Portrete të rralla të Gjergj Kastriotit, Donikës, Hamzait, Tanush Topias dhe Moisi Golemit (FOTO)

Nga Aurenc Bebja

Në faqet n° 71 – 92 të librit me titull “Vitae et icones sultanorum Turcicorum, principum Persarum aliorumq[ue] illustrium heroum heroinarumq[ue] ab Osmane usq[ue] ad Mahometem II : ad vivum ex antiquis mettallis effictae, primum ex Co[n]sta[n]tinopoli D. Imp. Ferdina[n]do oblatae nunc descriptae & tetras[t]ichis succinctis illustratae”, botuar në vitin 1596, gjejmë një portret të rrallë të Gjergj Kastriotit, si dhe portretet e Donikës, Hamzait, Tanush Topias dhe Moisi Golemit (Dibranit), të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :









https://www.darsiani.com/la-gazette/portreti-i-rralle-i-gjergj-kastriotit-dhe-portretet-e-donikes-hamzait-tanush-topias-dhe-moisi-golemit-dibranit-ne-librin-e-1596/.

Posta francezë sjellë pullën postare me imazh të Skënderbeut

Posta  e Francës ka vënë në qarkullim një pullë postare të veçantë duke përdorur për të imazhin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Ky lajm e ka lumturuar edhe Ulpiana Lamën. Ajo këtë e ka ndarë edhe me miqtë e saj në Facebook.

“Posta franceze nxjerrë në përdorim pullën postare me imazhin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeu). Iniciative fort e çmuar e Maison d’Albanie në një realizim te spikatur të piktorit Zamir Mati”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Vargjet e Jacques de La Fons për Skënderbeun

Nga Aurenc Bebja

Në faqen n°200 të poemës me titull “Le Dauphin” të shkrimtarit francez Jacques de La Fons, botuar në Paris në vitin 1609, gjejmë disa vargje dedikuar heroit tonë kombëtar, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

“Thuhet se Skënderbeu (ndërsa shteti i tij

lëkundej i shqetësuar nga tërbimet e Muratit)

Bënte gjatë netëve kapjet më të mira të tij

Dhe gjatë netëve më të gjata flinte vetëm dy orë,

Vrojtimet dhe gjaku janë lavdi të frytshme,

Dhe netët më të shkurtra bëjnë ditët më të gjata

Nëse unë do t’i pikturoja lavdinë, do të kisha dashur një figurë (portret) me

Një sy gjithnjë të çelur, fare pa qepallë.” /KultPlus.com

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

https://www.darsiani.com/la-gazette/viti-1609-vargjet-e-jacques-de-la-fons-per-skenderbeun-ne-vepren-le-dauphin/

“Skanderbeg, Princi i Epirit”, promovohet në Slloveni

Libri në gjuhën shqipe “Skanderbeg Princi i Epirit” është promovuar në Koper të Sllovenisë.

Veprimtarinë e mbajtur në mjediset e Qendrës Kulturore Shqiptare “Kulla e Koperit”, organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Iliria”, e çeli Heset Ahmeti, kryetar i Shoqatës.

Ndërsa për librin folën dy përkthyesit e tij, Albert Gjoka dhe Frida Vokopola Gjoka.
Libri sillet në gjuhën shqipe nga origjinali në gjuhën e vjetër italiane “Commentario de le Cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, Principe di Epyrio”, i vitit 1544.

Më pas për të pranishmit përmes një diskutimi të hapur u prezantuan të dhëna, fakte e tregues rreth figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbështetur në dokumente të shekujve më parë.

Në veprimtari merrnin pjesë anëtarë të Shoqatës ‘Iliria”, Koper, shoqatës shqiptare “Ecim së Bashku” me kryetare Mardena Kelmendi, Trieste, Itali, veprimtarja e njohur shqiptare Vitore Stefa Leka, studjuesi slloven Peter Štoka, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi, etj.

Gjatë veprimtarisë u prezantuan edhe dy libra të tjerë në gjuhën shqipe të autorëve Frida Vokopola Gjoka dhe Albert Gjoka, “Gjuha e Albanëve ose Shqipëtarëve” dhe “Historia dhe Gjuha e Shqiptarëve dhe Vllehëve”.

Po ashtu, u shpërndanë edhe kalendare të përgatitur nga Zyra e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe libër për heroin kombëtar të përshtatur për fëmijë.ata/ KultPlus.com


Skënderbeu, një pikturë e rrallë me ngjyra

Është nxjerrë nga një ribotim italisht i vitit 1646 që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës. Libri titullohet: “Portrete të 100 kapedanëve të shquar dhe bëmat e tyre në luftë të përshkruara shkurtimisht dhe të gdhendura nga Aliprando Capriolo.” Libri i Capriolos është botuar fillimisht në Romë, në vitin 1596 dhe nuk është i panjohur për studiuesit e Gjergj Kastriotit. Gravurat e librit origjinal janë bardhë e zi.

Por 50 vjet pas daljes së botimit të parë, duket se dikush vendosi ta ribotojë librin dhe t’i stilizojë portretet, duke u shtuar ngjyra sipas fantazisë së tij. Në këtë Skënderbe me ngjyra, bereta “alla carmagnola” është e gjelbër, ndryshe nga e kuqja e ndezur në portretin e Gentile Bellinit ose në atë të Cristofano dell’Altissimos që ruhet në Firence.

Në gravurën e Capriolos, Skënderbeu paraqitet si burrë shteti dinjitoz e fisnik, me pamje të urtë e të qetë, me tipare thjesht njerëzore dhe aspak të ekzagjeruara. Ngjyra i shton një dimension të ri përfytyrimeve tona, prandaj ky stilizim i gravurës origjinale të Skënderbeut mund të na ndihmojnë t’ia përafrojmë më shumë realitetit pamjen e tij, për të cilën ka një kërshëri të madhe.

Në të vërtetë, piktori ka punuar me mjaft durim, po të gjykosh nga detaji i pasur, dritëhijet e lëkurës, thellësia e figurës dhe kombinimi interesant i ngjyrave. Për këtë foto të stilizuar të Skënderbeut falenderoj mikun tim Bejtullah Destani, i cili e nxori nga koleksioni i Bibliotekës Kombëtare të Spanjës.

Në shënimin e Capriolos për Gjergj Kastriotin thuhet: “Ky kapiten jashtëzakonisht trim ishte njeri trupmadh dhe me një forcë thuajse të pabesueshme; kishte fytyrë të ndezur ndërsa sytë, mjekrën dhe flokët i kishte ngjyrë gështenjë.” (Era questo valorosissimo Capitano di persona grande, & di forza quasi incredibile; la carnagion hauea rubiconda; ochhi, barba, & capelli castagnicci.)

Në një pasazh tjetër të librit Skënderbeu përshkruhet kështu: “I sfiduar nga luftëtarë të famshëm të kampit armik, luftoi trup me trup dhe i shtriu të gjithë përtokë. Në një betejë, kur ishte duke vrarë kundërshtarin, u sulmua papritur nga një tjetër dhe ua mori jetën të dyve. Në beteja të ndryshme vrau me dorën e tij më shumë se dymijë armiq”/Ilir Ikonomi/ KultPlus.com

Shqiptarët në SHBA me aksion për grumbullim të fondeve për vendosjen e monumentit të Skënderbeut në Prizren

Shqiptarët e Amerikës tani e një shekull janë shquar për dhënien e kontributeve kombëtare duke filluar me aksionet për njohjen e çështjes shqiptare në Amerikë, duke iu përgjigjur aksioneve të shumta kombëtare tash e më shumë se një shekull qoftë në aspektin humanitar, ushtarak, politik, kulturor, fetar dhe shumë aksione të tjera.

Nuk është rastësi se aksionit të Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” të parët t’iu përgjigjen shqiptarët e Amerikës të cilët në mënyrë konkrete e filluan aksionin për grumbullimin e mjeteve financiare për dërgimin e Skënderbeut në Prizren.

Ky aksion u fillua falë koordinatorit të shoqatës “Trojet e Arbrit” Tomë Mrijaj, i cili për pesëmbëdhjetë vjet me radhë është shtyllë e fortë e organizimit shqiptar në Amerikë, si dhe dy veprimtarëve kombëtarë, Pashk Maksuti dhe Gjergj Paloka, të cilët janë të autorizuarit e shoqatës “Trojet e Arbrit” për grumbullimin e mjeteve për monumentin e Gjergj Kastrioti -Skënderbeu në Prizren si dhe muzeut historik mesjetar në Kalanë e Prizrenit, me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

“Me t’u hapur aksioni, kemi njëzet donatorët e parë shqiptarë nga Amerika që iu përgjigjën thirrjes së shoqatës ‘Trojet e Arbrit’ për të përkrahur këto dy iniciativa kombëtare ku do të bëhet edhe hapi i duhur për vendosjen në vend të një pjese të historisë sonë e cila fatkeqësisht dhe qëllimisht është lanë e mjegulluar”, shkruan mediumi i mërgatës shqiptare në Francë, “Press Independent”.

Image

Donatorët që i përgjigjur thirrjes së shoqatës “Trojet e Arbrit” janë: Zef Berisha, Pashk Maksuti, Andre Tonaj, Luigj Perlleshi, Paulin Gjini, Pashk Berisha, Prend Qeta, Sejlon Lala, Gjin Berisha, Dukagjin Mrijaj, Margon Mrijaj, Nikollë Mrijaj, Gjergj Paloka Fran Qota, Toni Boga, Mhill Gjura, Marjan Cubi, Pashk Bytyqi, Zef Dushi, Artan Maksuti.

Këta janë emrat e parë dhe kësaj iniciative, ndërsa pritet që t’i bashkëngjitën edhe shumë shqiptarë të tjerë nga të gjitha skajet e Amerikës.

“Në emër të Shoqatës ‘Trojet e Arbrit’ i falënderojmë donatorët e parë nga Amerika, kurse opinionin e gjerë gjithëshqiptarë e njoftojmë se janari dhe shkurti i vitit 2019 do të jenë muajt e marrjes edhe të aksioneve të tjera nëpër vende të Evropës. Kah mesi i janarit do të fillojmë me dy takime në Zvicër, për të vazhduar aksionet më pas edhe në Gjermani, Kroaci, Francë, Çeki, Itali, Suedi dhe shtete të tjera të Evropës. Mërgata shqiptare gjithmonë ka qenë krahë i djathtë i realizimit të projekteve shqiptare tash e me shumë se një shekull. Urojmë që kjo mërgatë mos të lodhet por të vazhdon që t’i përkrahë këto dy iniciativa për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Dhe për fund ju bëjmë thirrje të gjitha organizimeve shqiptare në diasporë pa dallime krahinore, rajonale apo fetare, të gjitha shoqatave, klubeve dhe biznesmenëve të ndryshëm shqiptarë që me mundësitë që kanë ta përkrahin këtë aksion kombëtar”, thuhet në deklaratën e shoqatës “Trojet e Arbrit”.

Shoqata thekson se vendosja e një guri në ndërtimin e kështjellës me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu tregon qartë se gjeni dhe shpirti shqiptar është i pamposhtur dhe do të jetojë shekuj me radhë në Trojet Arbërore si dhe te diaspora e madhe atdhetare shqiptare.

Skënderbeu App, aplikacioni edukues mbi historinë e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Këtë vit në Kosovë e Shqipëri është shënuar viti mbarëkombëtar për heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, në 550 vjetorin e vdekjes së tij, shkruan KultPlus.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ka lindur më 6 maj 1405 dhe ka mbyllur sytë më 17 janar 1468. Me emrin tij lidhet një epokë e tërë historike për trevat arbnore. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese mesjetare shqiptare që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër vendosjes së sundimit perandorak osman.

Së fundmi për t’i kthyer sytë tek historia e lavdishme e tij, është publikuar edhe një aplikacion edukues mbi historinë e heroit kombëtar.

Ky aplikacion titullohet Skënderbeu App.

Në Washington mbahet meshë në shqip e festohet me valle shqiptare (VIDEO)

Dioqeza e Arlingtonit në zonën e Washingtonit ka kremtuar me një meshë në gjuhën shqipe Krishtlindjet, 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe 110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.

Për të parë atmosferën e kësaj feste, ne po ju sjellim një video në vazhdim:

https://www.youtube.com/watch?v=8fT3K8FOg1Y

Në Zym të Hasit inaugurohet shtatorja e Skënderbeut

Në përfundim të jubileut të madh të 550-vjetorit tëGjergj Kastriotit – Skënderbeut, në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, ditën e shtunë, më 22 dhjetor,në orën 11:00, mbahet manifestimi i madh “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Zym”, me ç’rast pritet të inaugurohet shtatorja e kryeheroit kombëtar shqiptar– Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, përcjellë KultPlus.

Mjetet (afro 30 mijë euro) për shtatoren e Skënderbeut, por edhe për rregullimin e ambientit e për organizimin e këtij evenimenti kulturor, i kanë siguruar banoret e Zymit, Shëngjergjit e të Bregdrinit, përkatësisht mërgimtarët e këtyre fshatrave që punojnë në shtetet e Ballkanit.

Megjithatë, Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” të Zymit më 23 prill 2018 patvendosur që në Zym të ngritët monumenti i Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Zymjanët qysh në prill të këtij viti kontaktuan me skulptorin e mirënjohur Sadik Spahija, nga Tirana, dhe e kontraktuan monumentin dhe tani çdo gjë është gati.

Për mysafirët nga Prishtina që marrin pjesë atë ditë në Zym është siguruar një autobus, i cili i prit mysafirët para Ipeshkvisë së Kosovës (te Katedralja “Shën NënaTerezë”) dhe niset për Zym në orën 9:00. /KultPlus.com

“Naltësimi i Iskanderit” nga ish-kryeministri britanik Benjamin Disrali vjen në shqip

Në Muzeun Historik Kombëtar u promovua mes studiuesish, diplomatësh dhe dashamirësh, libri “Naltësimi i Iskanderit” shkruar prej ish-kryeministrit të njohur britanik Benjamin Disrali dhe sjellë në gjuhën shqipe nga Mal Berisha.

Për të folur mbi këtë libër ishte një panel i zgjedhur, i përbërë nga Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, profesor Bardhyl Musai, botues, Mal Berisha, përkthyes i veprës “Naltësimi i Iskanderit” studiues, ish-ambasador.

Të pranishmit shprehën vlerësimet, mbresat dhe përshtypjet e tyre mbi librin “The Rise of Iskander” botuar në vitin 1833 nga Benjamin Disraeli, i cili përveç karrierës së tij në politikë renditet ndër njerëzit e shquar, edhe për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale u kthye në drejtues shteti.

Novela “Naltësimi i Iskanderit” është shkruar në një kontekst historik kur shqiptarët po fillonin zgjimin e tyre kombëtar dhe figura e Iskanderit ishte pishtari ndriçues në udhën e nisur.

Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se autori përshkruan takimin e Skënderbeut me Huniadin dhe marrëveshjen që ata bënë për të mbrojtur krishtërimin; marrja e fermanit nga mëkëmbësi i sulltanit dhe përdorimi si dokument para guvernatorit turk të Krujës për lëshimin e qytetit pa luftë etj. “Të gjitha këto elemente e bëjnë novelën e Benjamin Disraelit shumë aktuale për lexuesin shqiptar, duke menduar se vepra është shkruar në vitin 1833 dhe shkrimtari e dinte aq mirë historinë e lavdishme të Skënderbeut”, përfundoi Dorian Koçi. /a.a/ KultPlus.com

Skënderbeu dhe Noli përkujtohen në Boston

Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston u nderua dje Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me disa kumtesa dhe shfaqje. Në aktivitet u përkujtua edhe 110-vjetori i krijimit të kishës autoqefale shqiptare nga Fan Noli.

Kisha vendosi t’i përkujtojë këto dy ngjarje bashkë, duke pasur parasysh kontributin e Fan Nolit në studimin e Skënderbeut, bën të ditur Zëri i Amerikës.

Në simpoziumin që u mbajt në një sallë të thjeshtë në katin e dytë të Katedrales folën disa studiues. Profesor Nikolla Pano thotë se Noli e shkroi fillimisht Historinë e Skënderbeut në vitin 1921 me qëllimin e qartë për të bashkuar shqiptarët dhe për të edukuar tek ata ndjenjën kombëtare.

“Duhet të kujtojmë që viti 1921 ishte koha kur Shqipëria sapo kishte dalë nga Lufta Botërore, trupat e huaja sapo ishin larguar nga tokat shqiptare, pavarësia e Shqipërisë po riafirmohej dhe ndërkohë Shqipëria ishte në një rrëmujë politike në një farë mase. Noli donte që të fuste një ndjenjë të fortë patriotizmi, nacionalizmi dhe krenarie te shqiptarët”.

Grant Harris është drejtor i Sektorit të Evropës në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Atë e habit fakti se me sa entuziazëm u pritën bëmat e Skënderbeut në Evropë dhe botë:

“Kjo filloi natyrisht në Itali në fillim të viteve 1500 me librin e botuar nga Marin Barleti, që krijoi një farë legjende për Skënderbeun edhe pse kishte një bërthamë të vërtetë. Këtu ka rëndësi që Peshkopi Fan Noli tha më vonë se bëmat e mëdha të Skënderbeut, duke i rezistuar fushatave osmane për 25 vjet, ndodhën vërtet dhe ishin diçka e shkëlqyer. Por është e habitshme kur mendon që ka patur aq shumë njerëz që shkruan për Skënderbeun, duke përfshirë poetë dhe të tjerë që kanë lënë dorëshkrime, deri në shekullin e 19.”

Disa pjesëmarrës në simpozium i përkujtuan Skënderbeun dhe Nolin në mënyra të tjera.

Xhevat Limani është themelues i teatrit shqiptar të Amerikës. Prej shumë vitesh roli i Skënderbeut është pasioni i tij i madh. Me zërin e tij buçitës, ai e ka interpretuar heroin kombëtar në skenat e qyteteve nga Evropa në Amerikë, transmeton Gazeta Observer.

“Udhëheqësit e sotëm duhet të mësojnë nga Skënderbeu që t’i falin kundërshtarët e tyre politikë dhe kur është fjala për çështjen e Atdheut, ne jemi një komb, kemi një gjuhë, betohemi në një flamur që Shqipëria të mos shembet kurrë. Dhe ky ishte Gjergj Kastrioti, ky ishte vizioni i tij.”

Një skicë e Skënderbeut e krijuar në vitin 1918 dhe ku shquan detaji i pasur, ka qenë varur vazhdimisht në Kishën e Shën Gjergjit, por deri dje autori ishte i panjohur.

Neka Doko, e cila kujdeset për Bibliotekën e Nolit në këtë Katedrale, tregon për Zërin e Amerikës se pas kërkimeve që disa shqiptarë të Bostonit bënë në Tiranë, arritën të gjejnë autorin:

“Ai është Spiridon Tasi Ilo. Është një patriot shumë i njohur i kohës së Nolit, shok i ngushtë edhe me Nolin, me (Kristo) Kirkën. Në këtë skicë ai ka shkruar me shkrim dore ‘Më bëri D. T. Shkëmbgur’. Nga kërkimet doli se ky ishte emri i tij artit.”/KultPlus.com

Kisha shqiptare në Boston përkujton Skënderbeun dhe Nolin

Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston u nderua dje Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me disa kumtesa dhe shfaqje. Në aktivitet u përkujtua edhe 110-vjetori i krijimit të kishës autoqefale shqiptare nga Fan Noli. Kisha vendosi t’i përkujtojë këto dy ngjarje bashkë, duke pasur parasysh kontributin e Fan Nolit në studimin e Skënderbeut, bën të ditur Zëri i Amerikës.

Në simpoziumin që u mbajt në një sallë të thjeshtë në katin e dytë të Katedrales folën disa studiues. Profesor Nikolla Pano thotë se Noli e shkroi fillimisht Historinë e Skënderbeut në vitin 1921 me qëllimin e qartë për të bashkuar shqiptarët dhe për të edukuar tek ata ndjenjën kombëtare.

“Duhet të kujtojmë që viti 1921 ishte koha kur Shqipëria sapo kishte dalë nga Lufta Botërore, trupat e huaja sapo ishin larguar nga tokat shqiptare, pavarësia e Shqipërisë po riafirmohej dhe ndërkohë Shqipëria ishte në një rrëmujë politike në një farë mase. Noli donte që të fuste një ndjenjë të fortë patriotizmi, nacionalizmi dhe krenarie te shqiptarët”.

Grant Harris është drejtor i Sektorit të Evropës në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Atë e habit fakti se me sa entuziazëm u pritën bëmat e Skënderbeut në Evropë dhe botë:

“Kjo filloi natyrisht në Itali në fillim të viteve 1500 me librin e botuar nga Marin Barleti, që krijoi një farë legjende për Skënderbeun edhe pse kishte një bërthamë të vërtetë. Këtu ka rëndësi që Peshkopi Fan Noli tha më vonë se bëmat e mëdha të Skënderbeut, duke i rezistuar fushatave osmane për 25 vjet, ndodhën vërtet dhe ishin diçka e shkëlqyer. Por është e habitshme kur mendon që ka patur aq shumë njerëz që shkruan për Skënderbeun, duke përfshirë poetë dhe të tjerë që kanë lënë dorëshkrime, deri në shekullin e 19.”

Disa pjesëmarrës në simpozium i përkujtuan Skënderbeun dhe Nolin në mënyra të tjera.

Xhevat Limani është themelues i teatrit shqiptar të Amerikës. Prej shumë vitesh roli i Skënderbeut është pasioni i tij i madh. Me zërin e tij buçitës, ai e ka interpretuar heroin kombëtar në skenat e qyteteve nga Evropa në Amerikë.

“Udhëheqësit e sotëm duhet të mësojnë nga Skënderbeu që t’i falin kundërshtarët e tyre politikë dhe kur është fjala për çështjen e Atdheut, ne jemi një komb, kemi një gjuhë, betohemi në një flamur që Shqipëria të mos shembet kurrë. Dhe ky ishte Gjergj Kastrioti, ky ishte vizioni i tij.”

Një skicë e Skënderbeut e krijuar në vitin 1918 dhe ku shquan detaji i pasur, ka qenë varur vazhdimisht në Kishën e Shën Gjergjit, por deri dje autori ishte i panjohur.

Neka Doko, e cila kujdeset për Bibliotekën e Nolit në këtë Katedrale, tregon për Zërin e Amerikës se pas kërkimeve që disa shqiptarë të Bostonit bënë në Tiranë, arritën të gjejnë autorin:

“Ai është Spiridon Tasi Ilo. Është një patriot shumë i njohur i kohës së Nolit, shok i ngushtë edhe me Nolin, me (Kristo) Kirkën. Në këtë skicë ai ka shkruar me shkrim dore ‘Më bëri D. T. Shkëmbgur’. Nga kërkimet doli se ky ishte emri i tij artit”./ KultPlus.com

Në vitin e Gjergj Kastriotit – asnjë film për luftën e Arbrit

Gani Mehmetaj

Filmi “Skënderbeu”, nën regji të ukrainasit Sergei Jutkeviç, bashkëprodhim sovjetik-shqiptar, është filmi i parë dhe i vetëm që i kushtohet heroit tonë Gjergj Kastrioti.

Ishte filmi më i shikuar nga shqiptarët, i vetmi ose ndër të paktët që shfaqej në çdo përvjetor të Pavarësisë e Ditës së Flamurit. Nuk e di të jetë bërë ndonjë përpjekje që të distribuohet në Evropë e në botë, pos në ish-bllokun socialist. Është i vetmi film, bashkëprodhim shqiptar, që u shfaq në Festivalin e Kanës e të Venedikut. Është i vetmi film spektakël i përmasave të Hollivudit me kostumografi, skenografi, mijëra figurantë, me galerinë e personazheve, me aktorët e ekipin e madh të kineastëve. Film të këtyre përmasave kinematografia shqiptare e ka vështirë të bëjë edhe sikur të mblidhen kineastët e Shqipërisë, Dardanisë e Iliridës, ashtu sikurse e ka vështirë të bëjë para për shpenzimet që duhen për një spektakël historik. Por nuk është e pamundur. Me gjithë vërejtjet që mund t’i bëjmë nga këndi i sotëm, “Skënderbeu” është film që ta ka ëndja ta shohësh, është film mobilizues e frymëzues, është film që të ngjallë respekt për veten e për kombin që i takon. Nga atëherë kanë kaluara mbi 65 vjet. “Skënderbeu” mbeti filmi i parë dhe i vetëm për periudhën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Në vitin e Gjergj Kastriotit, që e shpallën të dyja shtetet shqiptare, vitin 2018, nuk u bë asnjë përpjekje për të realizuar një film artistik për luftën e mbretit të shqiptarëve kundër pushtimit osman. Madje, nuk u shtrua as si debat publik. Nuk e di të jetë bërë ndonjë përpjekje nga kinostudioja shqiptare as në kohën e diktaturës, apo nga ndonjë producent shqiptar në kohën e sotme për një projekt kinematografik që do ta rigjallëronte në ekran të madh figurën e këtij heroi. Në kohën e diktaturës më të egër në Evropë, nuk pritej t’i kushtohej ndonjë film tjetër heroit tonë kombëtar, madje as kur u festua me pompozitet 500 vjetori, sepse ishin tepër të zënë me kultin e Enver Hoxhës dhe kultin e “luftës nacionalçlirimtare ” që e vërshuan ekranin e kinemasë e të televizionit, sikur ta kishin bërë namin partizanët me katër- pesë pushkë që i shkrepën në majë të malit. Por është e habitshme dhe e çuditshme që askujt nuk iu kujtua as pas 26 vjetësh të rënies së diktaturës.

Për ta ngushëlluar veten për këtë dështim në nivel të dy shteteve dhe të përmasave kombëtare (themi se jemi shtatë milionë shqiptarë, kur duam të lavdërohemi), sepse mosbërja e filmit për Gjergj Kastriotin është dështim i kombit, edhe pse kishte përpjekje në nivel mediesh e individësh me zemër të mirë që filmi për Gjergj Kastriotin të bëhej në Hollivud, duke imagjinuar që të dilte i përmasave të filmit “Troja”, “Gladiatori”, “Aleksandri i Madh” etj. Por edhe për t’i lëvizur ingranazhet e Hollivudit duhet këllqe. Filmi i Hollivudit nuk e përjashton obligimin tonë. Ku qëndron arsyeja e mosbërjes së spektaklit historik për luftën e shtetit të Arbrit kundër turqve? Janë të pazotët kineastët, skenaristët e producentët t’i qaseshin një teme të tillë? Nuk donin të ballafaqoheshin me kundërshtime? Nuk gjetën atmosferë mbështetjeje e inkurajimi? Apo ishte një qëndrim i heshtur që për shkak të rrethanave politike , të mos acarohej aleati i tyre “strategjik”, sikurse e quajnë analfabetët tanë politikë kreun e shtetit të Turqisë. Mungesa e parave është një nga arsyet, por paraja nuk është e pakapërcyeshme. Cilido producent që do të merrte peshën mbi shpatulla për të bërë filmin për Gjergj Kastriotin, do të kërkonte mbështetjen financiare së pari nga shteti, sepse jo vetëm në Shqipëri e Dardani, po në tërë Evropën është shteti mbështetësi kryesor i kinematografisë kombëtare. Shteti shqiptar duhej ta mbështeste, sidomos në vitin e Gjergj Kastriotit. Mirëpo, shteti nuk e shpalli asnjë konkurs kombëtar, madje nuk u mor fare me këtë punë. Sikur ta kishin kombet tjera një kolos të tillë do t’i bënin dhjetëra filma, ashtu sikurse i kanë bërë për heronjtë e tyre. Ndonjëherë kam përshtypjen sikur nuk e ndiejnë dhe nuk e përjetojnë këtë temë, jemi tëhuajësuar e depersonalizuar në shkallë të tillë, saqë nuk na bëhet vonë për asgjë, as për vepra artistike të kësaj natyre. A kemi ne kronika, romane, drama e tregime për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun? Kemi, megjithëse shqiptarët kanë shkruar më pak se të huajt për heroin tonë. Dihet aq shumë për atë periudhë, e kohëve të fundit janë ndriçuar detaje të panjohura më parë, saqë nuk do të ishte vështirë të bëhet skenari a skenarët origjinalë, ose të adaptuar nga kronika e Marin Barletit, vepra e Naim Frashërit, Fan Nolit, Aurel Plasarit, Kristo Frashërit etj. M’u kujtua romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, i cili me përshtatje, mund të shndërrohet në skenar filmi dhe pastaj në film. Është vizaualisht i kapshëm, filmikisht jo i vështirë për realizim. Pastaj “Skënderbeu” i Sabri Godos është material i mirë letrar

për adaptim. Pra mungesa e romanit, por as e tekstit bazë nuk është arsye. Shkoi edhe viti i Gjergj Kastriotit, ndërsa ne nuk e bëmë asnjë film për luftën e Arbrit kundër pushtuesit, po çka është më e keqja nuk bëmë as përpjekje. Filmat me temë nga e kaluara janë thembra e Akilit për kinematografinë shqiptare, i kanë bërë dhe i bëjnë me pikatore, ndërsa na kanë vërshuar temat e kota, me marrëzira e banalitete./ KultPlus.com

Sulaj: Kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut

Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.

Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.

“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, ka thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës me lojë bindëse udhëtoi në vepra të huaja e vendore

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Arben Llapashtica

Kur harkorët e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës vijnë e zënë vendet e tyre në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ata e gjejnë të gjithë sallën e mbushur me publik. Duartrokitjet e tyre kur përballë u vjen dirigjenti Oscar Rubilar, tregojnë se tashmë janë gati për t’u zhytur në programin e këtij koncerti. Dirigjenti Oscar Rubilar që zhvillimin muzikor e ka marr nga Kili, Zvicra e Mbretëria e Bashkuar, përballë orkestrës kosovare po vinte për herë të parë.

Instrumentistët vendosin harkun e tyre mbi instrumente veç kur dirigjenti Rubilar shtrin duart në një largësi jo fort të afërt me trupin. Rrugëtimi muzikor nis me veprat franceze të kompozitores e pianistes Françoise Chevaux që në Prishtinë kishte ardhur me ftesë të Filharmonisë së Kosovës dhe Ambasadës Franceze në Kosovë.

“Simfonia Indigo Op.2- për orkestër harkore” eci nëpër një ritëm të qetë e depërtues. Vepra e cila erdhi premierë në Prishtinë është luajtur më parë nga orkestra të Frances, Brazilit e Rusisë. Kompozitorja këtë vepër e kishte shkruar në një fshat të quajtur Flandres, menjëherë pas kthimit nga studimet që i kishte përfunduar në New York. Kjo dëshmon se ajo në çdo partiturë ka vendosur emocionet e saj të udhëtimeve e është dhënë fort pas muzikës kamertale.

Kompozitorja e pianistja Françoise Chevaux numëron gati 170 vepra të shkruara të cilat janë interpretuar në Francë, Amerikë e Azi. Mbrëmë në Kosovë si soliste interpretoi veprën e saj “Concerto d’hiver- për piano dhe orkestër”, duke lënë në Prishtinë lojën e saj të fundit si pianiste, pasi që me këtë interpretim përmbylli karrierën e saj pianistike.

Pianistes e kompozitores Chevaux nuk i duhej partitura mbi piano, ajo e zhytur tërësisht në lojën e veprës së saj derdhi mjaft pasion e dëshmoi një teknikë precize e komunikim të saktë me orkestrën. Loja e harkorëve dukej sikur ishte e paraparë të ngjante fluska më të dendura të borës, e duke krijuar një atmosferë dimri, ashtu siç e kishte projektuar vet pianistja e kompozitorja. Kur kjo lojë zhytej me atë në piano krijonte një gërshetim mes atmosferës jashtë dhe brenda shtëpisë gjatë kohës së dimrit, ku ftohtësia e dimrit plotësohej me ngrohtësinë e tingujve nga piano. Gjatë interpretimit të veprës, duart e dirigjentit në jo pak raste, do të ngriheshin për të përqendruar tërë vëmendjen tek loja e pianistes, e cila tha se u ndje shumë e lumtur tek interpretoi për herë të parë para publikut të Prishtinës.

“Kjo orkestër është e mrekullueshme dhe luan në mënyrë të natyrshme. Ishte kënaqësi të luaja me ta sonte, ishte një nga bashkëpunimet më të rralla. Këtu atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe çka më gëzon më së shumti është prania e shumë të rinjve”, u shpreh pianistja franceze Chevaux.

“Poema dramatike “Skënderbeu” e shkruar para 50 vitesh më parë nga Fahri Beqiri, në shënim të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut , mbrëmë erdhi në nderim të figurës së Skënderbeut në 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Nga veprat e kompozitores franceze, kjo vepër solli gjithë orkestrën në skenë, lojë e të cilëve zhytej në doza të dramaticitetit e të dërgonte në një kohë më të largët, ku interaktiviteti i instrumentistëve me instrumentet të dërgonte në një përballje mes dy palëve. Pas interpretimit të veprës, para të pranishmëve doli vet kompozitori Beqiri i cili i veshur kuq dhe zi, përshëndeti të pranishmit me krijimin e simbolit të shqiponjës.

Kompozitori Beqiri tregoi për KultPlus se në vepër luftojnë dy tema ardhja e pushtuesve otoman dhe fuqizimin e Skënderbeut. Ai tha se ndihet i lumtur që ka arritur ta përjetoi interpretimin e veprës edhe pas 50 vitesh në këtë vit jubilar.

“Vepra është shkruar në vitin 1968 mirëpo është ekzekutuar në Beograd dy vite më vonë, e më pastaj në vende të tjera të botës. Këtu përshkruhet ardhja e fuqishme otomane pasi që ka qenë fuqi që e ka shkelur jo vetëm Ballkanin por edhe vende të tjera, mandej përshkruhet dalja e Skënderbeut që si i vogël dhe fuqizohet edhe më shumë”, tha mes të tjerash Beqiri. Krejt në fund Beqiri u shpreh se ndihet i kënaqur me interpretimin e orkestrës dhe sipas tij dirigjenti ka nderuar të gjitha kërkesat që ai para 50 vitesh i kishte vendosur në këtë vepër.

Pjesa e dytë e koncertit vazhdoi edhe me një vepër tjetër nga një instrumentist nga Kosova. Përmes lojës së orkestrës së Filharmonisë së Kosovës erdhi një depërtim i thellë melodish që kompozitori Mendi Mengjiqi e kishte shkrirë në veprën “Dhimbje simfonike”, vepër kjo e cila ka marrë çmimin për “Vepër orkestrale, simfonike dhe koncertale” në konkursin e MKRS-së.

Krejt në fund koncerti, orkestra solli frymën e Brahmsit në interpretimin e veprës “Uvertura Tragjike Op.81”, të cilën kompozitori gjerman e kishte shkruar në verën e vitit 1880.

Profesori Zeqirja Ballata ishte në mesin e shumë të pranishmëve që ndoqën këtë koncert deri në veprën e fundit. Profesori Ballata tha se e cilëson si një mbrëmje interesante te kombinuar me autorë vendor e të huaj.

“Jemi të nderuar që patëm një pianiste modeste por shumë të aftë dhe veprat e të cilës tregonin edhe për traditën e kulturën e lashtë franceze, po ashtu dirigjenti dëshmoi se është një dirigjent me perspektivë. Vepra e Fahri Beqiri është një vepër shumë e popullarizuar dhe e afërt që përputhet me tematikë orientale që shpreh një jetë të vështirë me shumë pasoja për popullin shqiptarë dhe triumfin e pavarësisë”, u shpreh Ballata për KultPlus.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të përmbyllë këtë vit me Koncertin e Vitit të Ri që do të mbahet më 23 dhjetor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Hapet sot ekspozita “Kruja dhe Skënderbeu” në Muzeun Historik Kombëtar

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar, Instituti i Librit dhe Promocionit dhe Bashkia Krujë sot më datë 27 nëntor me fillim nga ora 12:30 hapë ekspozitën “Kruja dhe Skënderbeu”.

Ekspozita mbledh së bashku 50 artistë të njohur, të cilët kanë trajtuar figurën e Skënderbeut në punimet e tyre.

Sot në ora 12:30, në ambientet e Hollit Kryesor në Muzeun Historik Kombëtar./ KultPlus.com

“Skënderbeu” arrin në Bruksel

Shqiptarët e Belgjikës përgatiten për festën e Pavarësisë. “Skënderbeu” ka ardhur në Bruksel mbi kalë dhe me flamurin kuqezi në dorë. Përballë simbolit futurist të Brukselit, Atomiumit, ky hero i rikujton Evropës se shqiptarët kanë mbrojtur vlerat dhe identitetin evropian të bashkuar.

Në këtë mënyrë e presin shqiptarët e Belgjikës këtë vit festën e Pavarësisë, falë grupit dhe shkollës “Vatra” me mbështetjen e deputetit shqiptar të Parlamentit të Brukselit, Ahmet Gjanaj.

“Është një moment i veçantë për komunitetin shqiptar në Belgjikë, por edhe shpresë, pasi siç ka thënë Skënderbeu dhe kjo është edhe moto e Belgjikës: “Bashkimi bën fuqinë”, tha Ahmet Gjanaj, deputet shqiptar i Brukselit.

Kryebashkiaku i Brukselit shpreson që Brukseli të bëhet edhe kryeqyteti i shqiptarëve, kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

“Shpresoj që brenda disa vitesh, shqiptarët do të mund të thonë që Brukseli është edhe kryeqyteti i tyre, pasi atëherë Shqipëria do të jetë bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne duhet të punojmë për këtë”, tha Philippe Close, kryetar i bashkisë së Brukselit, shkruan ata.

Në aktivitet morën pjesë edhe ambasadorja e Shqipërisë pranë BE-së dhe Beneluksit, Suela Janina dhe ai i Kosovës, Bernard Nikaj, së bashku me qindra shqiptarë të Belgjikës./ KultPlus.com

“Dua më shumë Shqipërinë” dhe “Lule borë” nën interpretimin e yjeve shqiptarë (VIDEO)

Mbrëmë në Romë, artistët shqiptarë të njohur në gjithë botën, në një mbrëmje të veçantë u mblodhën për të kujtuar heroin shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje solli Inva Mulën, Dua Lipën, Ermal Metën, Erza Muçollin, Genc Tukicin, Elhaida Danin, Lorik Canën, Olen Cesarin, Eno Peçin dhe Ramë Lahaj, si asnjëherë më parë.

Po sjellim dy video, ku yjet shqiptarë kënduan shqip në Teatrin Argentina, të gjithë së bashku./ KultPlus.com

Shqiptarët magjepsin Romën me interpretimin e tyre në nderim të Skënderbeut

Emrat më të mëdhenj shqiptarë që po bëjnë bujë në botë me zërat e tyre, sot kanë pushtuar teatrin “Argentina” në Itali, atje ku janë mbledhur nën moton “Tok së bashku për Skënderbeun”, shkruan KultPlus.

Inva Mula, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Erza Muqolli, Elhaida Dani dhe Ermal Meta tashmë janë ngjitur në skenën e teatrit “Argentina” në Itali, për të interpretuar këngë të njohura shqipe e në gjuhë të tjera.

Më poshtë mund të ndiqni performancat e tyre në skenë, të cilat janë publikuar nga Lorik Cana.

https://www.instagram.com/stories/lorikcana/?hl=en

Ky koncert mbahet në moton “Të Bashkuar në kujtim të Skënderbeut”./ KultPlus.com

Momente nga jeta dhe betejat e Skënderbeut u shpalosën sonte përmes ekspozitës “Moti i Madh”

Jeta Zymberi

Muzeu i Kosovës mirëpriti sot “Skënderbeun” me gjithë forcën e tij prej një njeriu i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Sonte, madhështia e tij depërton tek secili njeri përmes simboleve të tij, statute, replika, e gravura të autorëve të ndryshëm. Të gjitha këto u shpalosën për publikun në Prishtinë përmes ekspozitës “Moti i Madh” e cila erdhi në kuadër të 550 – vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Vizitorët të cilit nuk ishin në numër të madh sonte, patën rastin të njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar.

Objekti qendror i ekspozitës ishte përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman, e cila pasqyrohej nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me `emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Në ekspozitë ndër të tjera u ekspozuan për publikun edhe dy letra të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat tregonin bashkëpunimin e Skënderbeut me mbretëritë europiane të kohës.

Në hapje të ekspozitës fjalën fillimisht e mori Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vjollca Aliu e cila tha që kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Ajo gjithashtu tregoi që e njëjta ekspozitë është hapur edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Shqipëri.

Për të folur për përmbajtjen e ekspozitës, fjalën e mori drejtori i Muzeut Historik kombëtar, Dorian Koçi. Ai fillimisht tha që është një kënaqësi e veçantë që po hapin në Prishtinë këtë aktivitet të përbashkët.

“Në këtë vit jubile për Heroin tonë Kombëtarë, ne po shpalosim në këtë ekspozitë statute, faksimile, gravula të autorëve të ndryshëm dhe portrete. Skënderbeu përveç që ishte një ushtarak e strateg i zoti, ai ishte edhe një politikan e diplomat i shquar. Ekspozita “Moti i Madh” është një kujtim dhe shenjë e bashkësisë arbëreshe që nëpërmjet letërsisë së shkruar mbajnë të pashuar zjarrin e ditëve të Skënderbeut për të ringjallur ashtu si feniksi në memorien dhe kujtesën kolektive të mbarë shqiptarëve”, tha në hapje të ekspozitës Dorian Koçi.

Pas fjalës hapëse, të gjithë të pranishmit u drejtuan rreth pjesës ekspozuese ku me vëmendje po lexonin e shikonin çdo gjë të shpalosur aty e ku drejtori Dorian Koci po ju përshkruante për secilën pjesët të ekspozuara me radhë.

Ndërsa ish-drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, u shpreh i kënaqur që me këtë ekspozitë po përmbyllet fundi i aktiviteteve të Vitit të Skënderbeut.

“Është kënaqësi për ne që ta përmbyllim këtë fund të aktiviteteve të Vitit të Skënderbeut me këtë ekspozitë në Muzeun Historik të Kosovës e cila do të qëndrojë e hapur për një kohë të gjatë dhe qytetarët do të kenë mundësi ta vizitojnë. Kjo ekspozitë e prezanton në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë figurën e Skënderbeut. Figura e Skënderbeut është shëndrru në një temë dhe motin trajtimi te qindra artistëve të vendeve të ndryshme evropiane, në mediume të ndryshme të artit dhe kjo pjesë e perceptimit të evropianëve për Skënderbeun dhe shqiptarët është me një mënyrë e përfaqësuar në këtë ekspozitë”, u shpreh Boshtrakaj për KultPlus. Ai tutje tha që po shpreson që një pjesë e mirë e shkollave do ta shfrytëzojnë rastin ta shohin këtë ekspozitë dhe të shënohet bashkërisht fundi i vitit të madh të Skënderbeut.

E pranishme në ekspozitë ishte edhe skulptorja Arjeta Miftari të cilën tashmë jemi mësuar ta hasim në secilin aktivitet kulturorë. Ajo foli për KultPlus duke e mirëpritur këtë lloj bashkëpunimi shumë të rëndësishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, por duke shprehur dëshirën që këtë bashkëpunim ta bëjnë edhe me trevat tjera të Kosovës.

“Kosovës ju ka dashtë një ekspozitë e tillë, unë pash shumë gjëra interesantë që më herët nuk kam pasur rast t’i shohë. Kjo ekspozitë sjellë një pjesë të historisë së popullit tonë, dhe nga gjithë këto ekspozime ishin disa monedha që mua më lidhen më shumë personalisht se gjërat e tjera, por në përgjithësi është një ekspozitë që prezanton historinë tonë dhe është mirë ta dijë secili vizitorë që vije këtu”, u shpreh Miftari për KultPlus.

Ekspozita do të jetë e hapur nga sot deri më 6 dhjetor./KultPlus.com

“Moti i madh” dhe Skënderbeu bëjnë bashkë Muzeun e Kosovës dhe Muzeun Historik Kombëtar

Muzeu i Kosovës në bashkëpunimin e radhës me Muzeun Historik Kombëtar hapin ekspozitën me titull “Moti i Madh”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë përmban statute, replike, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Ekspozita hapet më 16 nëntor me fillim nga ora 18:00 në Muzeun e Kosovës ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 6 dhjetor./ KultPlus.com

Politikani francez: Skënderbeu politikani e mbreti i shqiptarëve

Në faqen n°314 të librit me titull “Histoire de la Turquie II – Historia e Turqisë II”, të poetit, romancierit, dramaturgut dhe politikanit të njohur francez, Alphonse De Lamartine, botuar në Paris në 1862, gjejmë një përshkrim të veçantë për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

“Skënderbeu nuk ishte vetëm një konspirator gjakatar, një dezertor i pabesë, një vrasës nokturn; ai ishte gjithashtu një hero dhe një politikan. Ai e pa stuhinë që kishte tërhequr në vendin e tij, dhe u betua ndaj popullit të tij që të shlyejë krimin e tij deri në fund.

Disa mijëra shqiptarë, më të kaliturit, u vendosën prej tij, si më parë grekët në Termopilët (Termophyles), që t’i bllokonin ushtrisë osmane grykën e ngushtë dhe të thellë që ngrihet nga Maqedonia në Epir.

Ai thirri në Krujë pesë motrat e tij, të martuara me krerë të tjerë shqiptarë të krahinave fqinje, vëllezërit, nipat, prindërit e tij, miqtë dhe klientët e shtëpisë së tij, të gjithë krerët e qyteteve, fshatrave, fiseve malësore, të bashkuar nga shpirti i racës dhe britmës së gjakut.

Dymbëdhjetë mijë shqiptarë dhe shqiptare nga të gjitha radhët dhe moshat shkuan me armët në dorë, me fenë ose me lirinë në zemër, në këtë këshill të madh të kombit në Krujë.

Emri i Skënderbeut, rinia, figura, elokuenca, grada e tij në Shqipëri, suksesi i tij në ushtritë turke, ku vetëm ai kishte sekretin për t’i mundur, nga që vetë i pati habitur me guximin e tij, prestigjin e dëbimit, gjakun e vezirit të therur me dorën e tij, kufomat e dhjetë mijë otomanëve të Muratit të II, animuan këtë asamble popullore me një heroizëm, i cili u përcjell të nesërmen nga gratë, pleqtë, fëmijët, deri në shkëmbinjtë më të fundit të Shqipërisë.

Me një zë unanim, motori i kryengritjes u shpall lider. Shqipëria nuk njohu më asnjë princ tjetër kombëtar përveç atij që i solli kombësinë dhe fenë e saj; thesare, armë, krahë, zemra, jetë e vdekje, gjithçka ishte e tij. Skënderbeu u bë në një ditë jo vetëm mbreti, por edhe emri i shqiptarëve”, shkruan Darsiani.com./ KultPlus.com

Ekspozitë për 550 vjetorin e Skënderbeut në Athinë

Ekspozitë, me harta e libra të koleksionistit Jorgo Kolomihalit, të Bibliotekës Genadios ne Athinë dhe koleksioni i Patricia Nooge për Skënderbeun, prezantimi i librit të studiueses greke Makis Paizi Apostolu për Skënderbeun dhe një kumtesë “Skënderbeu dhe Europa” në emër të Muzeut Historik Kombëtar përkujtuan 550 vjetorin e Skënderbeut në Athinë.

Një organizim nën kujdesin e Dr Maria Georgopulos, drejtoreshës së Genadios Library dhe Ambasadores shqiptare në Athinë, Znj Ardiana Hobdari mblodhi njerëz të kulturës për të përkujtuar një prej figurave më të shquara të historisë shqiptare. Dhjetëra vizitorë panë hartat apo librat e koleksionit të Kolomihalit që sillnin një histori tjetër të Skënderbeut. Viti 2018 u shpall nga qeveria shqiptare si “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut” duke kujtuar heroin kombëtar shqiptar në 550 vjetorin e vdekjes së tij.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ka lindur më 6 maj 1405 dhe ka mbyllur sytë më 17 janar 1468. Me emrin tij lidhet një epokë e tërë historike për trevat arbnore. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese mesjetare shqiptare që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër vendosjes së sundimit perandorak osman.

Ai realizoi të parin bashkim politik të princërve shqiptarë të kohës në Kuvendin e Lezhës, në fillimi të marsit 1444, i cili u hapi rrugë përpjekjeve për themelimin e një shteti mesjetar shqiptar. Nga vendet europiane Skënderbeu është konsideruar si mbrojtës i krishterimit. Sipas kryeministrit shqiptar një komision i posaçëm do të ngrihet për organizimin dhe promovimin e këtij viti.

Por veç 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Më 28 nëntor 2017 përkujtohet 105 vjetori i pavarësisë, datë që përkon edhe me 574 vjetorin e hyrjes së Skënderbeut në Krujë. Tjetër datë e rëndësishme është 10 qershori 2018, 140 vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në aktivitetin e organizuar për Skënderbeun në Athinë merrte pjesë dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koci./ KultPlus.com