Skënderbeu në Piazza Albania në Romë

Ambasada e Italisë në Tiranë në vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut shpallur nga qeveria shqiptare sjell një foto të monumentit të Skënderbeut vendosur në sheshin Piazza Albania, në Romë.

Në një postim në faqen e saj Facebook, Ambasada e Italisë në Tiranë shprehet se “pak njerëz e dinë se në Piazza Albania në Romë gjendet monumenti i Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar”.

Bashkë me postimin e saj, ambasada e Italisë në Tiranë poston dhe foton e monumentit të Skënderbeut në Piazza Albania në Romë./ KultPlus.com

Kjo është lista me 10 librat më brilant që janë shkruar për Skënderbeun

1. Kryqtari i fundit nga Virgjil Kule: E botuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ky është libri monografik më brilant deri tani për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili tregon muaj pas muaji, vit pas viti çfarë ka bërë Skënderbeu.

2. Skënderbeu, një histori politike nga Aurel Plasari: Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut. Veçohen dokumentet nga arkivat e Milanos.

3. Historia e Skënderbeut nga Marin Barleti: Edhe pse praktikisht biografi i parë i Skënderbeut është Martin Segoni, është Marin Barleti, prifti shkodran, që botoi në latinisht për herë të parë në Romë rreth viteve 1508 – 1510, një biografi “zyrtare për Skënderbeun. Edhe pse ky Barleti përdori si referencë Martin Segonin.

4. Skënderbeu nga Sabri Godo: Roman historik, ndryshe nga të tjerët, i shkruar nga i mirënjohuri Sabri Godo, që tregon historinë e heroit tonë kombëtar. Romani përshkruan trimëritë e luftës 25-vjeçare kundër turqve, por edhe ndjenjat e tij, çfarë mendon ai, mënyrën e komunikimit me të afërmit, ushtarët, trimat shqiptarë, dashurinë për Shqipërinë. Një roman që këtë figurë kaq të lartë kombëtare e afron më shumë me ne, e bën më njerëzore dhe më të afërt.

5. Skënderbeu –histori shqiptare e shekullit XV nga Antonio Zonkada: Romani, i botuar në Milano 1874, frymëzoi popullin italian në luftën për lirinë dhe bashkimin e Italisë, e cila ndodhej ende nën sundimin e huaj.

6. Historia e Skënderbeut nga Fan Noli: Është libri i parë historik i Skënderbeut në shqip i shkruar nga Fan Noli. Noli bëri një punë torturuese duke rrëmuar gjithë arkivat e mundshëm në kërkim të të dhënave për Skënderbeun. Historia e Skënderbeut ishte tema e diplomës së Nolit në Universiteti e Bostonit.

7. Skënderbeu: Një histori e Gjergj Kastriotit dhe e Rezistencës Shqiptare ndaj ekspansionit Islamik në Europën e shekullit XV nga A. K. Brackob: Një libër biografik i dalë së fundmi për Skënderbeun, i cili argumenton se sukseset e Skënderbeut shpëtuan Italinë duke vonuar operacionet ushtarake të Mehmetit II. Autori e botoi me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti, i cili sipas tij, shpëtoi qytetrimin perëndimor.

8. Skanderbeg: Nga i burgosur i osmanëve në heroin shqiptar nga Harry Hodgkinson: Biografia e parë për heroin kombëtar të Shqipërisë e botuar në Angli pas më shumë se 400 vjetësh.

9. Skënderbeu nga Oliver Jens Schmitt: Në vazhdën e jetëshkrimeve dhe monografive të shumta kushtuar Gjergj Kastriotit, “Skënderbeu” i Schmittit është portreti më i plotë, i ndërtuar me mjetet e historiografisë moderne, me një depërtim të pazakontë në shoqërinë, në protagonistin dhe personazhet kryesore rreth Aleksandërit të ri.

10. Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Shqipëria në shekullin XV nga Jovan Radoniç: Një punim volumiz i këtij autori serb për Skënderbeun, i cili ka dokumentuar historinë e Skënderbeut duke mbledhur dokumente nga të gjitha arkivat, si: Napoli, Milano Raguza të Spanjës etj./ KultPlus.com

Skënderbeu dhe letra e tij drejtuar Papës në Romë pesë shekuj më parë (FOTO)

Kjo është letra që Skënderbeu ia kishte dërguar Papës në Romë.

Kjo letër daton që nga 8 prilli i vitit 1456, ndërsa kjo gjë është bërë e ditur përmes një punimi të Dhimitër Pilika i cili kishte shkruar për të në janar të vitit 1967, përcjell KultPlus.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Zot në Arbër, asht siç thuhej në fund të letrës, i ishte drejtuar Papës në Romë, duke i treguar për turqit të cilët ishin përgatitur për një sulm të radhës ose ndaj Shqiptarëve ose ndaj Danubit. Me këtë letër dërguar nëpërmjet Pal Engjëllit-mikut të ngushtë të Mbretit të Arbërve, Skënderbeu i kishte kërkuar ndihmë Papës.

Kjo pra është letra e shkuar pesë shekuj më parë nga Gjergj Kastriotit Skënderbeu. (Letra është botuar nga Gazeta Tema)/ KultPlus.com

Kalaja e Ulqinit është veshur Kuq e Zi (VIDEO)

Në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut qyteti i Ulqinit, më saktësisht Kalaja e qytetit është “veshur” kuqezi.

Në pamjet mbresëlënëse mund të shihen në murin e Kalasë së Ulqinit pamja e flamurit shqiptar dhe ajo e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut./KultPlus.com


Portreti i Skënderbeut

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

Kënga e Gjergj Kastriotit (VIDEO)

Po e sjellim sot këngën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo këngën është kënduar në filmin e Skënderbeut dhe kjo video është pikërisht një fragment i shkëputur nga filmi, shkruan KultPlus.

Rikujojmë se dje ishte 550 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërkaq viti 2018-të është shpallu Vit Mbarëkombëtar i Skënderbeut./ KultPlus.com

Fara e përlindjes sonë kombëtare

Ese: Ragip Sylaj

Nëse sipas psikanalistëve, mitet janë riprodhim i ëndrrave, mund të thuhet se këtu fillon edhe njëra nga përmasat mitike të Gjergj Kastriotit, që para lindjes së tij. Siç tregon Barleti ( ), “kur e ëma e tij (Vojsava) mbeti me barrë me të, pa në ëndërr se lindi një dragua aq të madh, saqë mbulonte gati gjithë Epirin, kokën e shtrinte ndërmjet kufijve të turqve, të cilët i përpinte me gurmazin e vet të gjakosur, ndërsa bishtin e mbante në det ndërmjet kufijvet të krishtera dhe sidomos të shtetit venedikas” (1). Dhe Gjoni “profetizoi me lehtësi se prej saj do të lindë një burrë i përmendur në luftë e në vepra, i cili do të ishte armiku më i rreptë i turqve dhe njëkohësisht kapedani i tyre më fatbardhë, mbrojtës i fesë së krishterë (…)” (2) . Duke filluar që para lindjes së kryetrimit tonë, kjo linjë e shtrin parabolën e saj deri “pas vdekjes së tij kur kërkojnë ‘një grimë asht të burrit’ për hajmali, që të mos i zërë plumbi dhe që t’u ecë fati si atij” (3). Esenca e kësaj aureole mitike nuk është e rastësishme (dhe ky nuk është zbulim imi), kuitesenca e këtyre përmasave është vetë qenia reale, që fatbardhësisht i kaloi kufijtë e asaj që është natyrore për një njeri të vdekshëm, andaj Gjergj Kastrioti me atributet e një njeriu të jashtëzakonshëm, i përftoi edhe përmasat mitike e legjendare.

Irealiateti i përçartjes së somnambulëve

Përmasën ireale kësaj figure, ndër më të shquarat në historiografinë tonë dhe atë botërore, u munduan t’ia mveshin serbët. Kjo ndodhi kur, nga thellësia e marrëzisë së tyre të begatshme, nxorën përfundimin se Skënderbeu na qenkësh bashkëluftëtar i Xhafer Devës dhe për shkak të saj nuk u lejuaka të mësohej në shkolla (bëhet fjalë për vitet ’80 të shekullit që shkoi). Këso faktesh nuk do të pjellë asnjë teatër absurdi ende sado imagjinatë e bujshme që ta vërë në lëvizje.
Një përmasë tjetër ireale që deshën t’ia zbulojnë somnambulët e përçartjes ishte edhe origjina e kontestuar e këtij vigani të historisë. Por, lidhur me këtë çështje historiani Flamur Hadri (i ndjerë) konstaton: “Tezat absurde të pak historianëve të huaj të shek. XIX, të cilët pretenduan që heroi kombëtar i shqiptarëve ishte me kombësi sllave ose greke, qenë rrëzuar përfundimisht nga historia skënderbejane e paraluftës” (4) (para L.II.B – plotësim imi).
Shkrirja e përbërjes substanciale reale me përbërësit mitikë te Gjergj Kastrioti ka amalgamuar figurën madhështore të historisë sonë kombëtare, e cila sa vjen e merr peshë historike e civilizuese, shkëlqim e dritë optimizmi etj. Le më që, përveç përbërësve të përmendur, aty gërshetohen e shkrihen si te rrallë ndonjë personalitet tjetër historik: perëndimorja (me emrin Gjergj, me besimin e krishterë, me simbolikën e diellit e të dritës…) dhe lindorja (me emrin Skënderbe, me besimin e shartuar-mysliman, me simbolikën e hënës, d.m.th. të natës…). Kështu, ai (Skënderbeu) del figurë ngjashëm si vendi dhe populli i tij), ku ndeshen, ku priten, ku pleksen, ku shkrihen e amalgamohen kundërshtitë më të skajshme. Tek ai është sublimuar trimëria, virtyti, shkëlqimi dhe, gjithsesi, edhe madhështia e popullit të tij. Pa e hedhur penelin e ngjyrosjes së portretit të tij real, sikurse edhe ishte besuar, qoftë për të gjallë të tij, qoftë pas vdekjes së tij, për shkëndijat hyjnore që kishin prafulluar nga shpirti ti tij i pamort, na duket shumë e arsyeshme kërkesa e presidentit (të ndjerë) të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, drejtuar Papa Gjon Palit II për shenjtërimin e kryetrimit tonë, pas kërkesës së ngjashme për shenjtërimin e Nënës Tereze, gjë e cila edhe u jetësua.

Esenca e rrezatimit të përtëritjes së shqiptarizmës

Tashmë duhet konsideruar se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu njihet në plotni, në të gjitha dimensionet që përbëjnë figurën grandioze të tij. Ai ishte esenca e rrezatimit të përtëritjes së shqiptarizmës, ose thënë shul shqip: ai është fara e Rilindjes sonë kombëtare. Figura e tij e ndritshme mbetet tepër frymëzuese, mbase së pari, nëpërmjet veprës së të madhit Barlet, “Historia e Skënderbeut”. I pashembëllyeshëm pothuaj mbetet (po ashtu) me asnjë figurë tjetër, jo vetëm të historisë sonë po as të asaj botërore (5), për luftërat titanike që kishte bërë me tërë madhështinë e thjeshtësisë dhe me shembullin e fisnikërisë më të lartë. Si i tillë, ai nuk kishte si të mos ishte forca më vitale e ripërtëritjes së shqiptarëve, përkatësisht udhërrëfyes mbase i vetëm për frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Me atributet e pakundshoqe që sintetizon figura e monumentale e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, edhe sot bashkë me flamurin e tij, mbetet simboli qenësor i qëndresës dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë.

Fusnotat:

1 Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, “Rilindja”, Prishtinë, 1988, fq. 50
2 Po aty, fq.50
3 Po aty, fq.33 (nga parathënia e Stefan I. Priftit), por të shikohet edhe faqja 490
Ndërkaq Fan S. Noli, Vepra 4 (Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468), faqe, 174. At thuhet “Dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhën, turqit hapin dhe varrin e tij, që të mernin copëra të koskave të tija, si hajmali që t’i bënin ata aq të paprekshëm, sa ç’e kishte famën se ishte edhe vetë Skënderbeu”. Të shikohet edhe Barleti, Vita, Libri XIII, fq. 373
4 Flamur Hadri, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij n…”, fq.78
5 Shih edhe Ymer Jaka, Skënderbeu në letërsinë frënge, Rilidnja, Prishtinë, 1990, fq.26, ku ndër të tjera autori thotë: “Në kohën e luftërave qytetare në Francë Skënderbeu duhet të shërbente si shembull për bashkimin e kombit”
Te Fan S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fq.183,184: “Për sa u përket rezultateve të fushatave të tij, Kaliksti III i përmblodhi ato fare bukur kështu: Si një pendë e
patundshme, ai i preu vrullin vërshimit turk dhe nuk e la që ta përmbyste Evropën e krishterë”
“Dhe vërtet, pothuajse fill i vetëm, ai i qëndroi furisë së turqve mizorë si një ledh i patundur, duke mos i lënë të afroheshin dhe t’i turreshin krishterimit” (FARLATI)./ KultPlus.com

Zbulohet busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjilan (FOTO)

Në Gjilan, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2018”, u zbulua busti i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, një fjalim mbajti edhe i pari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili theksoi se ky bust dhe ky vend do të rrezatojë mbi gjeneratat e reja.

“Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” ne jemi krenarë dhe ndihemi krenarë para veprave të mëdha të patriotëve e baballarëve tanë që na mësuan se si të luftohet për liri. Skënderbeu është shkaku që ne jemi gjallë. Ky bust dhe ky vend do të rrezatoj mbi gjeneratat e reja”, tha Lufti Haziri./ KultPlus.com

Matthias Pfaffenbichler: Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk do të zhvendosen në Shqipëri (VIDEO)

Historiani dhe drejtori i Muzeut të Armëve në Vjenë, Matthias Pfaffenbichler, hedh dritë se si vajti shpata dhe përkrenarja në Muzeun e Vjenës, në një intervistë për “Deutsche Welle”.

Ndër të tjerash, ai ka folur edhe për kontekstin historik të simboleve të Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar.

Shpata dhe përkrenarja e Heroit, – që ndodhen në Muzeun e Vjenës, – erdhën dhe u ekspozuan në Shqipëri në vitin 2012, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa këtë vit, i shpallur nga qeveria shqiptare si Viti i Skënderbeut, nuk ka plan për zhvendosjeje drejt Shqipërisë, – pasi ato janë pronë e Mbretërisë së Hasburgëve

Sipas Pfaffenbichler, Ferdinand von Tirol, një koleksionist i njohur dëshironte me çdo kusht të kishte simbolet e Skënderbeut në koleksionin e tij. “E nëse një koleksionist e dëshironte këtë gjë, tregu i artit e prodhon këtë”.

Por a është origjinale përkrenarja e tij, aq shumë e mitizuar.

Ndiqeni këtë intervistë tejet interesante nga DW, me drejtorin e Muzeut të Armëve në Vjenë. (Përshtati nga DW: Edmond Prifti/Konica.al)./ KultPlus.com

BKK, hapë ekspozitën me koleksionin e pazbuluar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut (FOTO)

Gili Hoxhaj

Ekspozita me titull “Lirinë e gjeta këtu” kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, sot mblodhi shumë vizitorë të cilët më shumë vëmendje shikonin materialet e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë prezantoi një kronologji të materialeve për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, duke shfaqur një korpus të përzgjedhur të librave, artikujve, citateve dhe fotografive, që po ekspozoheshin për herë të parë dhe që shumë prej tyre pasqyrojnë ndikimin e figurës emblematike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në kulturën dhe dijen në Kosovë.

Ekspozita nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj figure emblematike e cila kishte zgjuar interesin e krijuesve nga vende të ndryshme të botës. Gravurat angleze, franceze, gjermane, e italiane kishin zënë vend në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ndërsa artikuj gazetash që qëndronin në anën tjetër të hollit, nxirrnin në pah fakte tejet të rëndësishme lidhur me figurën heroike të Skënderbeut. Ndërsa në hollin sipër ndodheshin një serë botimesh të huaja dhe shqiptare, ku përfshiheshin botimet që nga koha Marin Barletit. Ilustrimet sipër po ashtu tregonin rrugëtimin heroik të jetës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Hapjes së kësaj ekspozite i paraprinë fjalët e drejtorit të BKK-së, Fazli Gajrakut i cili tha se Skënderbeu ishte prirës me të cilin ka filluar dhe ka marrë formë ideja identitetit shqiptar, shtetit shqiptar dhe ideja e bashkimit shqiptar ndërsa shtoi se Gjergj Kastrioti është figura më e madhëruar e shqiptarëve.

“Figura e Gjergj Kastriotit është figura më monumentale që është thirrur në ndihmë gjatë periudhave të vështira. Ne po i zbulojmë këto materiale që të ngjallim kujtesën për lavdinë e një të kaluare të cilën sa më shumë e kujtojmë, aq më mirë i kemi punët. Edhe pas pesë shekujve dalin fakte interesante dhe të pazbuluara ndonjëherë duke u bazuar në monedha, letra zyrtare, pamflete, kronika, regjistra të gjetura në arkiva turke dhe ato evropiane” ka thënë Gajraku sot gjatë hapjes së kësaj ekspozite.

Gajraku tha se ky koleksion tregon se Figura e Gjergj Kastriotit nga koha e Barletit e deri më sot ka tërhequr vëmendjen e politikanëve, historianëve studiuesve të letërsisë së shkruar dhe popullore, të historisë së qytetërimeve, të piktorëve, skulptorëve, regjisorëve e të rapsodëve.

Pas tij fjalën e mori Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi i cili tha se ndihet i nderuar të jetë pjesë e hapjes së kësaj ekspozitë ndërsa tha se figura e Skënderbeut gjatë shekujve të tërë ka qenë frymëzim për gjenerata të tëra se si duhet dashur e ruajtur atdheu, ndërsa theksoi se ai po ashtu ka qenë frymëzim për shumë krijues.

“Skënderbeu me veprimtarinë e tij ka nderuar popullin shqiptar duke u bërë ambasadori më i mirë i mbrojtjes se vlerave civilizuese dhe evropiane. Sa më shumë kohë që do të kaloi figura e Skënderbeut do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme” tha ministri Gashi ndërsa shtoi se kjo ekspozitë është një kontribut i çmuar i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe duhet të mbete si një shembull i mirë që secili nga ne të jap kontribut në ndriçimin e historisë tonë të pasur. / KultPlus.com

Për një këshillë mbarëkombëtare për Vitin e Skënderbeut

Shkruan Rexhep Qosja.

Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur vitin 2018 Vit të Skënderbeut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar themelimin e një Komisioni të posaçëm për organizimin dhe përurimin e këtij viti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar, njëkohësisht, nga qytetarët që të japin ide, sugjerime e propozime për kalendarin e aktiviteteve që do të mbahen gjatë këtij Viti.

Edhe pse me vonesë, po i përgjigjem tash kësaj kërkese të Kryeministrit.

Viti 2018, si vit i Skënderbeut, është Vit i figurës më të madhe, më të rëndësishme e më largpamëse në historinë e popullit shqiptar.

Është ky Vit që do të shënohet në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo ka tjetër shqiptarë në Ballkan dhe në Botë.

Është ky Vit që do të shënohet prej institucioneve shtetërore, prej institucioneve shkencore, prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prej Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, prej lidhjeve e shoqatave të shkrimtarëve, të krijuesve të tjerë të arteve, prej shoqatave të ndryshme kulturore, prej partive e prej grupeve të ndryshme partiake e jopartiake.

Është ky Vit që do të shënohet në mënyra të ndryshme: me akademi shtetërore, me akademi shkencore, me manifestime e me veprimtari politike, kulturore, argëtuese. E të tjera. E të tjera.

Mund të besohet se gjatë gjithë këtyre akademive, manifestimeve e veprimtarive të tjera shënuese do të sillen të dhëna të reja, shqyrtime të reja, gjykime e vlerësime të reja shkencore, historike, kulturore, politike për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për kohën e tij, për trajtimin e tij të deritashëm në historiografinë, në letërsinë e në artet kombëtare dhe në historiografinë, në letërsinë e në artet evropiane e botërore.

Mund të pritet që në gjithë këto manifestime e veprimtari shkencore, kulturore, artistike, politike, shtetërore, argëtuese të ketë edhe shumë retorikë e patos.

Por, mund të besohet se gjatë gjithë këtyre manifestimeve e veprimtarive shkencore, politike, shtetërore, kulturore e argëtuese do të prodhohen edhe kiç mendime, kiç gjykime e kiç vlerësime.

Mund të pritet gjithashtu që në të gjitha këto manifestime e veprimtari do të prodhohet edhe jo pak kiç atdhetarizëm.

Për të qenë Viti i Skënderbeut i shënuar më mirë e më suksesshëm, në pikëpamje shkencore, kulturore, artistike, politike, shtetërore më dinjitetshëm e më ndikueshëm jo vetëm në përpjesëtime gjithëkombëtare e, pse jo, edhe më gjerë, mendoj se duhet të formohet Këshilli i quajtur Këshilli Mbarëkombëtar për Vitin e Skënderbeut, i cili do të merret me “organizimin dhe përurimin e këtij Viti” në gjithë hapësirën shqiptare e në diasporë.

Nuk është vonë për krijimin e këtij Këshilli Mbarëkombëtar, i cili do të përbëhej prej përfaqësuesve politikë e shtetërorë, prej përfaqësuesve të organizatave qytetare, prej historianëve, prej shkrimtarëve e krijuesve të arteve të tjera, prej publicistëve të Shqipërisë shtetërore, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve të diasporës evropiane e amerikane.

Për vitin kushtuar një figure madhore historike, mbarëkombëtare e gjithëkohore, siç është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili në jetën e vet bashkoi Idenë e madhe mbarëkombëtare dhe Shpatën për mbrojtjen dhe sendërtimin e saj, doemos duhet të ketë edhe një Këshill i tillë Mbarëkombëtar. Apo jo?

Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Shkruan Ndue Ukaj.

Sot është 550-të vjetori i vdekjes së Kryezotit tonë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Është ditët e shënuar kombëtare.

Gjergji, para 550 vitesh, iku për botën e përjetshme dhe na la një vepër të pasur dhe shumëdimensionale.
Që atëherë, ai mbetet gurrë e pashtershme frymëzimi kundër demoralizimit dhe ligështimit kombëtar.
Një gurrë e pashtershme frymëzimi për vepra të shumta kulturore dhe artistike.

Sot është ditë e shenjtë kombëtare.
Është një ditë, në të cilën shqiptarët, të bashkuar duhet t’i ulin flamujt e ndarjes, mërisë kundër njërit-tjetrit, dhe të ndërgjegjësuar, të hyjnë në tempullin kastriotian.

Që nga vdekja e tij e deri me sot, asnjëherë nuk u pushua së shkruari për të dhe për bëmat e tij të bujshme e madhështore, me të cilat, Gjergji ynë, i dha nder e lavd të përjetshëm kombit shqiptar.
Vepra dhe figura e tij, janë përjetësuar në shumë fusha të artit: muzikë, pikturë, letërsi, skulpturë, etj. Po ashtu, në nder të emrit dhe veprës së të tij, nëpër qendra të mëdha europiane, janë emëruar shumë sheshe e rrugë, dhe janë ngritë shumë shtatore.

Emri dhe vepra e tij, përgjatë historisë sonë, qenë frymëzim për të gjitha lëvizjet politike dhe kulturore shqiptare.

Pa të, kombi ynë, vështirë mund të mbijetonte përballë furtunave të shumta që goditën, prandaj, me të drejt Ismail Kadare, te libri Mosmarrëveshja, shkruan:
“Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të.”

Viti kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, do të duhej t’ na shërbente si algoritëm për t’i zgjedhur shumë probleme dhe mosmarrëveshje ndërmjet nesh.

Viti kushtuar Skënderbeut duhet të jetë vit kundër amnezisë historike dhe në funksion të kultivimit të kujtesës kombëtare.

Viti kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ka kuptim të plotë, nëse vetëdijesohemi dhe ilumninohemi politikisht, fisnikërohemi shpirtërisht dhe emancipohemi kulturalisht. Duke i lënë prapa paudhësitë dhe duke i luftuar batakçinjtë.

Edi Rama publikon vulën e akteve shtetërore të Skënderbeut (FOTO)

Edi Rama kryeministri shqiptar, mëngjesin e së mërkurës ka publikuar vulën e akteve shtetërorë të Skënderbeut, shkruan KultPlus.

“MIRËMËNGJES
dhe me këtë imazh spektakolar të vulës së akteve shtetërore të Gjergj Kastrioti Skënderbeut (që mund ta kundroni sot në sallën e krijuar enkas në Pallatin e Kongreseve, në këtë 17 janar të 550-të të vdekjes së Heroit Kombëtar), ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Edi Rama.

Muzeu i hapur te Pallati i Kongreseve do të vizitohet ditën e mërkurë dhe të enjte nga ora 10:00 deri në 22:00 të mbrëmjes.

Në të mund të shihni imazhe të Skënderbeut dhe artefakte autentike pjesërisht të pashfaqur më parë, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeut./ KultPlus.com

Sot 550 vite nga vdekja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Sot bëhen 550 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Kjo ditë do të shënohet me aktivitetet të shumta në Kosovë, të cilat fillojnë me orën e parë mësimore në shkolla, ku nxënësve do t’u ligjërohet për Skënderbeun.

Nga ora 10:00 do të bëhen homazhe tek Shtatorja e Skënderbeut në Prishtinë. Në orën 11:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, hapet ekspozita me portrete të Skënderbeut.

Në ora 13:00, Komuna e Gjilanit bënë zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në sheshin kryesore të qytetit. Po ashtu, në ora 16:00, Komuna e Gjilanit organizon akademinë e Flakës së Janarit 2018, që i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar.

Nga ora 18:00, Muzeu i Kosovës dhe Museum Illyricum në Zvicër, hapin ekspozitën me libra, pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet e 30-ta./ KultPlus.com

Ilir Xheladini sjellë ekspozitë në 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Muzeu i Kosovës, me nismën “Museum Illirycum”-Zvicërr, Organizojnë ekspozitën me libra, gravura, pulla dhe bankota nga mesjeta e deri në vitet e 30-ta, shkruan KultPlus.

Ekspozita, e cila vjen nga koleksionuesi shqiptar Ilir Xheladini, do të hapet nesër më 17 janar, në Muzeun e Kosovës, me fillim nga ora 18:00./ KultPlus.com

Kosovari nga Novobërda – ambasador i Skënderbeut në Venedik

Gjergj Pelini, një kosovar i Novobërdës, ambasador i Skënderbeut në Republikën e Venedikut.

Kështu shkruan historiani i njohur Jahja Drançolli, që thotë se krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme.

“Në skenën europiane Skënderbeu kishte hyrë kur ajo ishte e përçarë, sikurse edhe Arbëria. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, siç ishin, vëllezërit Gazulli (Gjini, Pali dhe Ndreu), Gjergj Pelini i Novobërdës, arqipeshkvi Pal Engjëlli, Ndrte Snatiku, abati Lazar, e ndonjë tjetër. Rol kyç në diplomacinë skënderbejane kanë luajtur vëllezërit Gazulli, të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë. Gjergj Pelini i Novobërdës (? – 1463, lat. Georgius Pelino, Georg/Georgo Pelinus/Pellinus, Georgius Polini, etj.), ndërkaq ishte i specializuar për çëshje të marrëdhënieve me Republikën e Venedikut”, ka thënë Drançolli në një artikull autorial, raporton Koha.net.

Sipas tij, ambasadori e diplomati Pelini ka lindur në Novobërdë (“venerabilis vir dom Georgius Pellini de Nouomente; “Georgius Andree Pellini de Nouamonte”, etj.), dhe pjesën e madhe të jetës e drejtonte Kuvendin benediktin të Shën Mërisë në Rotec afër Tivarit (1436-1463, Rotezo, Rhotetio, Rotazio, Roteza, Ratec, Retec, Rozezo, de Reteco, Ertezo, etj.).

“Sipas lëndës arkivore të proveniencave dalmate dhe italiane, aktiviteti diplomatik i abatit Pelini mund të ndiqet së paku nga viti 1438; më 1441, e shoqëronte Gjin Gazullin në një mision diplomatik në Itali; në cilësi të diplomatit kishte vizituar shpesh Republikën e Venedikun (1448-1463). Më 1448 (4 tetor), Pelini mori pjesë me Ndreun (ipeshkëv i Arbërisë) në Traktatin e paqës, në mes të Skënderbeut e Venedikut, që është përfaqësuar nga Paolo Loredan e Andrea Venier. Traktati i paqës, që u nënshkrua në kampin e Skënderbeut, caktonte që Danja t’i mbetej Venedikut, por që edhe Skënderbeu të shpërblehej, me një pension të përvitshëm (1400 dukate); me një hua (1500 dukate), që i mundësonte të bëhej mik i Huniadit në Betejën e Dytë të Kosovës (17-19/X/1448)”, ka thënë tutje Drançolli, teksa ka shtuar se objektivi i kësaj marrëveshjeje paqësore ishte që Skënderbeu t’i shpëtonte luftës në dy fronte njëkohësisht: më Venedikun dhe më osmanët.

“Pelini, dy vjet më vonë, në emër të Skënderbeut, i ofronte Venedikut sovranitetin mbi Krujën. Në vitin 1456, ai kishte ndërmjetësuar me shpenzimet e vete në zgjidhjen e një sërë çështjesh të diskutueshme mes Venedikut e Skënderbeut. Në vitin tjetër (qershor 1457), përveç ankesave të Skënderbeut ndaj Venedikut rreth mospagimit të taksave dhe shkeljen e privilegjeve të dakorduara më parë, Pelini, kishte kërkuar nga Republika, që ti lejohet Skënderbeut të dilte në Zetën Arbrore, e cila në atë kohë pjesërisht ishte nën osmanët. Gjatë shtrëngesave të paraqitura, Pelini kishte shfrytëzuar nga rasti, që t’i kërkonte Senatit të Venedikut, katër fshatra, të cilat i kishte pushtuar më parë konti Vojinoviq. Po në këtë vit, Pelini qe angazhuar edhe te Papa Kaliksti III, që Skënderbeut ti vazhdohen ndihmat financiare. Reputacioni i Pelinit në Venedik, dëshmohet nga fakti së në prill (1462), Senati i kishte shkruar princit të Shkodrës, për ta angazhuar Pelinin rreth ndërmjetësimit më gjeneralin. Pelini, edhe me këtë rast, si një ndërmjetës mes dy palëve, kishte arritur sukses. Para vdekjës i papëlqyeshëm për administratën e komunës së Tivarit, Pelini kishte kërkuar për të shkuar në Venedik, dhe atje, që të kalonte pjesën tjetër të jetës; kishte paraqitur kërkesë drejtuar Senatit për tu vendosur me të afërmit. Në cilësi të diplomatit për herë të fundit e ndeshim në Venedik (20/X/1463, protonotarius et abbas sancte Marie de Rotetio), dhe me siguri ka vdekur në mes të kësaj date dhe datës 13/XII/1463)!”, ka thënë Drançolli.

Koleksion i rrallë i monedhave, kartëmonedhave dhe pullave postare me figurën e Skënderbeut

Kjo ekspozitë, e cila përkon me një datë historike, atë të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, synon t’i prezantojë publikut të gjerë figurën e Skënderbeut përmes një koleksioni të rrallë, shkruan KultPlus.

Më 17 janar 2018, Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë hap siparin e aktiviteteve në vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Muzeu Kombëtar i Krujës do të jetë stacioni i parë ku do të zhvillohet ekspozita e përkohshme, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu përmes monedhës dhe pullës shqiptare”. Kjo ekspozitë, e cila përkon me një datë historike, atë të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, synon t’i prezantojë publikut të gjerë figurën e Skënderbeut përmes një koleksioni të rrallë monedhash, kartëmonedhash dhe pullash shqiptare, pjesë e koleksionit të Julian Demeti dhe Jovan Basho.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Krujës në datat 17 -18 Janar 2018. Julian Demeti dhe Jovan Basho janë koleksionistë dhe anëtarë të Kryesisë së Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë. /KultPlus.com

Me fjalime, këngë e poezi u manifestua “Ora e Gjergjit” në Prishtinë

Pervjetori jubilar për heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun sot u manifestua me një orë letrare të quajtur “Ora e Gjergjit” që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në këtë manifestim ishin të pranishëm fetarë si Don Lush Gjergji, e shumë figura të njohura të artit letrar si: kryetai i Bashkimit të Shkrimtarëve Shqiptar, Reshat Sahitaj, dhe sekretari Asllan Qyqalla, po ashtu kryetari i Mergatës Shqiptare, Hasan Qyqalla.

Në këtë manifestim u tha se poezitë e poeteve e sjellin të gjallë figurën e Skënderbeut, këngëtarët e himnizojnë e aktorët e begatojnë figurën e Skënderbeut.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e hapi këtë manifesitm duke përshëndetur të gjithë të pranishmit, derisa tha se Skënderbeu vazhdon të jetë inspirim për shumë krijues, e mburojë përkrenare për ne ndër shekuj.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu është krijues i lirisë dhe inspirim i krijuesve. Ai u përket shqiptarve dhe ballkanasve të tjerë, sepse u përkiste tri feve dhe fliste gjuhët e ballkanit. Gjergji ynë është parendes i multikulturalizimit dhe multifetarizmit që sot janë vlera të përbashkëta, por që ideali i tij ishte liria e kombit. Ai ishte i pari në Ballkan qe e kishte vizion rreshtimin me perëndimin”, tha kryeministri Haradinaj.

Më pas e mori fjalën Reshat Sahitaj, kryetari i Bashkimit të Shkrimtarve Shqiptar, i cili tha se është nder që këtë vit jubilar po e hapin shkrimtarët. “ Është nder që vitin jubilar po e hapin shkrimtarët, pasi që është hera e parë që në historinë e Kosovës së pasluftës që pendat shqiptare po respektohen nga Qeveria. Dua t’ua kujtoi personaliteteve politike dhe jopolitike se krijuesit janë luftetarët e parë të lirisë nga pendat e të cilëve u ngrit vetëdija kombëtare”, tha sonte Sahitaj duke shtuar se vargjet e poeteve që nuk u pajtuan me roberinë u shndërruan në plumba, ndërsa personalitetet politike dihet të kuptojnë kritikën e shkrimtarëve, pasi që kjo është për të mirën e përbashkët.
Më pas të pranishmit e shijuan këngën e Shkurte Fejzës, e një monolog nga aktori Ismet Krasniqi – Lala kushtuar figurës heroike Skendërbeu.

Pas kësaj u hap “Ora e Gjergjit”, e cila nisi me poezinë e profesorit Prend Buzhala “Zemrimi i Gjergj Kastriotit”, për tu pasuar nga poezitë e poetes, Vera Istrefi, Flamur Shala, Shaip Emërrllahu, e shumë poetë të tjerë nga mbarë viset shqiptare, si Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

Po ashtu në këtë ceremoni Pjetër Marku nga Shoqata kulturore “Mirdita”i dhuroi kryeministrit Haradinaj Flamurin e Arbërit. Të pranishmit mbajtën një minut heshjte në nderim të profesorit Basri Çapriqit, i cili ndërroi jetën mbrëmjen e kaluar./ KultPlus.com

Përkrenarja e Skënderbeut në konferencën ndërkombëtare në New York (FOTO)

Sot në New York, u mbajt konferenca e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Arteve dhe Shkencave, për nderë të figurës së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Në këtë konferencë përpos të tjera u ndanë edhe certifikata nderi për ata që kontribuuan në bashkësinë shqiptare. Një nga këto certifikata iu nda edhe artisti Orges Kokosharit, themeluesit të brendit të aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York.

Kësisoj, Kokoshari, në këtë konferencë takoi edhe pasardhësin e familjes Muzaka që aktualisht jetojnë në Teksas të SHBA-së. Me këtë rast, sipas njoftimi të vetë Kokosharit, në rrjetin social Facebook, ai ia dhuroi një nga helmetat e Skënderbeut familjes Muzaka në njohjen e trashëgimisë së tyre.

Po sjellim të plotë postimin e Orges Kokosharit:

“Sot në konferencën e Akademisë Shqiptaro – Amerikane të Arteve dhe Shkencave për nder të figurës së Skënderbeut. Kam pasur nderin të takoj personalisht pasardhësit e familjes Muzaka që aktualisht jetojnë në Teksas të SHBA. Një nga helmetat e mia Skënderbej iu dha familjes në njohjen e trashëgimisë së tyre. Faleminderit akademisë për certifikatën e nderit për mua dhe Sarah për kontributin tonë në bashkësinë shqiptare, SHBA”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut –Arritje e madhe drejt Evropës!

Shkruan Jahja lluka

Gjergji lindi me 6 Maj 1405, ishte djali më i vogël i princit të Shqipërisë Veriore Gjon Kastriotit dhe nënës Vojsava.

Gjergji së bashku me vëllezërit u mor peng nga Sulltan Murati II. Gjatë betejave në Azinë e vogël ai shfaqi shkathtësi dhe trimëri të jashtëzakonshme, ku nga vet sulltani ju dha titulli i gjeneralit. Me titullin “Skënder-bej” apo “Aleksandër i madh” u kurorëzua pas fitoreve në Azi. Ndërkaq më vonë iu dha edhe titulli “Sanxhak-bej”. Në vitin 1443 braktisi ushtrinë turke për t’u rikthyer në tokën e arbërit.

Po ashtu, me 28 nëntor të po atij viti u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve duke u ngritur flamuri shqiptar në Krujën stoike. Po ashtu, me 2 mars 1444 Lidhja e Lezhës njihet si i pari Kuvend Kombëtar i Princërve të Arbërit në shek. XV. Nga 30 beteja të zhvilluara me turqit Skënderbeu i fitoi 29 ndërkaq e humbi vetëm një. Në aspektin familjar, Skënderbeu ishte i martuar me Donika Arianitin nga Kanina e Vlorës me të cilin lindi një djalë të cilin e pagëzoi emrin Gjon (emri i babait të Skënderbeut). Supozimet për vdekjen e Skënderbeut janë të shumta. Thuhet që ndërroi jetë me 17 janar 1468 në Lezhë. 12 vite pas vdekjes eshtrat e tij u zhvarrosën nga turqit. Me 1480 varri tij në Kishën e Shën Nikut në Lezhë u shkatërrua dhe eshtrat ju morën për hajmali. Marin Barleti në veprën e tij thoshte se Skënderbeu i referohej origjinës së Pirros.

Ndërkaq, në arkivat e Vatikanit dokumentohet se Papa Piu II kërkoi të vinte në Shqipëri për ta kurorëzuar Skënderbeun “Mbret të Epirit”. Marin Barleti njihet si biografi i parë i Skënderbeut ku me 1504 solli veprën “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut ” botuar në latinisht. Më pas në gjuhën shqipe autor të shumtë kanë shkruar autor të ndryshëm sikur Noli, Kristo Frashëri, Avdyl Frashëri etj. Duke parë madhështinë e figurës së Skënderbeut duke filluar nga qytetet tona e deri tek qendrat e mëdha botërore shumë rrugë dhe sheshe mbajnë emrin e tij. Buste të Skënderbeut gjenden në shumicën e qendrave evropiane e deri në Amerikë. Përkrenarja e tij edhe sot mbetet simbol misterioz dhe i veçantë.

Disa nga amanetet e Skënderbeut lënë për djalin e tij, Gjon Kastrioti i II. “… në qeveri ,kryesisht shiko sipas drejtësisë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve”.

“Artistet konsideroj si njerëzit më të dobishme të shtetit dhe shteti duhet siguroj kujdes dhe mbrojtje, mos lejo që ata tëe shtypen nga të pasurit”.

“Në fatkeqësi dëshmo kurajo dhe guxim, në lumturi vetëkontroll. Rezultati i një takimi gjithmonë është i panjohur; prandaj është e nevojshme për të parandaluar shpejtësinë ndryshueshmërisë së fitores, dhe se trimëria dhe urtësia ndihmojnë më shumë se fati”.
“Mos harroni në mënyrë të vazhdueshme se politika e turqve gjithnjë ka për qëllim përçarjen në mesin e tuaj… ata duan që ta marrin dhe pushtojnë fronin tënd dhe të atit tënd..”.

“Në lidhje me mirëqenien e shteteve të mia, ashtu unë kam qenë i lumtur në të gjitha përpjekjet e mia. Ndryshimet e shumta në çështjet civile dhe politike tregojnë për dobësinë e qeverisë…”
“…një njeri mosmirënjohës është një nga qenjet më të shëmtuara (poshtera)”.
“Një monark edhe në qoftë se ai do të ishte gjithashtu i varfër, duhet të jetë bujar”.
Meqenëse viti 2018 është shpallur Viti Mbarëkombëtar, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të krijoj komisionin ndër-ministror për të shënuar datat historike të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, duke filluar nga 15 janari do të fillojnë aktivitetet.

• 15 janar, në ora 16:00 do të mbahet ora e madhe letrare “Ora e Gjergjit” me poetët e të gjitha trojeve shqiptare;
• 17 janar, në ora 10:00 do të mbahen homazhet te Shtatorja e Skënderbeut
• 17 janar, në ora 15:00 do të mbahet akademia do të promovohen dy pulla postale të postës së Kosovës dhe të postës së Maqedonisë; Koncerti i ansamblit kombëtarë “Shota”;
• 17 janar, në ora 18:00 do të hapet ekspozita e piktorëve “55 portrete për 550 vjetorin”.

Enigma e varrit të Gjergj Kastriot-Skënderbeut (VIDEO)

Cilat janë të fshehtat dhe enigmat e vend prehjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut? Çfarë fle nën memorialin e tij? Përse u mbuluan gërmimet arkeologjike?

Cilat janë tezat e disa studiuesve të njohur? Pse u anashkaluan kërkimet e tjera?

Tezat janë enigmatike, ashtu si të dhënat e mjaft studiuesve të njohur, dokumentet, gojëdhënat të njohura e të panjohura…
Cilat janë enigmat e varrit të Gjergj Kastriotit? Të gjitha këto pyetje vijnë përmes Gjurmë Shqiptare./ KultPlus.com

Maqedonia emeton pullën postare me portretin e Skënderbeut

Maqedonia ka nderuar 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Posta e saj, ka emetuar sot pullën me portretin e heroit kombëtar shqiptar. Këtë e ka bërë të ditur ambasadori shqiptar në Maqedoni Fatos Reka, përmes një postimi në rrjetin social twitter.

“Posta e Maqedonisë ka emetuar sot pullën postare për të nderuar 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ka shkruara Reka. / KultPlus.com

Shqiptarët në Kroaci me koncert e promovim libri për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Këshilli Shqiptar në Zagreb dhe Shoqata Kroato-Shqiptare, më 17 janar organizojnë koncert në përkujtim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut si dhe bëhet promovimi i librit “Figura e Skënderbeut në Kroaci”, shkruan KultPlus.

Promovimi i librit bëhet në shqip dhe kroatisht ndërsa koncerti sjellë fragmente të operës “Scanderbeg” të Antonio Vivaldit.

Pra më 17 janar me fillim nga ora 19:00 krejt kjo ngjarje e madhe për Skënderbeun mbahet në Mimara, Zagreb./ KultPlus.com

Gjilani bëhet me bust të Skënderbeut

Në kuadër të Manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” që mbahet tash e sa vite në Gjilan, sivjet do të bëhet edhe zbulimi i bustit të heroit të madh shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Në përvjetorin e 550-të të Skënderbuet edhe manifestimi “Flaka e Janarit” i është dedkiuar kësaj figure të rëndësishme shqiptare.

Sipas organizatorëve bëhet e ditur se busti i Skënderbeut do të zbulohet më 17 janar, kurse busti do të vendoset para objektit të zyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit./KultPlus.com