Në 581-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, zbulohet shtatorja e re e Skënderbeut

Me rastin e Besëlidhjes së Lezhës sot është zbuluar shtatorja e re e Gjergj Kastriotit Skënderbeu përballë vendvarrimit të tij në Lezhë.

Sot festohet momenti historik ku shqiptarët para 581 viteve ranë në një mendje. Të pranishëm në ceremoni ishin presidentja Vjosa Osmani dhe Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

“Sot pas më shumë se 5 shekujsh, historia na mëson se uniteti kombëtar nuk është thjesht një koncept i së kaluarës, por një domosdomshmëri për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ashtu si në vitin 1944, edhe sot na nevojitet një qasje e përbashkët, një vizion afatgjatë dhe një vullnet i palëkundur për ta forcuar rolin e shqiptarëve në rajon dhe në botë”, tha Osmani, shkruan euronews.al.

“Le të na shërbejë edhe Lezha edhe Kruja. Kruja për rezistencë, Lezha për bashkim dhe unitet dhe për diplomaci. Skënderbeu nuk ka qenë vetëm i shpatës por dhe i politikës, i diplomacisë nga më të avancuarit e kohës”, shtoi Ahmeti nga ana tjetër.

Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë.

Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botën krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi që me këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.

Kjo besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.

Dëmtohet busti i Skënderbeut në Gjenevë, komuniteti shqiptar: Nuk është hera e parë që ndodh

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme (26 prill), një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në Gjenevë të Zvicrës ku është dëmtuar busti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu që ndodhet i vendosur vetëm pak metra përballë zyrave të OKB.

Le Canton27.ch shkruan se autoritetet zviceriane kanë nisur menjëherë hetimin lidhur me rastin e vandalizimit.
Komuniteti shqiptar në Gjenevë ka shprehur shqetësiminpër rastin ndërsa thonë se kjo nuk është hera e parë që busti i Skënderbeut është dëmtuar.

Busti i heroit kombëtar të Shqipërisë është përuruar në Gjenevë më 1 nëntor te vitit 1997 nga veprimtare te shquar Astrit Leka dhe Zaim Jashari. Bustin e heroit tone kombëtar e mundësoi Zvicra ne shenje falënderimi dhe respekti ndaj kombit dhe komunitetit shqiptar në territorin helvetik, numri i te cilëve besohet se është mbi 300.000.

Në përurimin e bustit te “Skenderbeut” morën pjesë qindra persona, ne mesin e tyre edhe shume veprimtarë të çështjes kombëtare nga komuniteti shqiptar dhe shumë personalitete nga Tirana dhe Prishtina si dhe autoritete kantonale dhe zvicerane./tch/KultPlus.com

‘Gjithçka të shumtë ai e pati, të vetme kish veç Shqipërinë’

Poezi nga Ismail Kadare

Portreti i Skënderbeut

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditeshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë./KultPlus.com