Opera e Kosovës me “La Traviata” shpërthen përtej të zakonshmes, vulos profesionalizmin në interpretim

Era Berisha

E shkruar në tri akte, opera më ikonike e mjeshtrit të njohur Guiseppe Verdi me emërtimin “La Traviata” nën regjinë e bullgarit Ognian Draganoff, është jetësuar për herë të parë mbrëmë në qytetin e Prishtinës. “Jetën” ia ka dhënë magjishëm interpretimi i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës, me ç’rast kjo ndërlidhje ka pruar emocione jashtëzakonisht të forta që më së miri vëreheshin nëpër lotët e dhjetëra njerëzve të pranishëm në sallën e sporteve “1 Tetori”, shkruan KultPlus.

Para se koncerti të gjente pikënisjen e vetë, të pranishmit dalëngadalë po zinin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës së improvizuar në sallë. Me një pamje e formë krejtësisht ndryshe, skena gjigande merrte vëmendjen e gjithsecilit. E përshtatur për të shpalosur historinë e operës “La Traviata”, skena ishte “veshur” kokë e këmbë në ngjyrë të kaltër, teksa anash qe e vendosur një tavolinë rrethore me shtatë karrige të vendosura rreth saj, ndërsa në anën tjetër një divan në ngjyrë krem që pas pak do të mirëpriste uljen e personazheve. Ndonëse, ngjitësi i platformës së vendosur në skenë dallohej edhe nga rreshti i fundit i karrigeve në sallë, kjo nuk pengoi aspak në lëvizjen e lirshme e natyrale të protagonistëve. Në anën tjetër, reflektorët në ngjyrë të kaltër që të jepnin ndjesinë e të qenurit brenda një oqeani të thellë, i dhanë audiencës një përafërsi të pakrahasueshme. Por, ato ndryshonin me kahjen e shpalosjes së akteve, dhe kjo e shtrinte lehtazi ngrohtësinë e historisë së çdo personazhi.

Protagonistët e operës “La Traviata”: Besa Llugiqi (Violetta Valéry), Emanuele D’Aguanno (Alfredo Germont), Gëzim Myshketa (Giorgio Germont), Fitore Gjonbalaj (Flora Bervoix), Kaltrina Miftari (Annina), Urta Haziraj (Annina), Denis Skura (Gastone), Shaban Behramaj (Baroni Douphol), Dragan Ampov (Marchese D’ Obigny), Harris Bajraktari (Doktor Grenvil), Rizah Jahaj (Giuseppe, shërbëtori i Violetës), Jon Kosumi (Shërbëtori i Florës), Arbër Maliqi (Komisioneri) dhe Etrit Nura (Komisioneri), dhanë gjithë shpirtin e tyre për gjatë plot tri orëve. E gjithë energjia e tyre, pasioni për të hyrë në rolet operistike por mbi të gjitha, dashuria për të shfaqur një nivel botëror për herë të parë në kryeqytet, e ka përthekuar këndshëm historinë e “La Traviata”, një histori kjo e dashurisë tragjike mes kurtizanes Violetta dhe romantikut Alfredo Germont, të dy të vendosur kundër hipokrizisë së shoqërisë së klasës së lartë. Dashuria e Alfredos ndaj saj, e dërgon Violetën drejt aktit të vetëmohimit.

Opera “La Traviata” vendos në skenë një jetë që vetëm ëndërrohet me gjithë magjepsjen, gëzimet dhe dhimbjet e saj. Muzika e saj e kompozuar nga mjeshtri i operës – Verdi, i këndon lirisë, gjallëron pëshpëritjet me një finale me duete plot pasion nga zemrat e lënduara. Tërë ngjarja zhvillohet në Paris dhe në afërsi të këtij qyteti. Nga karakteri në karakter, protagonistët dilnin në kostumet e tyre që pothuajse ishin të shkrira ëmbëlsisht në trupat e tyre dhe e gjithë kjo vjen e realizuar nga puna e Boris Stoynovit. Me zërat e tyre buçues, unik e shpërthyes, solistët patjetër kanë dëshmuar për një nivel botëror, nëpërmjet së cilit shumë shpejt do arrijnë ta shndërrojnë Operën e Kosovës, ndër institucionet më të njohura në rajon dhe më gjerë.

Nga momenti që ora shënoi fiks 19:07, e deri në 22:04, ka qenë një orkestër e tërë poshtë skenës, që pa të, thjesht nuk do të mund të mendohej as ekzistenca e magjisë së krijuar mbrëmë me “La Traviata”. Instrumentistët kanë qenë ajo copa kryesore që ka kontribuar në shpirtin e operës, në ekselencën dhe përsosmërinë e saj. Në krye kanë pasur dirigjentin e njohur bullgar Nayden Todorov dhe lirisht mund të thuhet se çdo lëvizje e krahëve dhe duarve të tij, deri tek ngritja e trupit të tij deri në gishta të këmbëve, ka thyer limitin e perfeksionimit. Instrumentistët kanë lëshuar melodi e tinguj që kanë rrëqeth me ndjeshmërinë, gjendjen pezulluake që ofrohej nëpërmjet tyre dhe fuqinë që posedonin në një ambient aq të hapur. Dukej se harqet e instrumenteve e çanin atmosferën në grimca melodike që shpërndaheshin në atmosferë dhe bridhnin tek shpirtrat e audiencës.

Tri orë qenë të gjata për të qëndruar ulur në karrige të plastikës e për të lexuar një përkthim jo edhe aq të saktë të operës “La Traviata” në dy ekranet e vendosura anash skenës, por këtë e ka bërë me shumë durim audienca kosovare, e etur për të qenë dëshmitare e ndërtimit të Shtëpisë (Teatrit) së Operës dhe Baletit, një ndërtim që po vjen pas shumë sukseseve të dëshmuara të talenteve shqiptare, të cilët e meritojnë që shtëpinë e tyre të dytë ta kenë mu në Prishtinë.

Krejt në fund, ishin duartrokitjet e brohoritjet e vazhdueshme për secilin protagonist që frymoi, këndoi e luajti me aq shumë dashuri në skenë. Ovacion në këmbë kanë përjetuar të gjithë solistët, instrumentistët, regjisori e dirigjenti i kësaj opere që erdhi për herë të parë në Prishtinë. Pa dyshim që me një meritë më se të duhur, Opera e Kosovës, ka nevojë për këtë ngrohtësi shpirtërore të madhe që publiku mbrëmë ia dhuroi, me shpresën që nata e mbrëmshme të jetë hera e fundit që kjo operë interpreton në një sallë të tillë.

Për të treguar më shumë rreth vendosjes së kësaj opere në Prishtinë, për KultPlus foli sopranoja Besa Llugiqi, e cila interpretoi rolin protagonist, Violeten.

“Rolin e Violetes e kam bërë me dhjetëra herë por lirisht mund të them që si kjo që më dha publiku në Kosovë sonte, asnjëherë nuk e kam përjetuar askund tjetër. Opera si institucion veç është i hapur dhe po krijohen mundësi të reja për të gjithë artistët që do të vinë pas dhe janë duke punuar fort në këtë drejtim. Duhet shumë forcë e përkushtim për të çuar përpara mundin tonë, por edhe kjo është e vështirë për shkak të shtëpisë që nuk e kemi, megjithatë nuk është e pamundur. Kjo u tregua edhe sot. Nëse me të vërtetë punohet fort, organizohet mirë, atëherë ia dalim. Mbi të gjitha, në këtë projekt ka pasur shumë pasion, entuziazëm dhe secili është sakrifikuar në mënyrën e vetë për të dhënë maksimumin. Kjo ka qenë vulë për të vazhduar akoma më tutje”, ka thënë ajo.

Ndërsa, dirigjenti bullgar Nayden Todorov për KultPlus ka potencuar se është ndarë i habitur me ekzistencën e mundësisë për të pasur një performancë kaq të mrekullueshme në Prishtinë.

“Kjo natë ishte një përvojë e mrekullueshme. Unë e kam dirigjuar “La Traviata” njëqind herë, por kjo shfaqje sonte ishte shumë e veçantë për mua, dhe mendoj që ishte njëjtë për të gjithë këtu. Mund të ndjeja gjithë entuziazmin nga orkestra dhe nga solistët e mrekullueshëm. Mendoj që ky është një rast shumë i veçantë që njerëzit do ta kujtojnë përherë. Dhe jo vetëm sepse ishte i pari, por sepse ishte shumë, shumë i mirë. Do të doja që çdo herë kur njerëzit fillojnë diçka të re, të jetë aq mirë sa ka qenë kjo “Traviata” këtu. Nuk mund të shihja asgjë që nuk ishte e mrekullueshme. Kjo orkestër ishte shumë entuziaste për të bërë gjithçka siç duhet. Secili prej solistëve ishte shumë i veçantë. Jam i habitur që është e mundur të kemi një performancë kaq të mrekullueshme këtu. Mendoj se të gjithë ata që morën pjesë në këtë performancë sonte duhet të jenë vërtet krenarë për të”, thotë Todorov.

Kujtojmë që me 4 nëntor në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u shënua një vjetori i inaugurimit të Operës së Kosovës. / KultPlus.com

Sopranoja Besa Llugiqi dhe kuarteti ‘Suonos Albanicus’ për herë të parë prezantojnë muzikë autentike shqiptare në Stara Zagora

Për herë të parë në Stara Zagora është luajtur një koncert me muzikë autentike shqiptare. E krejt kjo nga bashkëpunimi i sopranos së njohur Besa Llugiqi me kuartetin “Suonos Albanicus”, të cilët në mënyrë të mahnitshme kanë sjell koncertin e zhvilluar në natën e gjashtë të Festivalit të Operas dhe Baletit, shkruan KultPlus.

Për KultPlus, sopranoja Llugiqi ka bërë të ditur se koncerti është pritur me duartrokitje nga publiku, teksa në sallë të pranishëm kanë qenë edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Pesë interpretuesit e njohur shqiptarë si: violinistët Abigaile Voshtina Visar Kuçi, Herida Duro në violë, Mario Guralumi në violonçel dhe sopranoja Besa Lugiqi, kanë prezantuar veprat më domethënëse të kulturës shqiptare, këngët tradicionale popullore, si dhe muzikën bashkëkohore.

Ndërsa, drejtori i Operës në Staro Zagora, Ognyan Draganov, ka bërë të ditur se ky është koncerti i parë me muzikë shqiptare që shfaqet në skenën e Stara Zagorës.

“Për të shtatin vit radhazi, ne po ftojmë një ansambël dhomash nga një vend ballkanik që të marrë pjesë në FOBI dhe tashmë jemi të bindur se kjo është një traditë e mirë”, tha Draganov.

Po ashtu, sopranoja Llugiqi për KultPlus është shprehur tejet e lumtur që kanë prezantuar muzikën shqipe.

“Publiku e vlerësoj shumë koncertin duke e cilësuar si muzikë të bukur dhe melodi që mbahen në mend në të gjitha pikët që u interpretuan. Ishte një ndjenjë e bukur për ne të prezantojmë muzikën dhe krijimtarinë e trevave tona, duke bërë që të njihen me muzikën tonë dhe kompozitorët e interpretët që kemi“, thotë ajo. / KultPlus.com

Këtë të diel Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës sjell koncertin premierë

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e radhës këtë të diel (29 maj), përcjell KultPlus.

Sipas njoftimit, koncerti premierë do të mbahet në Qendrën “Bogdani Polis (Katedralja Nënë Tereza) në Prishtinë.

Gjithashtu, koncerti fillon nga ora 20:00.

“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se sezoni 2021/22 vazhdon me koncertin premierë të Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës më 29 maj 2022”, thuhet në njoftim.

Programi:

ALEXEY SHOR
Uverturë nga baleti “Pallati i kristaltë”
Crystal Palace Overture

RAFET RUDI
Laudatio funebris
për soprano dhe orkestër harqesh
for soprano and string orchestra

DMITRI SHOSTAKOVICH
Koncert për piano No. 2 në F – dur, Op. 102
Piano Concerto No. 2 in F major, Op. 102

ANTONÍN DVOŘÁK
Simfonia Nr. 4 në d – mol, Op. 14
Symphony No. 4 in D minor, Op. 14

ORKESTRA E FILHARMONISË SË KOSOVËS
KOSOVO PHILHARMONIC ORCHESTRA

BESA LLUGIQI Soprano
ARTEMIDA QARRI – HAXHIAJ Piano

Dirigjent / Conductor
ANTOINE MARGUIER/ KultPlus.com

Besa Llugiqi me “Perlat shqiptare“ në Venecia, interpretohen edhe vepra të njohura të Kosovës

Me rastin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në Bienalen e Venecias, nën organizimin e Ambasadës shqiptare në Itali, në “Chiesa della Pietà” të Venecias mbrëmë është mbajtur koncerti “Perlat shqiptare”, me jare e muzikë bashkëkohore shqiptare.

Në këtë koncert sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, e shoqëruar nga kolegët nga Shqipëria të kuartetit të harqeve, Abigeila Voshtina dhe Xhoan Shkreli, në violinë, Herida Duro, violë, dhe Mario Goralumi, violonçel, interpretuan vepra nga kompozitorët Giacomo Puccini, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Vasil S. Tole, si dhe perla të këngëve shkodrane.

E veçanta e këtij koncerti ishte interpretimi i dy veprave nga artistë dhe kompozitorë të njohur kosovarë, “Lamtumirë“ nga Muharrem Qena dhe “Mallëngjimi“ nga Rashid Krasniqi, vepra këto të përpunuara nga kompozitori i njohur, profesor Valton Beqiri.

Pas koncertit, sopranoja kosovare Besa Llugiqi u shpreh se koncerti “Perlat shqiptare“ kishte lënë përshtypje të mirë tek vendas.

“Ishte një kënaqësi e veçantë të interpretoj vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe italianë, së bashku me miqtë nga Shqipëria, me rastin e inaugurimit të Bienales së 59-të të Venecias. Interpretuam në kishën e njohur “Chiesa della Pietà”, që daton nga shekulli i pesëmbëdhjetë, një xhevahir i arkitekturës veneciane, një pikë referimi për artistët dhe turistëë. Kjo kishë kishte shërbyer edhe si shkollë në të cilën kompozitori italian me famë botërore, Antonio Lucio Vivaldi kishte jetuar dhe u kishte dhënë mësim vajzave bonjake“, ka thënë sopranoja kosovare Besa Llugiqi pas koncertit “Perlat shqiptare“ në Venecia të Italisë. / KultPlus.com

Besa Llugiqi me rol kryesor rikthehet fuqishëm në Gdansk të Polonisë

Për dy ditë rresht, me ftesë të Operës Baltike në Gdansk të Polonisë, sopranoja e njohur kosovare Besa Llugiqi është rikthyer fuqishëm në ish-Operën Shtetërore Baltike ku interpretoi në rolin kryesor të Thaïs në kuadër të operës “Thaïs” të kompozitorit të njohur francez të epokës romantike, Jules Émile Frédéric Massenet.

Në sallën e stërmbushur të operës në Gdansk, ku ajo kishte debutuar më 2019, Llugiqi sërish rrëmbeu zemrat e publikut vendas të cilët sopranon kosovare e pritën me ovacion.

“Ishte një kënaqësi e madhe për mua të interpretoj dy netë rresht njërin prej roleve të mia të parapëlqyera, Thaïs, e rrethuar me artistë fantastikë dhe orkestrën e mrekullueshme të Operës Baltike në Gdansk. Pas suksesit të Thaïs, mezi pres të vazhdoj provat në rolin e Violetta Valéry në “La traviata”-n e kompozitorit të njohur italian, Giuseppe Verdi, nesër në Bullgari, opera e cila do të shfaqet më 26 mars, në Stara Zagora”, ka thënë Llugiqi pas shfaqjes.

Me këtë rast, përmes një videoje, Llugiqi falënderoi mediet për mbështetjen.

Vlen të theksohet se gjatë shfaqjes në Gdansk Llugiqi së bashku me kastin e interpretuan himnin e Ukrainës, në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas.

Rolin tejet kompleks, të ndjeshëm, dramatik dhe me shtrirje të gjerë vokale të Thaïs, Llugiqi e interpretoi e shoqëruar nga regjisori dhe dramaturgu i njohur polak, Romuald Wicza-Pokojski, dirigjenti i njohur francez, Nicolas Krauze, baritoni i njohur polak në rolin e Athanaël, si dhe tenori i njohur polak në rolin e Nicias, Lukasz Zaleski./ KultPlus.com