Projekti ‘Ovum’ i artistit Armin Kölbli po rikthehet në Prishtinë pas 20 vitesh, simbolizon frytin e lirisë së shqiptarëve

Projekti i titulluar ‘Ovum’  i artistit gjerman Armin Kölbli po pritet që të rikthehet në Prishtinë pas rreth 20 vitesh. Një projekt që për bazë ka skulpturën e një veze e cila momentalisht ndodhet në Obiliq, për qëllim ka vendosjen e letrave brenda si një çlirim shpirtëror i mendimeve të kosovarëve të cilët e kanë përjetuar lirinë dhe jo vetëm. Idetë për një të ardhme më të mirë do të shpalosen në këto letra të cilat eventualisht do të udhëtojnë në një rrugëtim për në Evropë ku më pas edhe do të lexohen pas disa viteve në Bruksel, shkruan KultPlus.

Kjo është hera e parë që projekti po rikthehet që nga viti 2021 në Prishtinë, për të bërë kështu një udhëtim nëpër Evropë por me fillim në Kosovë, me ç’rast letrat të cilat grumbullohen brenda skulpturës së vezës, pas atij rrugëtimi të gjatë, pritet të hapen pikërisht më 1 janar 3001 në Prishtinë, në Chernobyl pritet të hapen më 26 prill 3000 dhe në Gjermani më 2999.

Sot në një konferencë për media në Teatrin Kombëtar të Kosovës të pranishëm ishin artisti Armin Kolbli dhe aktori Adhurim Demi, të cilët kanë shpalosur projektin afatgjatë që synon një rikthim të fuqishëm nëpër disa vende të caktuara.

Artisti Kölbli fillimisht ka treguar planin për rikthimin e vezës në Prishtinë pas më shumë se 20 vjetësh dhe simbolikës së saj.

“Kjo ka qenë ide e Adhurimit të cilën e kam takuar atëherë kur veza është shfaqur për herë të parë në Prishtinë para rreth 20 vitesh. Po planifikojmë të sjellim vezën e cila për momentin ndodhet në Obiliq, në Prishtinë e pastaj ajo të udhëtojë nëpër Bashkimin Evropian. Kjo për arsye se Kosova si një shtet i ri ka shumë potencial për të provuar diçka të re, diçka më të mirë. E në atë momentin kur veza të arrijë në Prishtinë, kosovarët të fusin letra brenda, kësisoj të rikthej edhe një herë projektin tim si para shumë vjetëve”, thotë Kölbli.

Sipas tij, kjo vezë do të mbledh jo vetëm letra të kosovarëve por edhe të vendeve tjera, për të bërë kështu një udhëtim nëpër shtete të ndryshme por që ndalesa e parë të jetë Prishtina.

“Kjo vezë pra do të jetë një dhuratë e Kosovës për Bashkimin Evropian si një thirrje për liberalizimin e vizave. Bashkimi Evropian duhet të mundohet ose të paktën të thotë faleminderit. Letrat në përmbajtje duhet të përfshijnë se si qytetarët e kanë përjetuar lirinë dhe se si e imagjinojnë të ardhmen e tyre. Është e njëjtë sikur në shkollë kur dëshiron të mbash mend diçka dhe e shkruan në një copë letre edhe nëse veç një herë njerëzit ulen edhe realisht e shkruajnë atë se çka ata e dinë se e dojnë për vete, si një simbol i frytit që do të udhëtojë nëpër gjenerata”, shpalos ai.

Për Kolblin, ky projekt është i rëndësishëm për arsye se momentalisht bota është e paralizuar dhe duhet të hapet një dritare e re menjëherë

“Veza është në Obiliq për momentin dhe ka kuptim që njëherë rrinë aty e për këtë fakt jam shumë krenarë. Dua shumë që njerëzit të marrin pjesë e veza të mbushet me plot letra edhe pse ndoshta atëherë do të jetë një kohë më e vështirë. E gjitha kjo nuk ka asnjë lloj qëllimi politik veçse arsyes se Kosova është i vetmi shtet që e din se çfarë është lufta”, përfundon ai.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth qëllimit dhe esencës të këtij projekti si dhe për mbështetjen institucionale, para mediave të pranishme, foli aktori Adhurim Demi.

“Kjo skulpturë në kryeqytet është e rëndësishme sepse ka qenë simboli i parë që ka ardhur pas luftës. Veza simbolizon rilindjen dhe me të vërtetë për neve ka qenë një lindje e re se e kemi fituar lirinë. Nuk e di saktë nëse është ajo e Gjergj Kastriotit e para që ka ardhur në Kosovë, por megjithatë kjo vezë mbetet njëra ndër simbolet e para që ka ardhur si dhuratë prej dikujt. Mirëpo, në vitin 2008, institucionet filluan të formoheshin dhe ajo vezë u largua nga qendra pa lejen e artistit”, thotë Demi.

Sipas tij, atëherë janë shkruar letra të shumta se si është përjetuar lufta dhe se si është pritur e ardhmja e të njëjtat ndodhen brenda vezës momentalisht.

“Esenca e gjithë këtij projekti të titulluar ‘Ovum’ është se mostra e parë ka ardhur në Prishtinë e i është vënë emri ‘Ovum 1’, ‘Ovumi 2’ ndodhet në Jerusalem dhe ‘Ovum 3’ është në Chernobyl”, thotë ai.

Për Demin, planifikimi i vendosjes së skulpturës në Prishtinë nuk është e vendosur ende por patjetër që do të ndodhet diku në Prishtinë dhe jo në Obiliq dhe e gjithë kjo do të ndodh varësisht nga shqyrtimet institucionale.

Tutje është bërë e ditur se ky projekt është vetëm në fazat e para të zhvillimit dhe ende nuk është zhvilluar ndonjë bisedim me Ministrinë e Kulturës apo institucionet tjera përkatëse. Por që kërkesa a do të aprovohet apo jo, do të merret vesh në ditët në vazhdim. / KultPlus.com