Sot, ditëlindja e gjigandit shqiptar Bekim Fehmiut

Bekim Fehmiu u lind me 1 qershor 1936 në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës. Njihet më së miri në filmat I Even Met Happy Gypsies (1967), Protst (1967) dhe The Adventurers (1970). Ishte i martuar me Branka Petric. Vdiq më 15 qershor, 2010 në Beograd.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

U martua Branka Petric dhe kishte dy djem. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. Në të gjithë hapësirën ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.

Kishte studiuar në Universitetin e Beogradit për film prej vitit 1956 deri me 1960 me prof. Mata Milosevic.

Si yll i filmit në ish-Jugosllavi dhe në përgjithësi në gjithë Evropën, Fehmiu fitoi çmime për film dhe një përkrahje të përzemërt nga gjithë populli shqiptar. Debutimi i tij në tregun amerikan me një rol tejet të rëndësishëm nuk ishte edhe shumë i suksesshëm për të, megjithatë figura e tij prej aktori mori përmasa të mëdha me role në filmat e tjerë dhe mbeti në kujtesë për shumë kohë.

Jeta e tij u zhvillua mes Beogradit, Prishtinës e Prizrenit.

Filmat në të cilët luajti Bekim Fehmiu: “The Odyssey”, “The Deserter”, “Ready for Anything”, “Special Education” etj.

Lidhur me vdekjen e tij ka supozime të ndryshme, njëra prej tyre ishte se kreu vetëvrasje në apartamentin e tij me revole, megjithatë nuk u konfirmua asnjëherë. Kur vdiq Fehmiu ishte 74 vjeç./ KultPlus.com

Sot nis Asambleja e Këshillit të Evropës, dy ditë historike për Kosovën në Strasburg

Këshilli i Evropës ka njoftuar se sot do të fillojë Asambleja e Këshillit të Evropës, e cila do të zgjasë deri të premten e 19 prillit.

Në mesin e pikave për diskutim është edhe ai për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, njofton Klankosova.tv.

“Një debat për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe votimi i një projekt-opinioni, do të jetë një moment kryesor i sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE)”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se do të ketë gjithashtu një debat të përbashkët mbi “vdekjen e Alexei Navalny dhe nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putin dhe luftën e tij kundër demokracisë”.

Asambleja do të diskutojë gjithashtu mbështetjen për rindërtimin e Ukrainës, duke përfshirë një propozim për përdorimin e aseteve të ngrira shtetërore ruse për këtë qëllim, me pjesëmarrjen e kryetarit të Rada Verkhovna e Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.

“Është kërkuar një debat urgjent mbi “Projekt Konventën Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit” (Asambleja duhet të japë Opinionin e tij statutor për këtë projekt-traktat të ri të Këshillit të Evropës) si dhe një aktual debati i çështjeve me temë “Roli i Këshillit të Evropës në parandalimin e një katastrofe humanitare në Gaza”, thuhet tutje në njoftim.

E në lidhje me me agjendën e Këshillit Evropian për dy ditët në vijim, detaje ka dhënë edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se këto dy ditë janë historike për Kosovën.

Agjenda e plotë:

Dita 1:

Të hënën, më,15 prill 2024, nga ora 14:00 -15:15,  Komiteti për Barazi dhe Mos diskriminim, te pika e katërt e rendit të ditës do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE. Po ashtu, të njëjtën ditë, në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE.

Dita 2:

Të martën, më 16 prill 2024, mbahet takimi i Asamblesë Parlamentare. Ky sesion pranveror i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës është i një rëndësie historike. Këtë ditë, diku rreth orës 16:00, do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në këtë sesion do të diskutohet raporti i znj. Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve e prezentë.

Asambleja Parlamentare i ka 46 shtete anëtare me gjithsej 302 anëtarë plus 306 zëvendësues. Janë 34 shtete që na kanë njohur, ndërsa 14 që nuk na kanë njohur. Në qoftë se votimi është i suksesshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024.

Po ashtu, të martën nga ora 10:30-12:30, Komiteti për Politikë dhe Demokraci, në sallën 9, do të diskutojë për raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin do të flasë raportuesja për Kosovën, znj. Bakoyannis. Në këtë takim do të paraqiten edhe dy raportet e tjera të dy komiteteve që kanë ndihmuar në hartimin e opinionit konsultativ.

Flags wave outside the Council of Europe building on the day Ukrainian President Volodymyr Zelenskiy addresses the Parliamentary Assembly, in an extraordinary session to discuss Russia’s invasion of Ukraine, via videolink in Strasbourg, France March 14, 2022. REUTERS/Arnd Wiegmann

Sot 105-vjetori i vdekjes së Ismail Qemalit

Sot bëhen 105 vjet nga vdekja e atit të Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarit të madh Ismail Qemali.

U llind në Vlorë, në vitin 1844, biri i Mahmut Nedim beut. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Më mbas vazhdoi në shkollën e mesme Zosime në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht. Në vitin 1860, në moshë shumë të re, vetëm kur ishte 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll.

Deri në vitin 1900 Ismail Qemali punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane, në Vilajetin e Janinës (1862), në Vilajetin e Danubit (1866-1876), në Filibe (1876), në Mardin 1883), në Bollu (1884-1889), në Bejrut (1889).

Në vitin 1900, kur ishte me detyrën e kajmakamit në Kesrije, për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve, la detyrën, u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë. Në gjyqin që u bë në mungesë u dënua me vdekje.

Në vitin 1902 Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve që u organizua nën drejtimin e Princit Sabahedin dhe Lutfullahut, në Paris. Vetëm mbas rishpalljes së Kushtetutës (1908) Ismail Qemali u kthye nga Evropa. Në zgjedhjet që u bënë mbas rishpalljes së Kushtetutës, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit dhe u bë pjesë e partisë opozitare “Osmanlı Ahrar Fırkası”.

Gjatë periudhës së kryengritjeve të shqiptarëve kundër dhunës së ushtruar nga administrata e xhonturqve që ishin në qeveri, Ismail Qemali u mundua të siguronte mbështetje nga shtetet Evropiane për të krijuar një administratë autonome brenda Perandorisë Osmane.

Në kryengritjen e Malësisë së Madhe (1911) shkoi në Çetinje të Malit të Zi, ku me iniciativën e tij u firmos edhe memorandumi me 12 pika i Kuvendit të Greçës. Me kryengritjen e vitit 1912 u arrit një autonomi e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane, por fillimi i Luftës Ballkanike jo vetëm që e ndërpreu formimin e një strukture të tillë, por solli edhe pushtimin dhe copëtimin e trevave shqiptare. Ismail Qemali udhëhoqi lëvizjen dhe mbledhjen që u mbajt në sarajet e familjes Vlora, ku më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Në muajin mars 1913, nëpërmjet Dukës de Monpensier kaloi në Brindizi dhe më pas vizitoi kryeqytet e shteteve Evropiane për të siguruar mbështetje për çështjen e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar dhe u nis bashkë me familjen për në Francë.

Ndërroi jetë më 24 janar 1919, në Peruxhia dhe më 12 shkurt u varros në oborrin e Teqesë në Kaninë, mbi Vlorë./rtk/KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Arsimit

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti. Përcaktimi i saj si ditë ndërkombëtare është bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive.” 

 Qëllimi i tjetër i caktimit të ditës kushtuar arsimit në nivelin ndërkombëtar është që të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve për rolin dhe rëndësinë që luan arsimi si njëri ndër mjetet më të përshtatshme për të shpëtuar nga varfëria.

Pa një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë si dhe mundësi për arsimim gjatë gjithë jetës për të gjithë, shtetet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe thyerjen e ciklit të varfërisë që është duke lënë miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur në prapambeturi.

Duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara njohën rëndësinë e punës arsimore për të siguruar një arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë në të gjitha nivelet – në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë qasje në mësimin gjatë gjithë jetës dhe përvetësimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për pjesëmarrje të plotë në shoqëri si dhe të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm./KultPlus.com

Mora lule sot…

Poezi nga Paulette Kelly

Nuk ishte ditëlindja ime ose ndonjë rast special.
Patëm zënkën e pare mbrëmë.
Ai tha shumë gjëra të këqija që më lënduan.
E di që i vjen keq dhe që nuk i mendon ato që tha.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte përvjetori ynë apo ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më përplasi pas murit dhe më goditi.
Dukej si makth.
Nuk mund ta besoja se ishte reale.
U zgjova e lënduar në mëngjes dhe me të nxira.
E di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Nuk ishte Festa e Gruas ose ndonjë rast special.
Mbrëmë, ai më rrahu sërish.
Dhe ishte më keq se herën e kaluar.
Po e lashë atë, çfarë do të bëj?
Si do të kujdesem për fëmijët e mi?
Po për para’ si do ja bëj?
Por e di që atij duhet t’i ketë ardhur keq.
Sepse ai më solli lule sot.

Mora lule sot.
Sot ishte një rast special.
Ishte dita e funeralit tim.
Mbrëmë, më në fund ai më vrau.
Më rrahu për vdekje.
Sikur të kisha patur aq kurajë dhe forcë për ta lënë,
Nuk do të kisha marrë lule… sot.

Sot, Dita Botërore e Turizmit

Sot në botë shënohet Dita Botërore e Turizmit.

Turizmi është praktika, veprimi i marrë nga ata që udhëtojnë apo vizitojnë vende me qëllim zbavitjeje, njohurie dhe mësimi; sipas definicionit te Organizatës Botërore të Turizmit (World Tourism Organization, një nga departamentet e Kombeve te Bashkuara), turist quhet gjithkush që udhëton në vende të ndryshme nga ai në të cilin ka rezidencën aktuale, jashtë ambientit të përditshëm personal, për një periudhë prej minimumi një nate por jo më gjatë se sa një vit dhe qëllimi i tij i zakonshëm të mos jetë asnjë lloj veprimtarie nga e cila të përfitojë ekonomikisht.

 Në këtë term përfshihen të gjithë ata që udhëtojnë për: dëfrim, pushim dhe çlodhje; për të vizituar miq dhe të afërm; për motive pune dhe profesionale, për motive shëndeti, besimi/pelegrinazhi dhe tjetër.

Llojet e turizmit: Turizmi Bregdetar, Turizmi Kulturor, Eko Turizmi, Turizmi Elit, Turizmi Masiv, Turizmi Rural, Turizmi Nautik, Turizmi Kongresial, Turizmi Shëndetësor, Turizmi Fetar, Turizmi Seksual, Turizmi i Zi (Dark Tourism), Turizmi Dimëror.

Turizmi eshte veprimtari ekonomike ,tretësore që lidh prodhimtarinë me konsumin./KultPlus.com

Sot, shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjeologjisë

Sot në botë shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjeologjisë, shkencë kjo që e studion tokën dhe pasuritë nëntokësore të një vendi, shkruan KultPlus.

Gjeologjia studion përbërjen e Tokës, ndërtimin e saj, mënyrën e formimit të Tokës si trup qiellor si dhe historinë e Tokës që nga formimi i saj deri në ditet e sotme. Shkencëtarët të cilët merren me këtë shkencë quhen gjeologë dhe studiojnë truallin (dheun) e shkëmbinjtë.

Me termin “gjeologji”, në fakt nënkuptohet tërësia e shkencave të tokës, mes të cilave ndodhet dhe gjeologjia vetë si nëndegë që studion shkëmbinjtë dhe ndërtimin gjeologjik të një rajoni apo krejt tokës.

Sipas gjeologjisë Kosova është e pasur me linjit dhe minerali si: qymyr, zink, plumb, argjend dhe krom, por ka gjithashtu dhe tokë bujqësore produktive. Kosova është sidomos e pasur me qymyr, e treta në Evropë me rezerva. Kosova posedon rreth 14.700 miliard ton linjti në rezerva, që e rendit Kosovën të pesten në botë. Gjithashtu ka rezerva prej 1 trilioni në minerale si: alumin, ari, plumb, zink, bakër, boksit, magnez, etj./KultPlus.com

Sot 550 vite nga vdekja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Sot bëhen 550 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Kjo ditë do të shënohet me aktivitetet të shumta në Kosovë, të cilat fillojnë me orën e parë mësimore në shkolla, ku nxënësve do t’u ligjërohet për Skënderbeun.

Nga ora 10:00 do të bëhen homazhe tek Shtatorja e Skënderbeut në Prishtinë. Në orën 11:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, hapet ekspozita me portrete të Skënderbeut.

Në ora 13:00, Komuna e Gjilanit bënë zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në sheshin kryesore të qytetit. Po ashtu, në ora 16:00, Komuna e Gjilanit organizon akademinë e Flakës së Janarit 2018, që i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar.

Nga ora 18:00, Muzeu i Kosovës dhe Museum Illyricum në Zvicër, hapin ekspozitën me libra, pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet e 30-ta./ KultPlus.com

Rita Ora sot feston datëlindjen (FOTO/VIDEO)

Këngëtarja shqiptare më fama botërore Rita Ora, sot feston datëlindjen, shkruan KultPlus.

Krijuesja e hitit “Anywhere”, këngën kjo e publikuar së fundmi nga Rita, sot mbush 27 vite.

Rita lindi më 26 nëntor 1990-të, në Prishtinë.

Ajo së fundmi udhëhoqi ceremoninë glamuroze të çmimeve MTV EMAs, ku edhe interpretoi këngën e saj të re, ndërsa mahniti të pranishmit dhe publikun me pamjen e saj përrallore.


Tashmë Rita Ora, është në përfundim të albumit të saj të dytë i cili pritet të dalë së shpejti.

Ndërkohë për datëlindjen e Ritës, sot janë përkujdesur edhe fansat e saj, të cilët i kanë dërguar urime pafund, e poashtu kanë realizuar edhe disa video interesante. Prishtinasen me famë botërore e kanë gëzuar pa masë këto urime dhe këto dhurata, të cilat i ka ndarë edhe nëpërmjet rrjetit social Instagram. / KultPlus.com

Shkëlzen Doli sot dërgon tingujt e violinës së tij në festivalin “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” në Tetovë

Me rastin e 5 vjetorit të Festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” në Tetovë, shoqata “Alegretto” organizon koncert me virtuozin e muzikës shqipe, violinistin e Filarmonisë së Vjenës Shkëlzen Doli dhe orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar, nën dirigjimin e Gridi Krajës.

Koncerti Gala do të mbahet sot në Qendrën e Kulturës-Tetovë, me fillim në ora 18:30. Biletat mund të gjenden në Qendrën për Kulturë.

Me 14 nëntor, do të mbahet koncert me muzikë orientale, me ç’rast do të bëhet edhe promovimi i albumit “The last breath”. Në “Nay” do të interpretojë Abas Jahja, ndërsa në kitarë do të performojë Ebrar Mazhar. Koncerti do të mbahet në klubin e artistëve “ODA”, me fillim në orën 19:00, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë e lirë.

Koncert recital do të mbajë pianisti virtuoz tetovar Shkëlzen Baftiari. Koncerti do të mbahet në sallën e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, në ora 19:00, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë e lirë.

Më 17 nëntor me fillim në orën 19:00 në Pallatin e Kulturës do të performojë tenori i njohur shqiptar Kastriot Tusha dhe sopranoja Nita Zenuni. Ansamblin do ta dirigjojë Prof.dr.Isak Shehu. Për këtë koncert hyrja do të jetë falas.

Më 19 nëntor me fillim në orën 19:00 koncert do të mbajë ansambli i njohur kosovar “ATTACCA”. Koncerti do të mbahet në sallën e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, në Qendrën për Kulturë-Tetovë, kurse hyrja do të jetë falas./ KultPlus.com