Ëndrra po merr formë, prezantohet projekti i shtëpisë së re të SOS fshatrave të fëmijëve

Është prezantuar projekti ku tregon se si do të duket shtëpia e re e SOS fshatrave të fëmijëve, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, faqja zyrtare e Sos Fshatrave të Fëmijëve njofton se kjo punë është bërë në formë vullnetare nga arkitekti Jeton Blakaj dhe ekipi i tij, Suad Ismaili, Richardi, Reutrimi, Albina dhe Gurakuqi.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Një ëndërr që merr formë, një shtëpi pushimi për fëmijët tanë!

Siç e dini, para ca kohësh, miku ynë i çmuar, Artan Hasani  na dhuroi një copëz të vogël parajse – një parcelë toke ku ëndërronim të ndërtonim një shtëpi pushimi për fëmijët tanë.

Por çdo ëndërr e madhe ka nevojë për mbështetje, për duar të zgjatura dhe zemra të hapura. Dhe ja ku ndodhi mrekullia! Sapo publikuam lajmin për dhuratën e Artanit dhe planin tonë për shtëpinë e pushimit, një arkitekt i talentuar kosovar, Jeton H. Blakaj  i cili jeton në Vjenë , na kontaktoi. Pa asnjë hezitim, ai dhe kompania e tij db spaces  morën përsipër të projektojnë falas shtëpinë e ëndrrave për fëmijët tanë!

Dhe sot duam t’ju prezantojmë projektin që Jetoni dhe ekipi i tij i mrekullueshëm, Suad Ismaili , Richardi, Leutrimi, Albina dhe Gurakuqi, krijuan me aq dashuri dhe përkushtim. Orë të tëra pune, zemër e shpirt të derdhur në çdo detaj, për të krijuar një vend ku fëmijët tanë do të ndjehen të dashur, të sigurt dhe të lumtur.

Falë Jetonit dhe ekipit të tij, plani është gati! Tani na duhet ndihma e miqve tanë, që dhurimin e Artanit, vizionin e Jetonit dhe db spaces, ta bëjmë realitet.

Ndihmoni të ndërtojmë një shtëpi ku ëndrrat çelin, ku kujtimet krijohen dhe ku fëmijët tanë ndjejnë dashurinë dhe përkrahjen që meritojnë.

Faleminderit nga zemra për mbështetjen tuaj të vazhdueshme!/KultPlus.com

Studio e qeramikës URA hap ekspoziten me punime nga pjesëmarrës të “Handikos” dhe “Sos Fshatrat e Fëmijëve”

Ejona Veselaj

Gjatë ditës së sotme, “Studio e qeramikës URA”, ka hapur ekspozitën “EMPTY BOWL”, me punime të realizuara me baltë nga Organizata “Handikos” dhe “Sos Fshatrat e Fëmijëve Kosovë”. Fytyrat e lumtura dhe krenare të pjesëmarrësve, tregonin se ata ishin krenar me punën e tyre dhe se ky aktivitet i ka bërë të përfshihen në punimet me qeramikë, që sipas organizatorëve ata përmes këtij arti kanë treguar ndjeshmërinë dhe shpirtin e tyre.

Fëmijë e të rritur nuk ngurronin që të flisnin personalisht me të gjithë, duke treguar secili veç e veç punën e tyre, e disa prej tyre tashmë i kishin dedikuar si dhurata ato.

Në pikturat e vogla të varura në muret e studios kishte trëndafila, diell, det e gjelbërim, duke treguar kështu anën e bukur dhe pozitive të tyre, secili nga pjesëmarrësit.

Sos Fshatrat janë organizatë jo-qeveritare dhe e pavarur që fokusi i tyre është tek puna me fëmijët e braktisur, të varfër dhe jetimë, fëmijët që kanë nevojë për një familje kujdestare për fëmijë. Në ekspozitë ishin të vendosura punime të shumta me baltë nga këta fëmijë, të cilat i kishin punuar bashkë me bartësen e projektit Laura Sllamniku Kryeziu.

Ndërsa, organizata Handikos është organizata që punon më së shumti me personat që janë me aftësi të kufizuara dhe ndërmjetëson punësimin e tyre në tregun e punës.

“Objektivë kryesore e kësaj shoqate ishte “përmirësimi i të drejtave dhe i standardeve të jetesës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë” përmes veprimit në fushën e mbrojtjes shëndetësore, sociale dhe të punësimit”, thuhet në faqen zyrtare të tyre.

Artistja dhe bartësja e këtij projekti, Laura Sllamniku Kryeziu, ka mirëpritur në studion e saj 60 pjesëmarrës të ndarë në tri grupe, nga OJQ Sos Fshatrat e Fëmijëve, OJQ Handikos dhe OJQ Autizmi, që për disa muaj është punuar në proceset thelbësore të trajtimit të qeramikës punëdore.

Qëllimi i këtij aktiviteti është aftësimi dhe kyqja e pjesëmarrëve nga këto grupe, ku është trajtuar qeramika dhe është dhënë si mundësi për pjesëmarrësit që të aftësohen në artin e qeramikës.

Me këtë projekt është synuar sensibilizimi i shoqërisë dhe përkrahja e këtyre personave si dhe prezantimi i tyre me profesionin e modelimit të qeramikës punëdore. Ditën e sotme janë prezantuar punimet nga Sos Fshatrat dhe Handikos, kurse grupi i Autizmit janë duke mbajtur aktivitetet e tyre, dhe më pas do të mbahet ekspozita edhe me punimet e tyre.

Eventi filloi duke u mbledhur të gjithë të pranishmit, e pjesëmarrësit e aktivitetit po shpejtonin të gjenin secili punimet e tyre.

Në hapje të ekspozitës, artistja e qeramikës punëdore, Laura Sllamniku Kryeziu u shpreh se ekspozita është një bashkim i vullnetit të mirë dhe kreativitetit të pjesëmarrësve, duke shtuar se shumica e tyre kanë punuar me baltë për herë të parë, mirëpo ia kanë dalë më së miri.

“Ekspozita është bashkim i vullnetit të mirë dhe kreativitetit të pjesëmarrësve, është dëshmi e fuqisë së artit dhe ndikimin që mund të ketë në komunitetin tonë. Që të realizohet një ekspozitë duhet kohë, përkushtim, angazhim, durim, punë, vullnet i mirë dhe mbështetje. Punët që janë ekspozu janë punë të pjesëmarrësve, shumica kanë punu për herë të parë në baltë dhe shpresoj që keni me has ndjenjën dhe përjetimin për këto krijime”, është shprehur Sllamniku-Kryeziu.

Kurse, drejtoresha e Sos Fshatrave u shpreh se është viti i tretë që bashkëpunojnë me studion Ura dhe se ky aktivitet i ka ndihmuar fëmijët edhe në shëndetin e tyre mendor dhe aftësimin e tyre. Ajo ka shtuar se çdo ndihmë e secilit qytetar do të ndihmojë në mirëqenien e fëmijëve.

“Është viti i tretë që ne bashkëpunojmë me studion Ura, ky aktivitet i ka ndihmuar ata në shëndetin e tyre mendor dhe aftësimin e tyre. Shpresojmë që në të ardhmen këto punime do të ekspozohen dhe njerëzit të kenë mundësinë që t’i blejnë në mënrë që të ndihmojnë fëmijët që kanë nevojë. Çdo ndihmë nga ju do të ndikojë në mirëqënien e fëmijëve”, është shprehur ajo.

Ndërsa, nga Handikos ka foluar Mimoza Bytyqi Rrahmani, e cila ka falënderuar të gjithë ata që kanë mundësuar të marrin pjesë në këtë aktivitet, dhe se ka qenë një mënyrë e mirë për relaksim.

“Ka qenë një mënyrë e mirë që ne me u relaksu edhe me e pas si terapi. Ne bashkëpunojmë që disa herë me studion URA dhe bëjmë thirrje që institucionet të përkrahin në vazhdimësi fëmijët pa mbështejte dhe personat me aftësi të kufizuara”, është shprehur Bytyqi Rrahmani.

Në përfundim të eventit, artistja Laura Sllamniku Kryeziu tha për KultPlus se ideja për realizimin e këtij projekti ishte e saj dhe se qëllimi ishte që t’ua ofronte si eksperiencë personave që nuk kanë mundësi ta vijojnë si kurs pasi ka kosto.

“Ideja ka qenë e imja, prej qysh kom fillu me artin e qeramikës gati që 20 vite sepse kom studiu pikturë, ideja ka qenë me ofru procesin e modelimit të artit të qeramikës posaçërisht tek ata që nuk kanë mundësi me ia ofru vetës si kurs sepse ka kosto. Personat me aftësi të kufizuara janë shpesh të margjinalizuar prej komuniteteve edhe Sos Fshatrat janë fëmijë pa mbrojtje dhe kujdes prindëror, ne e kemi edhe Autizmin dhe personat me Sindromë Doën që po punojmë me ta. Një grup ka punuar 2 muaj kurse me personat me autizëm jemi akoma në proces”, është shprehur ajo për KultPlus.

Në fund nuk mungoi as një koktej rasti me pije e ushqime shumë të shijshme./KultPlus