Mbahet “Koncerti për Paqe” në Romë, sopranoja Marigona Qerkezi interpreton vepra të kompozitorëve shqiptar

Mbrëmë, në Sallën Promoteca të muzeve Capitolinë në Romë, Ambasada e Republikës së Kosovës organizoi “Koncertin për Paqe” me sopranon shqiptare Marigona Qerkezi.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, në fjalën e mirëseardhjes në këtë aktivitet festiv, përmes të cilit u shënua njëherësh 14 vjetori i pavarësisë dhe stabilizimi i marrëdhënieve diplomatike me Republikën italiane, theksoi që data e 17 shkurtit, për kosovarët nuk përkon vetëm me lindjen e Republikës sonë të pavarur. Është edhe një moment reflektimi për të nderuar vullnetin dhe vendosmërinë e një rrugëtimi të gjatë që pas dekadash rezistence paqësore, sfidave të panumërta, luftës tragjike me plot sakrifica, u konkretizua me shpalljen e demokracisë më të re në Evropë. Një demokraci e rrënjosur thellë në shoqërinë tonë, e cila vërtetohet nga rezistenca historike e popullit tonë për lirinë dhe pavarësinë e shumëdëshiruar.

Në vijim, Ambasadorja Haxhitasim përkujtoi që në fund të viteve ‘90, Kosova pati fatin të dëshmonte solidaritetin ndërkombëtar, angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të aleatëve si Italia, duke falënderuar të gjithë ata që besuan në Kosovën tonë dhe që vazhdojnë të bëjnë atë teksa hapim kapituj të rinj përparimi dhe prosperiteti për vendin dhe popullin tonë.

Për këto arsye, shtoi Ambasadorja, sot, më shumë se kurrë, jemi shumë pranë popullit ukrainas, ndaj të cilit shprehim solidaritetin tonë të plotë, human dhe institucional, duke uruar paqen për Ukrainën edhe përmes këtij gjesti modest të këtij koncerti. Sepse 23 vjet më parë, ishin popujt e tjerë që organizuan koncerte për ne dhe sot Kosova është linjëzuar me komunitetin ndërkombëtar në dënimin e luftës dhe në ndihmën e atyre të cilët tani kanë nevojë për zë, mbështetje dhe dyer të hapura.

Ambasadorja Haxhitasim shtjelloi gjithashtu rrugëtimin 14 vjeçar të marrëdhënieve diplomatike me Italinë, duke pasqyruar dhe vlerësuar gamën e gjerë të bashkëpunimeve të shkëlqyera me dy vendeve tona, te cilat shtrihen që nga politikat e sigurisë deri tek ekonomia, kultura dhe shkëmbimet akademike e universitare.

Mbrëmë, në kryeqytetin e Italisë, Ambasada e Republikës së Kosovës përcolli një mesazh shumë domethënës për paqe, duke kombinuar më së miri zërin e bukur dhe të fuqishëm të sopranos Marigona Qerkezi dhe notave muzikore të pianistit Gabriele Rubeo, ku u interpretuan me shumë ndjenjë dhe emocion edhe vepra e kompozitorëve shqiptar. / KultPlus.com

Sopranoja Marigona Qerkezi nën rolin e ‘Leonoras’ do të debutoj në Teatrin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb

Sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi së shpejti do të debutoj në Teatrin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb, përcjell KultPlus.

Pikërisht në qytetin e saj të lindjes, ajo do të interpretoj rolin e ‘Leonoras’ nga opera “Il Trovatore” e Giuseppe Verdit, nën dirigjimin e Maestro Pier Giorgio Morandi dhe regjinë e Arnaud Bernard.

Lajm i mrekullueshëm
Po e filloj vitin me një angazhim shumë të rëndësishëm për mua.
Shfaqjet janë më 19 / 22 dhe 26 Janar 2022.

Mirësevini“, ka shkruar tutje ajo në njoftimin e bërë në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Marigona Qerkezi e mrekullueshme në paraqitjen e saj në Rossini Opera Festival

Jeta Zymberi

Sopranoja kosovare Marigona Qerkezi, e cila tashmë ka përfshirë një teren të gjerë me prezantimet e saj në teatrot më prestigjioze në botë, së fundi debutoi edhe në ‘Rossini Opera Festival’ me rolin Madama Cortese, shkruan KultPlus.

“Është privilegj i madh për mua që pata rastin të perfeksionohem dhe rritem profesionalisht me specialistin Rossinian të shekullit, Maestro Alberto Zedda. Prandaj këtë debutim, me plot zemër ia dedikova maestros së ndjerë, Alberto Zedda”, tha fillimisht sopranoja Marigona Qerkezi për KultPlus.

Të debutojë me rolin Madama Cortese nga opera “Il Viaggio a Reims” e kompozitorit Rossini , pikërisht në Rossini Opera Festival, që është festivali më prestigjioz në mbarë botën, i dedikuar ekskluzivisht për kompozitorin Gioacchino Rossini, në vendlindjen e tij Pesaro – Itali, padyshim që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për karrierën e sopranos kosovare.

Por, e gjithë kjo erdhi si rezultat i punës së verifikuar pas audicionit të realizuar disa muaj më herët, ku Qerkezi u përzgjodh si fituese nga mbi 300 konkurrentë nga e mbarë bota.

“Periudhë e gjatë dhe intensive e përgatitjeve dhe provave, u shpalos në skenën e Teatro Rossini, dhe u ndoq nga 10.000 shikues në platformën e transmetimit direkt online”, ka treguar tutje Qerkezi.

Për këtë interpretim të sopranos kosovare kanë shkruar edhe kritikat në mediat italiane.

“Marigona Qerkezi, që së shpejti do të jetë Madama Cortese në Gran Teatre del Liceu në Barcelonë, interpretoi mrekullisht këtë rol, duke i merituar duartrokitjet e para të shfaqjes, dhe ovacionet “Bravissima” ende pa e mbaruar pjesën e saj, ovacione të cilat u shpërndanë dhe e përmbushen sallën sapo ajo mbaroi arien”, shkruan një nga kritikat në mediat Italiane. / KultPlus.com