Dje në fshatin Reçak të Shtimës është përkujtuar 20 vjetori i masakrës që bëri kthesë në historinë e Kosovës.
Smajl Dalipi është një nga banorët që e kujton Reçakun e para njëzetë vitesh, një ditë pas masakrës kur ai së bashku me banorët e tjerë kishin ndjekur William Walker për në “Gropën e Bebushit”, ku kishin parë me sytë e tyre trupat e masakruar nga forcat serbe.
Dje për KultPlus, Dalipi tha se ajo që kishte ndodhur në Reçak dy dekada më parë, i kishte lënë për disa ditë pa ngrënë dhe pa fjetur. “Tri ditë nuk kemi hëngër bukë”, tregon Dalipi.
Ai e ka të freskët takimin me Walkerin një ditë pas masakrës dhe e ruan si personazhin më të rëndësishëm për fshatin, dhe gjithë vendin.
“Walkerit duhet t’ia dimë të gjithë. Një njeri bjen e shpëton një shtet. Çdo shqiptar e ka orientimin e tij, disa e kanë kishën, disa xhaminë e disa tyrben por ne duhet të kthehemi kah Amerika që të falemi”, shprehet Dalipi për KultPlus.
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejn një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë. Sot Reçaku numëron 45 të vrarë nga kjo masakër.
Masakra e Reçakut cilësohet si pikë kthese për historinë e Kosovës, pasi që pamjet nga atje zgjuan ndërgjegjen ndërkombëtare për krimet që po ndodhnin në Kosovë. William Walker, shef i misionit të OSBE-së, mëngjesin e 16 janarit kishte marrë rrugën për në Reçak, ku kishte parë trupat e masakruar të banorëve të këtij fshati. Walker, pasi kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës, e kishte përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.
Përmes kësaj masakre bota mori alarmin e fundit se duhej të ndërhyhej në Kosovë. Pas kësaj masakre u mobilizua edhe forca më e madhe ushtarake në botë – NATO, e cila rreth dy muaj më vonë nisi bombardimet kundër forcave serbe në Kosovë e në gjithë atë që quhej Jugosllavi./ KultPlus.com