Shfaqja “Zgjimi i Pranverës” nga Zana Hoxha u prezantua në Slloveni, e pranishme edhe presidentja Osmani

Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës”, me regji të Zana Hoxhës, u prezantua edhe para publikut në Slloveni.

Përveç presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, prezente në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Kulturës së Sllovenisë, Asta Vrečko.

Me regji të Zana Hoxhës kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” është adaptuar në Kosovën e viteve të ’90-ta.

Nevoja e të rinjve për të kuptuar dhe për t’u kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjtë tanë në vitet e ’90-ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati, përderisa solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.

Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatzënia e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë kosovare.

Kjo shfaqje, duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj, i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.

 Në shfaqje luajnë aktorët: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkelzen Veseli, Semira Latifi, Shpetim Kastrati, Zhaneta Xhemajli, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.

Shfaqja rreth vetës ka grumbulluar një grup profesionalistësh që u kujdesën për secilin detaj. Muzikantët: Alzan Gashi, Arbër Salihu & Drin Tashi, koreografia: Robert Nuha, kostumegrafia: Yllka Brada, skenografia: Youliana Voykova – Najman, inspicient: Bajram Mehemtaj dhe asistente: Elira A Lluka. / KultPlus.com

Osmani në Slloveni: Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish

Sllovenia është duke e mbështetur Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Këtë e ka kumtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Slloveni ku u takua me homologun, Borut Pahor.

Gjatë një konference për media, Osmani e ka kundërshtuar hapjen e sërishme të liberalizimit të vizave, duke thënë se “Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave”.

“Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish. Ne kemi përmbushur kriteret para katër viteve. PE ka votuar dy herë për neve tani i mbetet shteteve anëtare. e presim të arrihet në muajt në vijim”, ka thënë Osmani.

Gjatë kësaj konference Osmani e ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen.

“Osmani ndër të tjera ka falënderuar shtetin e Sllovenisë për mbështetjen ndaj Kosovë në të gjitha etapat, përfshirë këtu edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Osmani. /Express / KultPlus.com

Historia e familjeve të fisnikëve shqiptarë në Koper të Sllovenisë

Pushtimi osman i fillimit të shekullit të XV, i territoreve shqiptare shkaktoi një tjetër valë të re emigrimesh të dhimbshme. Rënia e qyteteve arbërore nën këtë sundim dhe egërsia e pashembullt e pushtuesit lindor detyroi largime të reja drejt Mbretërisë së Napolit, Venecia, Gjenova dhe më gjërë. Por, edhe më masive qenë emigrimet e popullisë arbërore drejt Italisë, në fundin e shekullit të XVI, mbas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe rënies përfundimtare të territoreve arbërore nën sundimin osman.

Për Lek Dukagjinin, këtë personazh të rëndësishëm të rezistencës antiosmane, këtë aleat të Heroit tonë Kombëtar dhe kodifikues të një monumenti të rëndësishëm ligjor, “Kanunit”, historiografia dhe fondet arkivore dokumentare, pas vitit 1481, nuk japin më asnjë informacion.

Ç’ndodhi me të dhe familjen e tij pas pushtimit osman? Ku shkoi, ku u vendos dhe ç’gjurmë la dera e Dukagjinëve në udhët e largëta të emigrimit? Asnjë burim nuk na ka bërë me dije gjer më tash për fatin e të parit të Dukagjinëve apo të pinjollëve që ai la pas!!!

Në këtë pjesë të dytë, do të tregojmë për herë të parë se ku përfundoi një nga princërit më të shquar të Arbërisë dhe një nga personalitetet më të shquartë epokës Skënderbejane, Lekë Dukagji dhe fisi i tij.

PETER STOKA, NJERIU QË ZBULOI GJAKUN E ARBËRIT NË KOPER-SLLOVENI

“Jam befasuar dhe habitur njëkohësisht, – shkruan ai, – si është e mundur që një histori kaq e pasur, të cilën e kanë bërë dhe ndërtuar familje dhe breza të tërë shqiptarësh në Koper, që kanë dominuar në Istër e gjetkë, është harruar dhe nuk i është kushtuar vëmëndje, më keq akoma është injoruar apo mohuar gjer në skajshmëri!!!…”
Duke shkuar edhe më tej në hulumtimet e tij, Stoka shkruan: “Vetë Justinopolit, sikundër kishte emrin e tij të hershëm qyteti i Koperit, lidhet me fisin lindor të Justinjanit. Pasuesit e tij që e themeluan këtë qytet ishin shqiptarë”.

Në këtë mënyrë Stoka thellon evidencat tona historike më fakte krejt të panjohura për ne, duke na bërë me dije se valët emigratore të shqiptarëve, në shekujt e parë pas Krishtit, kanë qënë themeluesit e një porti të rëndësishëm dalmat sikundër është Koperi.

Një numër tjetër dokumentesh arkivore, me vlera të patjetërsueshme historike për Arbërinë mesjetare, farën e arbërit dhe praninë arbërore në këto anë gjendet në mjaft arkiva, bibloteka, kisha dhe komuna të Istrias dhe qytetit të Koperit. Ato bëjnë me dije se qysh në shekullin e 13, nën sundimin e hershëm venedikas të brigjeve dalmate gjejmë prezencën e familjeve fisnike shqiptare Albanese dhe Albani, Brati dhe Bruni

Kështu familja Albanese është registruar në listën e fisnikëve titullarë të qytetit të Koperit më datë 1. 3. 1431. Ndoshta për shkak të kësaj familje të njohur fisnike arbërore të vendosur në Koper apo për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve në këtë zonë të qytetit, njëra nga rrugët ishte ëmërtuar dhe mban edhe sot e kësaj dite emrin “Calle Albanese”.

ÇFARË NDODHI DHE KU SHKOI FAMILJA E PRINCIT TË NJOHUR LEK DUKAGJINI?

Ndër faktet dhe gjetjet e shumnta, me mjaft interes, që ka sjellë dhe vazhdon të sjellë me pasionin e tij Peter Stoka, për gjakun e emigruar arbëror në këto anë janë dokumentet me vlera unike edhe për familjen e Dukagjinëve. Askush nuk na kishte identifikuar gjer më tani se ku shkoi mbas pushtimit Osman të Arbërisë, Princi i njohur shqiptar, burri që qau në mënyrë mbreslënëse vdekjen e Heroit tonë Kombëtër-Skënderbeun, princi Lek Dukagjini.

Këtë na e zbulon përmes hulumtimeve të tij Peter Stoka: “Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, – shkruan ai, rënies së Krujës dhe Shkodrës (1479), ngjarje që shpunë gjithë territoret e Arbërisë në duart e osmanëve, eksponentët e familjeve më të rëndësishme fisnike të atyre anëve, ndër të cilët edhe Dukagjinët e fuqishëm, apo edhe Aranitët dhe Muzakajt në jug qenë të detyruar të braktisin atdheun e tyre, duke emigruar një pjesë e tyre edhe në Istrian Venedikase …. Duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të XV, popullsi shqiptare erdhën dhe u vendosën në Istria, duke formuar kështu një grup të rëndësishëm luftëtarësh ushtarakë dhe pak më vonë edhe fisnik.

Duke pasur parasysh faktin se disa nga familjet e emigruara u takonin dyerve të fisnikëve shqiptare, që mbanin tituj të njohur në hirarkinë perandorake, që gëzonin një status të privilegjuar social, madje ata kishin edhe heraldikën (stemën e tyre familjare), Republika e Venedikut që zotëronte këto anë u dha të ardhurve dinjitetin dhe pozicione me rëndësi politike dhe ushtarake në vendet e reja të të qëndrimit…

Shembull tipik është ai i Gjon Dukagjinit, nipi i Lek Dukagjinit (Gjoni ishte djali i vëllait të Lekës, pasi vetë Leka nuk kishte fëmijë), të cilit iu dha funksioni i “Kështjellarit të fortesës së San Servolos” dhe bashkë me to një numër posedimesh dhe feudesh. Ishte koha kur ushtritë numeroze osmane avanconin përmes luftimeve të përgjakshme drejt Venecias dhe sulmet e tyre në Friuli e kishin bërë më kërcënues invazionin e pritshëm. Pikërisht në këtë kohë, në këto anë me rëndësi ushtarake dhe strategjike Venediku i beson këtij princi këtë fortesë…”

Në fondet e arkivit dhe të biblotekës shteterore të këtij qyteti gjenden aktet ligjore që dokumentojnë funksionin dhe zotësinë e Dukagjinëve jo vetëm si kështjellar i San Servolos por edhe trashëgimin e tirujve dukë të marë me vehte nga trojet arbërore. Në to gjendet një numur I madh dhe I pasur letërkëmbimi dhe dokumentacioni për mardhëniet e tyre me Venedikun e më gjërë, pema e tyre gjenealogjike si dhe mjaft dëshmi për veprimtarinë e tyre në ato anë, sigurisht të gjitha ato të panjohura gjer më tani.

Sidoqoftë, pa vazhduar gjatë, në historinë e kësaj familjeje dhe pinjollëve të shquar të Dukagjinëve, e cila ishte shumë e pasur dhe prezente në jetën politike dhe atë ushtarake, nga shekulli i XV gjer në shekullin e XIX në këto anë, duhet thënë se ka në mënyrë të mjaftueshme dokumente unikale arkivore, të dhëna, dorëshkrime dhe botime me mjaft interes që ndricojnë shumë cështje me interes edhe të familjeve të tjera fisnikësh të panjohur shqiptarë dhe të historisë së emigrimeve të mëdha shqiptare apo cështje të tjera me rëndësi historike për vendin tonë.

Në stemën e saj të trashëguar në Koper, familja Dukagjini ka një dorë e cila shtrëngon një gjarpër, e kurorëzuar në pjesën e sipërme me dy yje me pesë cepa. Studjuesit nuk kanë mundur të shpjegojnë dot domethënien e këtij relivi. Gjykojmë se simbolika e dorës që mban të mbërthyer një gjarpër vjen nga legjenda e Pirros të Epirit, të cilin e mbanin si heraldikë edhe familje të tjera fisnikësh shqiptarë, sikundër ajo e Buajve dhe Spatajve. Sipas mitit të trashëguar, Piros kur ishte i vogël i kishte shkuar në djepin e tij një gjarpër, të cilin në manyrë instiktive ai e kishte mbërthyer me dorë dhe e kishte shtrënguar aq fort sa e kishte mbytur, një simbolikë kjo për të treguar forcën dhe fuqinë e tij dhe origjinën gjysëm hyjnore.

TË TJERË PRINCA SHQIPTARË NË KOPER, ISTRIA DHE KAPODISTRIA
Por, Koperi dhe bregdeti i Istrias nuk ishte një gji i ngrohtë që priti vetëm familjen fisnike të Dukagjinëve! Cuditërisht, edhe përpara këtij emigrimi ai ka pritur valë të tjera emigratore shqiptare, të panjohura gjer më tani nga historiografia e jonë, të cilat kanë bërë emër dhe lënë gjurmë në këto anë.

Familja Albanese dhe Albani
Ndër to renditen familjet fisnike të kontëve Albaneze dhe Albani, të cilësuara në dokumentet latine të kohëve si familje të ardhura nga Arbëria në fillimet e shekulllit të XII. Pikërisht për shkak të njërit prej figurave të njohura fisnike të kësaj familjeje, Jeronymus Albaniensis dhe familjeve të shumta shqiptare që popullonin këto tre shekuj Koperin, ka marë emrin edhe njëra nga rrugët e qytetit emrin “Rruga e Shqiptarëve”. Në portën hyrëse të vilës që banonte kjo familje ruhet edhe stema (heraldika) e saj e cila ka figurën e një luani që mban një shpatë në dorë.

Familja Brati
Në qytetin e Koperit u vendos në fillimet e shekullit të XIII edhe familja fisnike e kontëve shqiptarë Brati. Në vitin 1329 gjenden të evidentuar në dokumnetet arkivore të kohës dy figura me shumë emër të kësaj familjeje Gregorio dhe Sardo Brati. Në vitin 1423 një pinjoll i shquar i kësaj familjeje, Gasper de Brati pranohet në Këshillin e Fisnikëve dhe në vitin 1431 Republika e Venedikut u konfirmoi pjestarëve të familjes Brati titullin e Kontit. Në vitin 1630 nga dera e Bratëve shfaqet një zonjë me emër të madhe, Kontesha Brati, e cila është vlerësuar një nga zonjat më të cmuara dhe më të arsimuara në Kopër e cila kishte në posedim Pallatin në lagjen e Shën Klarës. Në pemën gjenealogjike të kësaj familjeje renditen edhe një numër figurash të srhquara në fushën e politikës, diplomacisë, institucioneve fetare, kulturës, etj. Të fundmit emra të kësaj familje mbërijnë në Koper gjer aty nga mesi i shekullit të XIX.

Familja Bruni
Një tjetër famije shqiptare e vendosur në Koper që ka lënë gjurmë në jetën e këtij qyteti dhe më gjërë është edhe ajo fisnikëve Bruni, të ardhur nga qyteti i Tivarit në shekullin e XVI dhe që mbanin titullin e Kontit. Me të mbritur në këtë vend, kryetari I familjes Bruni u pranua në Këshillin e Fisnikëve të qytetit, duke ruajtur kështu titullin e trashëguar nga tokat arbërore. I vëllai i tij Giovani Bruni ishte Arqipeshkv në Ulqin në vitin 1581. Nga kjo familje kishte dalë edhe poeti i njohur Antonio Bruti.

Familja Karpacio
Për këtë familje me interes të madh për kulturën tonë, cuditërisht kemi ditur fare pak, vetëm faktin se piktori i madh i Rilindjes Italiane, Vitorio Karpacio ishte me origjinë nga Arbëria, se ai i kishte dhuruar “Scuola di Albanesi” disa tablo. Nga hulumtimet e fundit, të para disa viteve kishim konkluduar se në tablot e tij, në mënyrë të përsëritur, gjendej një personazh, që na shpinin në përfundimin se është Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Nga hulumtimet në arkivat dhe dokumentacionin historik në qytetin e Koperit rezulton se Familja Karpacio, në fundin e shekullit të XV ishtë shpërngulur nga Venecia ku ishte vendosur për vite me radhë pas emigrimit nga trojet e Arbërisë, mbas pushtimit Osman, dhe duket se vetë piktori i famshëm ka ardhur dhe është vendosur vetë në këtë qytet, aso kohe me prezencë të madhe shqiptarësh.

Në vetë Katedralen e këtij qyteti gjenden edhe sot tablo mahnitëse që zbukurojnë veprat murale të këtij objekti kulti. Nga këto dokumente mësohet gjithashtu se edhe vetë i biri i piktorit të famshëm, i cili quhej Benedetto ishte gjithashtu një piktor me emër dhe vepra të cmuara. Gjitmonë sipas dokumenteve të arkivit të këtij qyteti, pinjollët e fundit të kësaj familjeje janë shuar në vitin 1817 me vdekjen e Antonio Karpacios, një burr i kulturuar, antar i Arkadave Romake, i njohur me pseudonimin Carippo Megalense.

Por, në listën e familjeve fisnike në këto anë renditen edhe të tjera emra mes të tjerëve ajo e kontëve Borisi, pasardhës të mbesës së Gjergj Kastriotit, të vendosur ne Koper dhe martuar me farën Dukagjinëve, etj.

Duke e mbyllur këtë shkrim përmbledhës duhet të nderojmë një prej emigrantëve të sotëm shqiptarë, Heset Ahmeti, i cili mbështet me të gjitha mundësitë e tij hulumtimet, kërkimet dhe identifikimin e tërë gjurmëve që lanë shqiptarët në këto anë, kontributin dhe vlerat të cilat pasurojnë gjeografinë e historisë tonë ende të panjohur.

Nga Prof. Irakli Koçollari / Diaspora Shqiptare. / KultPlus.com

Biçikleta të ndritshme, për të kremtuar arritjet sllovene të një viti

Biçikleta të ndriçuara pezull nëpër ballkone, të mbështetura mbi mure ose të zbukuruara në vitrinat e dyqaneve, banorët e Sllovenisë kanë vendosur t’i kremtojnë me origjinalitet çiklistët e tyre, të cilët kanë ndriçuar një vit të vështirë 2020 me arritjet e tyre.

Biçikletat e vjetra nëpër garazhe, madje edhe rrotat e karrocave të një kohe tjetër, shfaqen të zbukuruar me drita në kthesat e rrugicave, në kopshte, vende publike ose në fasadat e shtëpive.

Ideja lindi në rajonin e vogël midis Karstit dhe Brkinit, me një traditë të fortë çiklizmi, rreth 80 km nga kryeqyteti Ljubljana.

“Ne donim t’u jepnim diçka rezultateve të çiklistëve tanë dhe të vinim një shënim pozitiv në krizën aktuale”, tha Tina Jancigaj Avsec, një nga organizatoret e evenimentit.

“Rrotat simbolizojnë veprimin, lëvizjen drejt së ardhmes dhe një vit 2021, gjatë të cilit të gjithë shpresojnë të jenë më të lumtur”, shtoi ajo.

Avsec thkesoi se kjo ishte një mundësi për të promovuar turizmin në rajon dhe jo për t’u zhytur në depresionin e COVID-19.

Sllovenia, një vend i vogël i BE-së me dy milionë banorë, është goditur rëndë nga vala e dytë e pandemisë COVID-19 dhe këto dekorime atipike për Vitin e Ri janë si një balsam për zemrat e vendasve në mes të kufizimeve të rrepta për shumë javë. /atsh/ KultPlus.com

Digjet statuja e Melania Trump në Slloveni

Një skulpturë prej druri e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump është hequr, pasi iu vu flaka gjatë festimeve të fundjavës së 4 korrikut, Ditën së Pavarësisë së Amerikës.

Brad Downey, një artist amerikan me qendër në Berlin, tha se skulptura ishte në gjendje të mirë, por tani u shkrumbua dhe u shpërfytyrua. Statuja e Melanias u hoq menjëherë nga policia më 5 korrik, sapo kjo e fundit mori njoftimin për shkatërrimin e saj, transmeton KultPlus.

“Unë dua të di pse e bënë këtë”, tha Downey, i cili kishte shpresuar se statuja do të nxiste një dialog për situatën politike në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar statusin e Melania Trump si një emigrante e martuar me një president të përbetuar për të zvogëluar emigracionin.

Javët e fundit, presidenti Donald Trump është zotuar të marrë masa të ashpra për këto që shkatërron dhe vandalizon monumentet historike të SHBA, ndërkohë që vendi është përfshirë nga debati dhe protesta mbi racizmin. / KultPlus.com

Në Slloveni protestohet kundër qeverisë ndaj masave tepër kufizuese

Më shumë se 3.500 persona me biçikleta u takuan në qendër të kryeqytetit slloven, Lubjanë, për të protestuar kundër masave të konsideruara tepër kufizuese nga qeveria për të luftuar pandeminë e koronavirusit dhe për parregullsi të dyshuara në furnizimin me pajisje sanitare mbrojtëse.

Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në Maribor, Nova Gorica dhe vende të tjera të vendit, të koordinuara nga organizata joqeveritare ”Gibanje Ops”.

Në Lubjanë, qindra demonstrues u takuan para ndërtesës së Parlamentit dhe zonave përreth, duke zënë stolat dhe hapësirat publike.

Sidoqoftë, ndalimi i grumbullimeve dhe masave të tjera të distancimit shoqëror çuan në ndërhyrjen e policisë, e cila kreu 58 procedime për shkelje të ligjit për tubimeve publike. /KultPlus.com

AppleMark

Slloveni, manifestim kulturor i shqiptarëve të qytetit Kranj

Shqiptarët me banim në Kranj organizuan një manifestim kulturor me mesazhin e ruajtjes së identitetit kombëtar, promovimin e kulturës, këngëve, kostumeve, traditave e valleve shqiptare, ruajtjen e gjuhës shqipe dhe organizimin më të mirë të tyre.

Nisma e Irena Gjinit dhe bashkëshortit të saj, me mbështetjen e Adil Gashit, Afrim Kryeziut dhe firmës Vijosa, mblodhi së bashku me dhjetra shqiptarë me banim në Kranj.

Së shpejti shqiptarët e këtij qyteti slloven synojnë që të organizohen më mirë, duke krijuar shoqatën e tyre kulturore, duke përfshirë edhe projektin e krijimit të shkollës të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Në manifestim ishin të pranishëm edhe drejtues të Ambasadave të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilat do të qëndrojnë më afër me këtë komunitet shqiptar dhe do të ofrojnë të gjithë mbështetjen e nevojëshme për realizimin e projekteve të tyre./ ata

Gani Llalloshi hap ekspozitë në Slloveni

Mbrëmë në Galerinë Hest të Lubjanës është hapur ekspozita e piktorit nga Kosova që tash sa vite jeton e krijon në Slloveni, Gani Llalloshi.

Ekspozitën e shpalli të hapur ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi i cili në fjalën e tij vlerësoi punën dhe përkushtimin e piktorit Llalloshi në prezantimin e veprave artistike me motive nga vendlindja për artdashësit në Slloveni, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Llalloshi është shumë aktiv në kultivimin e këtij arti autentik dhe si i tillë është pranuar me shumë respekt në botën artistike të krijuesve të artit figurative në Slloveni”, tha Rexhepi, transmeton Koha.net.

Dhjetëra punime artistike të dimensioneve të ndryshme janë prezantuar për publikun, të cilat janë të krijuara nga frymëzimet e hershme të piktorit Llalloshi nga vendlindja e tij.

Kurse kuratorja e njohur sllovene Elizabeta Rogoviq tha se, “çdo ekspozitë e këtij artisti me rrënjë nga Kosova, që tashmë ka bërë emër të njohur ndër ne, përcillet me interesim nga artdashësit sllovenë”.

Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë dashamirë të shumtë të këtij lloj arti jo vetëm nga kryeqyteti slloven por edhe nga qytete të tjera, diplomat të akredituar në Slloveni si dhe bashkëqytetarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni që e mbështeti hapjen e kësaj ekspozite, me këtë rast, për të pranishmit ofroi edhe nga një gotë vere kosovare./ KultPlus.com