Sot janë bërë 233 vite nga vdekja e babait të Ekonomisë, Adam Smith, shkruan KultPlus.
Adam Smith (5 qershor 1723 – 17 korrik 1790) është një filozof dhe ekonomist skocez i Iluminizmit. Ai qëndron në histori si babai i shkencës ekonomike moderne, vepra kryesore e të cilit, Pasuria e kombeve, është një nga tekstet themeltare të liberalizmit ekonomik.
Ai ishte profesor i filozofisë morale në Universitetin e Gllasgout, ku i kushtoi dhjetë vite të jetës së tij këtij teksti që frymëzoi ekonomistët e mëdhenj pasardhës, ata që Karl Marks do t’i quante « klasikët » dhe që do të hidhnin parimet kryesore të liberalizmit ekonomik.
Shumica e ekonomistëve e konsiderojnë Smithin si «babain e ekonomisë politike» megjithatë, disa, si austriaku Jozef Shumpeter dhe amerikani Murrej Rothbard, e kanë quajtur një autor të vogël, duke konsideruar që vepra e tij përmbante pak ide origjinale dhe që këto të fundit ishin të gabuara. /KultPlus.com
Një ndjer mendjet më të mëdha të politikës ekonomike, Adam Smith është ende sot referencë e mënyrës sesi pasuri e botës krijohet, shkëmbehet e zhvendoset.
Disa prej thënieve të tij janë:
Ne nuk e presim darkën tonë nga kasapi, prodhuesi i birrës apo bukëpjekësi, ngaqë ata janë dashamirës, por ngaqë ata i shërbejnë interesit të tyre vetjak. Ne nuk i drejtohemi humanizmit të tyre, por dashurisë që ata kanë për veten dhe nuk u flasim kurrë për nevojat që kemi ne, por për avantazhet që kanë ata.
Qeveria civile, për aq sa është krijuar për sigurinë e pronës, është në të vërtetë e krijuar për mbrojtjen e të pasurve kundër të varfërve, ose të atyre që kanë ndonjë pronë kundër atyre që nuk kanë fare.
Gjëja e parë që duhet të njihni është vetvetja. Një njeri që e njeh veten mund të dalë jashtë vetes dhe të shikojë reagimet e tij si një vëzhgues.
Asnjëherë mos u anko për diçka nga e cila është në dorën tënde të shpëtosh prej saj.
Nuk ka asnjë art që një qeveri e mëson më shpejt nga një tjetra, përveç atij të zhvatjes së parave nga xhepat e njerëzve.
Mëshira ndaj fajtorëve është mizori ndaj të pafajshmëve.
Asnjë shoqëri me siguri nuk mund të jetë në lulëzim dhe e lumtur, për sa kohë që pjesa më e madhe e saj është e varfër dhe e mjerueshme.
Taksa që çdo individ është i detyruar të paguajë duhet të jetë fikse, dhe jo arbitrare. Koha e pagesës, mënyra e pagesës, sasia që duhet paguar, të gjitha duhet të jenë të qarta dhe të ditura për kontribuesin, dhe për çdo person tjetër.
Çdo taksë duhet të merret në atë kohë, dhe në atë mënyrë e cila është më e përshtatshmja për kontribuesin që ta paguajë.
Nuk është shumë e paarsyeshme që të pasurit të kontribuojnë në shpenzimet publike, jo vetëm në proporcion me të ardhurat e tyre, por diçka më shumë sesa në atë proporcion.
Virtyti është për t’u patur frikë më tepër sesa vesi, sepse teprimet e tij nuk i nënshtrohen rregullimit të ndërgjegjes.
Ambicia individuale shërben për të mirën e përbashkët.
Kudo që ka prona të mëdha, ka pabarazi të madhe.
Çdo njeri jeton duke shkëmbyer.
Njeriu është një kafshë që bën pazare: asnjë kafshë tjetër nuk e bën këtë – asnjë qen nuk shkëmben kocka me një tjetër.
E gjitha për veten tonë, dhe asgjë për njerëzit e tjerë, duket se në çdo epokë të botës, kanë qenë maksima e poshtër e zotërve të njerëzimit.
Të diturit injorojnë provat e shqisave të tyre për të ruajtur koherencën e ideve të imagjinatës së tyre.
Përmirësimi më i madh i fuqive prodhuese të punës dhe pjesa më e madhe e aftësisë, zotësia dhe gjykimi me të cilat drejtohet apo zbatohet duket se janë rrjedhojë e ndarjes së punës.
Ajo që është maturi në sjelljen e çdo familje private mund të jetë e pakuptimtë në atë të një mbretërie të madhe./shkollaesuksesit/KultPlus.com