Teatri Kombëtar i Kosovës ka përkujtuar skenografin Nuredin Loxha, ku janë bërë 30 vjet që kur ai vdiq, shkruan KultPlus.
Postimi i plotë i TKK-së:
Pikërisht me datën 7 mars të këtij viti u bënë 30 vjet qysh se u nda nga jeta Nuredin Loxha, i cili na mësoi se skenografia është pjesë e domosdoshme e plotënisë skenike, për më tepër është art Shkolla e Mesme e Artit në Pejë, me të drejtë mund të quhet fidanishte talentesh dhe kuadrosh të artit pamor, sepse nga ajo dolën personalitetet më të spikatura të skenës tonë artistike në përgjithësi.
Nga kjo shkollë doli edhe Nuredin Loxha (1935 – 1992), pishtari i skenografisë kosovare, piktori, poeti, veprimtari, dhe artisti i cili ishte dhe mbeti njëra nga figurat më të shquara që dha kjo shkollë.Natyrisht se fjalët nuk e kanë fuqinë për të shprehur, për të thënë atë që do të duhej të thuhej për këtë njeri, mik e prind hovarda, për këtë qenie krijuese poliedrike.Skenografia e parë ndër ne, ajo e NuredinitPejanët me siguri e mbajnë në mendje bashkëvendësin e tyre Nuredinin, apo Nurën, siç e quanin ata që ishin më të afërt me të, djaloshin flokëkaçurrel, biond, iu kujtohet aktiviteti i tij në SHKA “Përparimi”, aktrimi në shfaqjen “Te kulla e Rrustemit”, të inskenuar nga Teatri i Pejës, i cili, siç dihet, ishte teatri dhe kultivuesi më i madh dhe më i vjetër i kuadrove aktoreske kosovare. Aktorët e njohur si: Kristë Berisha, Ragip Loxha, Malo Gami, pastaj Ahmet Spahija, Istref Begolli etj, me të cilët filloi të punojë Teatri Profesional, së pari në Prizren e pastaj në Prishtinë, dolën pikërisht nga Teatri i Pejës.
Dhe pikërisht në këtë teatër, Nuredin Loxha, bëri skenografinë e tij të parë, për komedinë “Dredhitë e Shaptukut”, që në vitin e largët, 1954.Me të mbaruar shkollën e mesme të artit, në vendlindje, pra në Pejë, Nura nis studimet universitare në Akademinë e Arteve të Aplikuara në Beograd, duke u përcaktuar për pikturën, ku ishte talent i rrallë.
Por meqë dëshira për artin e skenografisë kishte lindur më herët në shpirtin pinok të tij, braktis pikturën që në vitin e dytë të studimeve dhe u orientua kah skenografia, të cilën e mbaroi në vitin 1964. Me diplomë fakulteti Nuredini vjen në Teatrin (sot) Kombëtar, në vitin sezonal 1964/1965, dhe që nga atëherë e deri në çastet e fundit të jetës, realizoi mbi 200 skenografi teatrore, filmime por edhe sosh për balet e për manifestime të ndryshme skeniko – muzikore. Pos kësaj, Nuredini realizoi edhe 130 kostumografi, shkroi radiodrama, teledrama e skenarë filmash, shkroioastaj librete për balete e opera, shkroi gjithashtu përmbledhjen e dramave “Të vdekur, të pavarrosur” dhe “Vajaku”, e mbi të gjitha Nura u mor edhe me poezi. Krejt kjo tregon se kemi të bëjmë me një artist, i cili artit në përgjithësi, dhe atij skenik në veçanti, ia dhuroi tërë qenien krijuese, ia dhuroi madje edhe frymën e fundit të jetës.Kulmet e skenës shqiptareMe punën e tij të palodhshme, Nuredin Loxha i kontribuoi shumë zhvillimit të artit skenik kosovar, duke ndryshuar shumëçka në botëkuptimet tona për skenografinë.
Ai na bindi se skenografia nuk është dekor, siç mendonte shumëkush, por është pjesë përbërëse, madje e domosdoshme e plotënisë skenike, është për më tepër art. Skenografia e Nuredin Loxhës ishte e drejtpërdrejtë dhe komunikatave. Ajo përmbante në vete elementet e arkitekturës, skulpturës, pikturës, dhe varësisht nga përmbajtja apo zhanri skenik, bëhej e lehtë – poetike, apo e rëndë – tronditëse, por përherë gjendej në funksion të lojës skenike. Në të mirë të këtij konstatimi flasin shumë skenografi për shfaqjet: “Tartufi” (Molieri), “Kryet e hudrës” (K.Berisha), “Revizori” (Gogoli), “Sfinga e gjallë” dhe “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (R. Qosja), “Nita” (J. Rela), “Mbreti Edip” (Sofokliu), “Trungu Ilir” (S. Hamiti), “Golgota” (M.Kërlezha), “Hamleti” (Shekspiri), “Shtetrrethimi” (A. Kamy), “Princi i hijeve” (M.Kraja), “Mosha e bardhë” (D. Agolli), etj., si dhe dy skenografitë e fundit: “Antigona” (Sofokliu) dhe “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit” (T.Dervishi). Janë këto realizime me rëndësi antologjike për artin skenik shqiptar, në përgjithësi. Skenografi ynë përherë u shmangej improvizimeve, prandaj në krijimet e tij nuk kishte kurrgjë të rastit dhe pa funksion të caktuar.
Çdo element, çdo detaj i vogël, lozte rolin e vet në mozaikun e gjithmbarshëm skenik. Dhe sapo ngrihej perdja, para shikuesve shfaqej një art i njëmendët, me krejt madhështinë dhe shkëlqimin që kishte. Mund të ndodhte të dështojë teksti, të mos ketë sukses aktrimi, apo të mos jetë e qëlluar muzika, por nuk mund të ndodhte të dështonte skenografia e Nures gjithmonë monumentale, gjithmonë funksionale e llamburitëse. Dhe mu për këtë ajo u nderua me shpërblime dhe mirënjohje të shumta kudo që u paraqit.Mirëpo, sipas këtij artisti të skenografisë, kritika e artit skenik, nëse mund të quhej kritikë, nuk e vlerësonte artin e tij, ose e përgjithësonte me fjalët “skenografia e filanit ishte funksionale”. Po të ishte kritika e mirëfilltë – thoshte ai – do të kontribuonte që edhe spektatorët ta përjetonin më shumë këtë art. Aktorit të mirë – thoshte ai – skenografia i ndihmon të ndihet sikur në shtëpinë e tij, ndërsa të dobëtin nuk mund ta shpëtojë as skenografia as regjistra. E konsiderojmë të qëlluar konstatimin e regjisorit dhe dramaturgut tonë Fadil Hysaj, i cili par thënë se veprimtaria e Nuredin Loxhës është e madhe dhe e begatë, dhe si e tillë shënon kulmet më të ndritshme të afirmimit të skenës shqiptare brenda dhe jashtë Kosovës. Mesazhet pikturaveNura gjithmonë frymonte me shpirtin e teatrit, frymonte sakaq, edhe me dhembjen, dhe agoninë e tij në rrethana okupuese. Rëndë e përjetoi Nura pushtimin e këtij tempulli të Talisë, nga i cili nuk e ndante dita as nata, ku la pjesën më të bukur të jetës.Si artist euridit që ishte, Nura ynë merrej edhe me pikturë. Dy vjet para se të ndërrojë jetë, ai krijoi numër të madh pikturash, duke i përmbledhur në ciklin “Vragë të Kosovës”. Janë këto vragë që klithin nga kafshimet e fantazmave apokaliptike të Karpateve, të cilat kurrë nuk u ngopën së thithuri gjak shqiptari. Kishte në ato imazhe diçka profetike, diçka që paralajmëronte golgotën e madhe në të cilën do të gjendej populli ynë. Në qendër të imazheve pikturave autori vendos njeriun me plis të bardhë, biografia e të cilit gjendet shtatë palë nën tokë, dhe në lartësitë e bardha, të rezervuara vetëm për perënditë dhe shqiponjat. Flasin pikturat e Nures edhe për ëndrrën e tij, për ta parë kombin të përbashkuar në një trung, në një gjak, në një gjeografi fizike estetike e shpirtërore, të cilën aq bukur e shprehu rapsodi shqiptar kur këndoi: “Veç një gjak na rrjedh ndër vena, gjaku i shqipes me dy krena”. Këtë mesazh Nuredin Loxha deshi t’ua përcjellë brezave të reja, përmes pikturës së tij të papërfunduar, të quajtur “Shqiponja krahëthyer”.Misionet e NuredinitArtisti i Popullit Agim Zajmi, i njohur si skenograf, por edhe si piktor, për Nuredin Loxhën, tha se ishte njëri ndër artistët më produktivë të arteve aplikative, me një veprimtari të vazhdueshme krijuese 30 vjeçare si skenograf dhe piktor profesionist, pikturën e të cilit e stolis ndjenja e jashtëzakonshme për hapësirën, funksionalitetin dhe dinamikën e kompozimit të shtruar, kurse veprën e tij skenografike e shquan intelekti i veçantë, intuita profesionale, kultura e dhënë artistit të skenës.
Përafërsisht kështu mendojnë edhe ata që vite e dekada me radhë punuan me te, siç është regjisori Agim Sopi, sipas të cilit, “me ndjenjën e Magut të vërtetë skenik, Nuredin Loxha thurte harmoninë e dhembjes dhe pikëllimit njerëzor dhe me lehtësinë e misionarit krijonte rend të përsosur në rrëmujën e skajshme mitike”. Në rolin e misionarit, Nuredin Loxha u angazhua edhe në aksionin për zhdukjen e analfabetizmit në Kosovë, gjithnjë i vetëdijshëm se edhe përmes këtij misioni arsimues e human, do t’i ndihmojë popullit të vet. Dhe pikërisht gjatë kryerjes së misionit të tillë, pikërisht në ditën e shënimit të 105 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, dhe pikërisht mbi dërrasat skenike, qenia e artistit të quajtur Nuredin Loxha kaloi në amshueshmëri, dhe duke lënë zbrazëti të madhe që sot po hetohet në jetën tonë skenike. /KultPlus.com