Abc

Sonte në Kinemanë ABC u shfaq filmi ‘Skënderbeu’, i cili për publikun shqiptar po shfaqej për herë të parë i restauruar dhe i përpunuar në laboratorët e Italisë, shkruan KultPlus.

Me filmin ‘Skënderbeu’, u hap edhe ‘Java e filmit shqiptar’ e cila pritet të vazhdojë për tre ditë me radhë, ku në natën e dytën më pas do të shfaqet ‘Nëntori i dytë’, i regjisorit të famshëm Viktor Gjika, i cili është restauruar e përpunuar në Amerikë, ndërsa natën e tretë dhe të fundit do të shfaqet filmi ‘Tomka dhe shokët e tij’.

‘Skënderbeu’ u shfaq para një publiku modest, të cilët duket se e pritën mjaft mirë filmin tashmë të përpunuar në zërim, ngjyra, video-efekte etj.

‘Skënderbeu’ është një film histoik mbi jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti. Në film trajtohet mënyra sesi Gjergj Kastrioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donikën dhe kështu duke organizuar besëlidhjen e Lezhës. Por, përballet edhe me tradhëtinë e nipit të tij, Hamza Kastrioti. Filmi paraqet skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Ky film njëherit është edhe filmi i barë artistik i cili është realizuar në bashkëpunim shqiptaro-sovjetik.

‘Skënderbeu’ është shpërblyer me ‘Palmën e artë’ në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kanë. Filmi daton nga viti 1953.

Java e filmit shqiptar organizohet nga Kosovafilmi, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Arkivi i Filmit Shqiptar./ KultPlus.com

Thaçi: Plot 552 vjet populli shqiptar jeton me heroizmin e Skënderbeut

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka kujtuar heroin e kombit, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.

Thaçi përmes një postimi në facebook ka thënë se plot 552 vjet populli shqiptar jeton me heroizmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe shumë heronjve që si dalzotës të vendit dhe popullit janë frymëzuar nga vepra e tij.

“Plot 552 vjet populli shqiptar jeton me heroizmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe shumë heronjve që si dalzotës të vendit dhe popullit janë frymëzuar nga vepra e tij. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare dhe bashkimi shpirtëror i popullit tonë, si dhe forcimi i vetëdijes sonë kombëtare, krahas fitoreve të shumta të Skënderbeut, ishin po ashtu fitore shumë të mëdha në epopenë e lavdishme të rezistencës së pashtershme të tij”, ka shkruar presidenti Thaçi. / KultPlus.com

Meta i shqetësuar për Kalanë e Krujës

Rreziku që i kanoset fortesës së Skënderbeut nga tërmeti i 26 nëntorit ka shqetësuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai sot ka vizituar Kalanë e Krujës. Për të parë më nga afër pasojat e dëmeve në Kullën e Këmbanës dhe Teqenë e Dollmës, Meta është kujdesur që t’i shohë këto dy monumente më nga afër, duke kaluar edhe perimetrin e sigurisë.

Kreu i shtetit tha se “duhen marrë masa të menjëhershme për t’u riparuar dhe mbrojtur, për vetë simbolikën e fortë kulturore e kombëtare që përfaqësojnë. Puna e nisur duhet të ndiqet me përgjegjësi maksimale deri në fund”.

Meta i kërkon institucioneve më shumë bashkëpunim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë mbetur jashtë për shkak të shkatërrimit të banesave të tyre. Gjithashtu presidenti vizitoi edhe shtëpitë e disa familjeve në fshatin Hasanaj të Krujës , të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. / KultPlus.com

“Rugova është Skënderbeu i dytë i shqiptarëve”

 

Nga Ndue Ukaj

Kjo fotografi fisnike e përuljes së Ibrahim Rugovës para Kryezotit tonë, përçon një mesazh të fortë historik dhe tregon forcën e madhe – dashurinë e përvëluese – që ai kishte për kombin, kulturën dhe historinë e tij, gjë të cilën e ka dëshmuar sa qe gjallë, me libra të shumtë dhe përmes angazhimit aktiv në politikë.
Rugova, duke bërë një përulje të tillë respekti, ka treguar edhe njëherë sa të rëndësishme janë lidhjet me historinë dhe se një kombi që nuk respekton historinë e vet, rrezikon shuarjen.
Prandaj, ky gjest fisnik është njëherësh shumë domethënës dhe duhet lexuar mirë nga bashkëkombësit e tij kudo ku ata jetojnë, sidomos nga ata që merren me politikë.

Prandaj, jo vetëm sot, në ditëlindjen e tij, por çdo herë, e kemi për detyrë ndërgjegje e qytetarie ta kujtojmë figurën më të ndritshme të politikës shqiptare, sepse kështu përfitojmë forcë e dije për t’i tejkaluar këto kohë të liga e të turbullta. Sepse, vepra e tij e begatë kulturore dhe politike është një shkollë kulturore dhe politike dhe testament i përhershëm për shqiptarët. Sepse ajo ka fuqi dritëdhënëse dhe shqiptarët mund t’i largojë nga errësira politike ku janë zhytur, t’i mëkojë me dashuri dhe t’iu shërojë veset e liga.

Ibrahim Rugova sa qe gjallë, me jetën dhe veprën e tij të madhe kulturore e politike, ka treguar se veprat e mëdha janë vepra dashurie dhe jo urrejtje e dhune. Ndaj, ai asnjëherë nuk pranoi t’i drejtonte shigjetat e helmatisura kundër kundërshtarëve të shumtë, madje as kur ata tentonin ta zhbënin.
Sepse, ai besonte te vlerat e lirisë dhe kishte një ide të madhe, që ato vlera t’i bënte vlera të përbashkëta të gjithë shqiptarëve në Europën Juglindore dhe t’i kthente në vlera etike të shtetit të Kosovës, të cilin e udhëhoqi deri në vdekje.

Ai hyri në politikë për t’i dhënë politikës vlerat intelektuale dhe morale që i kishte sublimuar me libra e studime, dhe kështu u bë prijës i madh, dhe i tillë u vlerësua kudo në botë ku respektohen vlerat e njëmenda të lirisë.

Rugova ishte i madh sepse kishte një ide të madhe, një ide të qartë, një qëllim të lartë dhe një traditë të fortë ku e mbështeste filozofinë e tij politike dhe kombëtare. Dhe, në sajë të kësaj platforme, ne i fituam të gjitha ato që i synuam: lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.

Rugova nuk ishte politikan dosido, që fliste përçartë, siç ndodh të flasin shpeshherë politikanët e këtij rajoni problematik, të cilët ose gulçojnë ose flasin përçartë për tema e projekte utopike, për të cilat s’janë të bindur as vetë.

Edhe tani, kur politika shqiptare ka mbetë pa busullën e orientimit, vepra e tij mbetet udhërrëfyese dhe mund të fisnikërojë kombin tonë të ligështuar moralisht.

Intelektuali dhe politikani që kujdesej për kujtesën historike dhe besonte te forca e lirisë, ruante autoktoninë, lexonte Bogdanin, të cilin e kishte model, dhe refuzonte estetkisht. Me këto tipare, ai u bë politikani më virtuoz që ka dalë nga raca shqiptare dhe një nga mendjet më të shquara të politikës në rrafsh europian.

Rugova ishte intelektual i madh dhe kjo e bëri politikan të madh. Ai hyri në politikë me bindje të formuara kulturore dhe ato i kthej në bindje politike.
Ai refuzoi në letërsi, para se të refuzonte ne politikë.
Dhe në saje të këtyre vlerave, simbolikisht mund të thuhet se Rugova është Skënderbeu i dytë i shqiptarëve, që arriti t’i ripërtërinte, siç thoshte vetë, aleancat natyrale me aleatët e Kastriotit, dhe pas shumë shekujve shqiptarët arriti t’i bënte pjesë të hartës politike perëndimore. / KultPlus.com

Promovohet libri më i ri për Skënderbeun, komentohet rëndësia e marrëveshjes Kosovë- Serbi

Sot është promovuar libri me titullin “Ishin kohë të vështira për Skënderbeun, por ai kishte një aleat, Hunyadin hungarez”.

Në ceremoninë e promovimit po merr pjesë edhe ambasadori i Hungarisë Lazlo Markusz i cili foli për raportet e bashkëpunimit të popullit hungarez me shqiptarët si rezultat i së cilave cilësoi se vazhdojnë këto raporte edhe tash.

Ai përmendi edhe intervenimin e trupave hungareze në luftën e Kosovës në 99 e mënyrën se si është vendosur të njihet Kosova si shtet. Gjithashtu komentoi për rëndësinë e një marrëveshje me Serbinë e cila sipas tij do të ndikonte edhe tutje në stabilitetin e rajonit.

Ndërkaq redaktori i librit, Krisztian Csaplar-Degovics tha se titulli i librit është inspiruar nga një citat i Fan Nolit ndërkaq që tha se të dy popujt kanë arritur të mbajnë raporte me njëri-tjetrin për më shumë se 5 shekuj dhe jo vetëm sipërfaqësisht. Klan Kosova / KultPlus.com

3 nëntori në histori, Skënderbeu lë betejën e Nishit dhe niset për Krujë

Më datë 3 nëntor 1443 është një datë historike për Shqipërinë, pasi Skënderbeu do të linte betejën e Nishit dhe do të nisej për në Krujë, ku më pas edhe do të luftonte kundër Osmanëve për 25 vite me radhë, shkuan Top Channel, transmeton KultPlus.com

Ngjarjet më të rëndësishme të kësaj date

644 – Umar ibn al-Chattab, kalifi i dytë mysliman u vra nga një skllav persian në Medina.

1443 – Skënderbeu la betejën e Nishit, për t’u nisur për në Krujë.

1792 – U hap Universiteti i Guadalajaras në Meksikë.

1918 – Polonia merr pavarësinë nga Rusia.

1954 – Seria e parë filmave Godzilla paraqitet në Japoni.

1967 – Lufta e Vietnamit: Filloi Beteja në Dak To.

1970 – Salvador Allende u shpall president i Kilit.

1972 – Salvador Allende krijoi qeverinë e armatës civile në Kili.

1990 – Gjermania Lindore dhe Perëndimore u bashkuan më pak se një vit pas rënies së murit,

Lindje

39 – Lukani, historian romak

1604 – Osman II, sulltan i Perandorisë osmane.

1863 – August Heimer (1863-1930), gjeolog gjeograf dhe shkrimtar suedez.

1921 – Charles Bronson, aktor dhe regjisor amerikan

Vdekje

1954 – Henri Matisse, piktor francez.

1969 – Wilhelm Reich, psikiatër austriak(* 1897.)

1970 – Petar II. Karađorđević, mbreti i fundit jugosllav (* 1923.)

1981 – Edvard Kocbek, letrar slloven (* 1904.)

1995 – Jean-Bédel Bokassa, kryetar pastaj mbret i Republikës Qendrore Afrikane (* 1921.)

2005 – Hrvoje Bartolović, shahist kroat (* 1932.)

2007 – Toni Kljaković, këgëtarë kroat.

Festa dhe përvjetorë

1903 – pavarësia e Panamasë

1978 – pavarësia e Republikës Dominikane

Portreti i Skënderbeut

Poezi nga Ismail Kadare

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë mbi atdhe.
Një emër, Gjergj, e kish si diellin,
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhije kish mbi krye,
Emblemë e vjetër e çuditshme,
Sikur ta dinte që mes brinjëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftra bëri.
Njëzet e katër vdekje theu.
Çka mangut linte ditën Gjergji,
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë,
Në mijëra varre ato u shtrinë.
Gjithçka të shumtë ai e pati.
Të vetmen kish vec Shqiperinë.

Du Verdier: Skënderbeut i detyrohet gjithë Evropa

Në veprën me titull “Abrégé de l’histoire des Turcs, contenant tout ce qui s’est passé de plus remarquable sous le règne de vingt-trois empereurs,… par le sieur Du Verdier,…Tome 1”, të historiografit francez Gilbert Saulnier Du Verdier, botuar në Paris në 1665, gjejmë një shkrim të rrallë dhe një gravurë, kushtuar heroit tonë kombëtar:

Skënderbeu, mbrojtësi i shquar i krishtërimit, ishte një njeri aq i madh dhe aq i denjë në kujtesën e popullit, saqë do të ishte e paarsyeshme ta privonim atë nga lavdia që i kemi veshur një princi tjetër më të madh, por ky, një kapiten jo më i shkathët as më i zoti se ai.

Ne e shtuam pikturën e Tamerlanit të madh me atë të të gjithë mbretërve osmanë, sepse ai ishte njeriu i shekullit dhe se, kishte turpëruar princin më krenar në botë.

Por edhe ky (e ka fjalën për Skënderbeun), nuk ka qenë më pak i shquar; madje, ai ka bërë diçka më të madhe se ai, kundër këtyre sovranëve të frikshëm tokësorë.

Prandaj, i detyrohemi të njëjtin nder dhe pa bërë ndonjë mëkat ndaj drejtësisë, ne nuk mund të anashkalonim portretin e tij për brezat e ardhshëm, ashtu siç i bëjmë fjalimin e aksioneve të bukura të jetës së tij, në shenjë nderimi ndaj vlerës dhe virtytit të tij”,- thuhet në shkrim.

“E bëra turkun të dridhej në mesin e gjithë xhandarëve të tij. Ai dyshoi në shpatën time, por iu frikësua fuqisë së saj. Për aq kohë sa ai mundi të mbante armë, unë isha mbrojtësi i shquar i të krishterëve.” /konica.al/ KultPlus.com

Trieshi bëhet gati për inaugurimin e bustit të Gjergj Kastriot-Skënderbeut

Në vitin 1968 Shkolla 8-vjeçare e Trieshit ishte pagëzuar me emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ishte viti jubilar, 500-vjetori i ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Ky përvjetor historik ishte kremtuar në mënyrë madhështore në kryeqytetin e Kosovës.

Në atë kohë isha student në Prishtinë dhe i kisha parë me sy të gjitha ato zhvillime, shkruan ish-gazetari i “Zërit të Amerikës” dhe aktualisht botues në New York, Gjekë Gjonlekaj. Ishte njëra prej ditëve më të gëzuara që kishte përjetuar Kosova pas Luftës së Dytë Botërore. Emri i heroit tonë kombëtar kishte sjellë frymën e lirisë në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme.

Në pranverën e vitit 1968 edhe në Tuz të Malësisë ishte përkujtuar 500-vjetori i vdekjes së Gjegj Kastriot Skënderbeut. Drejtoria e shkollës së Trieshit ishte frymëzuar për këtë emërtim të madh nga mësuesi i përmendur Gjon Gjeka Lucaj, i cili kishte qenë adhuruesi më i madh i Skënderbeut jo vetëm në Triesh, por në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi. Trieshi e kishte ruajtur këtë emër për më shumë se një gjysmë shekulli. Në periudha të ndryshme të këtij gjysmë shekulli emri i tij ishte injoruar në mënyra të ndryshme. Këto injorime i kishte shkaktuar politika jugosllave antishqiptare dhe trieshianët që e kishin drejtuar këtë shkollë. Drejtoria e shkollës nuk kishte kërkuar asnjëherë që portreti i heroit tonë kombëtar të vendosej në vulën e shkollës së Trieshit. Për më shumë se gjysmë shekulli nuk ishte parë portreti dhe asnjë fotografi e tij në shkollën e Trieshit.

Pavarësisht se në Triesh kishin lindur e jetuar personalitete që e kishin adhuruar Shqipërinë dhe heroin tonë kombëtar, atje në Triesh kishte edhe armiq të përbetuar të Shqipërisë dhe Skënderbeut. Në Triesh kishte lindur Marsh Marku, i cili i kishte thënë juristit të famshëm kroat, ministrit të Drejtësisë së Malit të Zi, Profesor Dr. Valr Bogishiqit se Trieshi në atë kohë betohej në armët e Skënderbeut dhe sundonte sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit. Fjalët e Marash Markut ishin tregues se kush kishte qenë Trieshi në të kaluarën. Pas Marash Markut dishepulli më i madh i heroit tonë kombëtar kishte qenë Gjon Gjeka Lucaj. Por veprën më të madhe për heroin tonë kombëtar kishte bërë Lucë Prëloka Gegaj, alias Dr. Athanas Gegaj. Ai kishte studiuar dhe specializuar historinë e Skënderbeut për disa vjet në qendrat më të njohura universitare të Evropës, nga Madridi e deri në Paris.

Të gjithë e kishin nderuar për këtë vepër të madhe duke përfshirë këtu edhe Imzot Noli. Dr.Athanas Gegaj kishte nxjerrë në dritë veprën historike më të mire për heroin tonë kombëtar, duke mbrojtur me sukses tezën e diseratcionit të doktoratës në vitin 1936 në Universitetin Luen të Belgjikës me titull: ”Invazioni turk i Shqipërisë” në shekullin XV. Sot e kësaj dite kjo nderohet si njëra prej veprave më të mira për heroin tonë kombëtar Gjegj Kastriot Skënderbeun. Pavarësisht se në Triesh kishin vepruar disa antishqiptarë të tërbuar për pothuajse një shekull e gjysmë, atdhetarët e Trieshit mbijetuan.

Disa anëtarë të Fondit Humanitar Triesh New York ,para 3 vjetësh kishin përsëritur idenë e ngritjes së një busti të Skënderbeut në oborrin e shkollës së Trieshit, ngase këtë ide e kishte dhënë disa vjet më përpara Gjon Gjokaj. Marash Lucaj kishte biseduar me drejtorin e shollës së Trieshit Zef Gjuravçaj në lidhje me këtë çështje.

Drejtori i kishte thënë kryetarit tone zotit Lucaj se dikush gjoja kishte qenë i gatshëm ta financonte ndërtimin e këtij busti, por nuk kishte treguar se kush ishte dhe kur do të fillonte punimet. Me fjalë tjera ky ishte një premtim fantazmë që kishte për qëllim që kjo vepër kombëtare shqiptare të mos realizohej kurrë. Pas pak muajsh një aktivist trieshian shumë i ngritur intelektualisht Nua Pali Dedivanaj më bëri telefon dhe më pyeti për këtë dhe shtoi se shkolla e Trieshit nuk është shkollë private dhe për këtë arsye nuk është e drejta e asnjë individi të vetëm të vendos bustin e heroit tonë kombëtar para shkollës së vendit. Nua Dedivanaj e shpjegoi se kjo është shkolla e Trieshit dhe vetëm banorët e kësaj treve kanë të drejtë ta vendosin në oborrin e shkollës së tyre. Gjatë një mbledhje të Fondit ua shpjegova qëndrimin e Nua Dedivanaj në lidhje me këtë çështje.

Të gjithë ranë dakord. Ata njëzëri e kundërshtuan qëndrimin e drejtorit të Shkollës së Trieshit, Zef Gjuravçaj. Kryetari i Fondit, Marash Lucaj i kishte kërkuar drejtorit Zef Gjuravçaj të bënte kërkesën e duhur pranë Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi për lejen zyrtare që kjo shkollë të fillonte punën dhe fushatën financiare për ndërtimin e këtij busti. Por edhe këtu Zef Gjuravçaj i kishte ngatërruar hesapet sepse kishte kërkuar që Gjergj Kastriotit t’i hiqet emri Skënderbe. Pas një vizite në Triesh, kryetari Marash Lucaj ishte kthyer i bindur se ishte më mirë pa emrin Skënderbe. Në bashkëpunim me shovinistët serbo-malazezë Zef Gjuravçaj kishte marrë vendim për t’ia prerë kokën Gjergj Kastriotit. Një vendim të tillë e kishin marrë edhe disa të padenjë të Ulqinit. Pas 600 vjetësh ata kishin bërë diçka që as osmanët nuk e kishin bërë. Të gjithë anëtarët e Fondit e kundërshtuan kategorikisht atë propozim të padenjë. Ata kishin menduar se Skënderbeu kishte qenë turk. Ata si injorantë që ishin nuk e kishin ditur se titulli ISKENDER në greqisht do të thotë gjeneral dhe se Iskender ishte quajtur edhe Leka i Madh. Ky shkop në rrotën e Fondit tonë futi ngatërresa të mëdha, deri atë ditë që Nikë Gjeloshaj kishte premtuar se emri Gjergj Kastrioti Skënderbe nuk mund të ndryshohet. Pas deklaratës së Nikë Gjeloshaj ne u pajtuam dhe filluam fushatën. Diaspora serioze e Trieshit u qetësua kur mori vesh se Zef Gjuravçaj po largohej një herë e përgjithmonë nga ajo detyrë të cilën ai e kishte uzurpuar për pothuajse 4 dekada. Të gjithë e dimë se kush e fuqizoi pushtetin e tyre

Dy javë pas largimit të Zef Gjuravçaj nga detyra filluan punimet për vendosjen e bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në oborrin e Shkollës së Trieshit. Bazamenti, lapidari dhe ambienti përreth do të kushtojë nja 40.000 (dyzetë mijë) dollarë. Thonë se do të jetë një vepër e bukur e këtij lloji. Pas më shumë se gjysmë shekulli Gjergj Kastriot Skënderbeu do të shfaqet në mënyrë dinjitoze në Triesh. Një vepër kaq e bukur është mirë të bëhet e njohur botërisht. Do të ishte në nderin dhe dinjitetin e Trieshit dhe gjithë Malësisë që në ditën e përurimit të marrin pjesë personalitetet më të larta politike të Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës e Maqedonisë dhe Preshevës. Kjo ditë në qoftë se bëhet ashtu siç duhet do ta bënte Trieshin simbolikisht pjesë të Arbërisë. Më shumë se gjysma e Trieshit kufizohet me sllavë. Vetëm nami e nderi i Gjergj Kastriot Skënderbeut mund ta ndalë hovin dhe lakmitë e tyre grabitqare për tokat shqiptare. Vendosja e lapidarit të Skënderbeut është përgjegjësi e madhe morale për Trieshin. Kjo është vepra më e bukur kombëtare e Trieshit deri sot.

Nderimi dhe respekti i veçantë për punën e tyre të sinqertë për këtë vepër u përket Marash K. Lucajt, Nua P. Dedivanajt, Nikë Gjeloshajt dhe Nikollë Dukajt. / Gjekë Gjonlekaj / KultPlus.com

Venediku synonte të vriste Skënderbeun

 

Në një relacion të Senatit venedikas, Skënderbeu kërcënohej se do të eliminohej fizikisht në rast se nuk e lëshonte Danjën. Plani venedikas fillimisht parashihte që Skënderbeut t’i ofroheshin shuma parash nëse do të hiqte dorë nga kështjella e Danjës.

Por, nëse ky skenar nuk do të sillte bukë, atëherë venedikasit synonin të nxisnin Pal dhe Nikollë Dukagjinin për ta shkëputur popullatën arbërore prej Skënderbeut. Më poshtë është përmbajtja e relacionit që mban datën 26 korrik 1448, i përkthyer nga studiuesi Etnor Canaj:

”Senati urdhëron Andrea Venieron që të shkojë në Arbëri dhe të bjerë dakord me guvernatorin Paolo Loredano për mënyrën që duhet të ndërmerret që të ndalet Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Udhëzohet që: mund të merret parasysh zbritja e teukrëve (term anakronik me të cilin venecianët quanin turqit – shën. E.C) dhe të kryejnë sulme në dëm të Skënderbeut, që është cilësuar si i pabesë dhe të dëbohet jo vetëm nga Arbëria, por prej botës (non modo de Albania, sed de mundo eijciatur); dhe nëse teukrët nuk do të zbresin, të shkojë personalisht Veniero tek ai dhe t’i flasë për miqësinë e hershme dhe të madhe që mbante Senati me të atin, Gjonin, dhe që vazhdon të mbajë me të madhërishmin Gjergj (Skënderbe) dhe vëllezërit e tij dhe që e admiron në përpjekjet e tij duke e konsideruar si birin e vet; dhe t’i tregojë në mënyrë të burrë dhembjen që provon Serenisima e Tij për dëmet që ai i ka sjell të drejtave të Republikës; dhe ta ftojë të rrijë mënjanë përkundër demonstrimit të një trajtimi vjetor në para për të dhe për trashëgimtarët e tij, të cilat nuk do të tejkalojnë shumën prej 1500 dukatësh; ku ai do të heqë dorë prej Danjës dhe ndryshe prej 500 dukatëve.

Por, nëse Skënderbeu nuk bie dakord me propozimet apo të bjerë në ujdi me vetëpërmbajtjen e Republikës; t’u hidhet fjala Pal dhe Nikollë Dukagjinit dhe t’u jepen para që të shkëpusin popullsinë pa të cilën ai nuk mund të bëjë asgjë”. / Insjaderi/ KultPlus.com

Vepra e historigrafit francez botuar në Paris më 1665 për Skenderbeun

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  5 Mars 2019

Në veprën me titull “Abrégé de l’histoire des Turcs, contenant tout ce qui s’est passé de plus remarquable sous le règne de vingt-trois empereurs,… par le sieur Du Verdier,…Tome 1”, të historiografit francez, Gilbert Saulnier Du Verdier, botuar në Paris në 1665, gjejmë një shkrim të rrallë dhe një portret dedikuar heroit tonë kombëtar, të cilët, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Gjergj Kastrioti ose Skënderbeu, Mbret i Shqipërisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

E bëra turkun të dridhej në mesin e gjithë xhandarëve të tij,

Ai dyshoi krahun tim dhe u frikësua nga fuqia e tij,

Dhe për aq kohë sa ai mundi të mbante armë,

Unë isha për të krishterët mbrojtësi i shquar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Skënderbeu, mbrojtësi i shquar i krishtërimit, ishte një njeri aq i madh dhe aq i denjë në kujtesën e të gjithë njerëzve, saqë do të ishte e paarsyeshme ta privonim atë nga një lavdi që i kemi dhënë një princi tjetër më të madh, por jo një kapiten më i shkathët apo më i mirë se ai.

Ne e shtuam pikturën e Tamerlanit të madh me atë të të gjithë mbretërve osmanë, sepse ai ishte njeriu i shekullit, dhe se kishte turpëruar princin më krenar në botë ;

Por edhe ky (e ka fjalën për Skënderbeun) nuk ka qenë më pak i shquar ; madje, ai ka bërë diçka më të madhe se tjetri kundër këtyre sovranëve të frikshëm tokësorë ;

Prandaj i detyrohemi të njëjtin nder, dhe pa bërë ndonjë mëkat ndaj drejtësisë, ne nuk mund të anashkalonim portretin e tij për brezat e ardhshëm, ashtu siç i bëjmë fjalimin e aksioneve të bukura të jetës së tij, në shenjë nderimi ndaj vlerës dhe virtytit të tij.

Odhise Paskali duke i dhënë dorën e fundit “Skënderbeut”

Një fotografi bardhezi është realizuar në vitin 1966. Subjekt është Skënderbeu i përjetësuar në skulpturë. Aty është mjeshtri i skulpturës shqiptare, Odhise Paskali, teksa i jep jep dorën e fundit monumentit.

Portreti më i hershëm i Skënderbeut supozohet se është bërë sipas një skice të piktorit venecian Xhentile Benini, ku Skënderbeu paraqitet i moshuar, e që ndoshta ka pozuar gjatë udhëtimit të tij të fundit në Itali në vitin 1466.

Ndërsa, e para skulpturë me imazhin e tij ishte ajo skulptorit dhe poetit Murat Toptani (1917). Më pas, bustet për këtë hero u përhapën në shumë qytete të Shqipërisë dhe botës.

Monumentin e Skënderbeut në Tiranë e realizuan Odhise Paskali, Andrea Mano dhe Janaq Paço.

Sonet për Skënderbeun

Poezi nga Edmund Spenser

Pse mburret kot e Lashta kaqë fort 
Me monumentet e moçëm burrash trima, 
Heronj që përmes veprave pa mort 
Mahnitën botën, dhe në prrallë e rima 
Çdo foshnjë i nxën? Njerzim’ i admiron 
Statujat e tyre, kolose të larta 
E beret triumfore q’i përshkon 
E bukura me madhështit’ e narta. 

Ja Një, që koha von’e nxor në dritë, 
Ndër të mëdhenjtë krah më të madhit shkon: 
I madh në zë, pushtet e në vetitë, 
Triumfe të vërtetë meriton. 
Kamzhik për turqit, për armiqtë rrufe – 
Ky libër flet për Ty, o Skënderbe!

Busti i Skënderbeut vendoset në një fshat në Ukrainë, i banuar që 200 vite nga shqiptarët

Busti i heroit kombëtar të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është vendosur në Karakurt të Ukrainës, një fshat të banuar nga shqiptarët prej më se 200 vitesh.

Iniciativa e ndërmarrë nga një grup shqiptarësh me mbështetjen e Postës Shqiptare ka realizuar këtë kërkesë të kahershme të mbi 2500 shqiptarëve që jetojnë në këtë vend.

                                                 Ruajtja e traditës nga shqiptarët e Ukrainës

Figura e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u përkujtua me dashuri e nostalgji nga komuniteti shqiptar në Karakurt të Ukrainës. Gjatë këtij manifestimi përkujtimor, komuniteti shqiptar në Ukrainë, e vendosi bustin e heroit kombëtar të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Karakurt, një fshat i Ukrainës banuar nga shqiptarët prej më se 200 vitesh.

                                                                                                                    Komuniteti shqiptar në Ukrainë

Busti Gjergj Kastriotit është vendosur në qendër të fshatit, ku shqiptarët e Karakurtit do të kenë tashmë mundësinë të identifikohen me heroin e tyre kombëtar dhe pse janë shumë larg vendit amë.

                                         Ruajtja e traditës e kulturës nga shqiptarët e Ukrainës

Iniciativa e ndërmarrë nga një grup shqiptarësh, me mbështetjen e Postës Shqiptare ka realizuar këtë kërkesë të kahershme të mbi 2500 shqiptarëve që jetojnë në këtë vend. Të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, kryesisht nga rrethinat e Korçës, pjesa më e madhe e tyre vijojnë të komunikojnë me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe, shkruan dosja.al.

Kryetarja e Bashkisë Elena Zheceva, në emër të gjithë banorëve vlerësoi vendosjen e bustit të Gjergj Kastriotit në qendër të fshatit dhe nënvizoi rëndësinë që kjo vepër ka në forcimin e unitetit mes tyre dhe shtetit amë. Ajo falënderoi grupin iniciator për këtë nismë si një mesazh i rëndësishëm në komunikimin me diasporën tonë në Ukrainë.

                                              Ruajtja e traditës nga shqiptarët e Ukrainës

Më tej, ata i shoqëruan dhe në shtëpinë e Kulturës, në muzeun dhe bibliotekën e Fshatit Karakurt.

Krahas saj, ministria e Diasporës së Shqipërisë ka parashikuar dërgimin e librave shkollore dhe një mësues të gjuhës shqipe për fëmijët e shkollës së fshatit, si dhe një grup valltarësh që do përformojnë një koncert me këngë e valle shqiptare për disa ditë.

Promovohet vepra e Kristo Frashërit për Skënderbeun, konsiderohet përmbledhja më monumentale për heroin tonë

Në ditën e pestë të Panairit të Librit Prishtina 2019, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shkencore dhe Albanologjike, promovoi përmbledhjen dokumentuese dhe një bibliografi të studiuesit të historisë Kristo Frashëri “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-osmane në shek. XV”, vëllimi I-X (në origjinal dhe me përkthim shqip), shkruan KultPlus.

Kolana e veprës së historianit u cilësua si më e rëndësishmja e botimeve të Akademisë, për vitin 2019, e cilësuar si vepra më monumentale e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu,  ku bëhet përmbledhje e gjithë dokumentacionit mbi Skënderbeun, hulumtuar dhe nxjerrë nga arkivat.

Profesor Filip Koçollari, pjesë e panelit në këtë promovim, shprehet se “në përmbledhjen e kolonës prej dhjetë vëllimesh, që na ka sjellë profesor Frashëri, në fakt që u butua me iniciativën e të birit, në të përmblidhen dokumente të ardhura nga arkivat e Raguzës, Romës, Napolit, Milanos, Barcelonës, Parisit etj, në të përmblidhen dokumente kancelarike, kronikat e burimeve osmane, bizantine, por edhe atyre latine. Tematika është nga më të larmishmet, ku pjesa më e madhe e këtij dokumentacioni është e panjohur, dhe që vlen për t’u shfrytëzuar qoftë nga hulumtuesit, apo edhe studiuesit e veprës së heroit tonë kombëtar”.

Duke e strukturuar fillimisht dokumentin origjinal, të gjuhëve përkatëse, krahas tij është edhe përkthimi shqip, ku në përkthime përveç Kristo Frashërit, morën pjesë edhe një numër i madh përkthyesish të tjerë, kur kemi parasysh që dokumentacioni është i përbërë prej 16 gjuhëve.

Në panel ishte edhe prof: Shaban Sinani, që vlerëson lartë punën e Kristo Frashërit, por edhe pjesëtarët e institucioneve që punuan në vepër, që nuk ishte e mundur që t’i vendosej emri në ballinë. “puna e bërë është komoditet që dikush tjetër të ketë më të lehtë në të ardhmen, të mos jetë i detyruar që të mos shkoj nëpër biblioteka dhe arkiva, por që ta ketë koleksionin në tavolinen e tij”, shprehet prof. Shaban Sinani.

Në këtë promovim të Akademisë, u prezantua edhe vepra e Edmond Buharajas “Niçeta i Remesiana-s”, i cili njihet si Niketë Dardani. Një vepër e ndarë në tri pjesë, ku e para flet për Dardaninë deri në periudhën e Konsilit të Niçeas, ku vendosen konturat e kristianizmit,  pjesa e dytë që i kushtohet pikërisht këtij autori, Niçetas, Buharaja e quan Niçeta i Remesiana-s në kulturën Niçeane, ku flet për pjesëmarrjen e Dardanëve si popull në kristianizëm, dhe pjesa e tretë i kushtohet projektimit të figurës së Niçetas.

Botimet e Akademisë së Shkencave, tregojnë edhe njëherë rëndësinë në sjelljen e kësaj literature, si një nevojë për lexuesin por edhe studiuesit, që të kenë sa më të lehtë qasjen në literaturën përkatëse që ata e kërkojnë. / Visar Shabani / KultPlus.com

Fjalimi madhështor i Skenderbeut, nga Marin Barleti!

Marin Barleti

Ju epirotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspiratave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë…

Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë.

Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zotërues të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak…

Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona, Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha; mbeten qytetet.

Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga Tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe.

Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vend e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në këtë të djathtën tonë shkrumbuese, sesa për së largu e në tym. Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.

Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela, jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti.

Unë besoj se ne do t’a gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy edhe trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta. Këto do të mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël e, në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veprojë sigurisht këmbëngulja jonë. Një gjë vetëm duhet të na ngulet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja; në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të aftë t’i plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi sepse të kthehemi prapë në shtëpi.

Na duhet të provojmë çdo mjet, mundin, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej…Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem qytetin në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllim që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.

(Nga Marin Barleti: “Historia e Skënderbeut”, përkthyer nga Stefan J. Prifti)/KultPlus.com

Poezia e Ismail Kadaresë për Skënderbeun

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë./KultPlus.com

614 vjet nga lindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Sot mbushen 614 vjet nga lindja e Heroit të kombit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut – figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, i cili njihet si themelues i shtetit mesjetar-shqiptar.

Ai u lind më 6 maj të vitit 1405 dhe vdiq më 17 janar 1468.  Ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, që ishte marrë peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike.

Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik, pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik.Ai nuk e harroi vendin e tij dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare.Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniaditnën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.

Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar.              

Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.

Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit, Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.Në janar të vitit 1468, Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë.Vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë, ku edhe u varros. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht.E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.Historia tregon se për shumë kohë shqiptarët e mbajtën të fshehtë lajmin e vdekjes së Skënderbeut, por edhe kur e dëgjuan as vetë turqit nuk e besonin se ai kishte vdekur.Shqiptarët e fituan edhe një betejë pa Skënderbeun, betejën e Kirit, udhëhequr nga Lekë Dukagjini. Por pas 10 vjetësh, kur turqit nisën sërish pushtimin, e gjetën varrin e Skënderbeut dhe morën eshtrat e tij, duke i përdorur ato si hajmali për t’u dhënë forcë dhe fitore, ashtu sikundër ai ishte i gjallë. /indeksonline / KultPlus.com

Ku është feja, atje është shpata…

Mehdi FRASHËRI (1872–1963):

KU ËSHTË SHPATA ATJE ËSHTË FEJA

“Në ditët e Skënderbeut pushtimi turk-osmanllinj u kundërshtua rreptësisht prej shqiptarve, saqë këto luftra formojnë me të vërtetë epopenë e kombit, epope të cilën i pavdekuri Naim Frashëri e ka kënduar në vjersha të paimitueshme në veprën e famshme të tij “Skënderbeu”. Kjo vepër, kur u paraqit për herën e parë në kongresin e orientalistëve, albanologu i famshëm Emil Benloew në ligjeratën e vet shqiptoi këto fjalë: Më në fund edhe shqiptarët kanë Iliadën e tyre.

Këto luftra të rrepta të Kastriotit kundër osmanllinjve bëheshin në emrin e krishtërimit, ishin një mbrojtje madhështore edhe heroike e qytetërimit evropian, kundër barbarizmës aziatike, prandaj fytyra e Skënderbeut ka një ngjyrë të përbotshme, sepse u zgjatën 25 vjet pareshtur. Në këto luftëra heroike për shqiptarët, kombi i ynë, nga vrasjet, djegjet, rrënimet, edhe mërgimet në vendet e huaja humbi 1/3 e popullsisë edhe më në fund u bind se Perëndia e pushtonjësit ishte më e fortë edhe sipas një fjale së vjetër shqiptare “Ku është shpata atje është feja”, morën besën e tij.”
(Agim Morina / Facebook)