Nga sot deri më 30 tetor në Qendrën Kulturore Rinore do të mbahet edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar – Skupi Festival, në të cilën do të marrin pjesë 7 shfaqje nga po aq vende.
Artdashësit nga rajoni i Shkupit, por edhe më gjerë, për shtatë mbrëmje radhazi, do të kenë mundësi të ndjekin edicionin e 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove –“Skupi Festival”, kurse në skenë pritet të paraqiten trupat teatrore nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Italia, Bulgaria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Rumania.
Festivali, i cili tradicionalisht mbahet për 11 vite me radhë do të zgjasë shtatë ditë, kurse artdashësit do të kenë mundësi ti përcjellin shfaqet çdo ditë me fillim prej ora 20:00 në Qendrën Kulturore Rinore.
Festivali hapet sonte me shfaqjen nga Teatri i Gjilanit.
“Im atë e donte Adolfin”, është shfaqja nga Gjilani e punuar sipas dramës së Mehmet Krajës, në regji të Ilir Bokshit.
Shfaqja rrëfen fatin tragjik të popullit në periudha mjaft të rëndësishme për fatin e tij.
Në shfaqje luajnë: Emine Toska, Ali Demi, Ernest Zymberi, Alban Shahiqi, Avni Shkodra, Bashkim Nexhipi, Njomëza Kalaveshi, Tringa A. Hasani, Safete Mustafa, Gani Rrahmani, Milot Sadiku dhe Gramos Kerqeli./ KultPlus.com