Skulptorë nga 100 vende të botës, bëhen bashkë për të treguar përballjen e tyre me virusin

Jeta Zymberi

Covid-19 ka ndërruar sistemin e jetës kudo në botë. Por njeriu duke qenë një qenie e përshtatshme ka gjetur format e duhura për të zëvendësuar mënyrat e jetës me të cilat janë mësuar deri sot, shkruan KultPlus.

Artistët, janë ata që kanë shfrytëzuar çdo mundësi për të qenë më afër njerëzve, për të përcjellë mesazhe sensibilizuese e për t’u dalë në ndihmë përmes iniciativave të ndryshme.

Në këtë formë, në stilin e Koncertit të Bamirësisë ‘One World’, artistët vizualë ndërkombëtarë nga 100 vende të botës, po tregojnë mbështetjen e tyre antipandemike me mbrojtjen e tyre profesionale dhe personale.

Tani që pandemia Covid-19 e ka përfshirë botën, duke mos kursyer pothuajse asnjë vend në 5 kontinente, artistë nga afro 100 vende qëndrojnë të bashkuar duke veshur mbrojtjen e tyre profesionale – personale për të treguar mbështetjen e tyre në luftën kundër virusit.

Këta skulptorë profesionistë zakonisht veshin maska ​​çdo ditë për tu mbrojtur nga pluhuri i krijuar nga puna e tyre. Në këtë krizë pandemike, maska e tyre simbolizon mbështetjen dhe vendosmërinë e tyre për të luftuar sëmundjen.

Kjo është një iniciativë e ISSA, International Sculpture Symposium Alliance e cila bashkon ngjarjet e skulpturës në të gjithë botën.

Pjesë e së cilës është edhe skulptori kosovar Butrint Morina. Si pjesëmarrës në më shumë se 10 simposiume ndërkombëtare të skulpturës, Morina ka takuar rreth 100 skulptorë artistë nga vende të ndryshme të botës me të cilët ka punuar e ka kaluar kohë.

Morina ka treguar për KultPlus se përmes kësaj iniciative po vihet në pah edhe më shumë puna e përditshme e skulptorëve.

“Ne si skulptorë në punën tonë të përditshme jemi gjithmonë të maskuar për tu mbrojtur nga pluhuri që krijohet nga puna që bëjmë. Tash për tu mbrojtur nga virusi, të gjithë janë të detyruar, pavarësisht profesionit të përdorin maskën. Të gjithë e kanë rastin ta përjetojnë atë që skulptorët e përjetojnë cdo dite.”

Pothuajse, të gjithë skulptorët pjesëmarrës në këtë iniciative, janë anëtarë të ISSA e cila është një shoqatë ndërkombëtare që promovon aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me skulpturën, kryesisht simposiume. Skulptorët e paraqitur janë të gjithë artistë profesionistë, me ndikim që së bashku kanë krijuar mijëra skulptura monumentale në të gjithë botën. Jeta dhe të ardhurat e tyre profesionale janë vënë në pritje për shkak të mbylljes së kufijve të fluturimeve ndërkombëtare.

Krejt për fund, Morina ka treguar që ka një kohë që këta skulptorë komunikojnë vetëm përmes rrjeteve sociale, ku vazhdimisht në grupe të ndryshme jepen njoftime për shtyrje dhe anulime të aktiviteteve që janë paraparë të mbahen gjatë kësaj kohe. / KultPlus.com

“Hyjneshat” e skulptores Arjeta Miftari, ekspozohen në Dubai

Jeta Zymberi

Skulptorja Arjeta Miftari ka bërë një rrugëtim të gjatë me “Hyjneshat” e saj të cilat u ekspozuan në vende të ndryshme, ku së fundmi edhe në Francë, atje ku Miftari i la ato në duart e atyre që e donin atë figurë arti. Por menjëherë pas kthimit në Kosovë ajo ju rrek punës për krijimin e hyjneshave të reja, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe, në pamundësi që hyjneshat e saj të rrugëtojnë, fotografitë e tyre kanë arritur të ekspozohen në Galerinë ‘Art Unity’ në Dubai.

Por megjithatë impakti është pothuajse i njëjtë. Kjo ekspozitë e cila është hapur sot vjen e kuruar nga Aurela Cuku.

Për KultPlus, Arjeta Miftari ka treguar që këto vepra po përfaqësojnë Kosovën në Dubai në kuadër të ‘Vitit të Tolerancës 2019’ në mesin e 35 shteteve të ndryshme të botës.

“Në Galerinë Art Unity në Dubai është hapur ekspozita e artistëve nga e gjithë bota, dhe në mesin e tyre janë edhe veprat e mia. Edhe Kosova tregon gatishmërinë dhe kulturën përmes artit dhe skulpturave që prezantojnë trashëgimin kulturore”, ka thënë Miftari për KultPlus.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në këtë galeri deri më 23 nëntor 2019. /

Artistja Arjeta Miftari shkëlqen me hyjneshat në Galerinë e Muzeut Historik në Tiranë

Nga Erjola Azizolli

Një seri veprash, në skulpturë, që emocionojnë këdo që i shikon. Një seri veprash që inspirimin artistik e kanë që nga lashtësia. Arjeta Miftari, një emër tashmë i konsoliduar i artit në Kosovë ka sjellë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ekspozitën e saj “Rrugëtim”, e cila pasi është prezantuar në Kosovë, Gjermani e Francë, vjen për publikun kryeqytetas si rrugëtim i radhës, por që padyshim nuk do të jetë i fundit.

Cikli i veprave në skulpturë vendosur në qendër të galerisë rrethuar nga drita e qirinjëve për disa momente i ktheu pas në kohë pjesëmarrësit në një ekspozitë që rrëfen për lashtësinë, hyjnoren, rrugëtimin e qenies femër dhe botën artistike të artistes

Miq të galerisë, drejtues të Muzeut Kombëtar, Zëvendës Ministria e Kulturës së Kosovës, Valbona Shujaku, artistë të ardhur nga Kosova e Shqipëria, ishin në hapje të ekspozitës “Rrugëtim”. Një rrugëtim artistik që ka nisur nga Peja e Kosovës, qyteti i lindjes së artistes, ka vijuar në Gjermani dhe Francë, nuk kishte si të mos të ndalej dhe në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, që Arjeta Miftari e cilëson si mjaft të rëndësishëm për karrierën e saj.

Të vendosura hijshëm mbi një beze të bardhë dhe ndriçuar nga drita e qirinjëve, skulpturat hyjnesha të Miftarit, u shoqëruan në këtë ekspozitë me një kolazh me foto gjatë momenteve të punës së artistes dhe me një video-material që rrëfeu pakëz nga puna e Arjetës, të cilat u ndoqën me mjaft interes nga ana e pjesëmarrësve.

Si një nisje të aktiviteteve për “Javën Kulturore të Kosovës” e cilësoi në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik, Dorian Koçi, hapjen e ekspozitës.

“Arjeta Miftari na ka surprizuar me modernitetin e saj, ndërsa sjellë nëpërmjet artit të saj simbolikën e Kosovës, lashtësinë e trojeve nëpërmjet hyjneshave”, u shpreh në fjalën e tij Koçi.

Është e rëndësishme që projektet për shkëmbimin e kulturave mos të ngelen në letër sipas drejtorit Koçi.

“Është një arritje që artistët të ndihen si në shtëpinë e tyre, pasi është kultura, arti, që kalojnë barrierat dhe ne kemi potenciale si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptarë”, u shpreh drejtori i galerisë.

Ndërsa, kuratori i kësaj ekspozite, Skënder Boshtrakaj, vlerësoi artin e Arjeta Miftarit, duke i ndarë në tre motivet që gërshetohen në një dhe sjellin ekspozitën, hyjneshat e Arjeta Miftarit.

Statuja të një figure femërore, që është bërë një figurë ikonë skulpturore e artit parahistorik në Kosovë e njohur si Hyjnesha në Fron, kjo figurë e ka inspiruar një seri të veprave të skulptores Arjeta Miftari, si analizë të vetvetes, shoqërisë dhe të njeriut në përgjithësi.

“Simboli i parë është hyjnesha në fron që fillon me antikitetin, që kur filloi fjala kulturë, ndërsa simbolika e dytë është rrugëtimi i fermës, në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në botë, ndërsa rrugëtimi i tretë është rrugëtimi i vetë artistes si skulptore, restauratore, etj”, u shpreh kuratori i kësaj ekspozite.

Pjesëmarrësit më pas ndoqën nga afër ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur disa ditë. / KultPlus.com