Kemi humbur kaq në mënyrë të pakthyeshme njerëzillëkun, sa që për kafshatën modeste të ditëve të sotme, jemi të gatshëm të heqim dorë nga të gjithë parimet tanë, shpirti, të gjithë përpjekjet e paraardhësve tanë dhe nga mundësitë e fuqive tona – gjithçka, vetëm e vetëm për të mos e trazuar ekzistencën tonë të pasigurtë.
Nuk dimë më se çfarë janë krenaria, qëndrueshmëria, një zemër e përvëluar. Nuk na tremb as vdekja bërthamore, lufta e tretë botërore (duhet të ketë patjetër një vrimë ku të fshihemi) – vetëm një gjëje ia kemi frikën: që të bëjmë ata pak hapa që na ndajnë prej kurajos civile!
Vetëm e vetëm që të mos largohemi nga tufa, të shkojmë për hesapin tonë – sepse, po sikur, pastaj të gjendemi pa bukën e bardhë, ujëngrohësin me gaz, lejen e qëndrimit në Moskë? Ka një koncept në gjendje të na sigurojë një jetë të qetë, sa kohë që jetojmë, dhe që na e kanë ngulitur në të gjithë “salcat” e qarqeve të edukimit politik, deri sa na ka hyrë mirë në kokë: mjedisi, kushtet shoqërore, nuk dilet prej tyre, qenia përcakton ndërgjegjen. Atëherë, ky hyjmë ne? Ne nuk mund të bëjmë asgjë. Përkundrazi, mund të bëjmë gjithçka. Por preferojmë të gënjejmë vetveten, për të qenë të qetë. Nuk janë aspak “ata” fajtorët për gjithçka, jemi vetë ne, vetëm ne! Do të na kundërshtojnë: por në fakt, çfarë mund të bëhet konkretisht? Na kanë mbyllur gojën, nuk na dëgjojnë, nuk pyesin për mendimin tonë. Si të bëjmë për t’i bindur ata që të na dëgjojnë? Sido që të jetë, nuk ka asnjë mënyrë që t’i detyrojmë të ndërrojnë mendje. Gjëja më e natyrshme do të ishte që të mos i rizgjidhnim – po tamam, sikur në vendin tonë të kishte zgjedhje.
Pra, është një qark i mbyllur? Vërtetë nuk ka rrugëdalje? Dhe duhet të presim pasivisht që, nga hiçi, diçka të bëhet vetë? Por ajo gjëja që kemi përsipër nuk do të largohet kurrë vetë, nëse ne të gjithë do të vazhdojmë ta pranojmë, ta nderojmë dhe ta përforcojmë çdo ditë, nëse nuk vendosim t’i kundërvihemi, duke filluar aty ku është më e dobët. Nga gënjeshtra.
Kur dhuna thyen konsorciumin paqësor njerëzor, fytyra e saj digjet prej sigurisë arrogante që shfaq, madje ulëret, sipas mësimeve të saj: “Unë jam dhuna! Largohuni, hapni rrugë ose do ju vë poshtë!” Por, dhuna plaket po kaq shpejt, dhe pa kaluar shumë vite, nuk është më kaq e sigurtë në vetvete për t’u shfaqur, e për t’u bërë më e paraqitshme kërkon papushim një aleate, dhe kjo është Gënjeshtra. Në fakt, dhuna nuk ka mënyrë tjetër për t’u maskuar, përveç gënjeshtrës, dhe gënjeshtra nuk mund të ketë jetëgjatësi, përveçse përmes dhunës. Dhe dhuna nuk ka nevojë që të bëjë të ndihet çdo ditë, në çdo sup, peshën e putrës së saj: ajo kërkon vetëm që ne t’i nënshtrohemi gënjeshtrës, që të bëhemi përditë pjesëmarrës në gënjeshtër – dhe kaq mjafton për të qenë të nënshtruar besnikë. (bota.al)
Pikërisht këtu gjejmë çelësin, që deri sot ne e kemi fshehur, por aq ka qenë kaq i thjeshtë për t’u gjetur, për çlirimin tonë: mos pjesëmarrjen personale në gënjeshtër! Nëse gjithnjë e më shumë njerëz nuk do të duan të kenë të bëjnë me gënjeshtrën, ajo fillon të zhduket. Si një sëmundje ngjitëse, e cila ekziston sa kohë që ka njerëz për t’u infektuar. Nuk na kërkohet të zbresim në shesh, nuk jemi të pjekur sa duhet për të shpallur publikisht të vërtetën, për të shprehur me zë të lartë atë që mendojmë – nuk është për ne, ka shumë rrezik. Por të paktën të refuzojmë të themi atë që nuk mendojmë. të vetëdijësohemi për kufirin, përtej të cilit fillon gënjeshtra – të tërhiqemi nga ky kufi i gangrenizuar.
Atëherë, secili prej nesh duhet të gjejë kurajën dhe të zgjedhë: ose të qëndrojë shërbëtor i vetëdijshëm për gënjeshtrën, ose të vendosë që ka ardhur momenti të shkëputet, të bëhet një njeri i ndershëm, që meriton respektin e fëmijëve dhe bashkëkohësve…
Po, në fillim nuk do të jetë e lehtë. Dikush do të humbasë përkohësisht vendin e punës. Të rinjve që duan të jetojnë sipas të vërtetës, kjo do ua ndërlikojë shumë, që në fillim, ekzistencën e tyre rinore: në fakt, edhe verifikimet me pyetje-përgjigje janë të mbushura me gënjeshtra, dhe duhet zgjedhur.
Nuk ka ditë, kur gjithësecilit prej nesh nuk na duhet të zgjedhim në cilin drejtim të shkojmë: drejt të vërtetës, apo drejt gënjeshtrës, drejt pavarësisë së shpirtit, apo drejt servilizmit shpirtëror. Dhe kush nuk do të ketë kurajën e mjaftueshme për të mbrojtur shppirtin e tij, të paktën të shmangë mburrjen për idetë e veta progresiste, të mos lëvdohet me titujt e tij akademikë, artist i popullit, i merituar për këtë apo për atë, dua vetëm të rri ngrohtë dhe me barkun plot.
Për njerëz si ne, të mpirë prej mosveprimit, edhe kjo rrugë – më e moderuara mes formave të ndryshme të rezistencës – nuk do të rezultojë aspak e lehtë. Sidoqoftë, më e lehtë se sa të luajmë me zjarrin, apo edhe se sa një grevë urie: flakët nuk do të përfshijnë gjymtyrët, sytë nuk do të të bëjnë grevë, dhe pakëz bukë e zezë e një gotë ujë i pijshëm, do të gjenden gjithmonë për familjen tënde. Ai popull i madh i Europës, që e kemi mashtruar dhe tradhëtuar – populli çekosllovak – a nuk na ka treguar ne, se një gjoks i dobët, mund t’u rezistojë edhe tankeve, nëse brenda tij rreh një zemër e denjë? Do të jetë një rrugë e mbushur me pengesa – megjithatë, do të jetë më pak e dëmshmja nga të gjitha. Një zgjidhje jo e lehtë për trupin – por e vetmja për shpirtin. Një rrugë jo e lehtë – megjithatë, edhe tek ne ka njerëz, dhjetëra njerëz, që prej vitesh u përmbahen këtyre kritereve, jetojnë sipas të vërtetës. Pra, nuk jemi të parët që i hyjmë kësaj rruge, por u bashkohemi atyre që e kanë bërë tashmë! Sa më të shumtë dhe të bashkërenduar të jemi në interpretimin e saj, aq më e kalueshme dhe e shkurtër do të na duket! Do të jemi me mijëra, nuk do të na e ulin kokën, as nuk do ta provojnë. Nëse bëhemi dhjetëra-mijëra, vendi ynë do të ndryshojë aq shumë, saqë nuk do ta njohim më.
Nëse na pushton frika, të paktën të pushojmë së ankuari për ata që do të na e heqin edhe ajrin për të marrë frymë – jemi ne vetë që e bëjmë! Të përkulemi edhe më shumë, të presim si do të shkojë, dhe miqtë tanë biologjikë do të kontribuojnë që të afrohet dita kur do të mund të na lexojnë edhe mendimet dhe të riprogramojnë gjenet tona.
Nëse edhe këtë herë do të lejojmë të fitojë frika, do të thotë se jemi hiçë, se për ne nuk ka asnjë shpresë.
Pjesë nga shënimet e Solzhenicinit: “Të jetosh pa Gënjeshtër” /KultPlus.com