Mbrëmjen e së mërkurës, në sallën e muzeut të luftës maqedonase, në Shkup, u mbajt koncerti i shtatë me radhë në kuadër të edicionit të pestë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup, dhe me mbështetje të Instituti francez në Shkup.
Në këtë koncert publiku shkupjan, kishte mundësin të njihet me duon franceze, Duo Lesage, të përbërë nga Céline Lesage, në violinë, dhe Éric Lesage, në piano. Duo Lesage, njihen si dy virtuozë të violinës dhe pianos, të cilët janë partnerë në jetë dhe në skenë që nga viti 1998. Ata formojnë një nga duot më të dashura në rajonin Occitanie. Personaliteti i tyre pasqyrohet edhe në programet e pasura që ata prezantojnë: nga muzika artistike tek ajo popullore, nga stili klasik deri te muzika moderne.
Duhet të theksohet që festivali “Skupi KamerFest” në çdo koncert po tërheqë vëmendjen e një publiku më të gjerë, i cili vazhdon të rritet në numër me prezencën e tij. Mbrëmjen e së mërkurës, përveç që salla e muzeut të luftës maqedonase ishte përplot, aty ishte prezent edhe ambasadori i Francës, Sh. T. z. Cyrille Baumgartner, me fjalën hyrëse të së cilit u hap zyrtarisht edhe koncerti.
Duo Lesage në këtë koncert prezantuan program të konceptuar sipas tyre nën titullin Paris-Transylvanie, i cili përfshinë pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve si: Jenö Hubay, Cѐsar Franck, Fritz Kreisler, dhe Oreste De Maurizi. Në vet përshkrimin e tyre për këtë program, ata sugjerojnë që „përgjatë dëgjimit të programit, të imagjinohet një udhëtim me trenin Orient-Express, ku me të cilin do të ndalohet në Pragë, Budapest, Bukuresht dhe Sofje”. Dhe pikërisht një përshkrim apo sugjerim i tillë është më se i saktë, sepse programi përfshinë pjesë nga literatura muzikore të tilla, që lehtësisht mundëson një udhëtim imagjinarë. Koncerti filloi me veprën Carmen Fantasie Brillante nga Jenö Hubay – i cili edhe pse njihej më së shumti si violinist, u dallua edhe si kompozitor, këtë vepër ai e shkroi në vitin 1877, në të cilën kërkohet një teknikë e konsiderueshme interpretative, e njëjta është e strukturuar nga ariet dhe pikat kryesore të operës Carmen nga kompozitori francez Zhorzh Bize. Duke qëndruar ende në territoret franceze, Duo Lesage sollën sonatën për violinë në A-dur nga Cѐsar Franck, sonatë e cila pasqyron karakteristikat e periudhës së romantizmiz të vonshëm, ku përmban elemente specifike, një ndër to është momenti që forma ciklike e sonatës këtu zgjidhet në formë jo standarde, dhe funksionet e kohëve janë ridispozicionuara. Karakteristike tek kjo sonatë është momenti i pranisë së melodive lirike, jashtëzakonisht të bukura, me mbizotërimin e kromatikes në violinë. Në të njëjtën kohë, pianoja këtu trajtohet jo vetëm si instrument shoqërues, por si i pavarur dhe i veçantë, ku së bashku krijojnë unitet.
Pjesa e dytë e koncertit vazhdoi me “udhëtimin” nëpër Çeki dhe vendet sllave, me veprën Slavonic Fantasy nga Fritz Kreisler – Antonín Dvořák, mbështetur dhe ndërtuar në verzionin origjinal të pjesëve orkestrale Slavonic Dances, nga Antonín Dvořák. Koncerti përfshiu dhe intepretimin e Hejre Kati, Scѐne de la Csardas no.4 nga Jenö Hubay, si dhe tri pjesë nga kompozitori dhe violinisti francez me origjinë italiane, Oreste De Maurizi, “Csardas Rhapsody”, “Chanson de Tania”, “Yarou Yarou”. Interpretimi i Duos Lesage, në bazë të programit që prezantuan, që trajtohet me peshë në krijimtarinë interpretative të këtij lloj formacioni kamertal, ishte korrekt në përcjelljen e energjisë, frymës, dhe karakteristikave estetike të profileve të veprave, i ndërtuar me ngrohtësi, lirizëm intim, dhe temperament të duhur. Ata sollën interpretim me frazime delikate, dhe teknikë e proekcion korrekt të veprave.
Ky koncert, i cili u përcjellë me dëshirë kureshtare nga publiku, në një ambient të rregulluar shumë ngrohtësisht, me qëllimin e intimiteti në mes interpretuesve dhe publikut, dhe në frymën kamertale të festivalit “Skupi KamerFest”, solli reagime të bujshme pozitive tek të pranishmit. Moment ky që dëshmon edhe njëherë për peshën e koncerteve të tilla, dhe nevojën e publikut të gjerë që sa më shumë ti ofrohen mundësi të tilla, që kontribuojnë shumë në jetën artistike, shoqërore, sociale dhe kulturore të qytetit të Shkupit.
Nga Nora Bajrami, muzikologe /KultPlus.com