Grupi britanik i telekomunikacionit, Vodafone, do të ofrojë për shitje SMS-në e parë në botë në një ankand online.
SMS-ja u dërgua në vitin 1992 në të cilin urohen Krishtlindjet.
Sipas mediave të huaja, blerësi do të marrë një kopje unike të protokollit origjinal të komunikimit. E gjithë kjo po mbahet në kuadër të një ankandi bamirësie online që do të organizohet nga shtëpia franceze e ankandeve “Aguttes” më 21 dhjetor. Vodafone i dhuron të ardhurat Kombeve të Bashkuara.
SMS-ja historike ku lexonte “Gëzuar Krishtlindjet” u dërgua më 3 dhjetor 1992 dhe pranuesi ishte Richard Jarvis, punonjës i kompanisë në atë kohë.
Pjesëmarrësit në ankand do të jenë në gjendje të bëjnë oferta duke përdorur kriptomonedhën ethereum (ETH), dhe oferta më e madhe do t’i sjellë dikujt pronësinë ekskluzive të protokollit të komunikimit të përdorur për të transmetuar SMS-në e parë në botë. /KultPlus.com