Gashi: Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës, e luftërave për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve

Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakulteti i Edukimit dhe Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë organizuar manifestimin “Ditët e Skënderbeut”.

Në këtë manifestim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili fillimisht foli rreth historisë dhe studimit të ngjarjeve duke theksuar se “kthimin për studim të ngjarjeve, historive të cilat me shekuj janë prapa nesh, e bëjmë jo për simbolikë por për ta njohur të kaluar”.

“Historia e jonë kombëtare, në djepin e të cilës u lindë krenaria, pavarësia e kombit, në veçanti i njeh katër data fatbardha: vitin 1444 kur Gjergj Kastrioti mblodhi në Lezhë Kuvendin e prijësve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, vitin 1878, katërqind vjet pas , kur në Prizrenin historik, Abdyl Frashëri tuboi krerët e mbarë Shqipërisë, vitin 1912 kur lindi shteti shqiptar, Shqipëria dhe vitin 2008, kur u shpall shteti i pavarur i Republikës së Kosovës”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu shtoi se “historia jonë edhe nga Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës, e luftërave për ruajtjen e identitetit kombëtar, për ruajtjen e territoreve të hapësirës jetike shqiptare, për faktorizimin e elementit shqiptar. Gjithsesi, edhe për faktin se, për ne shqiptarët, historia e qytetërimeve nuk ishte aq e mëshirshme, aq miqësore, ne u detyruam që, rrugën e mbijetesë sonë ta hapim edhe me fuqinë e shpatës dhe të plumbit. Jo se ashtu deshëm, por, ngase sunduesit, veçmas ata sllavë në vend të paqes e të mirë fqinjësisë, na imponuan luftëra. Kështu rrodhi historia e jonë kombëtare, sikur lumi i madh i epokave që rrjedh pa u ndalur, pra, nga Epoka skenderbegiane, deri te Epoka e UÇK-së së lavdishme me kryekomandantin Adem Jasharin”.

Në fund të fjalës së tij ministri Kujtim Gashi foli për rrugët e integrimeve euro-atlantike.

“Ne, pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, jemi përballë thirrjeve të qytetërimeve të reja. Sërish, me emblemën skenderbegiane, po trokasim në portat e Evropës së Bashkuar, në djepin e kulturës, aty ku janë gjurmët, rrënjët tona, qytetërimi dhe historia shqiptare”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq rektori Dema, tha “kemi tentuar që frymën kastriotiane ta rijetojmë duke vendosur interesin e përgjithshëm para interesit personal, ashtu siç ka bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe kur Universiteti i Prishtinës është mirë atëherë edhe Kosova është mirë”./ KultPlus.com

Pulla e parë postare me Skënderbeun u shfaq më 1913

Studiuesi dhe koleksionisti Hysen Dizdari paraqiti përpara publikut në qytetin e Shkodrës librin e tij album ”Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare, 1913- 2017”.

Libri është fryt i një hulumtimi 10 vjeçar nga ana e autorit dhe paraqitet përpara publikut në Vitin Jubilar të Skënderbeut, shpallur nga qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

Studiuesi Dizdari thotë se figura e Heroit Kombëtar zë vend të rëndësishëm në filatelinë shqiptare, duke nisur me pullën e parë që daton nga dhjetori i vitit 1913./ KultPlus.com

Skënderbeu me Donikën parakalojnë edhe në Itali, shkruajnë mediet italiane (FOTO/VIDEO)

Arbëreshët e Italisë janë paraqitur me një parkalim në Cosenzë të Italisë, të cilët, me valle, këngë dhe performanca të ndryshme kanë prezantuar edhe njëherë kulturën e tyre shumë shekullore, shkruan KultPlus.

Dhe duke kujtuar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, ata kanë parakaluar të shoqëruar edhe me Skënderbeun dhe Donikën, të cilët, të njëjtën paraqitje, duke ribërë dasmën e heroit kombëtare, janë paraqitur edhe në Kaninë të Vlorës.

Dhe kjo paraqitje e tyre nuk ka mbetur pa u mbuluar edhe nga mediet italiane, ku Televizioni italian news. 24 ka realizuar një kronikë mbi këtë paraqitje./KultPlus.com


Si e ruajti Gjergj Kastrioti atdhedashurinë?

Nga Gjon KEKA

Është tepër interesante se si prindërit e Gjergj Kastriotit – Gjoni dhe Vojsava e kishin rrënjosur tek fëmijët e tyre atdhedashurinë, mosharresën e vendit ku ata kanë lindur dhe ku kanë paraardhësit e tyre. Kjo bimë e patriotizmit të Kastriotëve që ishte mbjellë në zemrat e brezave rritej vazhdimisht sidomos në zemrën e Gjergj Kastriotit edhe përkundër asaj se ai trupërisht rritej në oborrin e sulltanit pa dëshirën e tij, në brendësinë e tij rritej fara që e kishin mbjellë prindërit e tij.

Kjo u pa posaçërisht me rikthimin e tij në Krujë dhe çlirimin e atdheut të tij nga prangat e pushtuesit turk.

Duhet ditur se kur Gjergj Kastrioti ishte dhënë pa dëshirën e tij si pengë në oborrin e Sulltanit dhe formimi i tij si një Jeniçerë otoman brenda këtij oborri të hekurtë dhe të barbarisë. Siç dihet trupat e quajtuara Jeniçerë (Yeni Çeri) ose trupa të ri të formuara nga Sulltan Orhani i cili rekrutonte sipas nevojës në këto trupa prej moshës tetë vjeçare deri në moshën njezetëvjeçare, më pas nga Sulltanët tjerë pasardhës kryesisht të rekrutuarit ishin femijë të marrur pengë nga fshatrat e të gjitha popujve të Gadishullit Ilirik, por më së shumti brenda këtyre trupave kishte shqiptarë që ishin marrë pengë nga Sulltani. Siç shkruan H.Gstrein në librin e tij , ”Shqipëria”më 1989, këta fëmijë “u morën me forcë nga fshatrat …dhe u mbyllën në kazermë. Ata u rrahën dhe u torturuan derisa ata kishin humbur gjithë kujtesën për prindërit e tyre, të atdheut të tyre, dhe të fesë së tyre. Të gjitha i bënë “skllevër të armëve”, por ata edhe mund të ngjiteshin në zyrat e Sulltanatit ,si dhe të merrnin pozita më të larta.”

Edhe Gjergj Kastrioti ishte rritë në këto Kazerma të Sulltanit, poashtu edhe ndaj tij ishin përdorur të gjitha mjetet për t’ia shlyer nga truri i tij Arbërinë, prindërit, atdhedashurinë dhe farën që i kishin mbjellë Prindërit e tij. Metodat ishin të njëjta për të gjithë nuk kishte dallim edhe pse Gjergj Kastrioti i quajtur më pas Skënder-Bej nga Sulltani sipas Pozitës, por është e qartë se metodat e dhunës në këto kazerma i kishte përjetuar edhe ai në trupin dhe psikikën e tij,në shpirtin e tij.Mirëpo edhe përkundër gjithë kësaj makinerie të egër brenda Kazermës së Sulltanit ku dhunoheshin dhe i bëhej shlyerja e kombit të tyre, identitetit dhe fesë së tyre nga truri dhe zemra ,atij nuk kishte arritë kjo makineri e egër t’ia shlynte nga truri atëdhedashurinë, paraardhësit ,rrënjët e atdheut të tij – fjalët që Prindërit kishin mbjellë në mendjen dhe zemrën e tij. Nga kjo mund të thuhet se Gjergj Kastrioti është rast i vetëm në grushtinë e trupave të Jeniçerëve që nuk arritën t’ia shlyejnë nga truri dhe të ja nxjerrin nga zemra dashurinë për atdheun, identitetin, besimin, vlerat dhe kulturën arbnore si dhe paraardhësit e tij të lashtë. Prandaj Gjergj Kastrioti është shembull se si qielli dhe toka arbnore arriti ta ruaj për vete këtë hyjnor për t’ia këputur zingjirët atdheut të tij dhe për ta bërë atë kryeqendra mbrojtëse europiane ose pika strategjike e kontinentit Europian,sepse për aq kohës sa jetoi e mbrojti tërë Kontinentin e familjes Europiane dhe civilizimin e saj.

Një angleze e mahnitur nga Skënderbeu

Muzeu Historik Kombëtar çel ditën e martë, datë 08 maj ora 11:30, ekspozitën “Jehona përmes shekujve-Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me koleksionin e Patricia Nugee, i cili përbëhet nga 37 libra unikë.

Kjo ekspozitë, mbi figurën e Heroit Kombëtar, i cili ka tërhequr vëmendjen e historianëve, por edhe të shkrimtarëve evropianë përgjatë shekujve, çelet në kuadër të “Javës së Europës” dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave të ndryshme historike dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë përqasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.

Disa vite më parë anglezja Patricia Nugee ka prezantuar në Qendrën Kulturore të ushtrisë këtë koleksion të rrallë me vepra mbi Skënderbeun. Në koleksion janë botime të rralla nga autorë si Lavardin,Jean de Bussieres, Plutarku, Frank Bardhi e Marin Barleti. Nisur nga pasioni I saj mbi historinë Patricia prej vitesh nisi një hulumtim mbi jetën e Skënderbeut, për të blerë më pas çdo libër që fliste mbi jetën e tij. Sot ky koleksion I cili vlen shumë, është një pasuri që e sjell jetën e heroit tonë përmes rrëfimeve tepër interesante. Nugee njihet botërisht dhe është vlerësuar edhe me mirënjohje nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për pasionin e rrallë dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar heroit tonë kombëtar të shkruar në rrjedhën e shekujve, shkruan GSH.

Sot keni një koleksion të madh librash mbi Skënderbeun. Si u njohët fillimisht me të?

Ka ndodhur shumë vite më parë. Unë punoja në një librari të madhe në Londër, ku kishte libra antikuarë nga e gjithë bota. Një ditë erdhi një klient dhe më pyeti nëse kishim libra mbi Skënderbeun. Unë i thashë që nuk kishim. U bëra kurioze të dija kush është Skënderbeu dhe fillova kërkimet mbi të. Kur mësova se cila ishte figura e Skënderbeut, m’u duk mjaft interesante dhe s’u ndava kurrë më prej tij. Përveçse interesant, ai më shfaqej gjithnjë dhe më i rëndësishëm. Kështu unë bleva librin e parë për të. Libri i takonte vitit 1595. E më pas dalëngadalë, unë bleva libra të tjerë sa herë gjeja botime për të.

Kushtonin shumë librat?

Jo. Kur unë fillova të blija, ishin çmime të përballueshme. Më saktë deri në vitet 1980-1990 ata kushtonin pak, ndërsa pas këtyre viteve kushtojnë një ‘djall e gjysmë’. Edhe me çmime të larta kam blerë dy syresh. Përpiqem të mos humbas ankandet ku di që mund të ketë libra për të, por njëherë edhe e kam humbur.

Prej sa vitesh i koleksiononi këta libra?

Ka më shumë se 30 vite, më shumë se kaq. Janë libra që nuk gjenden shumë lehtë. Kur kam blerë librin e parë ka qenë shumë emocionuese. Kur merresh me koleksionim, duhet të kesh kujdes sepse ndonjëherë nuk janë vërtet libra të vjetër.

Sa libra keni ju për heroin shqiptar?

Libra që janë shkruar përpara vitit 1800, kam rreth 36. Këtu kam sjellë një pjesë të koleksionit tim. Janë libra të shkruar në gjuhë të ndryshme për Skënderbeun dhe nga autorë të ndryshëm. Secili prej autorëve jep dimensionet e tij të mëdha dhe përcjell historinë e luftës së tij. Emrat e autorëve që unë sjell janë Marin Barleti, që ka edhe veprën më të vjetër, 1510; Frang Bardhin origjinal me “Fjalorin” e vitit 1635; Jean Nicolas Duponcet “Historia e Skënderbeut, mbret i Shqipërisë” 1709; Giovanni Maria Biemi me “Historia e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe” 1742; “Ritrati et logi di capitani illustri”, Giulio Rosio 1646; “Scanderbeg: or love and liberty” i Thomas Ëhincap 1747; Jean de Bussieres me “Scanderbeg, poem” 1656-1658; një vepër nga Andrea Gambini 1652; por kam edhe një libër të Plutarkut, ku mes 20 personalitetesh të grekëve e romakëve ndër të tjera vë edhe jetëshkrimin e Skënderbeut. Ky i takon vitit 1657.

Cilët janë më të vjetrit?

Libri më i vjetër është ai i Marin Barletit, “Scanderbeg. Historia de vita et gestis”, i vitit 1510.

Keni lexuar ndonjë prej tyre?

Jo, janë latinisht dhe unë nuk di latinisht. Unë mundem të lexoj frëngjisht, italisht, spanjisht, por vetëm kaq.

Çfarë dini për Skënderbeun?

Jo edhe aq shumë. Unë nuk jam historiane apo studiuese, jam thjesht koleksioniste. Di që ka qenë një prijës mjaft i rëndësishëm dhe i vetmi që ka mundur të sprapsë turqit. Ai vdiq shumë i ri. Mbase ai do të kishte ndryshuar të gjithë Europën dhe pse jo, do t’i kishte mundur turqit sërish. Ata ishin në Shqipëri për 500 vite dhe nuk e lejuan vendin të zhvillohej. Jo vetëm që ju vranë, por dhe nuk u kujdesën për vendin, ndërtuan vetëm disa ura apo disa xhami. Kaq! Nuk lejuan shkollat, nuk lejuan as gjuhën.

Ju keni ardhur disa herë në Shqipëri…

Po kam ardhur disa herë. Kur vij, qëndroj në shtëpinë e Ilir Kadisë, të cilin e njoh prej kohësh dhe kam një raport të mirë me të gjithë familjen e tij.

E njihni historinë e Shqipërisë ndopak?

Di disa gjëra, por edhe po mësoj çdo ditë ndonjë gjë të re.

A ka ardhur ndokush t’ju kërkojë ta blejë koleksionin tuaj?

Po, kanë ardhur. Por unë nuk i shes. Ato janë koleksioni im dhe nuk ia jap asnjërit. Një ditë ai do të kthehet në Tiranë, kur unë të mos jem më.

Ju kanë ofruar para?

Po, shumë para, por unë ndërroj mendje.

Ju njihni shumë shqiptarë, studiues e shkrimtarë. Kanë ndikuar ata në marrëdhëniet tuaja me vendin tonë?

Mbase po. Kam takuar njëherë Moikom Zeqon dhe i ka pëlqyer shumë koleksioni im. Këtë koleksion e kam dërguar në shumë ekspozita, si në Universitetin e Kembrixhit, në BBC Londër, në Shkup, Prishtinë, Ulqin, Kalabri etj.

Keni menduar të shkruani kujtimet tuaja, mbase edhe të flisni për këtë pasion tuajin?

Jo, nuk dua t’i shkruaj kujtimet. Shumë vetë e bëjnë këtë, por mua nuk më pëlqen. Ka qenë një ndër gjërat më të bukura që kam bërë në jetë, koleksionimi i këtyre librave. E them këtë sepse kam takuar njerëz të mrekullueshëm dhe kam mësuar gjëra shumë interesante. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Unë vij edhe për pushime këtu, e jo vetëm kur kam aktivitete. Kam takuar edhe kryeministrin Berisha dhe i kam folur si burri-burrit (qesh). Ai kishte një sens të madh humori. Mua më pëlqejnë shumë ushqimet shqiptare.

E keni vizituar Kalanë e Krujës?

Po, kam qenë atje dhe më ka pëlqyer shumë, ashtu si edhe Pazari i Krujës. Kishte objekte tradicionale shumë të bukura dhe kam blerë disa gjëra.

Si koleksioniste që interesoheni për Skënderbeun, si i shihni studimet e viteve të fundit, që në një farë mënyre hedhin baltë mbi të?

Ju e keni fjalën për librin e Oliver Shmit. Epo, kam marrë vesh se ka qenë hapur një debat i madh për librin e tij. Mendoj se s’ka thënë asgjë me mend. Jam e lumtur që jam këtu dhe falënderoj Arben Imamin që e bëri të mundur çeljen e kësaj ekspozite me rastin përvjetorit të Kuvendit të Lezhës./ KultPlus.com

613 vite që nga lindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit. Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë.

Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane. Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën. Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit.

Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdiq më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare. Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë./ KultPlus.com

Arbëreshët, promovuesit më të mirë të Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot rolin e arbëreshëve si promovuesit më të mirë të bukurive natyrore dhe të atraksioneve turistike të Shqipërisë.

Meta ishte sot i pranishëm në veprimtarinë e zhvilluar në Muzeun e Krujës nga Shoqata arbëreshe nga Kalabria “Magna Grecia Off-Road”, që përkujton rrugëtimin historik të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu nëpërmjet rikthimit nga Stambolli në kryeqendrën arbërore.

Kontributi i arbëreshëve, sipas Metës, është shumë i rëndësishëm edhe për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve Presidenti Meta theksoi se kemi një trinom të pandashëm: Skënderbe – Arbëreshë – dhe Shqipëri.

“Pa Skënderbeun nuk do të kishim pasur arbëreshë. Pa arbëreshët figurën e Skënderbeut mund ta kishim humbur, ose të na e kishin marrë të tjerët. Dhe jo vetëm kaq, por përmes arbëreshëve, figura e Skënderbeut u rikthye në këto troje për të frymëzuar Rilindjen Kombëtare, e cila solli edhe Pavarësinë e Shqipërisë. Por siç e kemi vënë re ka sjellë edhe Pavarësinë e Kosovës e shumë zhvillime të tjera të mbara për kombin tonë”, tha Meta.

Ne u jemi mirënjohës përjetësisht arbëreshëve, tha Presidenti, duke shtuar se ata në shekuj kanë ruajtur gjuhën, traditat, kulturën, ritet fetare, dashurinë për vendin e të parëve, dashurinë dhe adhurimin për figurën e Skënderbeut. Kontributi i tyre, sipas Presidentit, është i jashtëzakonshëm jo vetëm gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe në të gjitha momentet e tjera.

“Ky është Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut. Pra është një vit që ne besojmë se do të sjellë edhe negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Dhe këto nuk janë krejt të rastësishme, për arsye se identitetin tonë evropian në radhë të parë e ka vendosur dhe e ka përcaktuar Skënderbeu me historinë e tij të lavdishme, e cila na bën edhe sot krenarë”, shtoi ai.

Veprimtaria e emërtuar “Arbëreshët vijnë në ‘Rrugët e Skënderbeut” nisi me shfaqjen e filmit dokumentar “Arbëria e Kalabrisë”, ndërsa të pranishëm ishin edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Kalabri, Aldo Marino, nënkryetari i Bashkisë së Krujës Ilir Loci, Giussepe Russo presidenti i shoqatës arbëreshe “Magna Grecia Off-Road”, ish-deputeti, Namik Dokle dhe Irena Toçi drejtore e Institutit të Librit dhe Promocionit./ ATA/ KultPlus.com

Për 50 vjet nuk ka asnjë zbulim arkeologjik për Skënderbeun

Në Gur të Bardhë, në një fshat të vogël që shtrihet në Luginën e Matit, gjendet Kalaja e Petralbës, që ka qenë edhe rezidenca e Skënderbeut.

Për Vitin e Skënderbeut, në 550-vjetorin e tij, një grup arkeologësh kishin një projekt në dorë të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Ndërsa manifestimet me librat, kumtesat e ekspozitat në Tiranë për të risjellë në kujtesë historinë e Skënderbeut, shkruan Dhurata Hamzai në Shqiptarja.com, vijonin plot zell, ëndrra e arkeologut të njohur Skënder Muçaj dhe kolegëve të tij ishte të zbulonin edhe objektet arkeologjike, të cilat do të ndihmonin të plotësonin disa pika të ndërprera në historinë Skënderbejane, dhe epokës ku Skënderbeu jetoi e zhvilloi veprimtarinë e tij, jo vetëm politike, por edhe jetën sociale e kulturore, që lidhej me vendbanimet e tij, me udhëtimet, miqësitë, diplomacinë dhe lidhjet fisnore me familjet e tjera arbërore.

Ka qindra pika të pandriçuara, sipas arkeologut Skënder Muçaj, dhe projekti i kërkimit do të niste nga gjërat më thjeshta, rezidenca e Petralbës, e ruajtur mirë, ku arkeologët shpresonin që me çeljen e gërmimeve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit të dilnin në dritë objekte arkeologjike me rëndësi dokumentare.

Por pse u anashkalua dhe u la në mes projekti i kërkimeve për Skënderbeun. Cilët faktorë, përveç burokracisë akademike, mund ta bëjnë të pranueshme këtë heshtje 50-vjeçare në kërkimet arkeologjike për Skënderbeun dhe epokën e tij, për Heroin e madh Kombëtar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjithë Europën?!

Skënder Muçaj ka vetëm pak kohë që ka dalë në pension, por nuk e konsideron kërkimin si një mision që duhet lënë në mes të rrugës. Në intervistën e tij për “Shqiptarja.com”, arkeologu Skënder Muçaj rrëfen edhe pritshmëritë që kishin arkeologët, nëse bëheshin gërmimet në rezidencën e Skënderbeut dhe trojet ku kanë banuar Kastriotët. Muçaj gjatë kësaj interviste rrëfen edhe sesi po degradojnë kërkimet arkeologjike vitet e fundit në vendin tonë.

-Zoti Muçaj, këto ditë ju keni qenë në Gur të Bardhë për disa kërkime arkeologjike, cili ka qenë synimi konkret i vajtjes suaj atje?

Muçaj: Ky është viti i Skënderbeut, me gjithë punët e bëra, promovimet për këtë vit në fushën e trashëgimisë materiale që është pjesë e arkeologjisë, pjesë e monumenteve, mendoj kërkimi arkeologjik nuk ka ecur paralelisht me fushat e tjera, siç ishte ekspozita në Pallatin e Kongreseve, promovimet e librave e kështu me radhë. Dhe për fat të keq që nga viti 1967, kur ishte 500-vjetori e deri më sot për periudhën e Skënderbeut ose para Skënderbeut që lidhet me familjet fisnike shqiptare, nga të cilat doli dhe Skënderbeu, nuk janë bërë kërkime arkeologjike. Skënderbeu nuk ishte i rënë nga qielli, por ishte rezultat i zhvillimit të natyrshëm të shoqërisë arbërore ose shqiptare që themi ne sot. Pra, nuk erdhi nga oborret perandorake, por origjina e tij lidhet me historitë e principatës së Arbrit, principata e Arbrit është e studiuar nga ana arkeologjike, ne dimë emrat e principatave, por nga ana arkeologjike nuk janë studiuar, ku kanë banuar, çfarë kanë pasur në zotërim, qoftë kjo edhe një kështjellë. Periudha mesjetare, koha kur u formua dhe u rrit fisnikëria arbërore, është studiuar deri më sot mbështetur kryesisht në burimet e shkruara dhe shumë pak në kulturën materiale. Edhe në ato pak raste kur janë marrë dëshmi nga burimet epigrafike studiuesit janë munduar të identifikojnë vetëm dhuruesit e këtyre veprave të realizuara kryesisht në godinat kishtare. Megjithëse me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut u ndërmorën disa gërmime arkeologjike në disa prej qendrave të përmendur nga autorët e kohës, këto nuk u vazhduan më tej në periudhën e mëvonshme. Dhe sot pas 50 vjetëve jemi të detyruar të mbështetemi vetëm në pak kërkime sipërfaqësore në zonën ku Skënderbeu u mbështet jo vetëm në burimet njerëzore por edhe ato ekonomike për të vazhduar rezistencën 25 vjeçare. Megjithatë të dhënat e vjela janë premtuese për të parashtruar në vija themelore situatën në të cilën po kalonte popullsia arbërore në këtë periudhë të rëndësishëm për formësimin dhe kompaktësimin jo vetëm kulturor por edhe ekonomikë e politikë. Kemi familjet Skuraj, Muzakaj në Kostur e kështu me radhë, por këto të dhëna janë shumë të pakta dhe në përgjithësi lidhen me mbishkrimet. Janë të dhëna që na kanë ardhur përmes kërkimeve në manastiret e kishat. Ne vetëm në një kishë që kemi gërmuar, në Brar, dhe atë pjesërisht dhe në kishën e Sevastit e vitit 1201 na kanë dhënë rezultate dhe zgjuan nevojën e një kërkimi të mëtejshëm. Ne njohim pak nga historitë e princërve arbërorë përmes arkeologjisë, siç është Shën Gjoni i Elbasanit, Skuraj e Muzakaj që janë në Kostur. Pra, pas konferencës që u bë për 550-vjetorin e Skënderbeut, në fushën e arkeologjisë, kjo periudhë u la në heshtje. Ne shpresuam të bëheshin kërkime në atë zonë ku ishte principata e Arbrit, dhe kjo u la në heshtje. Pra, ne kemi bërë vetëm disa kërkime sipërfaqësore, sepse dihet që mungojnë gërmimet e shekullit të 14-15-16-të për ta njohur më mirë këtë periudhë, janë riparuar në periudha të ndryshme, janë ndërtuar mbi muret e periudhave të mëparshme.

-Ku e filluat kërkimin?

Muçaj: Kërkimet tona të para japin pak elmentë për ta bërë të plotë këtë periudhë të shekullit ‘15-‘16. Kemi nisur tek kalaja në Gurin e Bardhë ose Petralba, është një kala e vogël, ruhet mirë. Nëse bashkia e Klosit do të bëjë një rrugë për ta çuar në kështjellë, do të mund të vizitohet nga turistët. Por për fat të keq procesi i gërmimit u ndërpre, sepse Instituti Arkeologjik nuk e dha lejen për gërmimet. Gërmimet aty janë me shumë interes. Nëse familja Kastrioti kalonte jetën gjatë verës atje, vetëm sikur të gjenin pajisjet e kuzhinës e objektet e tjera të jetesës, do të na tregonin nivelin e kësaj shoqërie në shekullin e 15-të. Kalaja e Petralbës është një kala e vogël, ruhet mirë. E rëndësishme është të zbulosh se çfarë objektesh, janë përdorur në periudhën e Skënderbeut, çfarë tregojnë ato dhe çfarë gjurmësh të kohës gjen atje. Më e lehta për të parë e gërmuar objektet e asaj periudhe është kalaja e Petrelës, por duhen parë edhe kalatë e tjera të asaj periudhe që i kemi jashtë territorit të Shqipërisë. Megjithëse është shumë i nevojshëm kërkimi i objekteve të epokës së Skënderbeut, Instituti i Arkeologjisë nuk pati asnjë projekt, asnjë gërmim. Janë vetëm projekte të gërmimeve të zakonshme. Ne menduan se në Gur të Bardhë duhej të bëhej patjetër gërmimi, sepse atje rri nën tokë një material i plotë arkeologjik.

-Ka gjurmë të vetë Skënderbeut?

Muçaj: Ka gjurmë të periudhës që ka jetuar Skënderbeu, në Petarlaba ruhet shumë mirë edhe rezidenca feudale, ruhen gjurmët e mureve, dhe selia rezidencës feudale. Ajo shfaqet si rezidencë e plotë, e qartë edhe për nga teknikat, një pjesë e murit rrethues është bërë si muri i rezidencës, por një pjesë është vetëm një mur rrethues, dhe nëse studiohej njëra, na jepet elementi për të parë në një vështrim më të gjerë shekujt e 14-15-të, siç dihet përzierja me anzhuinët e fisnikëve shqiptarë. Por më me interes është periudha e Skënderbeut, sepse ka disa ndërprerje në njohuritë studimore, dhe në plotësimin e tyre dilet përmes gjurmëve e gërmimeve, për të parë se si është zgjeruar familja e Kastriotëve që shkoi nga Shkupi deri në Adriatik. Skënderbeu nuk erdhi në trojet e të tjerëve. Ai u vendos në Krujë se ishin territoret e Kastriotëve. Familja e Kastriotëve ishte e zgjeruar që herët. Kjo punë kërkimore është e vështirë për t’u bërë nëpërmjet institucioneve akademike të cilat paguhen nga shteti, dhe një pjesë e tyre duhet t’u kalojnë bashkive t’i administronin që të kujdeseshin, t’i pastronin dhe t’i menaxhonin duke ia kaluar edhe turizmit.

-Ju mendoni se po të gërmohet sadopak, do të gjenden me siguri objekte atje?

Muçaj: Patjetër që ka objekte. Po të ishin kryer gërmime do të ishin gjetur, dhe gjetjet do të na jepnin elementë të tjerë për të studiuar në pikëpamje më të gjerë ndërtimet e bëra në shekullin e 12-të, 13-të, deri në shekullin e 15-të. Kështjellat e këtij territori pasqyrojnë në një masë të kënaqshme dhe vetë evolucionin e fisnikërisë së Arbërit, rritjen e shkallës së autonomisë, tkurrjen apo zgjerimin e territoreve duke kaluar në radhë nga princat e Principatës së Arbrit dhe deri tek Skënderbeu. Çdo periudhë e zhvillimit të fisnikërisë arbërore gjen më së miri pasqyrim në kështjellat që ne kemi marrë në shqyrtim në malësinë e Tiranës, Krujës, Matit dhe Dibrës së Poshtme. Por me interes parësor është familja e Skënderbeut, sepse na del në një periudhë të mëhershme se Skënderbeu ka paraardhës Pal Kastriotin, por pas tij ka një ndërprerje të informacionit. Duke gërmuar ne mendojmë të shkojmë më thellë dhe të mbushim këtë hapësirë të ndërprerë. Me zbulimet mund të hidhet dritë sesi familja Kastrioti në territoret e Matit e Mirditës ishte zgjeruar që më herët.

-Ndërsa u dha leja gjatë Vitit të Skënderbeut për botimet, aktivitetet, ekspozitat, çfarë i pengon institucionet që të përkrahin nismat për zbulimet arkeologjike me kaq vlerë siç i paraqitët ju?

Muçaj: Instituti Arkeologjik nuk merr në shqyrtim projektet që nuk vijnë nga brenda Institutit. Gërmimet nga persona jashtë Institutit nuk mund të realizohen, me gjithë përpjekjet që kam bërë unë. Neve na ndihmoi për projektin edhe Bashkia e Klosit, me qëllim që ta bënim gërmimin për vitin e Skënderbeut, dhe për shkak të mosdhënies së lejes nga Instituti projekti nuk do të realizohet. Por nuk e kuptoj sesi Instituti mund të ndërmarrë gërmime vetëm brenda institucionit, kur nuk ka as personelin e nevojshëm. Ka studentë në arkeologji që kanë ngelur jashtë fushave. Kështu është bërë sot Shqipëri që institucionet e kulturës punësojnë persona jo të fushës, dhe lënë pa punë këta që kanë ecur me profesionalizëm. Sot Instituti i Arkeologjisë ka vetëm një arkeolog që ndihmon në gërmime, dhe ky nuk është me kohë të plotë aty. Dhe Petrela ku është gërmuar, nuk është bërë në mënyrë shkencore nga specialistët, kemi monumente të gërmuara, por të pastudiuara, sepse gërmimet nuk janë bërë nga punonjësit e arkeologjisë, por nga të rretheve, e me radhë, që nuk janë specialistë të kësaj fushe. Pra vetë mënyra si funksionon Instituti bëhet pengesë për gërmimet.

-Si nisi kjo iniciativë?

Muçaj: Fokusimi për gërmimet në rezidencën e Petralbës, vitin e kaluar u bë nëpërmjet një projekti nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit, agjencia 2 në Tiranë që e nisi mbarë këtë punë. Projektin për kërkimet në rezidencën e Petralbës e miratoi Këshilli Kombëtar i Territorit, por vijimi me gërmimet ngeli pa u realizuar për mosdhënien e lejes. Nëse do të bëheshin këto gërmime, zbulimet do të ishin një vlerë e shtuar për historinë e Shqipërisë. Ne duhet të presim nga arkeologjia për të na dhënë edhe sistemin ekonomik, historinë e shoqërisë, ekonominë jetesën, sepse historinë e Mesjetës e kemi parë vetëm si histori politike, u vra ky, u pre ai. Dokumentet nuk shterojnë akoma, por është mirë që burimet e shkruara të kompletohen me elementë nga trashëgimia materiale dhe këtë duhet ta bëjë arkeologjia. Por kontributi i shkollave të larta në shkencën e arkeologjisë është inegzistent. Kështu që ka ngelur një grup i vogël studiuesish në qendrën albanologjike dhe ky grup është i tkurrur, sepse marrëdhëniet kanë ardhur duke u ndërprerë me komunitetin shkencor që është në bazë, dhe që mund të ndihmojnë edhe në gërmime.

Vlerat historike e arkeologjike të Pretarlbës në Gur të Bardhë

Në Gur të Bardhë ndodhet kalaja e Petrlabës. Ajo gjendet poshtë në pjesën e poshtme të fshatit, përmbi fshatin Fshat. Është e ngritur në një kreshtë malore 778 m dhe nuk ndodhet larg nga Kalaja e Xibrit.

Sipas supozimeve të ndryshme dhe gojëdhënave, mendohet se kjo kala është ndërtuar pas shembjes (rrënimit) së asaj të Xibrit. Të dyja këto kala ndodheshin në rrëzë rrugës kryesore Dibër – Qafë Murrize -Durrës.

Marin Barleti për këtë kala ka shkruar: “Ky është një qytet i vogël në Mat, i ndërtuar në majë të një mali dhe që s’i trembet asnjë fuqie armike, përveç urisë”.

Kjo kala sëbashku me Kalanë e Skënderbeut (e quajtur ndryshe Kalaja e Stelushit) në Varosh, kanë qenë dy qytetet kryesore të Gjon Kastriotit, të të atit të Skënderbeut. Kalaja e Gurit Bardhë (Petralba), paraqiste një interes tepër të madh në kohën e principatës së Kastriotëve dhe për nga interesi vinte e dyta pas asaj të Stelushit. Në këtë qytezë mbante familjen Gjon Kastrioti dhe këtu ka lindur edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Sërish sipas Barletit : “Në këtë kala, kalonte verën dhe vjeshtën e shoqja e Skënderbeut”. Flitet se në fundin e shekullit të XV dhe në fillimin e shekullit të XVI, Guri Bardhë për numrin e shtëpive të banimit, renditej pas Shkodrës, e cila kishte 282 shtëpi. Prizreni kishte 557, Gjirokastra 302 dhe Kruja 128 shtëpi, ndërsa qytete më të zhvilluara, si Elbasani dhe Berati, nuk i kalonin 100 shtëpi.

Guri i Bardhë më së shumti u bë i njohur nga fundi i shekullit të XVI me shkrimtarin e madh të asaj kohe, Pjetër Budi, i cili lindi në vitin 1566, në këtë fshat. Mësimet e para i mori në fshatin ku lindi dhe mendohet se në Gur të Bardhë, qëndroi deri në moshën 21-vjeçare. Më pas bëhet prift dhe në vitin 1587 emërohet famullitar në Kosovë. Më vonë shërben për rreth 17 vite me radhë si zëvendës i përgjithshëm për dioqezat katolike të Serbisë. Në vitin 1604 kthehet përsëri në Shqipëri, ku emërohet si peshkop i Sapës dhe i Sardës. Ndërsa fundi i jetës së tij qe tragjik, pasi e mbytën pabesisht në lumi./ KultPlus.com

Dokument me vlerë mbi mbretërimin e Kastriotëve dhe rolin e tyre

Nga Gjon Keka

Ne jemi mësuar deri më tani të dëgjojmë dhe lexojmë se fisi i Kastriotit ishte zotërues më me ndikim në Shqipëri, madje roli i tyre në histori e posaçërisht në periudhën e Mesjetës ishte prijëtar dhe i rëndësishëm për proceset drejt lirisë, zhvillimit dhe rindërtimit të institucioneve shtetërore të Arbërisë.

Duke ditur se ata patën një ndikim të madh në historinë e Arbërisë dhe Evropës edhe mbretërimi i tyre ishte shtrirë sipas vijave të natyrshme të zotërimit të tyre,por edhe të rolit si prijës si në rastin e kohës së Gjergj Kastriotit dhe Kuvendit të Lezhës të Marsit të vitit 1444.

Por nga kjo kronik historike e vitit 1664 (The history of Hungaria and Transylvania…J.H.M,1664),nga ky dokument mësojmë se Gjon Kastrioti i ati i Gjergj Kastriotit del të jetë jo vetëm Mbret i Epirit respektivisht Shqipërisë, por edhe i Triballit.

Kur jemi tek Triballët fis ky arbnor i rëndësishëm prej nga edhe vinte e ëma e Gjergj Kastriotit atëherë ky dokument vetëm sa e plotëson atë që është thënë vazhdimisht dhe dëshmuar se nëna e Gjergj Kastriotit Vojsava Triballi e Pologut ishte arbënore.

Prandaj me anë të kësaj bien poshtë shtrembërimet dhe devijimet se Kastriotët zotëronin një pjesë të vogël të Epirit, ata sipas kësaj ishin zotëruesit më të urtë të këtij vendi dhe me qeverisjen e tyre kishin mbështjell rreth vetes edhe fiset tjera arbënore duke e forcuar kështu rolin e tyre politik,ekonomik dhe social.

Koha e ka treguar se ky fis ka qenë i bekuar që nga rrënjët,madje ka autor evropian që fisin e Kastriotëve e nxjerrin nga rrënja e mbretit Pirro .Megjithëkëtë fisi i Kastriotëve janë dhe do të mbeten zemra e historisë së kombit tonë arbënor evropian./ KultPlus.com

Si iu dhurua Skënderbeut spitali më i madh në Italinë e Jugut

Emrin e San Giovanni Rotondo-s e të mrekullive, që bënte e bën në këtë vend të bekuar një frat me varret e gozhdave të Krishtit në duar, shqiptarët nisën ta dëgjojnë vetëm pasi u shemb tirania. E në vendin e tiranëve, u rikthyen shenjtorët.

E madje nisën të dëgjohen edhe emra të rinj, si ai i Atë Piut të Pietrelçinës, e ndokush nisi edhe të mjekohej në njërën nga mrekullitë më të mëdha të këtij frati këmbëzbathur. Në spitalin tashmë të njohur botërisht të lehtësimit të dhimbjes.

Por askujt nuk i shkoi as nëpër mend se San Giovanni Rotondi ishte pronë e shqiptarëve… Në kohë të largëta, kuptohet, kohë heroike, që pak kanë të bëjnë me kohët tona… Duhet të rikthehemi 550 vjet pas, për të kuptuar si e qysh San Giovanni Rotondo kaloi në duar shqiptare. Duhet të arrijmë në Mbretërinë e Napolit, në verën e vitit 1461, kur Skënderbeu u nis, në krye të ekspeditës shqiptare, për të ndihmuar të birin e mikut të tij, Alfonsit të Napolit, në një çast tejet të vështirë, kur po humbiste fronin. Gjergji, sapo arriti, u vërsul vrullshëm mbi kundërshtarët e princit napoletan dhe bëri kërdi mbi ta.

Shpejtësia e rrufeshme e manovrimit dhe dora e sigurt në drejtimin e sulmeve, bëri që të fitonte admirimin dhe mahnitjen e të gjithë atyre, që qenë të pranishëm në betejë.

“Emri dhe lajmi i ardhjes së Skënderbeut – shkruan një historian i asaj kohe – jo vetëm që i shkatërroi të gjitha planet e armiqve, por e mbushi Italinë me famën dhe ngadhënjimin e tij”. Atëherë bota e asaj kohe e njohu konkretisht! E më mirë nga të gjithë, Ferdinandi i Napolit, që e quajti atë dhe i dhuroi, si pronë të përhershme, Tranin dhe San Giovanni Rotondon, në Italinë e Jugut.

Sot, kur pronat në Shqipëri janë mollë sherri, ndokush mund të pyesë, jo fare pa interes:

“U mor vesht si e fituam, po për ta humbur, si e humbëm?”. E humbëm njëherësh me trojet tona, kur u pushtuan. E humbëm dhe e harruam. Po në kujtesën e historisë, që nuk harron kurrë, mbeti pronë e ca viseve, të cilat nuk kishin më prona.
E atëherë mbi gjurmët e potkonjve të kalit të Skënderbeut, shkeli këmba e zbathur e një frati të thjeshtë. Pikërisht mbi ato troje që, sipas historisë, vijonin të ishin pronë e shqiptarëve. E çuditshme, kjo puna e pronës, me një mori kuptimesh – nga kuptimi material, tek ai shpirtëror – më i rëndësishmi. San Giovanni Rotondo mbetet pra, përsëri, pronë shpirtërore e shqiptarëve, të cilën nuk mund t’ua rrëmbejë asnjë sulltan….

Kush dëshiron ta vërtetojë këtë pronësi, mund të shfletojë ndonjë nga “Historitë e Skënderbeut”. E do ta gjejë patjetër.

Referenca: Arkivi i Vatikanit

“Dasma e Skënderbeut” pas 567 viteve, ftohen dasmorët për të marrë nusen

Në kështjellën e Kaninës më 22 prill ka dasmë të madhe shqiptare. Fate Velaj, rikthen për kombin shqiptar pas 567-vitesh “Dasmën e Skënderbeut”, shkruan KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku është treguar se në këtë dasmë do të jenë pjesëmarrës delegacioni prej 60 vetash të ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve është edhe Loris Castriota Scanderbeg.

Krejt kjo madhështi do të organizohet në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina”, me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës.

Në vijim ju sjellim të plotë publikimin nga Fate Velaj, ku thuhet se po realizon ëndrrën e tij me organizimin e kësaj dasme.

“Në datën 22 prill 2018, ditën e dielë, ora 12:00, në Kështjellën e Kaninës, Deputeti dhe djalini Kanines, Fate Velaj, realizon një ëndrrën e tij të vjetër. Në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina” , si dhe me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës, do të organizohet për herë të parë në histori, “DASMA E SKËNDERBEUT”, ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë. Me pjesëmarrjen e një delegacioni prej 60 vetash, ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve është dhe Loris Castriota Scanderbeg – stërnipi i Gjergj Kastriotit, do të festohet 567 vjetori i dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590 vjetori i lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. Festimeve do i bashkohen dhe grupi polifonik i Kaninës, ansambli i këngëve dhe valleve të Vlorës si dhe miq e dashamirës nga trevat shqiptare.
Ejani ta kthejmë këtë ditë një festë të përvitshme! Ta kthejmë Kaninën aty ku e ka vendin e saj në histori. Brezat që do vijnë, do na jenë mirënjohës. Mbas festimeve të Kaninës, do të nisemi për te Manastiri i Ardenicës, aty ku Skënderbeu dhe Donika kurorëzuan martesēn e tyre në kishë”, shkruan Velaj në Facebook.

Ky është programi tre ditorë i kësaj dasme të madhe, ku nga Durrësi do të nisen dasmorët me Gjergj Kastriotin në krye për të marrë nuse Donikën.

Vallja e Fitores, më 21-23 prill 2018. Rikthimi i Bijve të Shqipes në Folenë e Shqiponjave. Dita e parë: Nga Durrësi shkojmë te kështjella e Prezës. Në Lezhë, homazh te Vendvarrimi i Mbretit Arbëror, Gjergj Kastrioti. Festimi kulmon te kështjella legjendare në Krujë.

Dita e dytë: Nga Durrësi nisen dasmorët me Gjergj Kastriotin në krye të marrin nuse Donikën, bijën e Gjergj Arianitit dhe Marie Muzakës në Kaninë. Përkujtojmë në kështjellën e Kaninës 590 vjetorin e lindjes të vashës, që u lind, u rrit dhe doli nuse nga kjo derë e madhe Arbërore në moshën 23 vjeçare. Te Manastiri i Ardenicës kryhen ritualet martesore nga vendi, ku u pagëzua e u kurorëzua Donika. Çifti mbjell pemën e Ullirit.

Dita e tretë: Nga Durrësi shkojmë në Tiranë. Në orën 11:00 nis parakalimi madhështor nga sheshi Nënë Tereza e përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Ora 12:00, vizitë te Bashkia e Tiranës, ku arbëreshët mirëpriten nga Kryebashkiaku dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë. Më pas deri në orën 14:00, koncert festiv te sheshi i Heroit Gjergj Kastrioti. / KultPlus.com

Gjon Keka sjellë librin e ri për Gjergj Kastrioti-Skënderbeun

Jemi në vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit dhe ky duhet të shihet para së gjithash si një vit i bekuar për kombin, sepse nderon figurën kryesore të tij, figurën që është renditur ndër personalitet mbikohore të Evropës dhe botës në përgjithësi që la gjurmë të pashlyera në historinë e përgjithshme të Evropës.

Libri i ri i Gjon Kekës “Patriotizmi i Gjergj Kastriotit- porositë dhe këshillat e tij”, vjen si rezultat i punës së vazhdueshme hulumtuese mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit.

“Dhe gjatë tërë punës sime shoh se kjo figurë në vetvete ka shumë për të thënë jo vetëm tani në këtë shekull, por i bindur se edhe në shekujt në vijim, ai do të mbetet figura më e trajtuar në historinë e njerëzimit”, thotë autori.

Ashtu si punën e librave tjerë të mëparshëm edhe punën e këtij libri Gjon Keka ia ofron vlerësimit dhe gjykimit të lexuesit dhe studiuesve të kësaj fushe.

“Sikur atëherë që ai i ishte frymëzim për birin e tij, bashkëkohësit, shokët, fisnorët dhe të tjerët nga misionet diplomatike evropiane, edhe sot ai duhet të jetë për pasardhësit e tij për rëndësinë e kuptimin që ka liria,atdheu mospërkulja ndaj askujt dhe ndaj asnjë rryme ideologjike-fetare dhe për vlerën që ka një mbretëri e suksesshme sikur që ishte mbretëria e Arbërisë nën udhëheqjen e tij. Kështu fjalimet e Gjergj Kastriotit kanë një rëndësi dhe interes më të përgjithshëm ,sepse ato janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe përbëjnë mesazhin historik dhe kërkojnë vëmendjen si në atë kohë edhe në kohën tonë për t’i transmetuar tek brezat, tek shoqëria, tek populli dhe tek kombi ynë në përgjithësi”./ KultPlus.com

“Vallja e shpatave”, luhet pranë varrit të heroit Gjergj Kastrioti- Skënderbeut (VIDEO)

“Vallja e shpatave” apo e njohur si “Vallja e Pirros” është një nga vallet më të njohura dhe më të lashta shqiptare, shkruan KultPlus.

Kjo valle e njohur që është realizuar pranë varrit të heroit të kombit, Gjergj Kastrioti i ka rrënjët që nga lashtësia dhe ishte e njohur si “vallja e Pirros”

https://www.facebook.com/DardaniaSacra.2015/videos/2050842545240692/

Vallja pirrike ishte valle e lashtë që luhej në Greqinë e Lashtë, Iliri, Maqedoni e Thraki. Sipas legjendës, edhe Kurretet (banorët eponim të ishullit të Kretës) kanë luajtur një valle të tillë shpatash me synim që ta mbrojnë Zeusin foshnje nga ndëshkimi i pa kthim i atit të tij Kronosit që gëlltiste fëmijët e vet që në lindje./ KultPlus.com

Sulltani kishte menduar se në shpatën e Skënderbeut fshihej diçka, kështu i është përgjigjur Skënderbeu

Gjon KEKA

Në mesin e Shpatave të Mbretërve dhe Princave është edhe Shpata e Mbretit të Arbërisë Gjergj Kastriotit. Shih poshtë figura nr.6 është Shpata e Gjergjit të Madh.

Thuhet se Sulltani kishte menduar se në shpatën e Gjergj Kastriotit fshihet diçka dhe i kërkon atij që ta dërgoj për ta provuar, pasi e provon dhe e sheh se ajo ishte një shpatë e zakonshme i thote Gjergjit se nuk ma ke dërguar shpatën me të cilën po lufton. Gjergji i përgjigjet dhe i thotë se i ka dërguar shpatën me të cilën ka luftuar në beteja, por krahun e tij jo.(Burimi:W.Ö.K. M,1866)./KultPlus.com

Skënderbeu ideator i Bashkimit Europian

Është ky popull që, në mënyrë të paepur, me plot sakrifica të mëdha dhe me djersë e gjak ka mbrojtur rrënjët e tij, identitetin e tij dhe qenien e vet kombëtare. Familja Kastrioti e kishte famën e saj të madhe gjatë historisë dhe qeverisjes së Epirit. Kjo familje mbretërore ishte padyshim e shenjtëruar që në rrënjët e saj kombëtare. Ndaj, jo rastësisht, Kruja ishte metropol dhe kryeqytet i shtetit të Arbrit.

E vërteta është e patjetërsueshme, sado që gjatë proceseve dhe situatave të ndryshme të jetës së kombeve mundohen t’i vihet ndonjë shtesë apo ndonjë “por…”. Kurdoherë ajo mbetet e vërtetë në origjinalitetin dhe në bazën e saj burimore. Dhe kështu, kur ajo zbulohet përballë kombeve, e njeh gjuhën e saj të veçantë.

Gjergj Kastrioti ishte në moshën 29-vjeçare kur mori sërish në zotërim kështjellën atërore dhe brenda 33 ditëve e shtriu autoritetin e tij kushtetues në mbarë Shqipërinë. Shndërrimi i kështjellës së Krujës në një pikë strategjike të rezistencës heroike të kombit shqiptar europian, më pas të diplomacisë, artit luftarak dhe politikës parimore kundër pushtuesit barbar otoman përbënte, në fakt, edhe shndërrimin e kohës dhe të transformimeve të mëdha të Epirit, respektivisht të shtetit shqiptar europian, në rrugën e tij të zhvillimit dhe të ardhmërisë së tij të përbashkët europiane. Historia bëhet akoma më bindëse dhe më konceptuale kur shohim se si në këtë moshë arriti ta testojë gjithë personalitetin e tij përballë sfidave që i dilnin përpara, si të arritjes së çlirimit të vendit, ashtu edhe të pavarësisë dhe themelimit të institucioneve qeverisëse të shtetit të Arbrit. Po ashtu, faktet duket të bëhen edhe më bindëse që ai ishte një trashëgimtar besnik i traditave europiane të kombit shqiptar; dhe kjo tregon se ai e bëri këtë ashtu siç edhe do të duhej të ishte në të vërtetë, brez pas brezi.

Si princ i urtë dhe vizionar, ai instaloi në jetën politike dhe institucionale moralin dhe përgjegjshmërinë, vlerën e përbashkët të qeverisjes demokratike. Më pas theksoi identitetin politik,demokratik, si dhe rregullimin e shtyllave bazike dhe juridike të shtetit kushtetues. Politika në vetvete përmban një nga elementet thelbësore të moralit dhe të imazhit të pushtetit aktiv, efektiv dhe parimor. Nëse morali i saj (i politikës) ngjason me llambën që ndriçon sektorët e ndryshëm të dhomave të institucioneve të shtetit, atëherë ajo ka arritur shkallën më të lartë të ndërgjegjes kombëtare e politike dhe të identitetit të saj shtetëror, në dritën e historisë së zhvillimeve pozitive të kombeve.

Kombet, por sidomos ato që i kanë rrënjët e lashta, kanë pasur fatin të përfaqësojnë kombet më të sulmuara nga kthetrat e ujqërve barbarë, me gjithë përpjekjet e tyre për t’i nënshtruar, pastaj skllavëruar dhe shkulur rrënjët e lashta të kombit shqiptar.
Gjithmonë ky komb, si yll i zbritur nga qielli, ka pasur fatin të jetë i mbrojtur si nga dora e dashur e Atit qiellor ashtu edhe nga njerëzit, të cilët kanë pasur bekimin e tij që ta mbrojnë kombin nga shuarja e tij totale dhe nga deformimet prej demoni në fytyrën e
historisë së këtij kombi biblik. Një ndër personalitetet kryesore të kombit shqiptar europian, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kombit shqiptar, si dhe në atë të historisë botërore dhe europiane në veçanti, është Gjergj Kastrioti, strateg, diplomat dhe lidership vizionar i kombit shqiptar. Gjergj Kastrioti, gjatë përpjekjeve të mëdha historike kishte dy objektiva strategjike-politike: e para, ajo çfarë vendi kishte
më së shumti nevojë ishte liria (e brendshme dhe e jashtme), çka nënkuptonte edhe pavarësinë e vendit. Ndërsa e dyta, rikthimi i kombit shqiptar në vendin e tij shpirtëror, kulturor e të natyrshëm, pra në familjen e gjerë europiane, që nënkuptonte rikthim në
identitetin europian të kombit shqiptar, pasi pushtimi barbar turk e kishte skllavëruar, deformuar dhe ndalur në kohë këtë komb në rrugën e tij drejt të ardhmes, në unitet me familjen e saj europiane. Shekulli XV është shekulli i diplomacisë së fitoreve të Gjergj
Kastriotit; shekulli XV është shekulli i përpjekjeve të tij historike në çlirimin e plotë të kombit shqiptar nga barbarët turq, si dhe i vendosjes së kombit shqiptar në kohën europiane dhe në dinamikën e përgjithshme të zhvillimit drejt të ardhmes së përbashkët si familje. Shekulli XV, po ashtu, është shekull i testit diplomatik dhe gjeopolitik të Europës në zhvillimin e politikës së saj të jashtme dhe të vendosjes së bazës së saj të fuqishme në ruajtjen dhe në jetësimin e vlerave të saj shpirtërore, kulturore etj., si dhe mbrojtja nga barbaria e egër turke dhe nga erërat ideologjike të kësaj perandorie barbare.Prandaj “kjo është ajo që më bën mua të pavdekshëm si shqiptar europian! Gjaku i Gjergj Kastriotit vlon i pastër ndër venat e mia, ndërsa shpirti i tij i madh e ruan qenien tonë kombëtare dhe europiane të palëkundur drejt rrugës së ardhmërisë”.

Gjon KEKA, Skënderbeu ideator i Bashkimit Europian, Botart Tiranë 2012.

Rugova në përurimin e monumentit të Skënderbeut: Gjeneratat e reja do të rriten me heroin e vet (VIDEO)

Presidenti historik, Ibrahim Rugova ishte ai që u ishte drejtuar të gjithë të qytetarëve dhe të pranishmëve që kishin ardhur në përurimin e monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Fjalimi i tij cilësohet si një fjalim emocionues, në atë ditë të rëndësishme për Kosovën. Në fjalimin e tij presidenti Rugova, kishte thënë se kjo ishte një ditë e madhe për Kosovën, që ndër gjenerata e kishin ëndërruar.

“Sot është një ditë e madhe sepse po përurojmë monumentin e heroit nacional të shqiptareve në Prishtinë. Shumë gjenerata të mëparshme dhe gjenerata jonë, e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja, fëmijët tanë do të rritën me Skënderbeun do të rritën me heroin e vetë”, kishte thënë Rugova gjatë fjalimit të tij.

Ndër të tjera, ai kishte shtuar se edhe Gjergj Kastrioti do të ndihej i lumtur për lirinë e Kosovës dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Gjergj Kastrioti ndihet lumtur për lirinë e Kosovës, të Dardanisë antike. Ndihet i lumtur sepse miqtë e tij janë në Kosovë dhe me Kosovën. Ndihet i lumtur sepse Kosova shqiptarët do të bashkohen dhe integrohen në botën evropiane, aty ku e kanë vendin, në atë botë që Kastrioti e ëndërroi”, kishte thënë ndër të tjera Ibrahim Rugova.

Po ashtu, në këtë video shihen edhe Mark Krasniqi, Nekibe Kelmendi, Tahir Zemaj, Skënder Hyseni dhe shumë veprimtarë./ KultPlus.com

Gati për inaugurimin e bustit madhështor të Gjergj Kastriot Skënderbeut (VIDEO)

Busti madhështor i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, 8 metra i lartë, në Labinot të Elbasanit, i porositur dhe financuar nga biznesmeni Gjergj Luca dhe i realizuar nga mjeshtri i skulpturës Fiqiri Kasa ka përfunduar, shkruan KultPlus.

Bëhet e ditur se inaugurimi i këtij busti do të bëhet ditën e verës, më 14 mars. Gjithçka përkon edhe me 550 vjetorin e vdekjes së Skëndërbeut dhe me shpalljen e këtij viti si Viti i Skëndërbeut në trojet Mbarëkombëtare. Ky monument ngjan si diçka e përafërt me portretet e presidentëve në Amerikë të gdhendura në mal./KultPlus.com

Viti 1584, portreti i Skënderbeut në veprën e Demetrio Franco-s ( Dhimitër Frangut)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Mars 2018

Në fillimin e veprës me titull “Gli illustri et gloriosi gesti, et vittoriose imprese, fatte contra Turchi, dal sign. D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, prencipe d’Epirro” të autorit Demetrio Franco (Dhimitër Frangut) – botuar në Venecia në vitin 1584 nga shtëpia botuese “Altobello Salicato alla Libraria della Fortezza” – gjejmë një portret të heroit tonë kombëtar, të cilin, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Burimi : Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania – https://www.darsiani.com/la-gazette/viti-1584-portreti-i-skenderbeut-ne-vepren-e-demetrio-franco-s-dhimiter-frangut/

Ministri Gashi, kërkon një lokacion për shtatoren e Skënderbeut në Toronto

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, sot u prit nga ministrja e Migracionit dhe e Shtetësisë e shtetit të Ontarios, Laura Albanese, me të cilën diskutoi për ngritjen e një qendre kulturore shqiptare në qytetin e Torontos.

Me këtë rast ministri e informoi ministren për misionin dhe punën e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.

“Në kuadër të vizitës kemi takuar edhe shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Toronto, afaristë të suksesshëm, nga të cilët kam një kërkesë që duhet t’jua paraqes – të ndihmoni gjetjen e lokacionit për vendosjen e një shtatoreje të Skënderbeut, pasi edhe ky vit është shpallur vit i heroit më të madh shqiptar”, tha Gashi.

Ai po ashtu kërkoi nga Albanese mbështetjen e Qeverisë së Ontarios për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, si dhe për ndërtimin e një qendre kulturore shqiptare në Toronto.

Nga ana e saj Albanese premtoi se do të punojë së bashku me komunitetin dhe do ta mbështetë atë, si dhe do t’i japë këshilla për t’i përmbushur kërkesat e tyre, ani pse disa nga to më vështirë janë të realizueshme.

Ndryshe, Albanese ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të promovimit të kulturës shqiptare, duke sponsorizuar edhe ligjin që është miratuar në Parlamentin e shtetit të Ontarios, ku muaji nëntor është shpallur muaji i kulturës shqiptare./ KultPlus.com

Rroftë Skënderbeu, rroftë, rroftë, rroftë, Arbëreshët demostrojnë martesën e Skënderbeut me Donikën (VIDEO)

Arbëreshët e Italisë konsiderohen si komuniteti i huaj më i fuqishëm në Itali, që ruan me përpikmëri kulturën e Arbërit, por edhe si përfaqësimi më i mirë i popullit shqiptar, të cilët me performanc të ndryshme, me kostume e me karakteristika të tjera prezantojnë kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Së fundi, po përmes performancës së tyre, ata kanë demostruar martesën e Skënderbeut me Donikën, performancë kjo që është realizuar në një nga sheshet e Italisë, në fund të muajit shkurt të këtij viti.

Poashtu, në këtë ceremoni dëgjohet edhe thirrja e njohur e komunitetit arbëresh “Rroftë Skënderbeu, rroftë, rroftë, rroftë”! Për më shumë ndiqeni videon e bashkëngjitur./KultPlus.com


Skënderbeu, arkitekt i shtetit arbërorë

Në 574-vjetorin e Besëlidhjes Arbërore, të mbajtur në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444. Gjergj Kastrioti ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve Testamentin e tij e zgjoi rilindja kombëtare shqiptare. Flamuri i Kastriotëve, që Skënderbeu e shndërroi në flamur kombëtar, u ngrit në Krujë më 28 nëntor 1443, kurse Kastrioti shtetin gjithëarbërorë e themeloi në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Daljen e Gjergj Kastriotit në ballë të jetës politike e ushtarake e favorizuan shumë faktorë. Së pari, duhet të kihet parasysh roli i tij në organizmin e kryengritjes fitimtare të vitit 1443, pastaj shtrirja e zotërimeve të Kastriotëve në zemër të vendit, qenia e Krujës në duart e Skënderbeut, qendrës më të rëndësishme politike e ushtarake të tokave arbërore të çliruara, por edhe lidhjet farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë bujarë e familje sundimtarësh të tjerë arbërorë. Në fakt, këto martesa paraqitnin një akt politik, që e ndoqi edhe Gjergj Kastrioti, për hir të përforcimit të politikës së brendshme, politikë kjo që shpiente drejt bashkimit sa më organik të sundimtarëve të fuqishëm arbërorë.

Në këtë frymë u bë edhe martesa e Gjergj Kastrioti me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit. Pastaj, martesa të këtilla ishin bërë edhe më parë. Bile, lidhje të shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve kishte pas edhe me shumë familje fisnike tjera si Muzakajt, Arianitët, Stres Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët) Balshajt etj.

Lezha – vend i shenjtë i shtetësisë arbërore të Gjergj Kastriotit
Në këtë drejtim, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sapo kishte shpalosur flamurin tashëm kombëtar në Kalanë e Krujës, ai shkoi prej një vendi në tjetrin për të ftuar popullin arbëror (shqiptar) në luftën e përbashkët çlirimtare kundër Perandorisë Osmane që kishte okupuar edhe shumë vise arbërore. Si rezultat i atyre vizitave e bisedave me kryezotërinjtë arbërorë, doli thirrja e një kuvendi të përbashkët. Për shumë arsye, vendi se ku do të mbahej kuvendi ishte caktuar Lezha, që atëbotë ishte kryeqendër e Dukagjinit, por që ishte nën sundimin e Republikës së Venedikut.
Kuvendi i përgjithshëm i arbërorëve, apo Lidhjën arbërore e Lezhës, përkatësisht Besëlidhjen arbërore (shqiptare), u mbajt në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444, Kuvend ky që ishte mbajtur sipas traditave të hershme arbërore. Në këtë Kuvend morën pjesë shumë kryezotërinjë nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini; Lekë Zaharia, kryezot i Zadrimës së Epërme, Pjetër Spani i Shalës së Shoshit; Lekë Dushmani, bashkë me Pjetrin e Zadrimës; Gjergj Stres-Balsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës; Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me dy bijtë, Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushin; Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe i Shpatës; Teodor Korona Muzaka i Beratit, nga Arbëria Jugore. Shtjefën Çërnojeviqi (Gojçini), bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhabjaku i Malit të Zi; kryezoti i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Arbëria e Veriut dhe e Jugut (Jahja Drançolli: Më 2 mars 1444, 574-vjet më parë mbahet Kuvendi i Lezhës, një përpjekje për themelimin e shtetit tonë të njësuar).

Vend i përshtatshëm për mbajtjen e Kuvendit ndërmjet princave arbëror ishte Lezha. Pozicioni gjeografik i Lezhës ishte i favorshëm për mbajtjen e Kuvendit, për arsye se ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, ishte territor i veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara arbërore, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Ndaj, edhe Lidhja e Lezhës u bë shprehje e një nevoje objektive; bashkimi i vendit në plan politik dhe ushtarak nxitej nga kërkesat e luftës mbrojtëse dhe i shërbente asaj. Si e para organizat politike e përbashkët e njohur në historinë e mesjetës, Lidhja e Lezhës hidhte themelet e bashkimit politik të popullit arbërorë (Besnik Kurteshi: Roli unifikues i Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës, 23 janar 2018).
Në Kuvendin e Bashkimit Kombëtar, që u mbajt në Lezhë, në vendin e shenjtë të shtetësisë arbërore, pra në vendthemelet e shtetësisë së shtetit arbëror, pjesëmarrësit përkundër dallimeve që i kishin, me propozimin e Gjergj Kastriotit kishin miratuar strategjinë shtetformuese, që ishte përpjekje e kahmotshme për të krijuar shtet arbërorë.

Ky në fakt ishte një shtet, që në fillim i kishte përmbushur të gjitha premisat juridike. Nga ai Kuvend kishte dalë kërkesa që të formohej një organ juridik, që do ta luante rolin e një qeverie, që ishte pagëzuar Lidhja e Lezhës, përkatësisht Lidhja Arbërore e Lezhës.
Në Kuvend ishte vendos formimi i forcave të bashkuara, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbër, sipas traditave të lashta arbërore, një Besëlidhje, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e vendit, me një kryetar të vetëm. Kryetar i Kuvendit të Lezhës ishte zgjedh Gjergj Kastrioti. Në fakt, Gjergj Kastrioti atëbotë ishte vetëm “Primus inter pares” (“i parë ndërmjet të barabartëve). Sipas Martin Segonit, nga Novobërda, biograf i parë i Gjergj Kastrioti (1481), Kastrioti qe i njohur prej tyre princ i ligjshëm i thirrur mbret, kurse sipas Frëng Bardhit, Kastrioti ishte zgjedhur komandant i përgjithshëm.
Kështu që Gjergj Kastrioti – Skënderbeu arriti ta bashkojë popullin arbëror dhe t’i mbaj për 25 vite princat arbërorë të bashkuar në shtetin e Arbërit duke i bërë ballë forcës më të madhe të botës asaj osmane.

Njëherësh, në Kuvend Gjergj Kastrioti njëzërit ishte zgjedhur komandanti apo kapiteni i përgjithshëm i Lidhjes. Lidhja po ashtu kishte formuar edhe ushtrinë (armatën e vet), e që kishte deri në 18 mijë ushtarë, prej të cilëve shumicën e mbante Gjergj Kastrioti rreth vetes, e të cilët do të mblidheshin nga princat shqiptarë. Bërthamën themelore të ushtrisë e përbënin fshatarët duke marrrë feude të vogla dhe duke u bërë oficerë të ushtrisë arbërore. Gjergj Kastrioti e kishte ndarë ushtrinë në të rregullt dhe në të përkohëshme. Ushtria e Lidhjen së Kuvendit të Lezhës ishte e përbërë nga kalorësit dhe këmbësoria. Në fakt, ushtria e Beslidhjes përbëhej prej dy formacioneve si ato të përhershme dhe të përkohshme. Ushtria e përheshme formohej me luftëtarët që fisnikët shqiptarë dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm sipas marrëveshjes në Kuvendin e Lezhës.

Do përmendur se kuadrin komandues të ushtrisë së Gjergj Kastriotit e përbënin oficerët e rekrutuar nga radhët e aristokracisë feudale, por oficerë bëheshin edhe ata ushtarë, që dalloheshin për trimëri, taktikë dhe aftësi për udhëheqje. Ekspertët ushtarakë të kohës brenda e jashtë atdheut e kanë çmuar Kastriotin si strateg të madh dhe e kanë konsideruar si njërin nga prijësit më të shquar ushtarak të asaj kohe. Atij i shkoi për dore jo vetëm të organizoj një ushtri të tillë, që iu përgjigj më së miri kërkesave të Lëvizjes Arbërore, por ishte edhe mjeshtër i madh i taktikës strategjike ushtarake të sulmit dhe të mbrojtjes së kombinuar. Ai i hartonte planet e luftës në konsultim me bashkëluftëtarët e vet. Gjergj Kastrioti njëkohësisht udhëhiqte ushtrinë dhe luftonte heroikisht si çdo ushtar i thjeshtë shqiptar.


Shtrirja e shtetit arbërorë

Shteti arbërorë i Gjergj Kastriotit përfshinte pjesën më të madhe të trevave të banuara me fise arbërore. Ai shtrihej nga malet Pindus dhe Janinë e deri në Kotorr, nga Adriatiku e deri në Ohër, Dibër, Prizren e Gjakovë, kurse Peja, përkatësisht Vushtërria, Novobërda, Prishtina etj., kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit të Kastriotit. Arsyet ishin këto: Pejën e qeveriste Leka III Dukagjini, i cili qe vasal i Sulltanit dhe rival kryesor i Kastriotit, kurse Sanxhaku i Vushtrrisë qeverisej nga pashallarët e sidomos nga kusherinjtë e Zognos Mehmed pashës. Mirëpo, më vonë Leka III Dukagjini hoqi dorë nga vasaliteti i sulltanit dhe iu bashkua Gjergj Kastriotit, i cili edhe iu bë miku më i ngushtë deri në vdekje, por atëbotë Peja ishte pushtuar nga ushtria osmane. Me këtë pushim u krijua dinastia e Mahmudbegollajve të Pejës. Mahmud beu ishte i biri i Nikollë Dukagjinit, i cili si endrenas qëndroi në Stamboll deri në vdekje.


Shteti i Skënderbeut ishte ngritur mbi parimin demokratik

Shteti i arbëror ishte ndërtuar mbi parimin demokratik. Këtë e dëshmon e dhëna se krijimi i kombit anglez dhe shteti kombëtar angleze si dhe kombi francez dhe shtet kombëtar francez, si kombe dhe shtete të para të Evropës Perëndimore, dallojnë në shumë aspekte. Së pari, se ato u formuan më vonë – nga fundi i shekullit XV, dhe se ato shtete u krijuan nga lart, pra nëpërmjet monarkive absolute, monarki këto që u sollën shtresave të gjera shfrytëzim politik, ekonomik arsimor e kulturor. Ndërkaq, shteti arbërorë i Gjergj Kastriotit, në radhë të parë, ishte pothujse shteti i parë i popullit arbërorë në Evropë, pastaj se ai u krijua nga poshtë dhe se ishte popullor e human. Po ashtu, princat arbërorë në atë Kuvend kishin arritur një aleancë politike e ushtarake, duke ndërtuar raporte mjaft demokratike në drejtim të pengimit të ushtrimit të pushtetit të pakufishëm nga një person. Ata ishin të bindur se lufta për çlirim duhet të vazhdojë deri në çlirim. Mu për këtë edhe shteti arbërorë ishte përkrahur edhe nga vende të tjera e veçmas nga principatat arbërore, që tashmë kishin karakter të një konfederalizmi, si me ushtarë, ushqime, armë e mjete materiale. Pra, në Kuvend pjesëmarrësit ishin marrë vesh se burimet financiare do të grumbulloheshin nga ndihmat e princave arbërorë, nga principata e Krujës dhe nga kriporet e Durrësit. Këto të ardhura do të arrinin deri në 200 mijë dukatë – flori në vit.

Se në Kuvend, kishin marrë pjesë burra të fjalës dhe se atje kishin arritur një pajtueshmëri të plotë për bashkim dhe mbrojtje të atdheut dëshmon edhe realizimi i vendimeve, që filloi menjëherë. Pas Kuvendit ishte tubuar ushtria, kishte filluar mbrojtja, forcimi i fortesave, ishin krijuar dhe mbuluar me ushtarë të gjithat pikat strategjike për mbrojtje, ishin emëruar dhe vendosur komandatët kryesorë dhe të besueshëm. Po ashtu, Gjergj Kastrioti menjëherë e kishte përpunuar strategjike ushtarake deri në detaje dhe atë e kishte biseduar me kapedanë e deri edhe me ushtarë.
Struktura e pjesëmarrësve në Kuvend nuk ishte e kufizuar as sipas moshës, fuqia, renomea e as për nga divergjencat e mëparshme. Me mbajtjen e Kuvendit të Lezhës u realizua strategjia shtetformuese e Gjergj Kastriotit dhe u krijua një atmosferë e tolerancës dhe e mirëkuptimit, që në fakt i siguroi sukses të plotë Kuvendit.

Megjithatë, Kuvendi i Lezhës nuk ishte vetëm kuvend i thjeshtë politik. Ai është Kuvend ku u miratuan aktet më të mëdha historike të popullit arbërorë, por ai është edhe kuvend i madh për mbrojtjen jo vetëm të popullit arbërorë nga barbarët turq, por edhe për mbrojtjen e civilizimit të përgjithshëm të popujve europiane. Do përmendur se historia e përgjithshme e Europës duhet ta njoh këtë kuvend si Kuvend Europian, që shërbeu për shpëtimin e familjes së përgjithshme Europiane (Gjon Keka: Kuvendi i Lezhës zuri vendin qendror në historinë e kombit arbnor).

Betimi në alterin e shtetit kombëtar – në Lezhë

Çdo kryetar i shtetit me rastin e inaugurimit jep betimin para deputetëve të parlamentit. Edhe kryetari i Shqipërisë vepron kështu. Por, do të ishte me inters që në të ardhmen kryetari i Shqipërisë betimin ta japë para parlamentarëve, por jo në Kuvend të Shqipërisë në Tiranë po në alterin e shtetit kombëtar, në kompleksin memorial të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë, aty ku u bë bashkimi i parë kombëtar, por edhe shteti i parë gjithëkombëtar. Bile, do të ishte me interes dhe mjaft simpatik që çdo konstituim i parlamentit në nivel të Shqipërisë të bëhet në atë vend të shenjtë të kombit dhe të shtetësisë shqiptare, atje të betohen edhe parlamentarët se do të veprojnë për të mirën e gjithë atdheut etnik, të gjithë popullit shqiptar, që është synim edhe i gjithë shqiptarëve. Megjithatë, Lezha e shenjtë ka nevojë të restaurohet, të meremetohet kompleksi i memorial i Skënderbeut së bashku me Katedralen e Shën Kollit (Nikollës), që vërtet të jetë simbol për të gjithë shqiptarët, por edhe për mbarë Evropën (Frrok Kristaj “Pavdekkshmëria e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, “Bujku”, Prishtinë, 27-31 janar 1998, faqe 11-21, përkatësisht “Bota sot”, Prishtinë, 16-25 maj 2004, faqe 17)./KultPlus.com

542 vite nga Besëlidhja e Lezhës, krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore në krye me Skënderbeun

574 vite më parë, më 2 mars 1444, në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, shkruan KultPlus.

Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.
Vendimet e kuvendit ishin:

1. Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve./KultPlus.com

Absurdi më 1982, Shqipëria i kërkonte bashkisë së Parisit heqjen e portretit të Skënderbeut

Historia e emërtimit të një sheshi në Paris me emrin e Skënderbeut dhe ngjarjet rreth saj shkaktuan mospajtim të thellë mes qeverisë komuniste të Tiranës dhe diasporës anti dhe jokomuniste të emigruar jo vetëm në Francë, por edhe në mjaft vende të tjera të Perëndimit, rikujton Gazeta Shqiptare, sipas të cilës atëbotë “Në një farë mënyre do të ndodhte njëra prej betejave patriotike dhe politike më të mëdha të historisë tonë të shekullit të shkuar”.

Shkrimi vazhdon:

Për ta plotësuar sadopak këtë tablo tepër të veçantë, në dinamikën e të cilës kulmimi i parë qe në 1978, moment kur në 10 korrik u dha nga Këshilli Bashkiak i Parisit leja për ta emërtuar këtë shesh me “Skënderbej” dhe se, nën trysninë shtetërore të ambasadës shqiptare, u pengua përurimi i tij në 28 nëntor të atij viti, po vijojmë pjesën e dytë.

Kjo ka hop motin 1982.

Patën rrjedhur katërmbëdhjetë vite të këtij ballafaqimi, i cili prej çastit të tanishëm, viteve dymijë, mund të konsiderohet një epope e vërtetë. E ka domosdoshmërisht këtë cilësi, sepse ishte një ngjarje e nisur në 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe se, siç ndodh me vullkanet e fuqishme, ka lënë më pas, deri në ditët e sotme, llavë ende të paftohur mirë, thekson autori i shkrimit, Ylli Pollovina.

Portreti i Skënderbeut në zyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Parisit

Në 22 mars 1982 diplomati i lartë dhe mjaft i kualifikuar i ambasadës shqiptare në Paris, Th.H., i raportoi eprorëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se kishte takuar në Bashkinë e kryeqytetit francez këshilltarin për problemet e kulturës, Patrik de Sajevski. Para pak kohësh ky pati qenë edhe nëndrejtor i Institutit të Lartë të Konstruksioneve Mekanike dhe të Materialeve. Ato çaste kur zhvilluan bisedën Patrik qe shkëputur prej kësaj detyre për ta pasur më të lehtë të zhvillonte veprimtari politike. Sipas diplomatit të rëndësishëm shqiptar në Paris, bashkëbiseduesi ishte golist, me pak fjalë bënte pjesë në partinë Bashkimi për Republikën, të cilës i takonte edhe Zhak Shiraku, kryebashkiaku ato çaste i kryeqytetit francez, i cili pati mundësuar realizimin e propozimit të mërgatës shqiptare antikomuniste për emërtimin e sheshit “Skënderbej”.

Sipas raportimit të Th.H., “Mbasi tregoi gatishmërinë e tij në drejtim të mundësive të organizimit të aktiviteteve mbi vendin tonë nga ana e qytetit të Parisit si p.sh. një ekspozite të madhe mbi kulturën shqiptare në Petit Palais në vitin 1984 me rastin e 40-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, të ekspozitave të ndryshme mbi artin dhe traditat e popullit tonë, mbi artin bashkëkohor (pikturë dhe skulpturë), ekspozita fotografike mbi qytetet e Beratit dhe të Gjirokastrës, ekspozita mbi etnografinë shqiptare, etj., më tha se në zyrën e Zv. Kryetarit të Bashkisë së Parisit, Pier Bas, ndodhet një pikturë e bukur e Skënderbeut”.

Vijon raportimi: “Me insistimin tim u futëm dhe pamë këtë pikturë. Ishte e vitit 1979 dhe e punuar nga një shqiptar me emrin Shuttié. Në të shkruhej “Dhuratë nga komuniteti shqiptar i qytetit të Parisit”.

Menjëherë më tej: “Sekretarja e Pier Bas na shpjegoi se këtë pikturë e kanë sjellë shqiptarët që banojnë në Paris, me rastin e inagurimit të sheshit Skënderbe. Së shpejti piktura do të vendoset në një nga muzetë e Parisit – tha ajo”.

Ja edhe reagimi i diplomatit të lartë shqiptar, doemos në përputhje me direktivën që u pati dhënë me kohë Tirana: “Unë u thashë se nga sa kam dijeni ne nuk kemi qenë dakord që ju të pranoni propozimin e tyre për të emërtuar atë shesh me emrin e Skënderbeut, mbasi këtu në Francë ka një përfaqësi zyrtare që shpreh dëshirat dhe aspiratat e popullit shqiptar. Ata nuk janë veçse tradhtarët e vendit tonë, shërbëtorët e mbretit Zog, të cilët morën arratinë me çlirimin e Shqipërisë”.

Në mbyllje të informacionit të tij Th.H. shkruan: “Sajevski më tha se janë bërë shumë debate në këshillin e Bashkisë përpara se të vendosej që t’i jepej emri Skënderbe këtij sheshi. Kjo zvarritje u bë për vite me radhë. Nuk është bërë asnjë ceremoni me rastin e emërtimit të këtij sheshi, tha ai.

Sidoqoftë – u thashë unë – ne jemi të pakënaqur nga veprimi juaj për këtë çështje”.

Rindizet çështja e nxehtë e përurimit të sheshit “Skënderbej”, penguar deri ato çaste nga Tirana zyrtare

Kështu në pranverë 1982 u përflak çështja që u duk sadopak e fashitur katër vite më parë. Këtë herë qeveria e Tiranës ishte edhe më e zemëruar. Përveç se nuk donte të ekzistonte në Paris, Francë apo në tërë faqen e dheut me emrin e Skënderbeut, si të propozuar prej mospajtuesve të saj ideologjikë, të mos kishte asnjë shesh apo rrugë, duhej të censurohej edhe një portret i thjeshtë i dhuruar prej të mësipërmëve. Edhe pse e pati krijuar një franko-shqiptar.

Por periudha nga 28 nëntori 1978, kur ia dolën ta pengonin përurimin e sheshit, deri në fundmars 1982 mes Bashkisë së Parisit (dhe Ministrisë së Jashtme Franceze), ambasadës shqiptare (dhe qeverisë së Tiranës), nuk patën rrjedhur ujëra të qeta.

Kur kjo, e drejtë e miratuar që në 10 korrik, as pas mbi pesë muajsh nuk u realizua dot, në 22 dhjetor 1978 përjetoi një zhvillim tjetër. Këtë ditë prej Tiranës u nis një radiogram i shifruar. Njerëzit e tyre në Paris duhej të hidheshin në sulm. Kabllogrami e udhëzonte ambasadën që të merrnin kontakt me Bashkinë e Parisit dhe t’i propozonin emërtimin e një sheshi tjetër me emrin “Skënderbej”. Ambasada e bëri këtë kërkesë menjëherë, veç Bashkia nuk dha asnjë përgjigje jo vetëm brenda dhjetorit 1978, por gjatë tërë vitit 1979.

Mbase ngjarjet nën këtë pezullim të gjatë, gjithsesi të tensionuar, do të vijonin edhe ca kohë kështu, kur papritur gjithçka u trazua edhe më shumë. Në 20 prill 1980 Ambasada Shqiptare me radiogramin e saj Nr. 1032 njoftoi Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se “grupi i të arratisurve që kishte marrë nismën për t’i dhënë emrin një sheshi të Parisit “Skënderbeg” dhe se këtë gjë ata “e njoftonin me anë të një trakti”. Po ashtu radiogrami bënte të ditur se “ceremonia e emërtimit të sheshit do të bëhej në 6 maj 1980, duke u zbuluar pllaka përkujtimore” dhe se “ceremonia do të drejtohej nga gjenerali francez në pension Robert Kasò si përfaqësues i Bashkisë së Parisit”.

Dymbëdhjetë ditë më pas, në 2 maj 1980, nëpërmjet radiogramit Nr. 1534, MPJ e Shqipërisë i dha udhëzime Ambasadës në Paris që të merrte kontakt urgjent me MPJ e Francës dhe të ndërhynte për të realizuar së dyti anulimin e kësaj ceremonie.

Ambasada reagoi me një përgjigje tre ditë më vonë, në 5 maj. Radiogrami i saj me numër 1072 e njoftoi qendrën se kishin marrë takim me zv. drejtorin për Evropën në MPJ, Zhan Pjer Maset, të cilit ia patën shpjeguar edhe njëherë të gjithë historinë e kësaj çështjeje dhe i kërkuan që të ndërhynte tek eprorët e vet për anulimin e kësaj ceremonie. Sipas ambasadës, Zhan Pjer Maset kishte thënë se qe dakord me tezën shqiptare dhe pati pranuar se do të ndërhynte. Ndërkohë kishte nënvizuar se “nuk mund të thoshte asgjë përfundimtare, mbasi ishte Bashkia ajo që do të vendoste definitivisht”.

Ndërkohë pas këtij takimi, brenda po asaj dite të 5 majit 1980, Bashkia e Parisit i dërgoi ambasadorit me korrier të shpejtë një ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e emërtimit e sheshit me emrin “Skënderbeg”, i cili do të përurohej të nesërmen.

Ambasada menjëherë mori në telefon Maset në MPJ, të cilin e njoftoi çfarë sapo i kishte ndodhur dhe i kërkoi të ndërhynte për anulimin e kësaj ceremonie. Maset mori përsipër të ndërhynte dhe më vonë njoftoi se përfaqësuesi i kryetarit të Bashkisë së Parisit Zhak Shirak qe ngarkuar prej tij për të marrë kontakt me ambasadën për ta biseduar këtë çështje. Të njëjtën gjë, brenda kësaj dite të nxehtë të 5 majit 1980, e njoftoi me telefon edhe shefi i shërbimit diplomatik të Bashkisë. Ky madje kërkoi edhe ndjesë pse për këtë çështje nuk ishte këshilluar më përpara me ambasadën shqiptare.

Në 6 maj u bë përurimi i sheshit me emrin e Skënderbeut. Sipas Konsullit të Përgjithshëm në këtë vend, Idajet Hoxha, atë ditë ai u nis për në vendngjarjen problematike. Duke qenë se ishte edhe zbulues dhe në rregullat e rrepta të punës në misione të tilla duhej të ishin dy vetë, i kërkoi ndihmë pranie një truproje të një anëtari të Byrosë Politike, i cili ato ditë kishte ardhur në Paris për një mjekim.

Që të dy e ndoqën përurimin e sheshit “Skënderbej” prej diasporës anti dhe jo komuniste prej një distance dyqindmetërshe. Ishin vendosur në katin e dytë të një kafeje dhe prej dritareve të xhamta të saj panë grumbullimin e njerëzve, fjalimet që u mbajtën dhe më pas shpërndarjen. Edhe gjatë një bisede të dytë me Idajet Hoxhën, bërë pak ditë më parë, ai ngul këmbë se çdo gjë u zhvillua qetësisht dhe se pjesëmarrësit ishin të paktë. Nuk e pranoi as shifrën dyqind. “Nga lart, siç i pamë ne, na tha ai, dalloheshin qartë hapësirat e mëdha bosh mes njerëzve”.

Sipas Kristo Zharkallit, një pjesëmarrësi në përurimin e “Place Skanderbeg”

Abdurahim Ashiku në fund të janarit të këtij viti botoi kujtimin e një pjesëmarrësi në këtë ceremoni. Ai quhet Kristo Zharkalli, prej shumë dekadash shqiptar i mërguar në Greqi. Dëshmia e tij është një ndër më të plotat e të sinqertat, tërësisht pa ngarkesë politike. Kristo, siç pohon vetë, nuk kishte marrë pjesë fare as në fushatën dymbëdhjetëvjeçare për këtë shesh.

“Isha në dijeni nga revista “Koha Jonë” të dibranit Isa Ndreu, rrëfen ai, që më vinte me daljen në dritë të çdo numri, nga shkrime dhe letra të ndryshme se po bëheshin përpjekje të përurohej një shesh në Paris me emrin “Sheshi Skënderbeg” me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar…”

Pak më tej: “Merreni me mend habinë dhe gëzimin tim kur mora një ftesë për të marrë pjesë në përurimin solemn dhe festim të këtij sheshi. Veçse për mua ftesa të tilla merrja përditë nga të gjitha anët e botës, për mbledhje, kongrese, festa etj. Nuk kishte asnjë peshë, kurrë nuk munda të udhëtoj dhe kjo për arsye të thjeshtë ekonomike.

Duket se Isa Ndreu e kishte parasysh këtë “dobësi”. Bashkë me ftesën më dërgonte një letër ku më thoshte: “Bashkangjitur ju dërgoj edhe një çek për shpenzimet tuaja të para, sidomos për biletat e aeroplanit e për do shpenzime të duhuna për udhëtimin në Francë. Atje do të kini të siguruara të gjitha shpenzimet prej meje dhe e quaj nder që të të kemi mes nesh. Miku yt, Isai”.

Më thoshte, gjithashtu, se ceremonia solemne do të bëhej më 6 maj 1980 dhe se aty do të përfaqësohej i tërë emigracioni shqiptar në botë. Kishin ardhur përfaqësues të të gjitha partive, ngjyrave si dhe përfaqësues të klerit shqiptar.

Arbëreshët kishin ardhur me një përfaqësi shumë të madhe.

Unë isha i panjohuri nga të gjithë dhe në aeroport më priste Leci duke ditur orën që do të arrija në Orli. Besoj se për të parën herë në histori zbritën në atë aeroport kaq përfaqësi shqiptare. Atje dëgjoje emra bombastikë të së kaluarës që tashmë ishin shndërruar në skelete dhe pleq. Por shikoje edhe të rejat arbëreshe që përbënin korin kishtar dhe kombëtar, si dhe disa klerikë, si nga arbëreshët ashtu edhe nga mbeturinat e emigracionit. Më bëri përshtypje që shumica njiheshin ndërmjet tyre”.

Kristo Zharkalliu vazhdon: “Fjalën solemne e mbajti inxhinieri Vasil Gërmenji duke pas pranë gjithnjë Isa Ndreun. Domosdo pranë tyre gjendej edhe Leci e shumë të tjerë, sidomos gjatë meshës në kishën madhështore Notre Dame. Vura re se shumica, sidomos të moshuarve të njohur mes tyre, përqafoheshin e putheshin duke u krenuar me të drejtë se po arrinin që në zemër të Kryeqytetit Francez një shesh do të mbante emrin e Heroit Kombëtar Shqiptar.

Në mes të atyre njerëzve dhe të asaj atmosfere festive, unë e ndjeja veten tepër të vetmuar dhe, pse jo, të trishtuar. Të gjithë e dinim se përfaqësonim një të kaluar të perënduar dhe atëherë shpresat tona ishin krejt të paqena se dikur do të mundeshim të ktheheshim në Atdhe. Nga ana tjetër, kushdo nga ne përfaqësonte një tragjedi, cilido prej nesh kishte lënë prapa njerëz të dashur dhe varre të hapura nga dora vëllavrasëse.

Ndërkohë nuk kisha mundur t’i afrohesha Isa Ndreut, i cili ishte gjithnjë i rrethuar nga “burra me rëndësi”, (kur ka torba fiq), vetëm kisha mundur ta përshëndes duke i dhënë dorën ndërsa Leci i thoshte se kush isha. Ai kishte mundur të murmurisë “gëzohem shumë”, sepse dikush tjetër, një burrë i moshuar e tërhiqte tutje që t’i tregonte diçka.

Ishte burrë i pashëm atëherë Isai dhe megjithëse ishte 61 vjeç, akoma nuk ishte thinjur.

Vetëm kur mbaroi ceremonia dhe njerëzit filluan të ndahen me përqafime e premtime, Leci mu afrua dhe më tha se më kërkonte Isai.

Ai më përqafoi me ngrohtësi duke thënë: “Kisha shumë kureshtje me të njoftë! Të lumtë që more mundimin me ardhë. E shikoni, këtu ishte i ftuar edhe ambasadori i Tiranës, por ai nuk e bani kabull me nderu Skënderbeun e me bisedu me emigrantët! Me thanë të vërtetën mirë bani se kishte rrezik me u kriju ndonjë gjendje e pakandëshme…”

E njëjta ngjarje sipas qeverisë së Tiranës

Me radiogramin 1087, datë 8 maj 1980, ambasada shqiptare njoftonte Tiranën se “në 6 maj qenë grumbulluar në sheshin që do të emërtohej me emrin “Skënderbeg” rreth 500 shqiptarë të ardhur nga Belgjika, SHBA, RFGJ, Italia, Anglia dhe Franca dhe pjesa më e madhe e tyre ishin të arratisur. Midis tyre kishte pasur edhe një grup arbëreshësh me në krye dy priftërinj. Të gjithë këta kishin shkuar në orën 9.00 në “Notra Dame”, ku kishin bërë një ceremoni të shkurtër pa pjesëmarrjen e autoriteteve zyrtare franceze. Këtyre u kishte folur një anëtar i komisionit nismëtar, i cili i njoftoi se me vendim të organeve qeveritare franceze nuk do të bëhet ceremonia e parashikuar nga Bashkia e Parisit, sepse kjo është një çështje diplomatike që ka të bëjë me marrëdhëniet midis qeverisë së Tiranës dhe qeverisë franceze dhe në këto kushte, ka shtuar ai, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet e vendit”.

Brenda të njëjtës datë, 8 maj 1980, një radiogram i dytë i shifruar, i koduar me numrin 1095, e njoftoi MPJ në Tiranë se në ambasadë u kishte vajtur këshilltari diplomatik i Bashkisë së Parisit, i cili “pati shprehur në emër të Shirakut keqardhjen për ngjarjen e papëlqyer lidhur me emërtimin e sheshit me emrin “Skenderbeg”. Ai kishte kërkuar që ambasadori të merrte pjesë në ceremoninë në fjalë dhe t’i përgjigjej fjalimit të gjeneralit në pension Kasò. Në radiogram thuhet se “Përgjigja e shokëve të Ambasadës për këtë çështje ishte e prerë, se ne jemi kundër kësaj dhe se jemi për emërtimin e një sheshi tjetër me emrin “Skënderbeg”, shesh i cili të gjindet nga Bashkia. Këshilltari tha se për sa më sipër do të njoftonte Shirakun dhe përfundimin Ambasadës”.

Pas kësaj ngjarjeje MPJ i dha udhëzime Ambasadës që “ambasadori të kërkonte takim me Shirakun”. Kjo kërkesë u përsërit mbi 5-6 herë, shënohet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por takimi nuk u dha asnjëherë, duke u justifikuar se është tepër i zënë me punë, se është me pushime, e justifikime të këtij lloji”.

Në një informacion për tërë këtë histori katërmbëdhjetë vjeçare që ministri i Jashtëm, Reiz Malile në 16 nëntor 1982 i dërgonte Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së, thuhet se “Në qershor të vitit 1981 ambasada konstatoi se ishte vënë pllakata me emrin e Skënderbeut në sheshin e caktuar që në fillim, por pa ceremoni zyrtare. Sheshi është një vend i humbur dhe fare i papërshtatshëm për emrin e heroit tonë kombëtar”.

Në Tiranë filloi trysnia diplomatike ndaj ambasadorit francez për ta fajësuar vendin e tij për lejimin e njëanshëm të dhënies së një sheshi në Paris me emrin e Gjergj Kastriotit dhe se ambasadori Dhimitër Lamani dhe ndihmësi i tij i parë Kujtim Hyseni duhej të merrnin një takim në Bashkinë e Parisit dhe të takoheshin me zv. Kryetarin e saj. “Këtij t’i thuhej pikë për pikë: “Nuk na vjen hiç mirë që Bashkia mban lidhje me grupe të tilla elementësh, të cilët kanë tradhtuar popullin shqiptar dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me të. Veç kësaj ekspozojmë edhe pseudopiktura të prodhuara prej tyre në sallat e saj kur dihet fare mirë se ata përfaqësojnë llumin dhe reaksionin më të zi shqiptar dhe përpiqen të dëmtojnë marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Francës”.

Po ashtu të deklaronin se “Në interes të zhvillimit dhe të thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona është e nevojshme që kjo pikturë të mos ketë vend në Bashkinë e Parisit, por në asnjë vend tjetër publik në Francë”./KultPlus.com

Ky është portreti i rrallë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu (FOTO)

Nga Aurenc Bebja, Francë – 28 Janar 2018

Në fillimin e veprës me titull “Scanderbegus hoc est vita et res strenue feliciterque gestae, Georgii Castrioti, Epiri regis, ob magna facta Scanderbegi dicti, contra Turcarum immanitatem & perfidiam, …” të autorit Georgio Bartholdo Pontano, gjejmë një portret të rrallë të heroit tonë kombëtar, të cilin, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”./ KultPlus.com