Djersë e mund për gjashtë muaj rresht, skenografet Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi vulosën shkëlqimin e Festivalit të Këngës në RTK

Era Berisha

Festivali i Këngës në RTK, tashmë është një ngjarje historike për vendin tonë dhe kjo është e ditur. Fokusi patjetër që është i vendosur tek artistët dhe këngët artistike, mirëpo në anën tjetër, një vezullimë shtesë të paparë, e kanë prezantuar dy artiste. Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, janë skenografet e jashtëzakonshme që me punën e tyre tashmë kanë vulosur edhe edicionin e dytë në një perfeksion të rrallë. Duart e tyre kanë krijuar shumë dritë, shumë shkëlqim, dhe pikërisht kjo ka qenë pikënisja ideore e skenografisë, të cilën për gjashtë muaj rresht e kanë punuar deri në rezultatin final, shkruan KultPlus.

Magjia e skenografisë në edicionin e parë do të mbetet përherë përrallore, marr parasysh që kanë bërë një transformim nga mbetjet e hirit të zjarrit në një pamje që sallat në Kosovë nuk e kanë pasur më herët. Sivjet, skenografia ka ardhur krejtësisht ndryshe por aq edhe e bukur. Skena i përngjante një diamanti të pastër. Çdo sipërfaqe, përfshirë muret, tavani dhe dyshemeja, ka reflektuar një ndriçim që ka flakëruar skenën dukshëm. Madhështia e këtyre dy grave ka përthekuar secilin kënd, duke shpalosur një kaleidoskop unik ngjyrash.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, këtë vit kanë vendosur që lirinë e tyre ta shprehin plotësisht, andaj dhe nuk kanë vendosur një temë specifike për këtë edicion. Ato kanë shijuar lirinë e të qenurit artiste, dhe si të tilla kanë krijuar një skenë që nuk ka nevojë të shpjegohet në hollësi, pasi që flet vetë. Qëllimi i tyre ka qenë i vendosur në mospërsëritjen e edicionit të kaluar, dhe për këtë nevojitet shumë kreativitet e transformim rrënjësor, mirëpo duket se kjo për skenografet ka qenë diçka që shumë lehtë e kanë “nxjerr” nga mëngët e tyre.

Ato kanë bërë riciklimin e materialeve të vjetra, duke i shtuar disa materiale të reja, që në përfundim ka dalë diçka që e ka përjetuar kryeqyteti për tre netë radhazi. Skena ka një karakter të fortë, që transmeton një ndjenjë madhështie nëpërmjet elementeve të thjeshta të cilat janë zgjedhur me shumë kujdes nga skenografet. Fokusi i tyre ishte që skena të dukej monumentale dhe të shërbente si hapësirë ku çdo artist do të mund ta gjente veten dhe të shprehej lirshëm. Kjo qasje e tyre i ka dhënë skenës një simbolikë të hapur, ku çdo element përfaqësonte më shumë një ndjesi sesa një mesazh të drejtpërdrejtë.

Puna e këtyre dy grave është duartrokitur dhe komentuar shumë. Ndjesitë kur i dëgjon ato natyrisht që janë të mëdha dhe kjo i ka lumturuar pafundësisht dy skenografet. Prapaskenat e punës së tyre janë shpalosur në një intervistë për KultPlus.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi tashmë janë ndër figurat që me punën e tyre kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës, duke marr për bazë edhe faktin që tashmë janë skenografet e dy edicioneve të Festivalit të Këngës në RTK, festival që synon të dërgojë fituesin edhe në festivalin Eurovizion. Ftesën për edicionin e dytë e kanë marr nga ish-drejtori i festivalit, Adi Krasta, dhe puna që ato e kanë realizuar, me të vërtetë nuk do të ketë asnjë krahasim.

“Me kënaqësi kam pranuar të jem pjesë e edicionit të dytë së bashku me skenografen Shqipe Kamberi, për të sjellë përsëri kontributin tonë në këtë projekt të rëndësishëm, për të avancuar më tej vizionin tonë në Festivalin e Këngës”, ka thënë Xhaferi.

Sipas saj, komentet e publikut i kanë pritur me shumë kënaqësi dhe mirënjohje. Ka qenë vërtetë emocionuese të dëgjonin mendimet rreth skenografisë dhe se si i vlerësonin detajet që ato i kanë krijuar me shumë kujdes. Reagimet e publikut kanë bërë që skenografet të ndihen të shpërblyera pas gjithë përkushtimit të dhënë mbi gjashtë muaj. Befasi për to ka qenë që edhe këtë vit, komentet ishin po aq në superlativ sa vitin e kaluar.

Krijimi i një skenografie të tillë natyrisht që do buxhet të konsiderueshëm, mirëpo këtë vit buxheti ka qenë më i vogël sesa vitin e kaluar dhe qysh në nisje ka pasur vështirësi të dukshme. Megjithatë, ato kanë vazhduar ti ripërdornin elementet bazë të skenografisë së edicionit të parë, dhe kjo ka qenë sfidë më vete për dy skenografet.

“Krijimi i çdo skenografie kërkon kreativitet, mund e përkushtim. Pas suksesit të vitit të kaluar, sivjet, presionin e kemi pasë jashtëzakonisht të madh, në mënyrë qe ta mbanim standardin e krijuar nga viti paraprak. Një gjë që na ka relaksu ka qenë që edhe sivjet realizimi i skenografisë u bë nga kompania shumë profesionale Archtime. Nga elementet e njëjta që i kemi përdorë vitin e kaluar është dashur të bëhet një krijim i ri me buxhet edhe më të ulët. Me Shqipen vendosëm që sivjet ta sfidonim veten me plexi pasqyrë dhe ta shfrytëzonim hapësirën cep me cep. Montimi i copëzave të plexi pasqyrave për ne ka qenë pjesa më e lodhshme në këtë edicion”, ka thënë Xhaferi.

Për Shqipen, pjesa më e bukur e skenografisë kanë qenë dy konstruksionet që ato i quajnë “kllapa”, që janë të veshura me copëza të pasqyrave.

“Në gjithë atë hapësirë me dimension 26 metër gjerësi dhe 9 metër lartësi, Rudina dhe unë, së bashku me 4 vullnetarë të Fakultetit të Arteve, i ngjitëm ato copëza të vogla të pasqyrës një nga një, duke u mundu me e kriju një vepër arti. Për mua kjo ka qenë pjesa më e vështirë por definitivisht më e bukura e procesit të punës.”

Për Rudinën, pjesa më e bukur e këtij procesi ka qenë transformimi i hapësirës nga një sallë e braktisur në një skenë që rrezaton energji dhe shkëlqim, për të krijuar një ambient tërësisht të ri për artistët dhe publikun.

“Momenti i magjisë së krijuar përmes skenografisë është me të vërtetë frymëzues. Nga ana tjetër, për mua gjithmonë pjesa më e vështirë mbetet fundi i festivalit, kur gjithçka që kemi krijuar me përkushtim për muaj të tërë, duhet të shkatërrohet. Ndjenja e largimit nga ajo hapësirë e rikrijuar është gjithmonë e vështirë, pasi që çdo element përmban një copëz të kujtimeve dhe përpjekjeve tona artistike.”

Rudina dhe Shqipja nuk e kishin menduar se edhe në këtë edicion, skenografia do të përflitej kaq shumë. Por, këto komente për to vazhdojnë të jenë një frymëzim që i shtynë ato përpara për të krijuar projekte të tjera. Ishin shumë të zëna në procesin e punës, saqë kishin harruar të shikonin përreth tyre. Puna e tyre e bukur ka marr një çlodhje kur publiku është ndarë i kënaqur me pjesëmarrjen e tyre.

“Në çdo detaj brenda skenës mundohemi që të sjellim një përvojë të plotë vizuale dhe emocionale, pa synimin që të bëjë zhurmë. Këtë qasje e kemi pasur gjithmonë, vetëm se ne këto dy projekte kemi pasë fatin të punojmë me buxhete më të mëdha se zakonisht. Prandaj, vlerësimet dhe komentet pozitive i kemi përqafuar me dashuri dhe ky reflektim për ne është një nxitje për të vazhduar të eksperimentojmë dhe të sjellim ide të reja në të ardhmen”, ka thënë Xhaferi.

Puna në dysh ndonjëherë di të jetë e komplikuar. Gërshetimi i ideve deri në një përfundim të baraspeshuar është i vështirë.

“Fillimisht të dyja i hedhim idetë në tavolinë dhe pavarësisht të kujt janë më të mira, ato i marrim për bazë duke i zhvilluar pastaj bashkërisht. Puna në ekip është shumë e rëndësishme të pranohet si e tillë, por jo gjithmonë është e lehtë. Unë që 24 vite pune në skenografi kam punuar me shumë profesionistë, por si me Rudinën me të cilën e kam një kimi bashkëpunimi, nuk më ka ndodh me askënd tjetër. Nuk jemi të njëjta dhe kjo me pëlqen, por që dimë të i ndërthurim idetë tona në një, dhe mu kjo është arsyeja e bashkëpunimit tonë të suksesshëm”, ka thënë Kamberi.

Në anën tjetër, për Rudinën, bashkëpunimi me Shqipen buron nga pasioni i tyre i përbashkët për secilin projekt. Ato e adhurojnë këtë profesion, çka edhe duket se e bën marrëdhënien e tyre të funksionojë në një harmoni ndërmjet ngjashmërive dhe dallimeve të tyre. Sfida e çdo projekti atyre i dhuron një energji të pashtershme, ndërsa perspektivat e tyre të ndryshme plotësojnë njëra tjetrën, duke dhënë mundësinë që ato të shohin çdo aspekt nga këndvështrime te reja. Kjo i ndihmon atyre që të sjellin ide të freskëta dhe të mbajnë një ekuilibër të qëndrueshëm në punën tonë.

Ndërsa, kur flasim për një artist/e tjetër që potencialisht do të i bashkëngjitej në krijimin e skenografisë së Kamberit dhe Xhaferit, është potencuar se ai person do të duhej të jepte gjithçka nga vetja, siç edhe e kanë bërë të dy artistet.

“Për Rudinën dhe mua puna fillon në momentin që e marrim një projekt në dore dhe mbaron kur të demolohet në fund skenografia. Kjo do të thotë që s’ka pushim, ka netë të tera pa gjumë, vikendet për ne nuk janë ditë pushimi. Jemi kërkuese të palodhshme, hulumtuese deri në skajshmëri si dhe mbi te gjitha, e shtyjmë njëra-tjetrën në momentet më të rënda të procesit”, thotë Kamberi.

Po ashtu, skenografja Xhaferi ka thënë se me Shqipen ka ndërtuar një bashkëpunim të shkëlqyer dhe e ndjen se ato kanë akoma shumë për të eksploruar së bashku në krijimin e skenografive.

“E konsideroj këtë marrëdhënie shumë të vlefshme, por në të ardhmen, kur të vijë momenti për një rifreskim, do ta mirëprisja më kënaqësi bashkëpunimin me një artist/e të re, që mund të sjellë një frymë të re në punën tonë.”

Ndërkohë, përderisa jemi duke iu afruar fundit të intervistës, me të dy artistet kemi biseduar rreth natyrës së angazhimeve të tyre në ditët e tanishme. Kuptuam se Shqipja në muajin shkurt të vitit të ardhshëm na vjen me një ekspozitë personale në Bruksel, teksa për momentin ajo ka dy projekte të hapura për negociata për të cilat akoma nuk mund të flas. Ajo vitin 2024 e konsideroi si një vit të përmbushur në aspektin profesional.

Gjithashtu, Rudina na tha se fokusi i saj kryesor do të mbetet puna në Fakultetin e Arteve, një punë të cilën ajo e bën me shumë pasion e përkushtim. I pëlqen puna me studentët dhe ajo i ndihmon ata që të zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese. Plane të tjera konkrete për momentin nuk ka, mirëpo ajo është gjithmonë e gatshme për mundësi të reja që do i ofrohen në të ardhmen. Shpresat e saj për ide të freskëta, me një energji e pasion tjetër, janë të mëdha për vitin 2025./ KultPlus.com

Magjia që sollën skenografet Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi: Një transformim historik në Festivalin e Këngës

Jeta Zymberi

Festivali i Këngës në RTK u shndërrua në një ngjarje historike për vendin tonë. Për tre netë radhazi, artistë të talentuar shqiptarë u ngjitën në skenën magjike të këtij festivali, por ajo që e bëri këtë ngjarje edhe më të veçantë ishte skenografia e pabesueshme që bëri sallën të shkëlqejë. Kjo mrekulli nuk do të ishte e mundur pa punën dhe talentin e dy grave të mrekullueshme, skenografeve, Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, shkruan KultPlus.

Historia e kësaj ngjarjeje fillon në një hapësirë ku vetëm hiri kishte mbetur pas zjarrit që kishte pushtuar sallën e Pallatit të Rinisë shumë vite më parë. Ishte një vend që kishte humbur shpresat, por Shqipja dhe Rudina e morën si një sfidë për të krijuar diçka të paimagjinueshme për shumë kënd.

Me pasionin e tyre të padiskutueshëm dhe dashurinë për artin, Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi filluan punën e tyre. Vizioni i tyre ishte i palëkundur deri në momentin që arritën të ndërtojnë një skenë të mrekullueshme.

Skenografia e tyre kishte detaje të mrekullueshme, ngjyra dhe elementë që përqafojnë trashëgiminë dhe kulturën e vendit tonë.

Hapja e festivalit u bë me një punim të veçantë të artistes Shqipe Kamberi, ku paraqitet portreti i një gruaje, dhe kjo hapje u konsideruar si një nga momentet më të bukura të festivalit.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi e bënë Festivalin e Këngës në RTK të ndriçojë si rrallë një skenë në Kosovë, duke dëshmuar se arti është një fuqi që mund të krijojë mrekulli.

Puna e tyre është duartrokitur shumë dhe padyshim që ky fakt i bënë tejet të lumtura të dy skenografet.

Shqipe Kamberi, sot, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka falënderuar të gjithë për urimet drejtuar këtij projekti dhe në veçanti ka falënderuar bashkëpunëtoren e saj Rudina Xhaferi.

“Me kete foto po du me ju falenderu te gjitheve per urimet qe i kemi mar Rudina dhe une per projektin tone Festivali i Këngës në RTK .

Rudines po du me i thene qe jam jashtëzakonisht e lumtur qe kemi punu se bashku per mbi 20 vite ne RTK, ne shume e shume e shume projekte, por ky i fundit ma ka bo zemren mal.

Rudina Xhaferi ke me na mungu ne RTK , por e di qe projektet e rradhes po na presin me i punu se bashku”. Ka shkruan Kamberi. /KultPlus.com