‘Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh, sa herë vargjet të thuhen, ti aty je’

Magjinë e penës së tij, Shekspiri, e derdh në vargjet e sonetit të 18, një nga sonetet më të njohura e më të dashura për dashamirët e poezisë, shkruan KultPlus.

Dashuria dhe bukuria e personit të zemrës së Shekspirit, krahasohet me ditët e bukura të verës, me kujtime e paharrueshme që të dhuron stina e bukur.

Soneti 18: A të të krahasoj me një ditë vere?

“Të të krahasoj me një ditë vere?

Por, ti je më e ëmbël, më e bukur.

Erërat shkundin gonxhet e majit

dhe vera ikën kaq e shkurtër.

Syri i parajsës shpesh nxehtë shkëlqen,

por nganjëherë ja sheh arin mbuluar

dhe vrenjtja botës bukurinë ja rrëmben,

rastësisht a nga natyr’ e lodhur, munduar.

Por vera jote kurrë nuk do venitet,

as do humbasë bukurinë që të përket,

s’do krenohet vdekja se ti rend mes hijesh,

në vargun tim përjetësia të pret.

Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh

Sa herë vargjet të thuhen, ti aty je./ KultPlus.com

Arbëreshi Nikollë Keta, autori i sonetit të parë shqiptar

Autori i tingëllimës (sonetit) së parë shqiptare është Nikollë Keta (Nicola Chetta, 1740-1803).

Ai ishte një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo. Keta ka lindur në Kundisa (ital. Contessa Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino (1710-1765).

Më 1777 Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe dhe në greqisht.

Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):

“Farie së ndeerme në Kuntisë u bii
Kolë Ketta, vllastar i t’arbrit dhee,
Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,
Ç’e reshti, si zogu rep në folee.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësii,
Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,
Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,
E nani prift klisha kurorë e vee.

Si zok i sbjerrë praa t’di krahët çoi
Në Palermë e n’Kuntisë, po ktei e atei
Ndeern’e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi.
Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei

E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,
Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei.”

*

(Nga fis i ndershëm lindi në Kundesa
Kolë Keta, pinjoll i dheut të Arbërisë
Shkoi në Palermo pra te shtëpia e Arbrit
Që e priti si zog të njomë në fole.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësi,
Dhe në vapë e përtëriti nën hije,
Ashtu si rrembin e vyshkur stolis një dhri,
Dhe tani është prift, në kishë vë kurora.

Si zog i zbjerrë të dy krahët i çoi,
Në Palermo e në Kundisa, këndej e andej,
Në shkrimet e tij nderin e arbëreshëve kërkoi.
Si krimb mëndafshi u shua prej vetiu,

Dhe këtë visar tori, qëndisi e shkroi
Që të qoste gjithë Arbërinë gjer përtej.) / KultPlus.com