Julie Pomagalski, ish-kampione botërore nga Franca në snowboard, ka vdekur nga një ortek në Zvicër, njoftoi Komiteti Olimpik Francez.
Pomagalski u rrëmbye nga bora përderisa po skijonte jashtë pistës me një grup prej katër personave në kantonin Uri, thanë zyrtarët francezë. Nga orteku vdiq edhe një francez tjetër.
Pomagalski ishte adoleshente, kur ishte bërë kampione e botës në snowboard në vitin 1999, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Ajo e fitoi kupën e botës në këtë sport në vitin 2004. Më 2002 kishte garuar në Lojërat Olimpike Dimërore në Salt Lake City dhe katër vite më vonë në Lojërat e Torinos.
Policia tha se orteku ra të martën, kur grupi ishte duke u lëshuar nga Mali Gemsstock. Ky mal është i lartë 2.961 metra dhe është i popullarizuar për skitarët që skijojnë jashtë pistave.
Një anëtar i ekipit të shpëtuesve tha se ish-kampionia dhe një skitar tjetër ishin plotësisht të mbuluar nga bora e ortekut, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të lehta. / KultPlus.com