Policia gjermane i ka nisur hetimet për zhdukjen e një skulpture të bërë nga druri në një zonë malore në Bavari. Skulptura e kishte formën e organit gjenital mashkullor.
Objekti dy metra i gjatë duket se është copëtuar me mjete të mprehta gjatë fundjavës, raportoi një gazetë lokale gjermane.
Skulptura e çuditshme kishte qëndruar për vite të tëra në malin Gruenten, që ndodhet në pjesën jug-perëndimore të Mynihut, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Nuk dihet se kush është autori i skulpturës që është bërë ikonë e malit të lartë 1.738 metra, duke tërhequr shumë alpinistë.
Edhe shërbimi i hartave në internet, Google Maps, e kishte njohur statusin e kësaj skulpture, duke e shënuar si monument kulturor.
Askush nuk e di as si është ngjitur në majë të malit skulptura që peshonte rreth 200 kilogramë.
Sipas një teorie, të raportuar në mediet gjermane, thuhet se skulptura ishte dhuratë e padëshiruar për ditëlindje, e përgatitur nga një grup i të rinjve gjermanë për një shok. Kur ai ua refuzoi dhuratën, ata vendosën që ta çojnë në majë mali përmes sajës. / KultPlus.com