Debate për muzeun e Spaçit, kundërshtohet zhvendosja e tij në Reps

Që do të ketë një muze lidhur me të kaluarën e ish-burgut të Spaçit kjo është e padiskutueshme, por vendndodhja e tij, ishte ajo që hapi debat në dëgjesën e parë për këtë çështje. Propozimi  është që Muzeu të ngrihet në Reps të Mirditës dhe jo në Spaç, sugjerim që zgjoi kundërshtime.

Përfaqësuesja e Fondacionit Italian, Gulia Avanza, rendit arsyet e përzgjedhjes së Repsit si vendi i duhur, ndonëse thotë që kjo përzgjedhje nuk është përfundimtare.

“Kemi menduar ta ngremë aty sepse është shumë i aksesueshëm për shkak të infrastrukturës. Një nga vendndodhjet është që të ngrihet në buzë të autostradës, pasi siç e dini rruga në Spaç është e paasfaltuar dhe e vështirë. Arsyeja e dytë, ne duam që Spaçin ta mbajmë ta parekur, sigurisht të përforcojmë godinat, por ta lëmë ashtu siç ka qenë në kohën e diktaturës”, tha ajo.

Plani i menaxhimit të ish-burgut famëkeq të Spaçit, parashikon ndër të tjera rikonstruksionin e godinave i cili është monument kulture i kategorisë së dytë prej 2007ës, e po ashtu edhe një strategji që kjo vendndodhje të thithë sa më shumë turistë, dhe njëkohësisht të jetë një hapësirë për të folur për të kaluarën komuniste. Investimi fillestar deri më tani është parashikuar të jetë rreth 5 mln Euro./tvklan/KultPlus.com

Screenshot

Ekspozita ‘E kaluara e tashme’, ish-të burgosur politikë rikthehen në ish-burgun e Spaçit

Disa ish-të burgosur politikë u rikthyen në ish-burgun e Spaçit për të ndarë historitë e tyre me brezat e rinj.

Takimi u organizua me rastin e ekspozitës “E kaluara e tashme” e mbështetur nga programi EU4CULTURE.

Nëpërmjet skulpturave dhe regjistrimeve të 49 ish-të burgosurve politikë, kjo ekspozitë kujton vuajtjet, por edhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar dhe në këtë mënyrë nxit një diskutim të mirëfilltë për të kaluarën e Shqipërisë.

Ambasadori i BE-së, në vendin tonë, Silvio Gonzato e cilësoi prekës takimin me të mbijetuarit e burgut të Spaçit.

“Takimi me të mbijetuarit e burgut të Spaçit, një prej burgjeve më brutale të regjimit komunist në Shqipëri, ishte vërtet prekës. Të dëgjuarit e historive të tyre më kujtoi se ka mbetur shumë për të bërë në ballafaqimin me të kaluarën. Më vjen mirë që kaq shumë të rinj erdhën në Spaç për të takuar të mbijetuarit. Ata duhet të kuptojnë se nga vijnë dhe çfarë ka kaluar Shqipëria. Njeriu duhet të shërojë plagët e së kaluarës duke adresuar të drejtat e viktimave. Jam krenar që e mbështetëm këtë event, por kjo nuk mjafton. Ish-burgu i Spaçit po përkeqësohet me shpejtësi, ndërkohë që duhet ruajtur në mënyrë që ne të kujtojmë atë që ndodhi këtu dhe të themi: kurrë më”, u shpreh ambasadori i Gonzato./atsh/ KultPlus.com

Ekspozita ‘E Kalura e Tashme’ në Spaç të Mirditës

 Në ish-burgun e Spaçit, në Mirditë, do të ngrihet ekspozita “E Kaluara e Tashme”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale posterin e kësaj ekspozite, që do ngrihet për të qëndruar përgjithmonë në Spaç të Mirditës.

Gonxhja tha se, 49 portretet e ish të burgosurve politik që janë ende në jetë, bashkë me rrëfimet e tyre do të jenë të hapura për publikun që prej datës 13 prill 2024 e në vazhdim.

“Kushdo mund të shoh trupëzimi i 49 portreteve në një skulpturë të vetme e cila kthehet në një monument të kujtesës kolektive, pikëtakim dhe pikënisje e procesit zhvillimor shoqëror. Kjo ekspozitë është një akt artistik-kulturor i cili finalizohet me praninë e publikut, rinisë, institucioneve, dhe të gjithëve si aktorë aktiv të ndërtimit të një shoqërie”, u shpreh ministri.

Historitë dhe vuajtjet në ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, vijnë përmes kësaj ekspozite, me krijimin e skulpturave nga Kristian Zara. Teksa kurator të ekspozitës janë Arnen Sula dhe Kristian Zara.

Projekti është konceptua dhe realizua nga Tek Bunkeri, financuar nga Bashkimi Evropian pjesë e programit EU4CULTURE, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (2023-2024).

Qëllimi i ekspozitës është të treguarit e kësaj pjese të historisë shqiptare me anë të krijimit të një skulpturë monumentale e cila do të qëndrojë përgjithmonë në Spaç./atsh/KultPlus.com