“Tirona Allstars”, grupi më i mirë muzikor për 2022 nga Songlines Music Awards

 “Tirana-Tirona Allstars”, grupi muzikor që me mbështetjen e bashkisë së Tiranës realizoi albumin “Tirana 100”, në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, është shpallur fitues i kategorisë “Best Group” për vitin 2022 nga Songlines Music Awards.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar grupin “Tirana-Tirona Allstars” për çmimin prestigjioz nga Londra, duke u shprehur njëkohësisht se është një vlerësim edhe për Tiranën dhe për Shqipërinë.

“Grupi më i mirë muzikor i vitit 2022! Nga 4 finalistët, Tirana-Tirona Allstars janë fitues të kategorisë “Best Group”. Një nder i jashtëzakonshëm për Tiranën dhe mbarë Shqipërinë,” shprehet Veliaj.

Albumi u realizua falë punës së ideatores dhe producentes Edit Pula, e cila së bashku me partneret Prof. Lucy Durhán dhe Martin Appleby krijuan diskun muzikor që përfaqësoi Tiranën në klasifikim botëror.

Simon Broughton themelues i revistës Songlines, u shpreh se “Tirana Tirona Allstars” e meritoi plotësisht çmimin si “Grupi më i mirë” në edicionin e vitit 2022 të Çmimeve Songlines.

“Gjithmonë e kam admiruar muzikën shqiptare, por gjithmonë jam çuditur se si kjo muzikë nuk është e njohur mjaftueshëm sa e meriton në botë. Të shpresojmë se ky çmim do ndihmojë për këtë,” shprehet Broughton në një videomesazh.

Për secilën nga kategoritë ku përshihej dhe “Artisti më i mirë” si dhe ato me bazë gjeografike kishte nga katër të nominuar, ku Shqipëria në kategorinë për Grupin më të Mirë fitoi përballë grupeve si “Las Lloronas” i Belgjikës i shpallur fitues një vit më parë për të njëjtin çmim, apo dhe Toumani Diabaté & Orkestra Simfonike Londër.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve pritet të zhvillohet në ditët e ardhshme./atsh / KultPlus.com