Kryeministri Kurti i shkruan letër Plenkovićit: Kosova s’do ta harrojë kurrë aktin e humanizmit të Kroacisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër falënderimi kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, nëpërmjet së cilës ia ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën që shteti dhe institucionet shëndetësore kroate ua ofruan bashkatdhetarëve tanë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, thuhet në njoftimin e kryeministrisë të publikuar në uebfaqen zyrtare.

Kryeministri Kurti ka thënë se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate për t’u ofruar trajtim mjekësor të lënduarve dhe strehim udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat më të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona, ka shkruar në letër kryeministri Kurti.

Ai e ka siguruar kryeministrin e Kroacisë se populli dhe Qeveria e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë aktin e tij të humanizmit e solidaritetit dhe se Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Plenković.

Falënderimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Shumë i nderuari Kryeministër Plenković,
Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, pranoni falënderimet më të përzemërta për ndihmën që na e ofruat në një situatë të rëndë për vendin tonë.

Reagimi Juaj i shpejtë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë tanë, trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe strehimi i udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat Tuaja të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona.

Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë.

Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Ju.

S poštovanjem i zahvalnošću,

Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me të mbijetuarit e aksidentit në spitalin e Slavonski Brod

Një aksident i tmerrshëm me autobus në të cilin dhjetë pasagjerë u vranë dhe pothuajse 50 u plagosën të dielën në mëngjes afër Slavonski Brod, tronditi Kroacinë dhe Kosovën. Siç dihet tashmë, qytetarët e Kosovës ishin në autobus, duke u kthyer nga Gjermania në vendlindjen e tyre për pushime.

Mediumi kroat, Direktno.hr, ka treguar foto të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij kroat, Andrej Plenkovic, nga brenda spitalit.

Së bashku me kryeministrin kroat Andrej Plenković, ata fillimisht vizituan të lënduarit dhe të plagosurit rëndë në spitalin kryesor dhe më pas u drejtuan për në Antonio Pension, i cili strehon pasagjerë që nuk kishin nevojë për ndihmë mjekësore.

Kurti njoftoi se do të ketë një ditë zie në Kosovë të hënën dhe Plenković vuri në dukje në disa raste se Kroacia do të bëjë gjithçka për të ndihmuar viktimat në këtë tragjedi të tmerrshme.

Kurti ka falënderuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe stafin mjekësor të spitalit që kanë trajtuar të lënduarit në aksident. Ai po ashtu ka shprehur ngushëllime për familjarët e atyre që humbën jetën në aksident.

Policia kroate ka lëshuar ​​një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod. Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

Bashkë me Kurtin janë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefi kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë. / KultPlus.com