Koncerti recital me solistët e vokalit dhe me arie nga kryeveprat botërore është shfaqja e tretë e sezonit artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit. Sezoni artistik online po sjell para artdashësve artistët e TOB, ku pas baletit të tjerë solistë të vokalit janë pjesë e shfaqjeve që po zhvillon institucioni gjatë kësaj kohe, kur janë pezulluar aktivitetet në skenë. Artistët në institucionet e artit gjatë kësaj kohe po prezantohen me materiale të ndryshme artistike për artdashësit, që i ndjekin në Yotube dhe Facebook, ku Teatri i Operës dhe Baletit më herët ka pohuar se po zhvillon një sezon artistik online.
Me ariet më të bukura nga kryeveprat operistike “Tosca” dhe “La Boheme” nga komozitori Giacomo Puccini, si dhe “Një ballo me maska” e kompozitorit Giuseppe Verdi pjesë e koncertit recital janë solistët e njohur të operës Renisa Lacka, Ylber Gjini, Dorina Selimaj dhe Ingrid Pulizo, Bledar Domi, Eva Golemi, Denis Skura dhe pjesë për piano nga pianistja e njohur Etrita Ibrahimi. Solistët e këtij koncerti janë të njohur më parë për publikun. Me pjesëmarrje në shfaqje të ndryshme operistike, solistët e TOB për këtë koncert online janë përgatitur në shtëpitë e tyre. Institucioni i Teatrit të Operës dhe Baletit pas këtij koncerti me solistë e operës do të vijojë me pjesë të tjera të programit artistik online, ku është bërë një përzgjedhje e krijimtarisë nga autorët më të njohur botërorë.
Dy kompozitorët italianë
Kryeveprat operistike “La Boheme”, “Tosca” dhe “Një ballo me maska” janë luajtur në skena të ndryshme të teatrove në botë, por me interesin e publikut janë përcjellë edhe në skenën shqiptare të Teatrit të Operës dhe Baletit. Dy kompozitorët Giusepe Verdi dhe Giacomo Puccini në krijimtarinë e tyre rëndisin dhe të tjera vepra të njohura operistike, që janë luajtur në skena të ndryshme për publikun ndër vite. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori me njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës. Verdi kompozoi 26 opera dhe një rekuiem të njohur. Në fillim dhe në mbarim të jetës së tij kompozoi opera komike, ndërsa pjesa tjetër (shumica absolute) kanë një përmbajtje serioze dhe disa janë edhe tragjedi. Operat më të njohura, të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botës janë: “Nabukodonozor”, “Rigoleto”, “Trubaduret”, “Traviata”, “Një ballo me maska”, “Aida”, “Othello” dhe “Falstaf” opera komike. Në historinë e gjatë të operës sipas kritikës Verdi zë vend të nderit, sepse arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, tu shmanget elementëve negative të operës italiane, të absorboj elementet pozitive, që ishin shfaqur në artin e operës në shekullin e XIX, madje edhe disa elemente të reformës së Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës. Giacomo Puccini (22 dhjetor 1858 – 29 nëntor 1924) ishte një kompozitor i operës italiane, i cili mori emrin “Kompozitori më i mirë pas Verdit”. Si fillim, Puccini punoi në operan italiane, më vonë ai shpalosi punën e tij në verizëm. Veprat më të rëndësishme të tij janë “La Boheme”, “Tosca”, “Madama Butterfly”, “Turandot”. /KultPlus.com